Sunday, September 20, 2009

Notari 11-vjeçar nga Tirana që i shkruante Celine Dion



Ai është mësuar të dalë gjithmonë i pari. Nuk është ndalur tek një çmim i vetëm. Këtë herë ka marrë më shumë se kaq. Ka thyer një rekord kombëtar. Nuk behët fjalë për sportistë apo njerëz të kualifikuar. Bëhet fjalë për një fëmijë që duket sikur e ka pasion të jetë më i miri.

Dilan Reka është vetëm 11 vjeç dhe sapo ka thyer rekordin e notit për fëmijë në Shqipëri. E takojmë në pishinën pranë kodrave të Liqenit në Tiranë, gjatë garave. Një lumturi naive i përshkonte fytyrën. Sapo i thirret emri për të marrë diplomën, shkon vrik pranë anëtarëve të jurisë. Mes 250 fëmijëve nga i gjithë vendi, spikati emri i tij. Por nuk ka qenë e lehtë për të. Përveç talentit, duhet edhe punë, po shumë madje. Ai që kujdeset për të "non sotp" është gjyshi i tij, Gudari. Në të nxehtë e në të ftohtë, ata të kapur dorë për dore, nuk u janë ndarë pishinave. Stërvitje dhe vetëm stërvitje, deri sa erdhëm në këtë rezultat, i cili nuk arrihet me gjë tjetër, përveçse me punë. Rrallë mund të gjesh ndonjë personazh të rëndësishme, i cili karrierën e tij e ka filluar në moshën 2 vjeç e gjysmë. Fama e ka përqafuar që kur Dilani ka dalë në Festival të Fëmijëve duke kënduar "Eja, eja luleborë". Këtu ka edhe një kujtim tjetër të regjistruar, që nuk do të mundet t'i shpëtojë dot. Në qoftë se në një të ardhme do t'i bëhet pyetja: "Kur dhe ku ke puthur për herë të parë?" Dilani, edhe po të dojë, nuk mundet të gënjejë. Është e regjistruar! Pas përfundimit të këngës në Festivalin e Fëmijëve, djali 2-vjeçar u dha një të puthur në buzë zonjushave të vogla që e shoqëronin dhe lë skenën i lehtësuar. Tani që është vetëm 11 vjeç ka drojë ta pranojë, por as nuk e mohon. Kur e pyesim se kush do të jetë profesioni i tij i ardhshëm, ka dy përgjigje paralele: Notar dhe informatikan. Për të parën tashmë është në rrugë të mbarë, ndërsa edhe për të dytën nuk e thotë me hamendje, po me llogari. Është një nxënës shumë i mirë në shkencat ekzakte. Ka ftuar çdo vit olimpiadat e matematikës në shkollën e tij. Duket sikur ky fëmijë i bën të gjitha. Me daljen në skenë për herë të parë dhe me atë "puthjen e parë", ka filluar edhe karriera muzikore për Dilanin. Nën kujdesin e veçantë të zotit Edmond Zhulali, i cili ka qenë "oguri" i parë i tij, tashmë ai numëron në përmbledhjen e tij muzikore 19 këngë. Një vesh absolut. Kështu e kanë klasifikuar mjeshtërit e muzikës. Në fakt po të bësh një vizitë në dhomën e tij, muri nuk është i mbushur me foto idhujsh, po me diploma dhe certifikata nderi. Një rekord për një fëmijë në moshën e tij. Ajo që të bie në sy është se ai ka kapur gjithnjë çmime të para, ose çmimin e publikut. Në Festivalin Ndërkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkup, vitin e kaluar Dilani kishte marrë herën e fundit "Çmimin e karrierës". Si një artist i kompletuar, ai studion literaturë artistike, njeh kompozitorët e famshëm dhe muzikën e tyre, i bie pianos...
Një fëmijë që është rritur vazhdimisht nën përkujdesjen e gjyshit, i cili e ka "birësuar" nipin e vet që kur ishte 6-muajsh. Ndoshta ka ndikuar marrja me sport, sepse Dilni nuk është një fëmijë i imët, ai është i shëndetshëm dhe me muskuj të fortë. Por me gjithë këto, ai ka instinktet dhe veprimet e një fëmije në moshën e tij. "Nuk dal asnjëherë të luaj më shokët", -thotë 11-vjeçari. Stërvitje-shkollë-mësime, kjo është dita e tij normale. Në fund na drejtohet me fjalë që të habisnin: "Dua të bëhem një sportist, një informatikan dhe një këngëtar", të gjitha këto më një "shumë i mirë", nga pas.

Kur i shkruaja Celine Dion-it...
"Isha vetëm 4 vjeç e gjysmë. Në një darkë me miq të familjes, më kërkojnë që të këndoja. Kënga që po dëgjoja në sfond ishte ajo e Celine Dion, kolona muzikore e filmit "Titaniku". E dëgjova. E këndova, e dëgjova edhe njëherë dhe e këndova sërish". Kaq iu desh Dilanit për të kënaqur të pranishmit. Gjyshi të nesërmen në mëngjes e merr për dore vogëlushin dhe as më pak e as më shumë, po drejt e në studion e Mond Zhulalit. Kënga u regjistrua. Tashmë është pjesë e 25 DVD-ve të koleksionuara nga gjyshi. Pse jo?! Një e-mail i dërguar në postën elektronike të këngëtares, të shkruar nga gjyshi me fjalët e Dilanit, pas disa ditësh do të merrte përgjigje. Falënderim special për Dilanin e vogël nga ana e këngëtares më famë botërore dhe një kartolinë për Vitin e Ri. E ku kishte më bukur se kaq!


Stërvitja
Nga ora 19:30 deri më 22:00 të mbrëmjes, nip e gjysh i gjen në pishina. Kjo disiplinë pune bëri që Dilan Reka (Beqiraj) të jetë kampion në Kampionatin Kombëtar për moshat 11-12 vjeç. Këto rezultate ai i ka arritur duke u stërvitur intensivisht. Sipas gjyshit Gudar Beqiraj, Dilani ka bërë edhe diçka tjetër nëpërmjet sportit: ka thyer edhe mentalitetin e përhapur ndër prindër, se sporti i pengon fëmijët në mësime. Dilanin nuk e ka penguar aspak, ndërsa shkëlqen në të tëra lëndët. Por matematika është pasioni i dytë i tij, porta ku do të firmosë të ardhmen...

Jeta me gjyshërit
Një anomali e vogël në shëndet në muajt e parë të lindjes, bëri që Dilani i vogël të transferohet nga shtëpia e prindërve tek ajo e gjyshërve nga mami. Sot e kësaj dite, kur i ka kaluar të 11 vitet, jeton te shtëpia e gjyshërve, ndërsa në të vetën shkon si "bujtës" ose me raste festash. Kur e pyesin për mbiemrin, i përdor të dy, edhe Reka, edhe Beqiraj.

Ku ka kënduar Dilani?

I pyetur për këngën e parë Dilani përgjigjet prerë: "Te 'Katër stinët', pastaj kam kënduar në Festivalin e Tiranës kur isha 8 vjeç 'Beni-Beni biznesmeni'. Në Festivalin e Shkodrës kam kënduar 'Kopshtin magjik'; kam kënduar tek 'Mis Shqipëria 2008'; në Maqedoni në aktivitetin për fëmijë 'Ylberi'. Çdo vit kam fituar Çmimin e Publikut dhe herën e fundit, Kupën e Karrierës. Në 10-vjetorin e këtij festivali këndova këngën e Majkëll Bubles.




Shekulli

No comments: