Sunday, September 20, 2009

"Nga shkolla duhet të dalin papagaj apo njerëz krijues ?"

Misioni i një mësuesi është të mësojë nxënësin e vet, dhe ky i fundit ka funksion primar të nxënit, d.m.th., të nxërë, të fusë, të prodhojë nesër diçka. E më thoni se çfarë di një gjimnazist kur del nga bankat e shkollës?

Nuk di në mënyrë absolute asnjë gjë nga kimia, nuk njeh asnjë element kimik veç hekurit në gjendje të oksiduar, nuk di të vërë në punë matematikën, d.m.th., të zbatojë diçka me baza matematikore, nuk di të shpjegojë në një përqindje të madhe (dhe këtë e them me bindje), të shpjegojë dukuritë dhe fenomenet natyrore, të cilat bota na i ka zgjidhur e na ka dhënë ligje të gatshme qysh prej mijëra vjetësh më parë.


Personalisht më ka ndodhur të jem absolute me nota, d.m.th., me mesatare, por një shoku im që merrte pesa e gjashta ishte shumë më inteligjent se unë, dhe pas ca kohësh dëgjoja nga goja e tij shumë gjëra që i kisha mësuar, por për dreq s'i mbaja mend fare.


Pse? Se s'më kishin pyetur mësuesit pse kjo kështu, e pse mendon ashtu, thjesht thuaj çfarë ke mësuar e ik merr 10. E pra, çfarë funksioni ka institucioni i dijes dhe çfarë funksioni kryejnë misionarët që përcjellin dijen tek nxënësi?




Ti që po e lexon tani mos dysho për këtë që po them, dhe ti e di që në shkollë mjafton ta thuash sikur libri e shkruan, dhe mësuesi të thotë ulu, 10. Por kështu, ti, i dashur, nuk ke mësuar asgjë, ti thjesht ke bërë një "copy" në shpi dhe pastaj klikove "paste" para mësuesit. Vetëm kaq!


Unë jam shumë e indinjuar, sepse gjithçka bëhet në dëm të brezit të ri. Mësuesit aq sa mësuan mësuan, aq sa morën dhe nëse nuk japin nuk u prish punë, madje është më mirë, se lodhen më pak për veten e tyre.


Po ne që nesër do jemi "të rriturit", prindërit e mësuesit e të tjerëve? Më korrigjoni kush mendon se gaboj, por dija është përdhosur sot në mënyrë të turpshme.
Në universitet, si bazë për vlerësimin e pikëve të pranimit na qenka mesatarja. Po çfarë tregon mesatarja krahasuar kjo me testimin direkt?


Ajo nuk tregon asgjë veçse korrupsionin e çmendur në gjimnaze, luftën e madhe të prindërve për t'i siguruar mesatare fëmijës së vet kur ai s'e arrin dot vetë me mënyra që kanë në bazë ryshfetin, servilizmin dhe pseudomiqësinë. (kërkoj ndjesë për ata që djersinë shumë jo vetëm për të marrë notën vetë, por edhe të mos e njollosin me mënyra të rëndomta të marrjen e notës).


Ju lutem ta botoni se është një thirrje nga shpirti i një shqiptari idealist. Në Shqipëri nuk kritikon dot një politikë apo një ministri, sepse milicia e injorancës politike të thotë: qenka socialiste kjo? Sa turp!


Shekulli, letër e nënshkruar nga një gjimnaziste me inicalet H.E

1 comment:

Anonymous said...

nuk je e vetmja me kete problem , dhe ky do jet nje trashigim per sa koh eshte koha e injoranteve.