Sunday, September 27, 2009

Mehmet Aliu, themeluesi i Egjiptit modern

Muhamed (Mehmet) Ali Pasha shqiptari themelues i shtetit të Egjiptit modern, si shtet i parë islamik i dalë nga feudalizmi i mesjetës.



Lindja dhe karriera

Mehmet Ali Pasha (1769-1849) i njohur me emrin Muhamed Ali, është një nga djemtë më të mirë që tokat shqiptare kanë nxjerrë në historinë e tyre. Fatkeqësisht nëpër mjetet e propagandës perëndimore, Mehmet Ali Pasha shpeshherë tregohet sikur të ketë qenë grek, apo “shqiptar” nga Kavalla në Greqi (!) që në fakt është pjesë e Çamërisë, tokë shqiptare të cilën juntat greke me forcën e pastrimit etnik e depopullizuan në mesin e shekullit të XX nga shqiptarët e besimit islam. Për Mehmet Aliun tregohet që të ketë lindur në një familje të thjeshtë shqiptare, dhe pasi Mehmeti për njëfarë kohe është marrë me tregti nëpër Çamëri, më vonë ka vendosur që t’i bashkohet ushtrisë së perandorisë Osmane. Për Mehmet Aliun tregohet se, edhe pse nuk ka ditur të shkruajë dhe të lexojë ka qenë një njeri i mençur dhe largpamës, gjë që e bëri atë të bëjë karrierë në ditët e mëpasme të jetës.

Në ditët kur Napoleon Bonoparti pushtoi Egjiptin, i cili që nga koha e Sulltan Selimit kishte qenë pjesë e pandashme e perandorisë Osmane, Mehmet Aliu, ashtu si edhe shumë muslimanë të tjerë, shtetas të Perandorisë, u ngrit për të mbrojtur këtë tokë të Perandorisë Osmane nga këta kolonizatorë të rinj.

Në krye të një batalioni me shqiptarë, Mehmet Aliu marshoi drejt Egjiptit, ku pas përpjekjeve të ndryshme luftarake me francezët më në fund, Egjipti u çlirua nga zgjedha bonapartiste. Pas çlirimit të Egjiptit dhe mosmarrëveshjeve të ndryshme civile, më në fund, në vitin 1805 Mehmet Aliu me këshillën e Shaikhut të Azharit, mori fermanin nga Sulltani për t’u bërë guvernator i Egjiptit së bashku me titullin Pasha.

Eliminimi i kundërshtarëve politikë

Duke pare situatën e prapambetur të Egjiptit të asaj kohe, Mehmet Aliu ishte ai që filloi zhvillimin e vendit. Por, si rrjedhojë e konflikteve me çifligarët vendas (Mamlukët), intrigat e tyre, kërcënimet ndaj Mehmet Aliut dhe mosbindshmërinë ndaj rregullave të shtetit, Mehmet Aliu me rastin e dërgimit të birit të tij, Tosum Pashaë në Arabi kundër “Vehabive” (Selefive) organizoi një darkë për të gjithë parinë vendase mamlukë (këtu fillon konspiracia Arabe J).

Pasi i ftoi të gjithë mamlukët në kështjellën e tij, Mehmet Aliu që e kishte rrethuar kështjellën me rojet e tij shqiptare, i urdhëroi ata që të ekzekutonin të gjithë kundërshtarët e tij, që i kishte ftuar atë natë në kështjellë. Pas këtij veprimi, Mehmet Aliu e siguroi njëherë e përgjithmonë pushtetin e tij mbi Egjipt, pasi ai arriti që t’i eliminojë rivalët e tij në atë mbrëmje. Nga ky akt, sa mizor dhe i pabesë i Mehmet Aliut, shumë mamlukë që shpëtuan, filluan të nxisin urrejtjen arabe kundër Mehmet Aliut, që mbahet si i pari politikan Makiavelian në historinë moderne Islame.

Luftërat e Mehmet Aliut

Perandoria Osmane


Një nga zotësitë kryesore që shqiptarët kanë pasur në Perandorinë Osmane, ka qenë arti i luftës. Kështu, që nga ditët e marrjes së Egjiptit, e deri në ditët e fundit të jetës së tij, Mehmet Aliu, me ndihmën e djemve të tij zhvilloi mjaft beteja të suksesshme nëpër botë.

Nga të parat ekspedita luftarake që Mehmet Aliu organizoi ishin, disa fushata me radhë që Mehmet Aliu, me urdhër të Sulltanit kreu në Arabi kundër “Vehabive”, ku djemtë e tij, Tosum dhe Ibrahim Pasha arritën që kryengritjen e Saudeve në Arabi ta shtypë dhe të kthejë qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës në gjendje paqeje, nga ku Haxhijtë dhe Umraxhijntë të mund të kryenin vizitat e tyre në tokën e shenjtë në mënyrë të qetë dhe pa probleme.

Nga vitet 1820 deri më 1822, Mehmet Aliu filloi ekspeditat kundër Sudanit, ku në 1823 Mehmet Aliu themeloi shtetin e Sudanit dhe Khartumin si kryeqytet të tij. Më 1824, si rrjedhojë e kryengritjeve të barbarëve në Greqi, Sulltan Mahmudi i II që nuk mund të ta shtypte dot këtë rebelim grek, thirri në ndihmë Mehmet Aliun, i cili duke çuar në krye të kësaj ekspedite djalin e tij Ibrahim Pasha arriti që të shuajë dhe shtypë revoltat në Greqi. Si rrjedhojë e kësaj fitoreje, Mehmet Aliu u shpërblye nga Sulltani që të bëhej edhe guvernator i Kretës. Por fuqitë e mëdha (Britania e Madhe, Franca, Rusia), duke parë shtrirjen e gjerë që Mehmet Aliu pati që nga Sudani e deri në Kretë, më 1827 dërguan armatat e tyre për të luftuar Ibrahim Pashën, të birin e Mehmet Aliut, i cili pas përplasjes me fuqitë e mëdha u thye, dhe u detyrua që të lëshojë shtypjen e terrorizmit grek.

Si rrjedhojë e disa mbeturinave mamluke që kishin lënë Egjiptin pas masakrës së Mehmet Aliut, shumë prej tyre që nga Siria kryenin akte sabotazhi kundër Mehmet Aliut. Për këtë arsye, në 1831 Mehmet Aliu u detyrua që të pushtojë Sirinë dhe të ndjekë mamlukët e ikur. Por, kjo hapje e madhe e Mehmet Aliut e zemëroi Sulltan Mahmudin, i cili hyri në konflikt me Mehmet Aliun (besohet se në këtë luftë ka influencuar një armik personal i Mehmet Aliut, që ishte këshilltar i Sulltanit). Pas betejës së 1839, djali i Mehmet Aliut, Ibrahim Pasha, i cili theu ushtrinë osmane, filloi marshin për në Anadoll, ku sipas shumë historianeve, ambiciet e Mehmet Aliut ishin që ai të bëhej Sulltan i shtetit Islam. Por, duke parë forcën dhe vitalitetin e Mehmet Aliut, fuqitë e mëdha e ndaluan dhe kërcënuan sërish Mehmet Aliun, që të mos avanconte më tej. Nëse ky plan do të kishte ndodhur, bota nuk do t’i njihte më Shtetet e Bashkuara Islame, si Khalifati Osmanlli, por do ta njihnin si Khalifati Shqiptar kështu që, Dom Ndocët e Dom Leshët duhet të gjenin shpifje të reja kundër Islamit Shqiptar.

Pas kësaj përpjekjeje të fundit, Mehmet Aliu u tërhoq në Egjipt, ku atij iu njoh e drejta e Khedivllëkut mbi Egjipt (mbretërisë), nga ku gjenerata e nipërve të tij udhëhoqi deri në vitin 1956.

Arritjet e Mehmet Aliut

Xhamia e Muhamed Ali Pashës në Kajro, Egjipt


Çami Mehmet Ali, përveç betejave të tij të suksesshme në botën Islame, mbahet si i pari modernizues i botës Islame. Ai ishte i pari që në botën Islame futi shtypshkronjën, ndërtoi fabrika, ndërtoi sisteme moderne për shtetet ku ai udhëhoqi. Në veçanti, vepra të Mehmet Aliut që vlejnë për t’u theksuar janë: Krijimi i Egjiptit si shtet, modernizimi, ndërtimi i qyteteve, qendrave tregtare, qendrave industriale etj.

Krijimi i Sudanit si shtet, emancipimi i shoqërisë sudaneze dhe dhënies së saj të një fizionomie qytetare (Hadara) përndryshe nga fizionomia fshatare (Badava) që Sudani kishte përpara ardhjes së Mehmet Aliut.

Emancipimi i shoqërisë egjiptiane, që sot është zemra e botës arabe, ku nëpërmjet aktivizmit të shoqërisë vendase beduino - felahe në jetën shoqërore qytetare (Hadara), Mehmet Aliu është ai që mbahet si arkitekt i Intelektualizmit dhe Iluminizmit arab abham Al - Xhedid; që do të thotë sistemi i ri dhe ka të bëjë me atë se Mehmet Aliu ishte ai që për herë të parë në botën Islame, krijoi një ushtri me të vërtet profesionale, dhe mjaft herë më të avancuar sesa ajo e Osmanëve. Vetë suksesi i ushtrive të Mehmet Aliut nëpër botë, i tregoi Sultan Muratit se Sistemi Osman ishte vjetëruar, gjë që e çoi Sulltanin që pas Mehmet Aliut të shpalli edhe ai “Nidham Al Xhedidin’” ala - Turce, por që asnjëherë nuk arriti suksesin e Mehmet Aliut.

Dhe pse pasardhësit e Mehmet Aliut më vonë u korruptuan dhe e dobësuan Egjiptin që Mehmet Aliu themeloi, sërisht vlerat e Mehmet Aliut për zemrën e sotme të botës Arabo - Islame janë të panumërta. Me të drejtë për punën në themelimin e Egjiptit dhe ringjalljën arabe që zë rrënjë aty, Mehmet Ali Shqiptari mbahet si themeluesi dhe illuminatori i intelektualizmit arab.

Versionet “sekrete” arabe

Nuk është diçka e rrallë që mes shumë arabësh, herë pas here të dëgjosh akuzime ndaj Mehmet Aliut, si ato që mund të hidhen ndaj Ataturkut. Por, edhe pse Mehmet Aliu ishte modernizues i botës arabe, kjo nuk do të thotë aspak se, ai ishte anti-Islamist tip Ataturk. Teoritë e Konspiracive Arabe ndaj Mehmet Aliut hidhen rreth 2 temave; modernizmi që ai i bëri botës Islamo - Arabe dhe masakra e tij mbi mamlukët.

Ideja e shumë arabëve se, modernizimi është de-islamizim është gabim, pasi Islamizimi nuk është prapambeturi, por ai shkon gjithnjë me progresin njerëzor. Modernizmi i civilizimeve islame, kalimi i tyre nga Badava (fshatarësi) në Hadara (civilizim), siç Ibn Khalduni ka predikuar, është një nga nevojat e shoqërive islame dhe jo-islame nëpër kohë. Këtë nevojë ne e kemi parë gjatë historisë islame në ngritjen e civilizimit të Emevive, Abasidëve, Fatimidëve, Pahllavive etj, dhe më në fund të shqiptarëve në Egjipt, që ndërtuan civilizimin arab të sodit, civilizim për të cilën shqiptarët duhet të jenë krenarë që janë arkitektë të tij. Kurse masakra e Mehmet Aliut mbi mamalikët mund të justifikohet si një akt i nevojshëm në sytë e real-politikës që koha e Mehmet Aliut nëpër Evropë kishte filluar të vërtetonte.



Përgatiti: Selman Kaci

No comments: