Sunday, September 20, 2009

Letërsia shqiptare evropiane ? Si të krahasosh Librazhdin me Londrën...


Më 27 gusht 2009, Gazeta Shqiptare dhe gazeta Korrieri botuan reagimet e katër shkrimtarëve ndaj ligjëratës sime të mbajtur në Seminarin XXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në Prishtinë.

Përpos reagimeve të këtyre katër shkrimtarëve - Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka, Gazeta Shqiptare i paralajmëroi, me fotografi, edhe reagimet e shkrimtarit Nasho Jorgaqi dhe të poetit e botuesit Bujar Hudhri, por reagimet e tyre në këtë numër të saj nuk i pamë. Reagimin e këtyre katër shkrimtarëve e botoi shpejt edhe gazeta e Prishtinës Koha ditore, por e botoi me një titull të falsifikuar. Mendimin e Besnik Mustafajt: në qoftë se është e vërtetë se Rexhep Qosja ka thënë se letërsia shqipe nuk e ka arritur nivelin e letërsisë evropiane "atëherë duket se ai ka kohë që nuk lexon letërsi shqiptare", gazeta Koha ditore e bëri mendim të të gjithë shkrimtarëve shqiptarë: "Shkrimtarët shqiptarë vlerësojnë se Qosja ka kohë që s'ka lexuar letërsi shqipe". Unë nuk besoj se falsifikimet e tilla përbëjnë moralin e gazetës Koha ditore, po të një gazetari që keqpërdor Kohën ditore për hesapet e veta. Reagimi i katër shkrimtarëve të përmendur, Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka shkaktoi mandej baticë-kiç reagimesh në media dhe në forume të ndryshme. Si shembull të këtyre reagimeve dua të përmend reagimin e kallakanxhës së PDSH-së, e quajtur Miranda Haxhia, e cila me gjuhë të pistë e të shëmtuar, të ushtruar në klanet ku përket, shkruan për çka ia arrin dora, por nuk ia arrin mendja servile! U turrën patriotët e kafeneve ta mbrojnë letërsinë shqipe prej shkrimtarit dhe studiuesit të saj, i cili për të ka bërë më shumë se të gjithë ata së bashku me të gjithë paraardhësit e tyre, me të gjithë farefisin e tyre dhe me të gjithë punëdhënësit e tyre! Në rastet më të shpeshta këto janë reagime të rrogëtarëve të moçëm e të rinj të dy partive të të dy anëve; të rrogëtarëve të cilët për shkencën letrare shqipe shkruajnë pa e pasur asnjë sprovë për letërsinë shqipe; të cilët për letërsinë evropiane flasin pa dalë ende prej botës letrare të Zhyl Vernit e të Elin Pelinit; të cilët për servilët e neveritshëm të diktaturave gjykojnë si të ishin ende në fakultetin e Zhdanovit! Dhe, le të shkruajnë ashtu, le të flasin ashtu dhe le të gjykojnë ashtu: nuk do të mbeten të pashpërblyer prej padronëve.

Reagime befasuese

Reagimet e shkrimtarëve Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka ishin për mua befasuese. Dhe, ishin befasuese për disa arsye. E para, unë kam mbajtur një ligjëratë dhe, siç thuhet në teoritë letrare dhe në retorikat klasike të letërsisë, ligjëratat u drejtohen atyre që i dëgjojnë, domethënë atyre që janë në sallë. E dyta, ajo ishte ligjëratë e folur, e pashkruar, prandaj të gjitha interpretimet e saj në gazeta, në radio, në televizion a në forume të ndryshme janë interpretime të gazetarëve. Ato nuk kanë autorizimin tim, të dëshmuar me nënshkrimin tim, prandaj nuk mund të merren si paraqitje e saktë e mendimeve të mia. Siç mund ta dinë reaguesit e përmendur ndaj ligjëratës sime, intervista që një vetje i jep një gazetari çmohet intervistë e tij, e pranuar prej tij, vetëm kur autorizohet, domethënë kur merr nënshkrimin e tij. E treta, Gazeta Shqiptare dhe gazeta Korrieri, prej informatave të pesë gazetave të Prishtinës për ligjëratën time morën vetëm informatën e gazetës Expres. Shkrimtarët Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka pranuan të reagojnë ndaj ligjëratës sime duke marrë për bazë shkrimin e një gazetari, që artikullin e tij e fillonte me fyerje dhe me urrejtje për ligjëruesin! Sikur reagimi i tyre të ishte i nxitur prej motivesh parimore letrare dhe kulturore, atëherë fyerjet dhe urrejtja e gazetarit do të duhej t'i bënin të dyshonin në saktësinë e pohimeve të tij.

Zhvillimi atipik i letërsisë kombëtare

Siç shihet prej reagimeve të tyre, katër shkrimtarët e përmendur nuk kanë ndonjë dije për dukurinë historiko-letrare, që kam trajtuar në ligjëratën time. Ka mbi 50 vjet që për zhvillimin atipik të disa letërsive kombëtare në Evropë flasin historianë evropianë të letërsisë, midis të cilëve edhe komparatisti i lavdishëm, Pol Van Tigem. Për këtë dukuri janë botuar edhe vepra të veçanta historiko-letrare. Ata përdorin nocionet: zhvillim atipik, zhvillim i shpejtuar, zhvillim i ngadalësuar, zhvillim i veçantë, zhvillim i letërsive të popujve të pushtuar (në Perandorinë Otomane dhe në Perandorinë Austro-Hungareze), e disa nocione të tjera.
Çka do të thotë zhvillim atipik, zhvillim i shpejtuar i një letërsie kombëtare? Do të thotë se ajo letërsi, për shkaqe historike, për shkaqe se populli që e ka krijuar nuk ishte i lirë, nuk kishte zhvillim të lirë shoqëror, politik, kulturor, ekonomik, nuk do të arrijë t'i shprehë veçantitë themelore të letërsive që janë zhvilluar në kushte normale historike. Për këtë arsye brenda një periudhe letrare, fjala vjen brenda romantizmit a brenda realizmit, ajo do të nxitojë të shprehë veçantitë ideore dhe stilistike të rrymave, shkollave e formacioneve stilistike të ndryshme. Kështu, për shembull, në letërsinë tonë të Romantizmit gjejmë veçanti të Renesansës, të Klasicizmit, të Iluminizmit, të Realizmit; në letërsinë pasromantike, domethënë në letërsinë midis dy luftërave botërore, gjejmë veçanti të Realizmit, të Romantizmit të Klasicizmit, të Parnasizmit, të Simbolizmit, madje, edhe të Ekspresionizmit (te Migjeni). Është e qartë: letërsia shqipe, si edhe letërsitë e popujve të pushtuar, nxiton t'u afrohet dhe t'u shëmbëllejë letërsive të mëdha evropiane-franceze, italiane, gjermane, angleze, duke shprehur brenda një periudhe veçantitë e disa rrymave, shkollave, formacioneve stilistike, që në ato letërsi janë shprehur normalisht, në, si ta themi, kronologji brenda një formacioni. Dhe kështu ka ngjarë në letërsinë shqipe deri sot. Duke u përpjekur të shprehë përvojën krijuese evropiane, letërsia shqipe bën përpjekje që të arrijë edhe nivelin artistik të letërsisë evropiane e kur thuhet të letërsisë evropiane mendohet në letërsitë e mëdha evropiane: franceze, italiane, angleze, gjermane, spanjolle, ruse. Të mohosh rëndësinë shkencore të një krahasimi të këtillë në studimet historiko-letrare, siç bën njëri prej reaguesve, domethënë të mohosh një shkencë shumë të rëndësishme: letërsinë krahasimtare. E gjithë kjo që them, besoj, tregon qartë se ligjërata ime mbi zhvillimin atipik, domethënë të shpejtuar, të letërsisë shqipe bazohet në një koncept, që unë nuk ia kam imponuar letërsisë, por që e kam nxjerrë prej vetë veçantive të zhvillimit të saj. Dhe, ky koncept flet në favor të vetëdijes krijuese të krijuesve të kësaj letërsie: ata do të donin ta bëjnë letërsinë shqipe si letërsitë e mëdha evropiane jo vetëm për nga rrymat, shkollat, formacionet stilistike, por edhe për nga nivelit artistik. Por, nuk do të arrijnë. E kuptueshme. Thuhet se shekulli XVIII ishte një shekull i mjerë politik e shoqëror në historinë gjermane, por në atë shekull populli gjerman krijoi letërsi të madhe dhe filozofi të madhe. Mjerimi politik, shoqëror, ekonomik i gjermanëve në atë shekull ishte mjerim që nuk e pengonte krijimtarinë; mjerimi ynë politik, shoqëror, ekonomik deri në ditët tona ishte, ndërkaq, i veçantë dhe ishte pengues për krijimtarinë. Po shohim se, në një mënyrë, pengues është ky mjerim edhe sot. Siç shihet, në ligjëratën time unë kam folur jo për vlerat evropiane - se togfjalëshi vlera evropiane ka kuptime të ndryshme, por për nivelin evropian të letërsisë shqipe. Dhe, kam thënë: këtë nivel artistik, estetik, të letërsisë evropiane letërsia shqipe ende nuk e ka arritur. Pikërisht, ky pohim i ka nxitur katër shkrimtarët e sipërpërmendur të reagojnë bashkërisht kundër meje.

Mustafaj dhe krahasimi mes Londrës e Librazhdit



Shkrimtarët Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj, Behar Gjoka pohojnë se letërsia shqipe ka arritur nivel artistik evropian. Besnik Mustafaj është aq zemërgjerë ndaj meje, saqë edhe romanin tim Vdekja më vjen prej syve të tillë e shpall roman të nivelit artistik evropian. Por, mua nuk më duhet ky kompliment i tij i pavërtetë. As romani Vdekja më vjen prej syve të tillë, as romanet e mi të tjerë, që vetë mendoj se janë më të mirë se ai, nuk kanë vlerë letrare artistike të nivelit evropian. Jo. Nivelet letrare artistike evropiane, nivelet shkencore dhe filozofike evropiane, besoj se i njoh pak a shumë. Gjithë jetën kam punuar që t'i njoh. Niveli letrar evropian, fjala vjen, është niveli, që kanë caktuar Eskili, Dante, Servantesi, Shekspiri, Monteskie, Volteri, Didroja, Rusoi, Rasini, Molieri, Gëteja, Shileri, Shatobriani, Manconi, Balzaku, Hygoja, Dikensi, Floberi, Bodleri, Tolstoji, Dostojevski, Prusti, Xhojsi, Kafka, Niçeja, Herman Brohu, Muzili. Niveli letrar evropian është njëkohësisht niveli që sot caktojnë Kamyja, Tomas Mani, Sartri, Margarit Jursenar, Gynter Grasi, Umberto Eko, Hoze Saramago, Salman Rushdi, Mishel Furnie, Zhan d'Ormeson... Kënaqësinë e jashtëzakonshme që më sjell leximi i veprave të tyre vazhdimisht ma përcjell një shqetësim i madh: sa modeste janë veprat e mia në krahasim me ato të tyre! Sa modeste është letërsia shqipe në krahasim me letërsinë që kanë krijuar dhe krijojnë ata! Njohësi i letërsive të mëdha evropiane dhe i letërsisë shqipe do të mund të thoshte: të krahasosh, për nga vëllimi dhe për nga cilësia letërsinë shqipe me letërsinë franceze, gjermane, angleze, italiane është si të krahasosh, për nga madhësia dhe për nga vlera arkitekturore, Librazhdin me Londrën, si të krahasosh Lipjanin me Parisin! Por, për Besnik Mustafajn, Diana Çulin, Ylljet Aliçkajn dhe Behar Gjokën nuk është ashtu. Prej reagimit të tyre del se për ta Librazhdi është si Londra, kurse Lipjani si Parisi. Dhe, le të kënaqen me të vërtetën e tyre: se Librazhdi dhe Lipjani janë si Londra dhe Parisi. Ajo është kënaqësia e tyre dhe ajo është shija e tyre.

Aliçkaj dhe diferenca me shkrimtarët e Ballkanit

Si dëshmi se letërsia shqipe paska arritur nivelin artistik evropian, që kanë përcaktuar krijuesit e mëdhenj të popujve të mëdhenj të Evropës, si Eskili, Dante, Shekspiri, Gëte reaguesit ndaj ligjëratës sime marrin shembull përkthimet e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Kongolit, Bashkim Shehut dhe të dy poetëve. Dhe, kështu karshi nivelit të Eskilit, Dantes, Shekspirit dhe Gëtes qëndron niveli i Ismail Kadaresë, i Dritëro Agollit, i Bashkim Shehut dhe i Fatos Kongolit! Bukur! Prozatori dhe diplomati Ylljet Aliçkaj thotë se "shkrimtarët shqiptarë janë më të përkthyer e të pëlqyer se shkrimtarët maqedonas, serbë e boshnjakë, domethënë se shkrimtarët e Ballkanit në Francë, gjë të cilën unë e di mirë". Megjithëse, siç shihet, Ylljet Aliçkaj e zbret një çikë më poshtë nivelin e letërsisë shqipe, prapë nuk mund të thuhet se thotë gjithë të vërtetën. Ballkanin e përbëjnë edhe grekët, turqit, bullgarët, rumunët, malazeztë dhe kroatët, të cilët hidhërohen pa masë kur u thuhet se i takojnë Ballkanit! Po të dinte, vërtet, se kush përkthehet e kush lexohet në Francë dhe në Evropë nga shkrimtarët e Ballkanit, Ylljet Aliçkaj do të na jepte disa të dhëna të tjera. Dhe, do të na thoshte, fjala vjen, se letërsia greke, letërsia rumune, letërsia bullgare, letërsia serbe, letërsia kroate janë shumë shumë, më të përkthyera se letërsia shqipe në Evropë, ndonjëra prej tyre tridhjetë, ndonjëra njëqind e ndonjëra, ndoshta, treqind për qind më të përkthyera se letërsia shqipe. Le të kërkojë informata në internet! Do t'i gjejë. Dhe, pse të mos jenë më të përkthyera? Janë më të pasura, kanë tradita më të gjata, në përgjithësi janë më të zhvilluara se letërsia jonë. Në Serbi e në Kroaci sot ka shumë shkrimtarë të cilëve çdo roman që botojnë në gjuhën kombëtare u përkthehet shpejt në disa gjuhë evropiane. Drama të autorëve serbë e kroatë shfaqen në teatrot e Francës, të Austrisë, të Gjermanisë. Regjisorë serbë e kroatë, madje, edhe regjisore kroate, përgatisin shfaqje në teatrot e disa vendeve evropiane. Prania e letërsive serbe e kroate dhe e krijuesve serbë e kroatë në Evropë iu detyrohet jo vetëm lidhjeve të trashëguara e të reja të vetë krijuesve serbë e kroatë, po edhe shteteve të tyre. Kështu, për shembull, ambasada e Serbisë në Paris boton revistë mujore në gjuhën franceze me shkrime letrare e shkencore të autorëve serbë. Ministria e Kulturës e Serbisë ka komisionin e përbërë prej shkrimtarëve, studiuesve të letërsisë dhe historianëve të cilët bëjnë përzgjedhjen e veprave letrare e shkencore të cilat do të përkthehen në gjuhë të huaja, natyrisht të financuara prej asaj Ministrie. Ç'bëjnë ministritë tona të kulturës? Ministria e Kulturës e Kosovës financon botimin e kiçit zbavitës muzikor dhe festivalet e kiç miseve, por jo përkthimin e veprave letrare e shkencore që meritojnë të përkthehen!

Diana Çuli dhe harta e përkthimit

Nuk mund ta përfundoj këtë përgjigje në reagimet e Besnik Mustafajt, Diana Çulit, Ylljet Aliçkajt dhe të Behar Gjokës pa e cituar një mendim të Diana Çulit për kriteret "që diçka me vlerë letrare të quhet vlerë evropiane". Ja ç'thotë ajo: "Kriteri më i përhapur, më popullor dhe më i pranuar është ai i çmimeve prestigjioze që jepen nga juritë e ndryshme në Evropë, si dhe kriteri i përkthimeve në sa më shumë gjuhë që fliten në kontinentin evropian". Mos do të thotë kjo se përkthimet në gjuhët e popujve të Azisë dhe të Afrikës nuk mund ta përcaktojnë vlerën e veprave letrare! Nuk dua ta supozoj përgjigjen e Diana Çulit! Ç'thotë Diana Çuli më tej? Thotë: "Një vlerë tjetër e pranuar gjerësisht është kontributi që një letërsi e një vendi të caktuar i jep në përgjithësi zhvillimit kulturor të Evropës (si letërsia franceze, angleze etj.), që ngre ura komunikimi midis popujve, që shpie përpara procesin e integrimit kulturor, që shpalos ide të reja përparuese për njerëzimin". Po, t'i lëmë anash formulat socrealiste, që vazhdojnë të jetojnë edhe njëzet vjet pas rënies së komunizmit në kokën letrare dhe politike të koleges sime, Diana Çulit, dhe jo vetëm të Diana Çulit e të shohim ç'flasin për ne kriteret e saj.

Mjerimi i provincializmit

Prej këtyre kritere të Diana Çuli dhe të bashkëreaguesve të saj duhet të nxjerrim përfundimin se një vepër letrare, një vepër shkencore a një vepër filozofike, e shkruar në gjuhën shqipe, ka vlerë letrare, shkencore a filozofike kombëtare dhe evropiane vetëm në qoftë se të tjerët e çmojnë si vlerë, e përkthejnë dhe e shpërblejnë me çmime, medalje, dekorata, tituj të ndryshëm autorin e saj! Sipas kësaj logjike nuk është e rëndësishme çka mendon ti vetë për ato vepra dhe për krijuesit e tyre; e rëndësishme është çka mendojnë dhe çka thonë ata, të tjerët, ata prej të cilëve varet edhe shumëçka në shtetin tënd! Provincializmi nuk ka brirë! Mjerimi i provincializmit më së qarti tregohet e përcaktohet kur ti për veten mendon vetëm si mendojnë ata, të tjerët, për ty! Ti do të çmosh veten vetëm nëse do të çmojnë ata! Mjerimin e provincializmit e tregojnë po aq qartë edhe: lutjet për të marrë çmime; edhe këngët që shoqërojnë marrjen e këtyre çmimeve; edhe vajtimet kur nuk të jepen çmimet me gjithë lutjet. Dhe, kjo komedi po ndodh shpesh në jetën tonë! A ka nevojë të thuhet se ky provincializëm është tepër fyes për kulturën në të cilën ngjet kjo.
Historia i përgënjeshtron keq kriteret që kanë frymëzuar Diana Çulin, Besnik Mustafaj, Ylljet Aliçkajn dhe Behar Gjokën të reagojnë ndaj mendimit tim se letërsia shqipe nuk e ka arritur ende nivelin artistik të letërsisë evropiane. Historia e përgënjeshtron fort edhe pohimin e tyre se vlerat artistike janë përcaktuese të përkthimit të një letërsie në gjuhë të tjera. Autorët më të përkthyer e më të lexuar sot në botë janë autorët e romaneve pornografike, erotike, kriminalistike, politike, dhe të asaj që quhet letërsi triviale. Kush nuk e di tashmë se shkrimtarët e letërsive të vogla, kryesisht, nuk përkthehen në letërsitë e mëdha për shkak të vlerës së tyre artistike, por për arsye të tjera. Ato duan prej nesh vlera të tjera: "vlera" politike, "vlera" ideologjike; "vlera" fetare. Dhe, do "vlera" të tjera.

Pse përkthehet Ismail Kadare?

Reaguesit ndaj ligjëratës sime, Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka si shembull me të cilin do të donin të mohonin pohimin tim në ligjëratën e mbajtur përmendin Ismail Kadarenë. Unë nuk mund ta di a mendojnë ata, vërtet, ashtu siç flasin për arsyet e përkthimit të veprave të Ismail Kadaresë në disa gjuhë. Unë mund të them vetëm çka mua më obligojnë të them kriteret e mia letrare artistike dhe përgjegjësia ime shkencore dhe morale historiko-letrare. Dhe, e para që mund të them për këtë çështje është kjo: nuk është vlera artistike e veprave të Ismail Kadaresë arsyeja kryesore që përkthehen ato. Shumica e veprave të tij janë vepra me frymëzime politike dhe ideologjike, prandaj edhe me vlerë artistike shumë më modeste se ç'na është dukur dikur. Më tej: veprat e tij janë vepra të shkruara në mënyrë anakronike dhe i takojnë, si botëkuptim dhe teknikë krijuese, realizmit socialist - disa dhe realizmit tradicional - disa të tjera. Ato janë rrëfime për njerëz a ngjarje historike e jo vizion i botës dhe analizë e jetës - çka thuhet se është letërsia moderne. Domethënë: arsyeja fillestare dhe e vazhduar e përkthimit të veprave të tij ishte politike dhe ideologjike. (Vijon)

Nga Rexhep QOSJA G.SH

No comments: