Thursday, September 24, 2009

Edhe të vdekur, në borxh

Ushqime me listë! Jo vetëm. Tani edhe funerali merret veresi. Realiteti i dhimbshëm është mëse i prekshëm. Agjencitë funerale pranojnë se si pasojë e vështirësive të mëdha ekonomike që po kalojnë, njerëzit edhe në botën e përtejme i shoqërojnë të afërmit e tyre duke marrë me borxhe, duke premtuar se do t'i kthejnë paratë së shpejti.
***


Një thënie e vjetër popullore, thotë që nuk është mirë që të marrësh borxh për vdekje, por kur halli e zë dhe nuk ka nga t'ia mbajë, njeriu ka gajle të përtypet dhe të mos e marrë fort parasysh këtë fjalë të vjetër. Nëse deri tani kemi dëgjuar për ushqime me lista që mbushin defterët e dyqaneve, nuk është shumë për t'u habitur që nga pamundësia ekonomike, njerëzit të marrin borxh edhe kur vjen puna për të përcjellë të dashurit e tyre në botën e përtejshme. Është e dhimbshme, por ky është një realitet më se i prekshëm edhe në kryeqytet. Në shërbimet funerale të kontaktuara, një fakt i tillë pranohet. Drejtuesit e agjencive nuk është se kanë fort dëshirë të flasin gjatë për këtë fenomen, por as nuk është se e mohojnë.


Faiku është pronar i njërës prej agjencive funerale, nga të shumtat që janë hapur në kryeqytet. Ai thotë se ky realitet është kthyer në tejet shqetësues, por që e di shumë mirë se kjo është sot gjendja ekonomike e njerëzve. Megjithëse shërbimi funeral kushton, ai është munduar, duke ua ditur edhe hallin që kanë, të vërë dorën në zemër, dhe t'i ndihmojë njerëzit që kanë trokitur në agjencinë e tij. "Nuk është se do njeri të vijë të marrë shërbimet e mortit pa para, por nuk kanë dhe kur gjenden ngushtë njerëzit janë të detyruar edhe të kërkojnë t'i shlyejnë paratë më vonë. Unë operoj përgjithësisht me çmime të lira në treg, po prapëseprapë njerëzit janë të varfër dhe nuk kanë mundësi të shlyejnë të gjitha detyrimet".


Pronari i shërbimit funeral, tregon se ka pasur raste edhe kur është vënë në vështirësi, pasi ky nuk është problem i vetëm një personi, por është një fenomen që prek pothuajse një pjesë të mirë të shoqërisë, e cila vuan probleme të rënda ekonomike. "Njerëzit nuk kanë para. Jo tani që thuhet se është krizë, por edhe më parë kështu ka qenë. Shpeshherë jam vënë në situatë të vështirë. Jam menduar shumë nëse duhet të toleroja ose jo, pasi në fund të fundit, unë me këtë punë mbahem. Ata e dinë që nuk është mirë të marrësh borxh edhe në vdekje, por nga halli e kanë dhe jo nga qejfi". Në të shumtën e herëve, mosshlyerja e borxheve zgjat pafundësisht, sa edhe durimi humbet. Kështu ndodh po të pyesësh në ushqimore, por po kështu edhe në shërbime funerale.


Ka pasur raste, kur Faikut, pasi ka pritur t'i kthehen paratë e shërbimit të kryer dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur, edhe pasi kanë kaluar shumë muaj nga afati i premtuar, i është dashur të trokasë vetë në dyert e borxhlinjve. "Ka raste edhe kur i kthejnë. Por ka edhe raste kur paratë vonohen edhe për muaj të tërë, ose nuk t'i japin fare. Jam detyruar nga halli të shkoj edhe në shtëpitë e borxhlinjve, t'u kërkoj të më kthejnë paratë, por vetëm t'u marrësh shpirtin, se gjë tjetër nuk kanë çfarë të japin", - pohon Faiku, duke rrëfyer një pjesë të dhimbshme, nga jeta e përditshme e banorëve.

Dritan Laçi, Shekulli

No comments: