Thursday, September 24, 2009

Darvini dhe Frojdi !

Gjithçka që bënë këta dy veprimtarë, e bënë për lirinë dhe në emër të saj. Dy mendimtarë që luftuan të njëjtën luftë. Që të dy shkencëtarë, që dëshironin t'u zbulonin bashkëkohësve të tyre të vërtetat faktike. Të vërtetat, që e shokuan borgjezinë më shumë se çdo gjë tjetër. Madje, më shumë se edhe teoritë e Marksit.


Për të vërtetën e thjeshtë që ata thanë dhe që shijoi si acid në kohën viktoriane, shoqëria e kohës u përgjigj ndaj tyre me një furi të egër e të hidhur. Furi që, siç duket, nuk është zbutur akoma deri në ditët tona.


Çarl Darvini (Charles Darwin), ka lindur në Angli më 1809. Ai ishte nipi i evolucionistit ekscentrik Erasmus Darvin. Babai i Darvinit u bind ta lejonte të birin të shkonte si natyralist në "Beagle", për të mbikëqyrur jetën e egër në Amerikën e Jugut. Babai shpresonte se diçka do të dilte nga ky udhëtim, por në të vërtetë, nuk e priti dot atë.


Gjatë pesë viteve në "Beagle", Darvini, filloi të përpunojë idenë mbi evolucionin dhe origjinën e specieve. Këtë ide ai arriti ta publikojë në vitin 1859, para së njëjtës klasë të respektuar angleze, e cila kishte përzënë Xhorxh (Georg) Eliot-in. Edhe pse Darvini u përqendrua tek bimët dhe krimbat, që ishin midis kënaqësive të tij të hershme, idetë që ai dha ishin koherente. Ai, me kokëfortësi nguli këmbë të deklarojë:
"Të gjitha speciet kanë ardhur nëpërmjet evolucionit, që ka në bazë të tij seleksionimin natyral. Madje edhe vetë njeriu."


Kjo ishte shumë e rëndë që të gëlltitej.


Evolucioni është i qartë. Ai duket kudo. Kombet evoluojnë, duke iu përgjigjur sfidave prej kombeve të tjera dhe prej natyrës. Korporatat evoluojnë duke u përgjigjur ndaj konditave të tregut. Miqësitë evoluojnë, idetë evoluojnë. Madje, është shumë e qartë, se specie të veçanta kafshësh kanë evoluar. Sa e sa lloje qensh ka sot? Më përpara ka patur vetëm një ose dy prej tyre.


Propozimi i Darvinit, "që principi i zhvillimit të të gjitha specieve, në këtë numër edhe njeriut, që është, gjithashtu, një kafshë që ka evoluar prej paraardhësve të tij, kafshëve johumane", i shokoi bashkëkohësit e tij.


Ky shokim nuk ishte pa arsye.


Ideja se speciet kanë evoluar gjatë një periudhe të gjatë kohore, në vend që të jenë krijuar të gjitha në një kohë, pak mijëravjeçarë më parë, ishte një sfidë tjetër si ajo e Galileut. Këtë sfidë, të gjithë religjiozët e kishin të pamundur ta pranonin.


Darvinizmi ishte hapur në kontradiktë me librat fetarë.


Por nuk ishte Darvini që e sajoi kontradiktën. Ai vetëm, ashtu si Galileu, tha : "Hapni sytë dhe shikoni! Kjo është në mënyrë perfekte e dukshme."


Qetësia dhe mënyra xhentile me të cilën Darvini i deklaroi këto gjëra, i tërboi edhe më shumë kundërshtarët.


Edhe po qe se do të pranohej se krimbat kanë evoluar, ishte e pamendueshme që njeriu t'i ketë gjurmët e ardhjes së tij nga kafshët. Ata nuk do të pranonin kurrë që njeriu të jetë pasardhës i majmunëve të lartë me zakonet e tyre të këqija, që nuk i fshehin organet e seksit kur shkojmë t'i vizitojmë në zoopark.


Ndonëse Darvini përsëriste se evolucioni i njeriut modern dhe i majmunëve të lartë ka qenë kompletuar shumë miliona vjet më parë, kjo nuk e zbuste zemërimin. Kundërshtarët e tij insistonin se ai i akuzonte duke u thënë se kanë majmunin gjysh. Ata dëshironin të tregonin hapur, se ishin të ofenduar dhe nuk e dëgjonin kur ai përpiqej t'ua shpjegonte.


Fodullëku i atyre që nuk gjenin dot arsye të pranonin marrëdhënien tonë të afërt me kafshët e tjera, ishte i mërzitshëm dhe i hidhur. Ndërsa puna dhe jeta e Çarl Darvinit, ai vdiq në vitin 1874, krejt ndryshe, ishte e gëzuar dhe çliruese.


Ai çliroi mendjen njerëzore nga burgu i ngushtë i kohës. Ai zbuloi një nga mekanizmat më themelorë të ndryshimit biologjik. Disa nga idetë e tij, vërtet që mund të jenë akoma të dyshimta, por, siç thonë shumë studiues të sotëm, hipoteza e tij themelore për evolucionin, qëndron si Gjibraltari.


Sigmund Frojdi (Freud), lindi në Moravi, në vitin 1856. Ai studioi mjekësi në Vjenë dhe u specializua në neurologji dhe psikiatri. Gjatë vitit 1890, ai përpunoi teknikën e tij për trajtimin e pacientëve me histeri, duke i inkurajuar ata të asocionin lirshëm (associate freely). Me këtë teknikë ai arriti rezultate shëruese të shënuara, ose më së paku, arriti që të sëmurët të kenë përmirësime (remisione) të zgjatura. Në këto vite të një pune titanike, ai zbuloi, gjithashtu, inkonshientin.


Çfarë zbulimi i jashtëzakonshëm ishte ky! Sa gjë e çuditshme dhe e fshehtë ishte inkonshienti. Gjithkush që shikon veten në pasqyrë, e kupton se ka një inkonshient. Ai mund ta ketë ditur këtë me kohë, por me ndërgjegje e ka mohuar dhe vazhdon akoma ta mohojë.


Çfarë është kjo mendja jonë që operon me veten, jashtë kontrollit tonë? Kush është i zoti të kontrollojë mendjen e tij? Kush mund të mendojë vazhdimisht, për më shumë se pak sekonda për të njëjtën gjë, pa kaluar nëpër mendje mendime të tjera të padëshiruara e të paftuara? Kush është i zoti ta detyrojë mendjen e tij të mos mendojë për seks, ose për hakmarrje, ose për lavdi personale? Dhe....po i lamë këto gjëra të hyjnë vetëm një herë në mendjen tonë, është e pamundur t'i largojmë më pas me dëshirë. Ato largohen papritur dhe zëvendësohen nga diçka tjetër, po njësoj e papritur dhe e padëshiruar. E gjitha kjo, sipas Frojdit, është eksperiencë universale e racës njerëzore. Madhështia e Frojdit është se ai me këmbëngulje dhe sistematikisht, mendoi për këtë fenomen, deri sa filloi ta kuptojë atë.


Frojdi ishte një figurë më e papranueshme nga bashkëkohësit, po ta krahasojmë me Darvinin. Insistimi i tij se dëshira seksuale dhe frika, vendosen menjëherë nën sipërfaqen e mendjes së secilit nga ne, ishte shumë më shokuese për viktorianët, nga sa ishte ajo që proklamonte Darvini, "Se ne kemi ardhur nga një paraardhës që i ngjan majmunit."

Me mësimet e Frojdit nuk u ofenduan vetëm fodullët, por u prekën të gjithë njerëzit. Gjithkush, thellë në veten e tij dhe në sekret nga të tjerët, e di që shumica e gjërave që thoshte Frojdi lidhur me të, ishin të vërteta. Por, të gjithë e kanë të vështirë të pranojnë se mendimet seksuale vendosen menjëherë nën sipërfaqen e konshientit, gjithmonë gati të kërcejnë dhe mundësisht, në momentin më të papërshtatshëm.


Viktorianët e vërtetë, gabimisht, besonin se njerëzit e tjerë janë ndryshe prej tyre. Burrat, kot mendojnë se gratë e tyre kurrë nuk kanë patur mendime seksuale. Gratë, gjithashtu, kot mendojnë të njëjtën gjë për fëmijët e tyre. Fare kot, gjithkush, mendon për pafajësinë e pastërt të prindërve të tij, pavarësisht fakteve, që dukshëm janë ndryshe.


Ajo që thuhet se Frojdi kish obsesion vetëm problemet e seksit, nuk është e vërtetë. Ai ishte një kritik brilant i letërsisë dhe i shoqërisë në tërësi. Ai ngulte këmbë t'i shikonte të dyja në dritë të ftohtë të realitetit dhe jo në atmosferën rozë që koha e tij besonte të ishin. Ai ka marrë disa çmime në letërsi, siç ishte çmimi Gëte për letërsinë dhe pikëpamjet e tij filozofike u bënë udhëheqëse anembanë botës.


Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, të gjithë ishin shokuar nga tmerri dhe brutaliteti i saj. Kriminaliteti ishte gjithkund, menjëherë, ndenë sipërfaqen e politesës sociale. Frojdi ishte po aq i shokuar sa gjithkush tjetër. Por ai nuk ishte i çuditur. Ai e dinte, lufta ishte atje duke pritur.


Ai gjithashtu nuk u çudit kur nazistët filluan të vritnin çifutët dhe u përpoqën ta vritnin edhe atë. Ai iku nga Vjena me vajzën e tij Ana, duke paguar për këtë njëzet për qind të pasurive të tij dhe shkoi në Londër. Ai ishte i moshuar dhe i sëmurë. Vitin tjetër ai vdiq.


Frojdi ishte një mjek dhe shkencëtar. Ky ishte një fakt për të cilin ai insistonte. Ironia më e madhe e jetës dhe e punës së tij ishte se, ndonëse ai punoi në fushën e psikologjisë, që e merr emrin e saj prej fjalës greqishte, që do të thotë shpirt, ai kurrë nuk besoi në pafundësinë e shpirtit human.


Ai vazhdoi të besojë se qenia njerëzore është më shumë se çdo gjë tjetër një makinë. Në qoftë se jo një makinë, thoshte ai, atëherë, ajo është një kafshë si të gjitha kafshët e tjera.


Ai ishte me kurajë të lartë. Ai dëshironte të shkonte atje ku askush tjetër para tij nuk kishte shkuar. Aty poshtë, në thellësi të mendjes sonë, të cilën ne e fshehim gjatë ditës dhe e shfaqim vetëm me gjysmë vullnet natën.


Darvini dhe Frojdi. Ata ishin një çift zbuluesish, që na detyruan të shikojmë natyrën tonë humane, ndonëse ne nuk duam ta bëjmë këtë. Nuk ka dyshim që ne ndjehemi më mirë me këto njohuri të reja, ndonëse shumë prej nesh, kurrë nuk do të rreshtin t'i urrejnë këta dy titanë të mendimit, që na treguan natyrën tonë të vërtetë.


Darvinizmi dhe Teoria e Psikanalizës së Frojdit, nuk janë vetëm zbulime të mëdha shkencore, ato, ashtu siç thotë Erik Fromi, janë lëvizje të fuqishme politike, që përfshinë gjithë botën.
Dr. Haxhi Shekulli

Frojdi, Marksi dhe Darvini

No comments: