Sunday, September 20, 2009

Dorëheqje apo këmbëngulje ?

Ministri i transporteve nga Maqedonia fqinje, vend jo anëtar i NATO-s, dha dorëheqjen për shkak të tragjedisë që ndodhi në liqenin e Ohrit. Një anije e vjetër u mbyt, 15 turistë gjetën vdekjen dhe kjo ishte arsyeja që ministri të largohej me dëshirë e me inat ndaj fatit të keq, duke kryer, siç tha vetë, “një akt moral”.

Ministri taivanez i mbrojtjes, gjithashtu ka dhënë dorëheqjen pak kohë më parë. Ai u ndje në faj sepse trupat e ushtrisë nuk i dhanë ndihmë në kohën e duhur banorëve të prekur nga taifuni që goditi ishullin. Morri përsipër një gabim, një përgjegjësi duke “shpëtuar” kështu nga gabimi dhe përgjegjësitë gjithë kabinetit ku bënte pjesë.

Mjafton t´i thërrasësh kujtesës apo dhe qoftë të lundrosh në internet për të peshkuar shembuj të këtij lloji dhe do të gjesh me dhjetra e dhjetra dorëheqje kryeministrash, ministrash, zyrtarësh të lartë partiakë a drejtues gjigantësh ekonomikë që largohen nga detyrat e tyre me vullnetin e tyre. Ikën me dorëheqje një individ për të shpëtuar të tjerët.
Një prej tyre, kryeministrja e hekurt Margaret Thatcher, në vitin 90´, iku dhe vetë kur nisën t´i ikin ministrat njëri pas tjetrit, ndonëse ishte ikonë e konservatorëve britanikë që pas saj, mezi e ngrejnë kokën dhe shifrat elektorale. Shumë vite më pas, pasardhësi i saj Gordon Broen, është ende në detyrë kur një numër ministrash të tij janë larguar për arsye nga më të ndryshmet. Omar Abdullah, ministër në Kashmir, la detyrën këtë verë sepse ashtu pati një muhabet për punë seksi. Një ministër ndërtimi në Korenë e Jugut iku kur u shemb një urë e ndërtuar plot 35 vjet para se ai të hynte në zyrën e tij. Rudolf Sharping, ish-ministri gjerman i mbrojtjes u dorëhoq pa mëdyshje sepse u akuzua se kishte përdorur një helikopter të ushtrisë për të vajtur në zonën e tij elektorale, ish-ministri japonez i financave doli nga zyra në Tokio sepse u doli përpara në konferencë gazetarëve në Romë pak i pirë e kështu shembujt mund të zgjaten pafund.

Duke e nisur me dorëheqjen më të freskët, të fqinjit tonë maqedon, që i vdiqën 15 vetë, nuk mund të mos të të kujtohet plot trishtim sjellja shqiptare e shqiptarëve tanë ndaj këtij institucioni, dorëheqjes.
Pesë vjet më parë, ne qeverine socialiste, edhe pse u mbytën dy herë më shumë njerëz se maqedonasit, askush nuk e çoi në mend largimin nga detyra. As kryeministri i djeshëm dhe i sotëm, fatkeqësisht, edhe i nesërm, zoti Berisha, nuk pati dilema mbas tragjedisë së Gërdecit: do të rri në detyrë të varros të vdekurit, të mjekoj të plagosurit, t'u ndërtoj shtëpitë të gjallëve dhe pastaj do t´u kërkoj e marr edhe votën. Në fakt, zoti Berisha nuk duhej përmendur në këtë rast: sa kohë që ai u saldua në karrigen e Presidentit në 1997, kur të gjithë i kërkonin të ikte, është e kotë të presësh ikje nga një individ që nuk e njeh kthimin mbrapa. Ndaj, qëndresa e tij prej kryeqëndrestari sot, që për më tepër fitoi dhe zgjedhjet sipas mënyrës së tij, nuk do të vënë kurrsesi në dyshim për raste më pak dramatike se ato të 12 vjetëve më parë.

Pango, ishi i kulturës, sa për të marrë një tjetër shembull që nuk i ngjan shumë shembullit të Abdullahit indian, nuk do të largohej nga detyra, sa kohë që nuk do ta shkarkonte vetë shefi i tij. Lulit fluturues deri tani ministër i jashtëm, nuk i dukej argument i mjaftueshëm akuza për qindra miliona euro shpërdorime për të ikur vetë nga zyra e tij, kurse Mediu që iku njëherë me shpejtësi nga dyert e ministrisë së mbrojtjes, po kërkon tani me çdo mjet e kusht të hyjë nga dritarja e ministrisë së mjedisit sërish në kabinet.

Ndoshta secili nga anëtarët e kabineteve të shumtë qeveritarë në Shqipëri, të majtë dhe të djathtë, kanë pasur një dhe më shumë arsye që për “arsye morale” të largohen nga detyra, por nuk e kanë bërë. Shembujt e përkundërt janë aq të paktë sa nuk ja vlen të zihen në gojë. Dorëheqjet e zotit Nano, janë përmendur aq shumë deri më tani, sa pothuaj janë harruar arsyet se pse i ka dhënë ato. Dorëheqje nuk dhanë përpara fushatës elektorale as Gjergj Bojaxhiu dhe Gert Bogdani e një numër zyrtarësh të cilëve, kandidimi për deputet dhe detyra që mbanin, për arsye ligjore e morale, nuk ju shkonin bashkë.

As kryetari i Partisë sime, Edi Rama, pavarësisht rezultatit dhe shkaqeve të këtij rezultati në zgjedhjet e 28 qershorit, nuk u largua nga detyra. Dorëheqja, largimi me vullnet dhe jo i detyruar vetëm nga rrethanat, faktet, zotimet e pambajtura apo punët e pakryera ose të kryera keq, nuk ndodhin shpesh në Shqipëri. Dorëheqja është zëvendësuar me këmbënguljen e fortë. Me bindjen për të qëndruar edhe atëherë kur morali, të tjerët, vetvetja apo qoftë dhe presioni nga të tjerë, nuk mjaftojnë për të bërë një hap përtej këmbënguljes për të qëndruar.

Veç shumë standarteve evropiane dhe siç e pamë, madje edhe aziatike, në Shqipëri duhet të plotësojmë dhe këtë standart. Ikjen në momentin e duhur. Se në ndodh kështu, edhe rikthimi, do të ishte shumë më i mundshëm. Sot e nesër, sa kohë do të flasim për këtë institucion, dorëheqjen, do të na duhet ta përmendim me trishtim, si një standart të pakryer.

Deri kur? Kush e di? Të paktë janë ata që do të donin të jepnin një përgjigje.



A. Harasani

No comments: