Monday, September 28, 2009

Bollano ndalon këngët shqip në Himarë

Në fillim ndërhyri në program për të hequr pjesët me motive patriotike, pastaj anuloi aktivitetin. Historia e bëmave të liderit të minoritetit grek.





Fenomeni "Bollano" befason sërish. Kryebashkiaku i Himarës ka përzënë artistët e vegjël durrsakë nga territori i tij, duke mos lejuar të japin shfaqje. Muaj më parë, ai kishte rënë dakord për këtë aktivitet, duke u siguruar më parë që në programin artistik nuk do të kishte këngë e valle patriotike shqiptare dhe as do të shfaqej gjëkundi flamuri kuqezi. Ditën e premte, një reagim krejtësisht i pazakontë dhe befasues ka qenë mirëpritja për grupin prej 28 vetash nga Durrësi. Reagimi ka shokuar jo vetëm drejtuesit e rritur të grupit, por edhe fëmijët që ishin përgatitur për të dhënë shfaqjen e radhës për bashkëmoshatarët e tyre dhe qytetarët në Himarë. Grupi i refuzuar nga qytetari nr.1 i Himarës ishte ai i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës, një qendër e mirënjohur në rang mbarëkombëtar për aktivitetet e shumta dhe cilësore që organizon. Në kuadrin e një turi të nisur muaj më parë, trupa e artistëve të vegjël durrsakë mbërriti ditën e premte në Himarë për të organizuar aktivitetin artistik me një program të reduktuar, "të qethur" muaj më parë nga Bollano prej valleve e këngëve me tematikë patriotike. Bashkë me ta, kanë udhëtuar dhe disa këngëtarë të vegjël të qendrës së Vlorës. Të ngarkuar dhe me foninë, disa veshje karakteristike popullore dhe të kërcimeve moderne, fëmijët mbërritën në Himarë të lodhur nga rruga, por të entuziazmuar për shfaqjen që do të jepnin pas një pushimi disa orësh. Situata ndryshoi nga mohimi i realizimit të shfaqjes. Ndonëse ishte kontaktuar në prill për këtë aktivitet, atëherë kur ai kishte shqetësimin e dënimit gjyqësor dhe gjithçka u la për në një kohë tjetër, Bollano pretendoi se duhej të ishte njoftuar dy muaj më parë për shfaqjen dhe se biseda e mëparshme ishte shfuqizuar për shkak të kohës. Arsyetimi i kryebashkiakut Bollano është argumentuar si një pretekst i keq për të bllokuar aktivitetin në një prej ambienteve publike të Himarës, ndërkohë që muaj më parë ai pati kërkuar programin që do të paraqitej para publikut nga fëmijët artistë dhe kishte bërë ndërhyrjet personale në të. Takimi paraprak në pranverë mes drejtuesve të grupit dhe kryebashkiakut kishte qenë befasia e parë. Ndërhyrjet e kryebashkiakut patën diktuar ndjeshëm përmbajtjen e programit, duke u fokusuar te këngët fëmijënore dhe vallet e Shqipërisë së Mesme, duke kërkuar dhe heqjen nga programi artistik të numrave me motive patriotike. Reagimi i drejtorit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës, Naim Kërçuku, për ta bërë të arsyetojë kreun e bashkisë që gjithnjë ndez debate në Shqipëri me veprimet dhe deklaratat e tij, ka qenë i kotë. Asgjë nuk është zhbërë nga vendimi i Bollanos për të anuluar koncertin e fëmijëve që ushtrohen gjatë gjithë vitit në klubet fëmijënore të ish-shtëpisë së pionerit në Durrës, për të kultivuar dhe çuar më përpara talentet e tyre dhe argëtuar me to bashkëmoshatarët, si në ditë të veçanta festive, ashtu dhe gjatë sezonit të verës. Fëmijët artistë kanë mbetur të zhgënjyer nga gjithçka ndodhi në Himarën bregdetare, ku të paktën përfituan nga zemërgjerësia e Bollanos për t‘u kredhur njëherë në det, pasi dhe për këtë u është dashur të marrin leje. Nuk ka munguar as prania e policisë, e cila gjithsesi nuk ka ndërhyrë, pasi nuk ka pasur vend për acarime të mëtejshme, aq më tepër për një aktivitet që synonte të bënte art dhe argëtim. Më pas, fëmijët e zhvendosën aktivitetin e tyre artistik mes pushuesve në Llogora, duke lënë pas shijen e hidhur të një refuzimi që më shumë se këdo, lëndoi fëmijët.


Refuzimi


Përfaqësuesi i një komuniteti qytetar në tokë shqiptare dhe me banorë shqiptarë, përveç atyre të minoritetit grek, vuri kushte për zhveshjen nga kombëtarja të numrave artistikë që do t‘u servireshin qytetarëve të tij. Bollano ka preferuar këngë si "Dua mamin, dua babin" apo vallet e kënduara "Ra faja prej fikut", "Napoloni" dhe ka refuzuar të gjitha pjesët e programit që mbështeteshin në motivet patriotike shqiptare, si vallet "Qëndisja e Flamurit", "Vallja e Shqipeve" etj. Një fobi nga elementi shqiptar?! Një fobi e frikshme që mbi të gjitha cenon dinjitetin kombëtar, vë në pikëpyetje përkatësinë kombëtare të fëmijëve, gjithëpërfshirjen në një komunitet ndëretnik. Ngjarja e thjeshtë në dukje përcjell mesazhe të qarta të qëndrimit të Bollanos, që tashmë është kthyer në fenomen.

Karriera


Bollano, nga provokimi i "Aleancës për Kombin" te ngjitja në pushtet dhe dënimi me burg




Historia e liderit të grekëve të Shqipërisë




Vasillaq Bollano, i njohur gjerësisht me emrin e shkurtuar Vasil, u shfaq relativisht vonë në skenën politike të minoritetit grek në Shqipëri. Ndoshta pikërisht sepse vinte nga Himara, një zonë që nuk e gëzon statusin e minoritetit, Bollano pati një karrierë të shpejtë brenda strukturave politike të grekëve të Shqipërisë, e më pas edhe në strukturat shtetërore. Ai u shfaq për herë të parë në skenën politike në vitin 2000, kur kreu i atëhershëm i PBDNJ-së, i ndjeri Vasil Melo, e pranoi si kandidat për kryetar bashkie në Himarë, me insistimin e Athinës zyrtare.

Në atë kohë Bollano u akuzua se bëri një fushatë të "pisët", pasi premtoi viza greke në këmbim të votave. Por nuk arriti të fitonte, për shkak të asaj që u quajt "Aleanca për Kombin", që bashkoi të gjitha partitë shqiptare kundër PBDNJ-së. Bollano mori atë vit rreth 1200 vota, por në raundin e dytë të zgjedhjeve iu bashkuan kundër 1100 vota të PS-së, 600 të PD-së, 500 të PSD-së dhe dhjetëra të tjera të partive të vogla.

Në vitin 2003, kur PBDNJ-ja bashkëqeveriste me Partinë Socialiste, nuk kishte më vend për aleanca patriotësh. Vasillaq Bollano u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës pas votimeve tejet të tensionuara, me shpërthime eksplozivash dhe protestash antishqiptare në zemër të Labërisë.

Me të marrë në dorë bashkinë, aktiviteti i tij brenda strukturave të grekëve u bë shumë i dendur. Deklaratat që irritonin shqiptarët pasonin njëra-tjetrën dhe Bollano u shndërrua në pak kohë në personazhin më të njohur ndër grekët e Shqipërisë. Si forcoi pozitat brenda të tijve dhe fitoi simpatinë e Athinës, Bollano filloi pak nga pak të kalonte nga fjalët te veprat.

Duke shfrytëzuar autoritetin që i jep ligji mbi punonjësit e zyrës së gjendjes civile, kryebashkiaku i Himarës bllokoi fillimisht procesin e regjistrimit të jabanxhinjve si qytetarë të Himarës. Më pas, duke anashkaluar institucionet shtetërore, mundësoi hapjen e një shkolle greke në Himarë. Megjithëse shkolla ishte private, kryebashkiaku siguroi transportin e fëmijëve me mjetet e bashkisë. Denoncimi i këtyre fakteve ra në vesh të shurdhër për një kohë të gjatë. Autoritetet e shtetit shqiptar u munduan në çdo kohë të fusin në të njëjtin thes akuzat për antishqiptarizëm që ngrinin njerëz të painformuar të politikës e shoqërisë "civile" me akuza për shkelje konkrete të ligjit.

Bollano arriti të gjente përherë rrugëdalje, deri sa erdhi e u përplas edhe me vetë qeverinë dhe dhëndrin e Kryeministrit Berisha, i cili administronte një projekt të Bankës Botërore.

Në vitin 2007, kur kishte arritur që falë ligjit elektoral dhe mbështetjes së PD-së të merrte mandatin e dytë në krye të Bashkisë së Himarës, Bollano urdhëroi policinë bashkiake të shkulte nga një pjesë e rrugës nacionale të gjitha tabelat që tregonin vendet turistike, monumentet e kulturës dhe ato natyrore. Zyrtarisht, Bollano pretendonte se tabelat ishin vënë pa lejen e tij, por shkaku i shkuljes ishte refuzimi i kërkesës së tij për t‘i shkruar tabelat edhe në greqisht.

Disa muaj pas shkuljes së tabelave, kur ngjarja u denoncua nga shtypi (Gazeta "Shqip", 1 mars 2008), Prokuroria e Vlorës hapi hetimet dhe pas gati një viti, procesi në ngarkim të Vasillaq Bollanos përfundoi me dënimin e tij me gjashtë muaj burg dhe pesë milionë lekë gjobë, pasi u gjet fajtor për shpërdorim detyre.

Procesi gjyqësor i dha më shumë shtysë Bollanos të ngrihej më lart në strukturat politike të grekëve të Shqipërisë. Nga sekretar i përgjithshëm i organizatës "Omonia", ai u zgjodh kryetar i kësaj organizate, që është në fakt vetë zemra e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Gjatë kohës që ndiqej penalisht, kreu i ri i "Omonias" filloi të zgjerojë ndikimin e tij, duke afruar pranë vetes shoqatat e pronarëve të Bregut dhe duke e hapur kështu diskutimin "grek-jogrek" përtej së imagjinueshmes, deri te banorët Nivicës.

I tërhequr gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009 për të mos dëmtuar imazhin e PBDNJ-së, Bollano po shfaqet sërish tani që zgjedhjet mbaruan.

Shqip Vali Qyrfyçi, Kamber Velaj

No comments: