Shikimet

Friday, September 25, 2009

Një apel qytetar për aksidentet rrugore

Një nënë humbi fëmijën e saj 6 vjeç, në një aksident rrugor. Nëna, me fëmijën për dore, po kapërcente rrugën nga njëra anë në tjetrën, në aksin rrugor Rrogozhinë-Lushnjë. Tek po shihte atë makinë të madhe, si një përbindësh që i rrëmbeu nga duart, sa hap e mbyll sytë gjënë më të shtrenjtë të saj, filloi të mallkojë veten.
Mallkoi mjetin dhe drejtuesin e tij, mallkoi ata që projektuan dhe ndërtuan atë rrugë, mallkoi e mallkoi, por e trumatizuar mendoi: nuk jam as e para, as e fundit. Gati çdo ditë në lajme dëgjoj për aksidente rrugore.


Ndal, në emët të dashurisë


Ritmet e shpejta të zhvillimit të transportit rrugor kanë nxjerrë në pah shumë probleme të sigurisë rrugore. Çdo ditë njoftohemi për aksidente fatale në rrugët tona, humbje jete, plagosje të rënda, dëmtime të pasurisë, pra tragjedi që godasin familjet shqiptare.
Krahasuar me vendet e tjera të Evropës kemi numrin më të madh të vdekjeve të shkaktuara nga trafiku rrugor, në raport me numrin e automjeteve dhe banorëve. Është i vetmi tregues që jemi në vend të parë në Evropë. Me të drejtë lind pyetja: Përse ndodhin kaq shume aksidente rrugore në Shqipëri?

Rritja e shpejtë e numrit të automjeteve (çdo ditë lëvizin në rrugët e vendit rreth 300 mijë) ka nxjerrë në pah si detyrë urgjente zgjerimin e rrugëve ekzistuese, hapjen dhe asfaltimin e rrugëve të reja. Realisht, këto 17 vjet rrugë të reja janë bërë e po bëhen, janë zgjeruar edhe ato ekzistuese, por në këto rrugë ndodhin më shumë aksidente fatale. Me ritme të shpejta sot bëhet përgatitja e drejtuesve të mjeteve (shoferëve). Në çdo rreth janë hapur autoshkolla, shkolla për edukimin rrugor, instruktimin dhe formimin e drejtuesve të rinj. Numrit prej 500 mijë shoferësh i shtohen çdo vit edhe 35 mijë të rinj, por përsëri 70% e përgjegjësve në aksidentet rrugore janë drejtuesit e mjeteve.

Investimet e mëdha, të kryera deri në vitin 2005 në qendrat e kontrollit teknik të mjeteve për modernizimin e tyre me synimin që mjetet të mos dalin në rrugë me të meta teknike, nuk po e japin efektivitetin e duhur. Janë hapur shumë serviseve "auto" të specializuara. "Shtëpitë" e prodhimit të automjeteve kanë në vendin tonë jo vetëm koncesionarë për shitjen e makinave të reja, por edhe servise të specializuara. E përsëri në rrugë ka mjete me të meta të mëdha teknike, që janë rrezik i vazhdueshëm për jetën e qytetarëve.

Në vitin 1998, Parlamenti Shqiptar miratoi Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, një ligj i nivelit evropian. Që nga viti 1998, në Kodin Rrugor janë bërë tri ndërhyrje të diktuara nga koha. Zbatimi korrekt i Kodit u jep ndihmë të madhe strukturave shtetërore që operojnë në fushën e transportit dhe sigurisë rrugore. Ai ndihmon qytetarët në edukimin me rregullat e sjelljes në rrugë. Megjithatë, vendi ynë ka numrin më të madh të aksidenteve për 10 mijë mjete dhe për numër të popullsisë në Evropë. Ky raport shkon deri te 12 të vdekur për 10 mijë mjete, ndërkohë që vende të zhvilluara, si: Suedia, Anglia, Franca, Italia apo edhe Maqedonia e Greqia, kanë koeficientin 1.7 deri në 5.

Çdo vit, në rrugët e vendit tonë ndodhin rreth 1200-1500 aksidente rrugore, me pasojë vdekjen ose plagosjen e qytetarëve, ku përfshihen rreth 2000 përdorues të rrugës, e ku mbi 300 humbin jetën dhe mbi 600 të tjerë plagosen rëndë. Përveç tyre, çdo vit regjistrohen edhe 7000 deri në 8000 përplasje të automjeteve, që pësojnë dëme materiale, shpenzimet e të cilave i përballojnë shoqëritë e sigurimit dhe qytetarët, që shpesh shoqërohen me konflikte të mëdha shoqërore e deri në vrasje. Mesatarisht, 1600 procese gjyqësore zhvillohen çdo vit për aksidentet rrugore, që përfundojnë me rreth 150 të burgosur në vit. Me afro 200-220 fatkëqij shtohet çdo vit numri i handikapatëve, të verbërve, invalidëve e të truamatizuarve vetëm nga aksidentet rrugore.




Në analizën e specialistëve, si shkaqe kryesore renditen:

1. Lëvizja e drejtuesve të mjeteve me shpejtësi tej normave të lejuara;

2. Ndërprerja e rrugës nga këmbësorët në kundërshtim me rregullat e Kodit Rrugor;

3. Veprimet e gabuara të drejtuesve të mjeteve në kryqëzime e degëzime rrugësh;

4. Drejtimi i mjetit nën efektin e pijeve alkoolike apo narkotike;

5. Mangësitë në sinjalistikën rrugore dhe në disiplinimin e trafikut në rrugë të veçanta, si dhe në periudha të qarkullimit intensiv të vitit;

6. Moszbatimi i masave ndëshkuese ligjore nga policia rrugore për shkelësit e ligjit;

7. Qarkullimi në rrugë i mjeteve me të meta teknike dhe të drejtuara nga shoferë të pakualifikuar etj.

Natyrisht, të gjitha qëndrojnë, e po të vazhdosh t‘i rendisësh, ka edhe të tjera arsye. Nenet e Kodit Rrugor janë të rrepta dhe klasifikohen në ato lloj ligjesh që, po të shkelen, kanë risk shumë të madh jo vetëm për jetën e atyre që i shkelin, por edhe të qytetarëve të tjerë të pafajshëm.

Po t‘i analizojmë më thellë problemet e sigurisë rrugore në këto 17 vjet, arrijmë në një konkluzion të rëndësishëm; se shkaqet e mësipërme janë pasojë e politikave të paqarta, të ndjekura këto vite në fushën e sigurisë rrugore. Politikat e ndjekura në këtë fushë nga qeveritë që kanë drejtuar vendin, nuk kanë qenë efektive e largpamëse. Atyre u ka munguar strategjia kombëtare e sigurisë rrugore, shoqëruar me programe afatmesme dhe afatgjata për të gjithë aktorët shtetërorë, privatë e shoqërorë, faktorë që ndikojnë në përmirësimin e sigurisë në fushën e transportit rrugor. Vendit i nevojitet një strategji e qartë për sigurinë e jetës së njerëzve në rrugë, strategji që nga viti në vit të çojë në zvogëlimin e numrit të qytetarëve që humbin jetën në aksidentet rrugore, në mënyrë që të mos përsëriten më gabimet e bëra në këto 17 vite.

Nuk mjafton të ndërtosh rrugë, por rëndësi ka nëse ato i ndërton me projekte të miratuara e të audituara mirë nga specialistët e sigurisë rrugore, në mënyrë që njerëzit në ato rrugë të lëvizin të sigurt. Asnjëherë nuk duhet të përurohen rrugë (siç ndodh shpesh në prag fushatash zgjedhore), pa përfunduar me të gjithë elementët e tyre, e sidomos pa instaluar sinjalistikën rrugore, e audituar mirë edhe ajo nga specialistët e sigurisë rrugore.

Dëmtimet që qeveritë i kanë bërë administratës shtetërore në shërbimin e transportit rrugor, në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, në licencimin e autoshkollave dhe monitorimin e drejtuesve të rinj të mjeteve, duke larguar nga puna pa asnjë shkak me mijëra specialistë të kualifikuar e të arsimuar, duke i zëvendësuar ata me militantë pa kualifikimin e duhur, janë konvertuar në më shumë humbje jete, dëmtime e vuajtje nga aksidentet rrugore. Vetëm nga policia rrugore u larguan brenda vitit 2006-2007, 55% e specialistëve të kualifikuar nga PAMECA, dhe u zëvendësuan me militantë pa asnjë kualifikim. Po kështu, në shërbimin e transportit rrugor brenda viteve 2006-2007 u larguan rreth 65% e specialistëve, u larguan komisionerët e marrjes në prova, punonjësit e regjistrimit të mjeteve e deri tek ata të arkivit të mjeteve dhe drejtuesve të tyre.




Në rrugët shqiptare qarkullojnë mjete të targuara që nga viti 1996, e një në tre prej tyre janë me targa të huaja. Ato nuk paguajnë as taksa dhe as siguracion, e shumë prej tyre janë me targa false. Nga 350 mijë mjete të regjistruara në dokumentet e shtetit, vetëm 200 mijë paguajnë taksa e siguracione, po kaq kalojnë në kontrollin teknik vjetor. Janë ky kontingjent mjetesh që bëjnë numrin më të madh të aksidenteve. Dhe ato që kalojnë nuk kontrollohen për identitetin e vërtetë të tyre. Këto raste i gjurmojnë edhe një grup ekspertësh, të quajtur autoteknikë, të cilët për pak para falsifikojnë vendngjarjet dhe ekspertizat e policisë rrugore, duke bërë fajtorë viktimat dhe heronj përgjegjësit. Politikat e targimit dhe të kontrollit teknik të mjeteve, të kontrollit dhe verifikimit të mjeteve të vjedhura dhe falsifikuara, lënë shteg për shumë abuzime dhe anarki në qarkullimin rrugor.

U bënë 5 vjet që qytetarët pajisen me patentën elektronike, të pafalsifikueshme dhe shumë lehtë të identifikueshme. Por që atëherë këtë patentë nuk e njeh asnjë vend i huaj. Edhe italianët që premtuan, ende nuk e kanë njohur, por do të pranojnë vetëm konvertimin e saj. Kuptohet, ata e monitorojnë përgatitjen dhe testimin që u bëhet drejtuesve të rinj të mjeteve. Ky sektor vlon nga korrupsioni dhe paaftësia. Prandaj, mendoj se duhet parë me kujdes i gjithë sistemi i sigurisë që kemi ndërtuar.
Përse nuk funksionon? Ku çalon? Cilat janë politikat e gabuara që janë ndjekur dhe ndiqen në këtë shërbim? Pa një rishikim të plotë të politikave të sigurisë, pa ndryshim në mënyrën e të menduarit dhe të konceptuarit të këtyre dukurive të reja, nuk i parandalojmë dot aksidentet rrugore.
Shqip

Më poshtë keni video reale ku shikoni se çfarë ndodh nga papërgjegjshmëria...
Të ndaluara për njerëzit me ndjeshmëri të lartë !



Eshtë më mirë të jetosh: http://www.youtube.com/watch?v=zWJgmEengmU

No comments: