Sunday, September 20, 2009

MAJK BONXHORNO, A mos je me origjinë shqiptare?

Ndoshta nuk është momenti më i përshtatshëm këto ditë të përhapim dhe përforcojmë fjalën se Majk Bonxhorno, i quajturi prej kombit të vet si "babai i televizionit italian", mund të ketë qenë me origjinë shqiptare.

Siç dihet ai ndërroi jetë papritur, kur edhe pse 85-vjeçar, shfaqte vitalitet të dukshëm fizik dhe mendor. Të gjithë italianët u pikëlluan, shumë popuj në botë po ashtu, patjetër edhe ne shqiptarët. Kjo humbje zuri faqet e para të gazetave si edhe titrat kryesore të lajmeve tona televizive. Edhe tek ne, si kudo, u nderua si një italian i madh. Megjithatë, duke kërkuar ndjesë në rast se kemi gabuar për çastin kur po ngulmojmë në të qenit me origjinë shqiptare të Majk Bonxhornos, pohojmë se shtyhemi në këtë rrugë nën peshën e detyrimit shpirtëror se mund të kemi të drejtën ta nderojmë të paharruarin edhe si një bashkëkombës të largët. Ja përse po e çojmë gjer në fund këtë kuturisje, ndërsa dihet botërisht që gazetari i famshëm në asnjë biografi, në asnjë intervistë dhe madje as në librin e tij, botuar pak kohë më parë, për jetën e vet, as që e ka thënë ndonjëherë se ka një origjinë të largët shqiptare. Ka pohuar gjithnjë si pjesë të jetës së tij se nënën e kishte italiane, me origjinë nga qyteti i Torinos dhe se i gjyshi i tij qe po ashtu italian nga Siçilia, i emigruar në SHBA në fillim të dhjetorit 1892. I lindur në Nju Jork, Majku nuk qe tjetër veç një italian i amerikanizuar. Mundësinë e të qenit me origjinë të largët shqiptare autori i këtyre radhëve e ka bërë të ditur, thjesht në një paragraf të një shkrimi me një temë tjetër, në një të përditshme të shumëlexuar, pothuaj një vit më parë. Atëherë si dëshmi parashtronte para opinionit publik dy detaje. Njëri kishte të bënte me një nga emisionet e ciklit të tij televiziv "Quiz", të katër dekadave më parë, në televizionin italian. Atë seri Bonxhorno i pati bërë një italiani të ftuar në studio, pyetjen nëse kishte në botë ndonjë vend, në të cilin një krahinë e tërë thirrej me përshëndetjen italiane "Buonxhorno". I pyeturi në atë lojë konkursi u mendua shumë dhe nuk e gjeti. Me sy që i shkëlqenin, gazetari i madh italian nisi t'ia shpjegonte se një krahinë e tillë ndodhej fare afër, në Shqipëri. Atë kohë kjo ngjarje bëri përshtypje, sepse shumë nga ne e ndiqnin RAI-n nëpërmjet të famshmeve pajisje ilegale, të prodhuara atëherë në mënyrë artizanale e të thirrura me të folurën tiranase si "kanoçe". Këmbëngulja e Majk Bonxhornos për t'ia shpjeguar me pasion bashkatdhetarit të tij fjalën "Mirditë" dhe sidomos gëzimi mezi i përmbajtur që kishte në sy atë kohë, nuk u ra në sy shumëve. Nuk është mjaft fakt bindës edhe tani. Ai entuziazëm i tij ato çaste mund të shpjegohet edhe me gëzimin e natyrshëm që në këtë botë me mbiemrin e tij Bonxhorno nuk kishte thjesht një fshat, qytezë apo qytet, siç edhe ndodh, por një krahinë e tërë.
*Detaji i dytë ka të bëjë me një polemikë miqësore që është zhvilluar diçka më shumë se një vit më parë në Siçili mes banorëve të fshatit vendlindës të gjyshit të Majkut, Mikelanxhelo Bonxhornos, i cili quhet Campofeliçe di Fitalia (Campofelice di Fitalia) dhe atyre të fshatit të madh, pothuaj qytezë, Mexojuzo (Mezzojuso). Të dy palët ngulnin këmbë se gazetari i madh qe me origjinë nga vendbanimi i tyre. Në të vërtetë, në pamje të parë debati i këndshëm mund të ketë rrjedhur prej një fakti fare administrativ. Në vitin 1852, Kampofeliçe di Fitalia u bë pjesë e Mexojuzos dhe u shkëput prej saj vetëm në vitin 1951. Kështu në një farë mënyre Majk Bonxhorno qe me origjinë nga të dy fshatrat. Ndërkohë i bëjmë të ditur lexuesit se Mexojuzo është një vendbanim i vjetër arbëresh, po ashtu është edhe sot, një qendër e bashkatdhetarëve tanë të emigruar në Itali në motin e madh të Skënderbeut, kryesisht pas vdekjes së tij. Në të gjithë hapësirën përreth Mexojuzos gjenden, në afërsi dhe largësi të saj, vendbanime italiane, por edhe shqiptare. Qyteza e famshme arbëreshe e Palaco Adrianos (Palazzo Adriano), e mësuar nga ne në të gjitha librat shkollorë, ndodhet më pak se njëzetë kilometra larg. Nga Mexojuzo Campofeliçe di Fitalia është më pak se pesë kilometra. Si vendbanim është populluar rreth viteve 1800, sepse më parë qe vetëm rezidenca e një princi vendas. Ky thirrej edhe Princi i Fitalia-s dhe fitalia nuk është fjalë italiane, por greke, e cila do të thotë vresht apo plantacion. Patjetër këtë emër ia kanë vënë të emigruarit prej përtej detit, në shekullin e pesëmbëdhjetë, të cilët vinin nga Peloponezi dhe qenë, siç dihet historikisht, pak grekë e shumë arbërorë, familje të shumta shqiptare që qenë të punësuara në mbrojtjen nga sulmet osmane të kështjellave-porte të Republikës së Venedikut në trojet helene. Ndërkohë princi, për nevoja të punimeve bujqësore, e populloi hapësirën bosh rreth rezidencës së tij me banorë të fshatrave afër. Këtu gjendeshin edhe aq shumë vendas me origjinë arbëreshe.
*Bëjmë të ditur edhe një detaj të tretë: mbiemrin e Majkut. Gazetari i shumënjohur përherë ngulte këmbë të theksonte se ai nuk qe Buonxhorno (Buongiorno), që në të folurën italiane është përshëndetja "Mirdita". Ishte i hekurt dhe i "bezdisur" të shkruhej Bonxhorno. Në të vërtetë kishte të drejtë, sepse i gjyshi dhe para tij edhe fisi në Kampofeliçe di Fitalia, saktësisht kështu e kishin mbiemrin. Por çfarë do të thotë kjo? Me siguri që të parët e tij mbiemrin e tyre dëshironin ta ndanin si të ardhur me origjinë nga gjuha e vendit dhe të ngulnin këmbë se pati buruar prej një gjuhe tjetër. Dhe kjo gjuhë tjetër, në rastin tonë arbërishtja, Mirditën nuk e kishte thjesht një përshëndetje, por emrin e një krahine të tërë, madje me shumë histori. Qenë troje të lidhura me katolicizmin, Papën e Romës dhe sidomos me Gjergj Kastriot Skënderbeun, aq i adhuruar edhe prej italianëve. Me ruajtjen të pacenuar nga gjuha vendase të barazimit të një përshëndetjeje me emrin e një krahine, pra edhe prone apo ndikimi politik, ata linin të kuptonin se qenë prej atyre kapedanëve që u mblodhën e lidhën besë qëndrese antiosmane dhe antiislamike në Lezhë. Kështu fisi Mirdita i shpërngulur në Greqi dhe më pas i vendosur në trojet italiane, kur kreu përkthimin e mbiemrit të vet, bëri dallimin nga përshëndetja e zakonshme. Ata ku e ku ishin me vendasit! Qenë derë e madhe shqiptare, njerëz me "gjak blu", që kishin ardhur aty vetëm nga halli. Kështu edhe mund të kuptohet më mirë ai shkëlqim i veçantë sysh i Majk Bonxhornos në quiz-in e katër dekadave më parë. Në të vërtetë, edhe e gjithë jeta e Bonxhornove në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur profilin e një mënyre të jetuari prej fisnikësh. Kujtoheni edhe të madhin Majk! A nuk dukej e sillej si një princ? Ndërkohë shtojmë se me mbiemrin Bonxhorno ka vetëm pak familje në botë, tepër pak. Është shumë i veçantë. Disa gjenden në SHBA, ndonjë mërguar i rrallë në Australi. Me siguri të gjithë janë nga fisi "kokëfortë", "bajraktar", shqiptaro-verior i fshatit arbëresh të Siçilisë. Ndoshta këto që paraqitëm si një hipotezë se Majk Bonxhorno mund të jetë me një origjinë shqiptare janë fare pak për të pasur autoritetin ta provojnë. Kemi përballë edhe vështirësinë që ndryshe nga të tjerë të shquar italianë, që nuk kanë mohuar origjinën e tyre arbërore, gazetari i famshëm nuk e tha kurrë se gjashtë shekuj më parë vinte prej anëve tona. Ndërkohë nga vendbanimet arbëreshe në Itali, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë emigruar edhe bashkëkombës tanë të largët, të cilët u shndërruan në mafiozë. Edhe kur nuk e kanë pohuar vetë për ta asnjëherë nuk është vonuar t'ua thuhej origjina jonë etnike. Majk Bonxhorno qoftë i paharruar! Të na falë që i ramë pak më qafë në një ditë që mund të ishte zgjedhur në një çast tjetër, të mëvonë. Gjithçka e bëmë nga nderimi për të dhe nga krenaria e supozuar se në gjakun e tij ka diçka prej nesh.
Ylli Polovina, G.Shqiptare

No comments: