Monday, September 28, 2009

Alarmi, 52% e vdekjeve për shkak të zemrës

TIRANË- Shifra alarmante dhe këshilla për ndryshim të stilit të jetesës kanë dhënë sot në Ditën Botërore të Zemrës mjekët kardiologë. Sipas tyre, 52 % e vdekjeve në vend vijnë nga sëmundjet e zemrës dhe të qarkullimit, ndërkohë që 80% e këtyre vdekjeve janë të parakohshme.

"Në tre vdekje nga gjithë sëmundjet kronike, 2 janë nga zemra dhe qarkullimi dhe ky është një problem shumë i madh për shoqërinë shqiptare"- thanë mjekët.



Ata këshillojnë ndryshim të stilit të jetesës, duke filluar që me mënyrën e të ushqyerit, aktivitetin fizik dhe mënjanimin e alkoolit dhe të duhanit.

"Në rrezik nuk janë vetëm pirësit e duhanit, por edhe gjithë të tjerët që thithin tymin që lëshojnë duhanpirësit"- thanë ata, duke shtuar se majmëria ose dhjamosja është një tjetër problem shqetësues. Kjo, pasi po t'i referohesh shifrave zyrtare, 30% e shqiptarëve janë obezë. Mjekët bëjnë apel për parandalimin e sëmundjes që sjell jo vetëm rrezik, por edhe vdekshmëri të lartë, duke kujtuar njerëzit për kontrolle të vazhdueshme që të mos arrihet në kurimin, por në parandalimin në kohë.


Shekulli

No comments: