Monday, September 28, 2009

Gratë e Tufinës i ankohen Flamurit për burrat që i tradhtojnë me faturisten e KESH

Një letër nga disa gra të Tufinës i është drejtuar Genc Rulit dhe Gjergj Bojaxhiut. Gratë e Tufinës kërkojnë që gruaja, e cila u mbledh lekët e dritave, të pushohet nga puna, pasi ato dyshojnë se ajo u merr më shumë lekë nga sa duhet burrave të tyre.

Një kopje e letrës mbërriti dhe te Flamuri. Ky i fundit u trondit nga përmbajtja dhe filloi menjëherë verifikimin.

Së pari mori në telefon Bojaxhiun.

- A është e vërtetë kjo që thonë këto gratë për këtë faturisten tuaj? - tha Flamuri.

- S’di ç’të them, - i tha Bojaxhiu. - Për mua është grua shumë korrekte. I kam thënë që, nëse nuk i mbledh lekët në Tufinë, do të të heq nga puna. Dhe ajo m’i ka sjellë në rregull. Se ç’metoda ka përdorur, nuk e di, por mua m’i ka sjellë në rregull lekët.

I shqetësuar mori në telefon Genc Rulin.

- A të ka ardh kjo letra e grave të Tufinës që ankohen për faturisten e KESH që i rropi burrat e tyre duke u marrë lekët? - e pyeti.

- Nuk di ç’të të them, - i tha Ruli. - Mua plani më del në rregull. Më rezulton që kjo gruaja mund të ketë marrë bakshish ndonjë punim artistik nga burrat, por jo lekë. S’kam dëgjuar gjëra të tilla. Shiko se mos kanë zili ato gratë, se mund të jetë e pashme kjo gruaja.

Kjo e hutoi dhe më shumë Flamurin. Nuk dinte ç’të bënte me këtë ankesë. Ta merrte atë burrin në telefon, ai ishte në Poloni dhe akoma nuk i kishte ikur gëzimi i aplikimit në BE. Sidoqoftë, një zgjidhje i duhej dhënë, pasi ai është i ndjeshëm ndaj skandaleve seksuale. Vendosi t’i bëj telefon.

- Më ka ardhë një letër shqetësuese, - i tha Flamuri me druajtje….

- Flamur, aplikimi ishte një fitore e madhe. E kemi meritu me kohë këtë aplikim. Duhet me e festue. Duhet të porosisësh urgjent 200 mijë, … jo 350 mijë..., jo 500 mijë postera, ku të shkruhet “Shqipëria, në Evropë”. Jo, duhet me e bë. S’ka problem për faturën, fol me atë që bën gjithmonë pazare për këtë punë dhe i paguajmë.

- Dakord, doktor, e bëj unë, po desha të të them një ngjarje që ka ndodhur në Tufinë.

- Flamur, na duhen vetëm ngjarje që dëshmojnë identitetin tonë evropian, që jemi një vend që meritojmë Evropën.

- Po, ndaj desha të të pyes, - i tha Flamuri, - se disa gra nga Tufina po ankohen për ngacmime seksuale nga një punonjëse shteti…

- Si, në Tufinë? Po çne në Tufinë, qeveria i ka zyrat në Tiranë…?

- Jo, jo, s’e kanë me qeverinë qendrore, por me një grua, që besojnë se u merr lekë burrave të tyre dhe ata justifikohen se është shtrenjtuar fatura e dritave.

- Flamur, kush është kjo gru…?

- Një punonjëse e Genc Rulit, d.m.th., varet nga Bojaxhiu, d.m.th., e ka fut në punë Sait Dollapi, d.m.th., s’e di, mund ta kem futë dhe unë.

- Flamur, kjo është një gja shumë e rëndë. Dyshoj që e kanë sajuar të tërheqin vëmendjen nga aplikimi në BE. Duan të na tregojnë popull primitiv. Jo Flamur, duhet ta sqarosh këtë. Nëse është e vërtetë, ajo gru për 4 minuta të pushohet nga puna.

- Nuk kemi fakte, - tha Flamuri, - kemi vetëm një letër të atyre grave…

- Shikojini mirë ato gra, Flamur. Nëse janë socialiste, atëherë ajo gru, për të cilën ankohen ato, duhet dekoru dhe duhet ngritë në përgjegjësi, nëse janë demokrate, ajo gru duhet pushu. Jo, se kjo na errëson gjithë suksesin. Fol me Rulin, jo, mos fol me Rulin, fol me Bojaxhiun, jo, as me Bojaxiun mos fol… shiko, takoje vetë njëherë atë gruan dhe shiko ç’tip është, jo vetë jo, se s’dihet, provokon, çfarë të bëjmë me të, çfarë të bëjmë… shiko, mirë shumë, lëre këtë muhabet Flamur, do na e kenë sajuar që të errësojnë hyrjen në BE. Mos u merr me të..


Teksti i letrës




Ju çqetësojn disa gra të zonës Tufin, rrethit Tiranës

U banë tre vjet si Drejtorija e Keshit ka sjell në ket zonë nji gru si quhet Merjeme për të shiqu sahatet e energjisë.

Zonja Merjeme nuk paska ardhur për të shiqu sahatet, por paska ardhur për të vazhdu zanatin e saj si prostitutë.

Nu kemi lekë me mbajtur fëmijët me bukë, ato lekë që kanë burrat, ia japin kësaj prostitute.

Lutemi asaj ministrije dhe personalisht ministrit të Energjetikës të na e largojë sa ma parë këtë gru prostitutë nga kjo zonë se na qiti në rrug të madhe, na la fëmijët pa bukën e gojës.

Mbetemi me shpresë

Sa thamë ma sipër, jemi shumë gra, por pak po shkruajmë emrat


(Vijojnë emrat)

Burimi i informacionit :http://www.gazetatema.net/index.php?gjuha=0&category=3&id=5161

No comments: