Sunday, September 20, 2009

Prapaskenat e marrëveshjes së italianëve në Shqipëri

Vendi ynë i zë kutotat e lira mjedisore me projekte italiane, ndërkohë që mund t’i shiste në treg.

Shqipëria paguan faturën mjedisore të Italisë !

Italia ka nevojë për të ulur emetimet e CO2-shit, për të arritur objektivin e Protokollit të Kiotos.


Interesi i Italisë në projektet energjetike që do të ndërtohen në Shqipëri, nuk lidhet ekskluzivisht vetëm me sigurimin e energjisë, ku pjesën më të madhe të saj ajo e importon, por edhe me një faktor kyç, siç është mjedisi. Italia, si vend anëtar në Protokollin e Kiotos, është e angazhuar të ulë niveli e emetimit të gazrave në atmosferë.

Madje, objektivi i vënë nga ky Protokoll në vitin 1997, e detyron Italinë të bëjë një shtrëngim, për ta ulur këtë nivel 6.5 përqind më poshtë se niveli i vitit bazë 1990, për vitet 2008-2012. Por, ulja e këtyre niveleve për Italinë, nuk do të kalojë pa dhënë efekte në ekonomi dhe punësim dhe blerjen në miliarda euro të krediteve të karbonit. Vetë shteti italian ka ndërmarrë një sërë programesh dhe masash për të përmbushur objektivin e këtij Protokolli.

Një studim i bërë nga “Global Inside”, në vitin 2003 mbi impaktin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje nga Italia, si dhe reduktimit shtesë të emetimit të gazrave, ku citohet se vlerësimet janë strikte të autorëve, jep një panoramë të qartë me atë që mund të përballet shteti përtej Adriatikut. Qeveria italiane ka publikuar një plan veprimi mbi ndryshimin e klimës.

Sipas studimit, për të përmbushur objektivin e Protokollit të Kiotos, Italisë do t’i duhet të reduktojë emetimet e gazrave me 17% nga ato që ka projektuara aktualisht nga qeveria në Trend Case-in e saj. “Plani i publikuar nga Italia paraqet një sërë hapash, që janë ndërmarrë nga qeveria.

Këto veprime, përfshirë edhe mbështetjen tek importet e gazit natyral dhe energjisë elektrike, janë parashikuar të arrijnë në 43% të reduktimit të kërkuar të gazrave, gjatë periudhës së parë buxhetore 2008-2012”, - shkruhet në studimin e Global Insight. Pra, një nga aryset themelore pse kompanitë italiane nuk ndërtojnë dot në vendin e tyre, lidhet ngushtë me masat e ndërmarra nga kjo qeveri për të arritur objektivat e Protokollit të Kiotos.

Duke ndërtuar në bregdetin shqiptar, në Vlorë e Fier, termocentrale, uzina rigasifikimi, etj., ato bëjnë që ky vend mos të rëndohet më me nivele të larta emetimi të CO2-shit. Por, fatura na kalon ne, megjithëse që nga dhjetori i vitit 2004, kemi aderuar vetë në këtë Protokoll. Praktikisht ,Shqipëria kthehet në një shkarkues barre mjedisore e Italisë. Ky shtet do të ketë nevojë për blerje kreditesh, për të plotësuar nivelet e saj dhe sipas parashikimeve të Global Insight, mund të jetë e detyruar të blejë nga një deri në 20 miliardë euro çdo vit, deri në 2025-n.

Ndërsa Shqipëria, e cila mund të hyjë pas vitit 2010 në tregun e shitje-blerjes së kutova të krediteve të karbonit, po pakëson shanset për të shitur. Pra, vendi ynë, jo vetëm që nuk do të ketë mundësi për të shitur kutoa të lira, por këto kuota i ka falur me rritjen e ndotjes që do të sjellin këto investime.

Nivelet e CO2-shit

Në vitin 1990, i cili është marrë si vit bazë, Italia shënoi 521 milionë ton CO2, në vitin 2000 kjo vlerë është rritur në 546.8 dhe në vitin 2020 parashikohet të arrijë në 597 milionë ton, ndërkohë që objektivi i vënë nga Kioto është vetëm 487. Pra, ky shtet ëshë dëshpërimisht në kërkim të uljes së këtij niveli. Në vitin 1990, vendi ynë, duke pasur parasysh industrinë e rëndë dhe teknilogjinë e lashtë që përdorte, shënonte 2.2 ton/frymë, ndërsa në 2005-n, kjo u ul në 1.2 ton.


Një studim i bërë nga “Global Insight”, tregon se Italia mund të përballet me taksa dhe frenim ekonomie

Studimi: Mjedisi, mund të frenojë ekonominë italiane

Miliarda euro për blerje kreditesh, taksa të reja në shumë sektorë të ekonomisë dhe mijëra vende pune të shkurtuara. Kjo është fatura me të cilën mund të përballet Italia për të arritur objektivin e vënë nga Protokolli i Kiotos. Rasti studimor i Global Insight përfshin impaktin e këtyre masave dhe programeve, të cilat janë projektuar për të parandaluar emetimin e 39.6 milionë tonëve gazra. “Megjithatë, emetimet e mbetura, të parashikuara për t’u tejkaluar në 50 milionë tonë, duhet kompensohen, duke blerë kredite në tregun ndërkombëtar.

Për këtë analizë, është supozuar se blerja e këtyre 50 milionë tonëve, duhet të financohet fillimisht me një rritje taksash në mbarë ekonominë, sesa me një taksë direkte vetëm mbi energjinë”, - shkruhet në rastin studimor. Sipas Global Insight, kreditet do të kushtojnë më shumë se 5 miliardë euro në 2010-n, nëse çmimi i dioksidit të karbonit rritet në 100 euro për milion ton.

Ndërkohë që, emetimet pas vitit 2012, janë parashikuar të vazhdojnë rritjen. “Italia do të ketë nevojë për të investuar në programe dhe masa të mëtejshme dhe të blejë më shumë kredite në tregun ndërkombëtar”, - citohet në studim. Global Insight vlerëson që Italisë do t’i duhet të blejë kredite për të konsumuar rreth 150 milionë tonë emetime deri në 2020-n. Sërish, për këtë vlerësim, është supozuar se kreditet do të financohen përmes një rritjeje taksash në mbarë ekonominë.

Për skenaret e tre çmimeve, Global Insight vlerësoi impaktin mbi perfomancën ekonomike dhe të punësimit në Itali. Rezultatet e rastit studimor, tregojnë se PBB-ja reale do të binte 0.5 gjatë periudhës buxhetore 2008-2012, dhe do të ishte 1.9% dhe 2.9% më e ulët, respektivish në 2020-n dhe 2025-n, nën supozimin se kreditet e emetimeve do të kushtojnë 100 euro për ton. Reduktimet vjetore të punësimit në Itali, do jenë në nivelet e 51 mijë vendeve të punës në 2010-n, duke u rritur në 280 mijë në 2025-n. E. Hoxha


Çmimet e supozuara nga Global Insight

1.20 euro/ton të CO2-shit (ekuivalente me 73 euro/ton të karbonit)

2.50 euro/ton të CO2-shit (ekuivalente me 183 euro/ton të karbonit)

3.100 euro/ton të CO2-shit (ekuivalente me 366 euro/ton të karbonit)

Tregtia miliardëshe e kreditit të karbonit

Niveli i lartë i ndotjes është bërë një nga shqetësimet kryesore të botës në ditët e sotme. Dëmtimi në përmasa të mëdha i shtresës së ozonit, ngrohja globale, ndryshimet klimaterike detyruan më shumë se 10 vite më parë shumë shtete të mblidhen dhe të nënshkruajnë një marrëveshje. Marrëveshja e pagëzuar me emrin “Protokolli i Kiotos”, përmbante angazhimet e shteteve firmëtare për të ulur nivelet e dioksiodit të karbonit në vendet e tyre.

Pranimi i këtyre kushteve direkt, do të thotë më pak industri dhe, rrjedhimisht, ekonomi e punësim më të tkurrur. Krediti i karbonit është një leje që i mundëson mbajtësit e saj të lëshojë një ton CO2 në atmosferë. Kreditet u dhurohen vendeve ose grupeve që kanë reduktuar gazrat nën kuotën e emetimit. Kreditet e Karbonit mund të tregtohen në tregun ndërkombëtar sipas çmimit të tregut. Ky sistem u ratifikua në lidhje me Protokollin e Kiotos.

Qëllimi e tij është të ndalojë rritjen e emetimit të dioksidit të karbonit. Për shembull, nëse një grup ambientalist mbjell pemë të mjaftueshme për të reduktuar emetimet me një ton, grupi shpërblehet me një kredit. Nëse një prodhues çeliku ka një kuotë emetimi prej 10 tonësh, por pritet të prodhojë 11 ton, i duhet të blejë këtë kredit karboni nga grupi ambientalist. Sistemi i kreditit të karbonit duket se redukton emetimet, duke bërë që vendet të respektojnë kuotat e tyre të emetimit dhe ofron incentiva për të qenë nën ato nivele.

Skema e Tregtimit të Emetimit të Bashkimit Europian, është skema më e madhe shumëkombëshe në botë për tregtimin e emetimeve të gazrave dhe është shtylla kryesore e politikës së klimës në BE. Skema, në të cilën ishin përfshirë 25 vendet anëtare të BE-së, nisi operimin më 1 janar të 2005-s. Vetëm në vitin e parë të funksionimit, u tregtuan 362 milionë ton CO2, me një vlerë prej 7.2 miliardë euro. Në këto vite, çmimi për ton ka variuar nga 30 euro, deri në 10 centë të euros, në shtator të 2007-s. Në mënyrë të vazhdueshme, organizatat jofitimprurëse kanë akuzuar qeveritë se po abuzojnë me sitemin nën presionet e industrialistëve.
Shekulli

No comments: