Saturday, September 26, 2009

Kroatët, pse e kërkonin me ngulm origjinën ilire

Këtu dëshiroj të kujtoj faktin, që kroatët për shumë shekuj e kanë quajtur veten ilirë, përkatësisht popullsi ilire. Gjatë mesjetës, veçanërisht nga shekulli XVI e këtej, kur disa nga historianët kroatë e mbështetën këtë tezë, është shfaqur ideja se kroatët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Ilirëve; saktësisht është thënë që kroatët me të vërtetë janë elementë autokton në territoret në të cilat jetojnë sot.


Helmeta Ilire


Në këto përsiatje të historianëve kroatë kishte shumë naivitet, por edhe ambicie politike, të cilat nuk kanë qenë gjithmonë të mbështetura në burime historike. Sot kemi njohuri se gjuha kroate, të cilën ata quanin ilire, nuk kishte absolutisht asnjë lidhje me ilirishten dhe gjithashtu nuk ishin të sakta as botëkuptimet e tyre për vazhdimësinë etnike të kroatëve nga ilirët e lashtë, por këtë do e dëshmojë përfundimisht shkenca e re.

Të shohim tani si dhe pse historianët kroatë, gjuhëtarët, politikanët dhe të tjerët insistonin në origjinën ilire të kroatëve.

Në të vërtetë, bëhet fjalë për “ideologjinë ilire” – siç e quan atë gjuhëtari gjerman Reinhard Lauer (R. Lauer, “Genese und Funktion des illyrischen Ideologems in der südslawischen Literatur (16. bis Anfang des 19. Jahrhunderts),” Ethnogenese und Staatsbildung in Südosteuropa, Göttingen, 1974, f. 116-143), e cila ka dominuar për një kohë të gjatë në jetën publike dhe shkencore deri në shek. XIX, kur dolën botime të ndryshme të “gramatikave ilire”, “fjalorë ilirë” dhe të ngjashme, që në fakt ishin gramatika dhe fjalorë të gjuhës kroate.
Më të merituarit për afirmimin e ideologjisë ilire ishin shumë historianë dhe gjuhëtarë të shquar, nga të cilët duhen përmendur fillimisht dominikani Vinko Pribojeviq, i cili në vitin 1525, kishte mbajtur në Hvar fjalimin me titull “O podrijetlu i dogaðajima Slavena” (Mbi origjinën dhe ngjarjet e sllavëve) në gjuhën latine. Në formën e një libri ky fjalim është botuar në Venedik në vitin 1532 (Vincentius Priboevius, De origine successibusquae Slavorum. Venetiis 1532. Botimi kritik i kësaj vepre është bërë nga “Akademia Jugosllave e Shkencave dhe Arteve të Zagrebit” në Zagreb në vitin 1951, me një studim hyrës të Grga Novakut dhe përkthim në kroatisht të Velko Gortanit).
Për botën shkencore shumë më i rëndësishëm ishte botimi i librit “Il Regno degli Slavi” (Peskara, 1601) i historianit dubrovnikas Mauro Orbinit. Orbini ishte historian i mirë, i cili studimin e tij e kishte mbështetur në burime arkivore dhe dorëshkrime të lashta si dhe kronika të botuara, etj., por dobësi e tij ishte fakti që nuk ishte shumë kritik, kështu që i dha liri veprimi imagjinatës së tij, duke gjetur sllavë edhe atje ku asnjëherë nuk kishte pasur të tillë. Sipas tij, sllavët janë me origjinë Ilire, kështu që kroatët nuk kishin ardhur në mesjetë në Ballkan, sepse ata kishin qenë aty që në kohët para-romake.
Pikërisht kjo vepër e Orbinit ishte pikënisje për rilindësit kroatë në gjysmën e parë të shekullit XIX, për të bërë lidhjen e Ilirëve të lashtë me elitën politike kroate në kohën e të së ashtuquajturës lëvizje “Ilirike” (Ilirizam).
Ndër ata që ishin të bindur për origjinën Ilire të kroatëve ishte edhe udhëheqësi i rilindjes kroate, Lujdevit Gaji. Ai nuk ishte historian, por politikan dhe si i tillë ishte i vetëdijshëm se emri i ilirëve ishte i domosdoshëm për të bashkuar të gjithë sllavët e jugut në një lëvizje politike e cila do të luftonte për emancipimin kulturor dhe politik të sllavëve të jugut. Në përpjekjet e tij për të mbështetur idenë e “Ilirizmit” kroat dhe sllavëve të tjerë të jugut, Gaj shkroi një artikull me titull “Kush ishin ilirët e lashtë” (Ljudevit Gaj, Tko su bili stari Iliri? “Danica ilirska,” 5 (1839), nr. 10, f. 37-39; nr. 11, f. 41-43; nr. 12, f. 46-48; nr. 13, f. 49-51; nr. 15, f. 48-59), në të cilin provoi të argumentonte sipas burimeve historike se kroatët ishin si Ilirët.
Menjëherë pas kësaj, dolën në pah autorë të tjerë që i kundërshtuan konkluzionet e Gajit. Ata me shumë lehtësi hodhën poshtë konstruksionin e tij historik, duke dëshmuar se kroatët në të vërtetë janë - kroatë.
Nuk ishte vështirë të përgënjeshtroheshin konkluzionet e Gajit, në kohën e lindjes së historiografisë kritike, por duhet pranuar gjithashtu se Gaj nuk ishte njeri i paditur, dhe nuk mund të themi se ai nuk e dinte se ideja e tij e sforcuar, nuk kishte mbështetje në burimet historike. Kemi pohuar se “ilirizmi” i tij ishte një filozofi politike, dhe jo njohuri shkencore.
Pushteti austriak e kishte kuptuar shumë drejt se çfarë kërkonte Gaj me “lëvizjen ilire,” sepse ata në vitin 1843, ndaluan përdorimin e emrit ilir, jo për shkak se dëshiruan të futeshin në polemikë shkencore rreth këtij emri ose gjoja rreth origjinës së sllavëve të jugut, por thjesht për shkaqe politike. Pushteti austriak e dinte shumë mirë se “ilirizmi” ishte vetëm një përpjekje për të mbuluar krijimin e një koalicioni të madh të sllavëve të jugut, i cili shumë lehtë mund të luftonte kundër Austrisë në njërën anë dhe Hungarisë në anën tjetër.
Pa marrë parasysh ndalimin e emrit “ilir”, kroatët, përsëri për shkaqe nacionale dhe politike, nuk deshën të lëshonin pe, dhe kështu edhe për shumë kohë e ruajtën aty ku gjenin mundësi dhe rast emrin “ilir.” Kështu “Matica Ilirska” [Amza ilire] ishte njëra ndër institucionet më të rëndësishme kulturore, por edhe politike të popullit kroat, për të ruajtur emrin e tyre deri më 1874, kur përfundimisht e ndërron atë në “Matica Hrvatska” [Amza kroate].
Është e vërtetë historike, se në ato kohëra është menduar ashtu, dhe më vonë kanë ardhur deri te përfundimi, se kroatët nuk janë me origjinë ilire. Megjithatë në kohën e sotme duhet të rishikohet pak edhe mendimi i historianëve të shekullit të XIX, për faktin se nuk kanë ekzistuar lidhje ndërmjet ilirëve dhe kroatëve.
Gjatë shekullit XX arkeologët, etnologët, antropologët dhe specialistë të fushave të tjera, erdhën deri te njohuritë interesante për proceset etnogjenetike në territoret ku jetojnë sot kroatët. Analizat e hollësishme të materialit arkeologjik, etnografik, etj, treguan se elementi i lashtë etnik i ilirëve të lashtë nuk ishte zhdukur i tëri gjatë pushtimit romak, dhe as pas përfundimit të këtij pushtimi. Disponojmë të dhëna më se të mjaftueshme për vazhdimësinë etnike por edhe kulturore që nga kohët parahistorike deri në ditët e sotme. Me siguri, që analizat e mëtejshme të gjenetikës bashkëkohore do dëshmojnë edhe shkencërisht këtë vazhdimësi, e cila jo në një kohë të afërt, por sigurisht në një të ardhme jo të largët, do ta sqarojë këtë situatë, veçanërisht procesin etnogjenetik të gjendjes së sotme, ku jemi të detyruar te mbështetemi vetëm në ato materiale dhe të dhëna për të cilat nuk mund të pohojmë me sigurinë më të madhe se japin përgjigje në të gjitha pyetjet që na interesojnë dhe të cilat janë relevante për rekonstruktimin e mjegullt të etnogjenezës Ballkanike.
Megjithatë, sot, kur merren parasysh të gjitha të dhënat që disponojmë, mund të pohojmë me një siguri mjaft të madhe se ilirët nuk janë zhdukur nga këto territore dhe i mbetet obligimin shkencës bashkëkohore, e cila është e armatosur me metoda të reja shkencore, që të zbulojë atë që nuk ka qenë e mundur të zbulohet me metoda të vjetra. Natyrisht nuk mund të presim që shkenca bashkëkohore të vërë tregues të përbashkët në mes të ilirëve të lashtë dhe kroatëve, por kemi arsye të besojmë se do të vërtetohet se në personin e sotëm etnik kroat ka përbërje gjenetike ilire, që do të ishte e mjaftueshme të flasim për një vazhdimësi të qëndrueshme etnike në të dy shtresat etnike.
Ndryshe është situata me shqiptarët. Në territorin e sotëm të shqiptarëve nuk ka pasur kaq shumë rrëmuja etnike në mesjetën e hershme dhe nuk kanë ndodhur ndryshime kaq të theksuara të strukturës së popullsisë sa te kroatët. Pa marrë parasysh kundërshtimin për origjinën jo ilire të shqiptarëve, nuk ka asnjë dyshim se pikërisht shqiptarët kanë ruajtur më së shumti elemente të ilirëve të lashtë në identitetin e tyre personal. Përveç kësaj, sot vetëm me një urrejtje të verbuar të “shkencëtarëve” mund të vihet në pikëpyetje origjina ilire e popullit shqiptar.
Në këtë pyetje tashmë të vërtetuar, nuk mund të dyshohet për asnjë çast, sepse për këtë një ditë, pas hulumtimeve të një numri të mjaftueshëm të eksponateve të materialit osteologjik nga varrezat e ilirëve në territoret etnike shqiptare dhe të materialit që ka të bëjë me marrëdhëniet ekzistuese shqiptare, mund të japë përgjigje edhe gjenetika moderne.


Harta e Perandorisë Ilire


Çfarë mund të themi për rezultatet e deritanishme shkencore në lidhje me etnogjenezën e popujve të Ballkanit, në këtë rast për shqiptarët dhe kroatët? Mund të themi se pikërisht substrati ilir është ai element i cili përkundër mjegullës etnike të zhvillimeve nga kohët antike deri në ditët e sotme, për këta popuj mbetet e përbashkët trashëgimia etnike dhe kulturore. (Është shkruar shumë për mbetjet para-sllave të elementit etnik në kulturën e popujve të sllavëve të sotëm. Me rëndësi të veçantë ishte takimi ndërkombëtar i mbajtur nën organizimin e “Qendrës për hulumtime ballkanologjike” në Sarajevë, punimet e të cilit janë botuar në përmbledhjen “Predslavenski etnièki elementi na Balkanu u etnogenezi južnih Slavena.” (Elementet para-etnike sllave në Ballkan në etnogjenezën e sllavëve të jugut), Sarajevë, 1969. Gjithashtu i një rëndësie të posaçme ishte edhe takimi i mbajtur nën organizimin e “Universitetit Shtetëror të Tiranës” në Tiranë, në vitin 1969. Punimet e lexuara në këtë takim janë botuar në përmbledhjen me titull: “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve. Tiranë, 1969).

Bashkëpunimi i shkencëtarëve shqiptarë dhe kroatë nuk është vetëm dëshirë, por domosdoshmëri. Tani, kur situata politike në këto territore në një farë mënyrë është stabilizuar, është e domosdoshme të fillohet me projekte për kërkime të përbashkëta të cilat do të hedhin dritë të re në të kaluarën e përbashkët të popujve të cilët jetojnë në këto territore. G.Shqiptare

No comments: