Sunday, September 27, 2009

Sa të kushton jeta, o shqiptar?

Shqipëria jonë e dashtun, pasi e kaloi edhe Kinën për rritjen ekonomike (me dy shifra!), tash po kalon edhe Irakun,...... edhe Afganistanin për numrin e vrasjeve në ditë. Edhe kjo, natyrisht, me dy shifra! Duam nuk duam, këto janë suksese të qeverisë sonë të cilën e votuam, të një qeverie që na ka premtuar të na evropianizojë e të na bëjë hem të shquar, hem të veçantë, hem me viza në sytë e vetes dhe të botës.
E ndërsa suksesi i parë (ai ekonomik) propagandohet me bujë dhe krenari të pasosur nga Berishë-qeveria, (pasi ajo zotëron një INSTAT që jep bash ato shifra e statistika që i lipsen propagandës së saj), për të dytin nuk flitet, heshtet me dinjitet, paçka se kronikat e zeza sa vjen e bëhen më ogurzeza. Madje as analistët nuk bëzajnë, habitërisht. Ditët që shkuan p.sh, ishin ditë të një kasaphane, të një lufte pa luftë nëpër rrugët e Shqipërisë; çdo mbrëmje e kemi të vështirë të numërojmë nga ekranet sa të vrarë e sa të plagosur ishin dje e sa janë sot…Vetëm se gjakderdhja nëpër rrugët tona përcillet nga ne me atë qetësi dhe mospërfillje që përcillen edhe kronikat e kamikazëve dhe vrasjeve makabre në Irak…Fajin, ashtu si ndodh në gjykatat tona, përherë e kanë viktimat, ata që vriten, ata që vdesin, sepse fajtorët përherë “ikin në drejtim të paditur”. Vdekjet dhe vrasjet nuk na shkaktojnë ndonjë mbresëlënie të pashlyeshme, ashtu si na bëjnë efekt p.sh, fjalët e deklaratat politike të Berishës, Metës apo Ramës…Brenda shpirtit dhe mendjes së çdo qytetari shqiptar mesa duket ka një Nafije, e cila vuan më shumë po të na mërziten krerët partiakë, po të rrezikohen ata me largim nga posti, se sa po të vriten në një ditë tetë njerëz të pafajshëm në autostradë…Kujë e zezë!
A thua këtë trashëgimi e kemi nga diktatura, apo kjo farë skllavëruese u mboll djallëzisht në këto vite të gjasme demokracisë që ne të ambientohemi me çdo të keqe e të mos bëzajmë?
***
Sidoqoftë, fakt është se ne përditë e më tepër ndihemi të tëhuajtësuar e larg e më larg nga njëri-tjetri edhe për shkak të politikës vrastare të shpresës. Kultivimi i urrejtjes dhe pasiguria në rritje kanë bërë të mundur që vdekja e tjetrit, vrasja e tjetrit, aksidenti i tjetrit, ngujimi i fëmijëve të tjetrit, dhunimi i tjetrit të na duken sikur nuk kanë lidhje me ne...Për shkak të sherrpolitikës jemi të ngujuar moralisht në guackën e vetes dhe nuk funksionojmë si komunitet; sherrpolitika na ka hedhur e na ka lënë në botën e askundit; rrugët tona nuk na mirëpresin, madje edhe shtigjet e katundeve tani të çojnë në qorrsokak, edhe ato nuk të nxjerrin kurrkund, kurse bulevardet dhe autostradat kanë për asfalt urrejtjen, gjakun, kurthin, pasigurinë. Sa vjen e më tepër ne kemi hyrë në gjendje lufte me rrugët tona, sepse na duket se ato mezi presin të na plagosin, të na vrasin, të na poshtërojnë, të ndotin, të na fyejnë, të baltosin…Rrugën tashmë nuk e kemi aleat, po armikun kryesor, ndoshta më i rrezikshmi dhe më i paparashikueshmi i familjes. Të gjitha të këqijat, - sëmundjet e trupit dhe ato sociale, kulturore dhe morale, etike dhe politike, - po na vijnë nga rruga. Sot prindërit normalë më shumë se çdo gjë kanë frikë rrugën. Në rrugë përplasen makinat, interesat, diferencat, zilitë, inatet, hakmarrja, thikat, koburet, dhuna, komplekset, fuqia, pasuria, dasitë, mungesat, injoranca, nepset dhe tundimet…
Andaj mosbesimi është bërë streha jonë e vetme dhe e sigurt. Sa del nga shtëpia, nuk dihet se kur dhe se si do të kthehesh…Në çdo kilometër të çdo cepi të Shqipërisë tanimë gjen një lapidar me lule artificiale jo në kujtim të dëshmorëve, po të viktimave të pafajshme të vrarë në rrugë e nga rrugët tona…Aq e rrezikshme është bërë rruga, sa tani habitesh po të shohësh fëmijë që luajnë të pashoqëruar nga prindërit…Askush nuk e di se sa i kushton jeta sot…Askush nuk e di se si do të gdhihet nesër…Askush nuk është i sigurt nëse rruga nesër nuk do ta përmbysë normalitetin dhe qetësinë e familjes së tij krejt papritur…
Por shumëkush nga ne kujton se fajin për këtë e ka rruga, vulgariteti dhe agresiviteti në rritje i saj, d.m.th, nuk e ka fajin as shoqëria, as vetja jonë, aq më pak qeveria jonë demokratike dhe krerët tanë të shtrenjtë, që ne i votojmë symbyllur sa herë ata në e lypin votën!
***
Kështu, që nga janari e tëhu po vritet mesatarisht një njeri në ditë e po plagosen mbi dy të tjerë, gjë që do të thotë se në një vit janë të destinuar të lënë përfundimisht këtë jetë mbi 300 shqiptarë, pa përmendur të plagosurit, të vetëvrarët, të vrarët në pusi me armë zjarri, të ngujuarit, të vetëhelmuarit me fostoksinë, të burgosurit, të bashkëtherurit me thika, të vetëvarurit nëpër haure, ata që mbyten nëpër plazhe, lumenj, rezervuare a liqene, njerëz të humbur pa nam e nishan, ata që ikin “në drejtim të paditur”, ata që papritur e pakujtuar luajnë mendsh prej halleve, ata që mbjellin kanabis, ata që drogohen, apo edhe ata që arratisen me kuç e me maç dhe ikin nga ky vend i mrekullueshëm dhe demokratik për të mos u kthyer më kurrë! Falë një politike të re apo të vjetër, ne jemi një vend përnjëmend i lirë, edhe pse ne si popull e kemi humbur dhe nuk po e gjejmë dot rrugën e Evropës: pavarësisht nga kjo, gjithkush sot është i lirë të vritet, i lirë të vdesë, i lirë të sëmuret, i lirë të jetë i papunë, n’daç edhe të vetëvritet e të vetëhelmohet, por edhe të vrasësh cilindo, fqinjin, gruan, kohën, shansin, votën, nderin, vëllanë, fëmijët, njëri-tjetrin, të nesërmen, bashkëjetesën, sigurisht pa përjashtuar as nënën e babanë…
Kjo tregon se jeta e shqiptarit është zhvlerësuar më shumë se leku, apo fjala “e burrit”; jeta e njeriut është bërë, më në fund, mjaft e pavlerë. Gjëja që kushton më pak dhe vlen më shumë nuk qenka “fjala e mirë për shqiptarët”, si më ka pas thënë dikur një i huaj, po tani mesa duket jeta njerëzore është katandisur si një plaçkë gabi që kushton më pak edhe se një fjalë e mirë! Krimi, vjedhja, korrupsioni, abuzimi, arroganca, gjaku, përdhunimi, janë bërë pjesë e përditshmërisë. Duket si paradoksale, por nuk ka “sukses” më të madh për krerët e politikës se ky lloj inflacioni/zhvlerësimi i jetës së njeriut! Këtë qëllim ata e kanë realizuar plotësisht e për këtë duhet të ndjehen krenarë para historisë, te e cila synojnë të hyjnë me të dy këmbët. Nëse ka pasur një arritje politika, kjo është më kryesorja: jeta e shqiptarit tanimë nuk peshohet e nuk vlen as në vendin e vet e aq më pak jashtë! Po nuk e pagove mjekun, ai të lë të vdesësh te dera e spitalit, edhe po ta pickoi fëmijën gjarpri!
Sepse tanimë, jo vetëm Shqipëria shitet një euro (edhe pse nuk po e blen kush!), po edhe jeta e shqiptarit mund të merret e mund të falet qoftë edhe për një euro! Shumë-shumë, jeta e një shqiptari mund të vlejë sa një gërvishtje apo një parakalim me makinë, sa një ikje me gomone në det, më pak se një vizë, apo edhe sa një fyerje publike! Ky është zhvillim, vëlla! Ne, as një laborator për gripin e derrit nuk kemi. Ama po të zuri gripi, duhet të presësh disa javë sa të vijnë analizat nga jashtë; por ama po vdiqe ndërkohë, fajin e ke vetë! Por ne nuk na ka dehur liria, ne na ka budallallepsur rrokopuja, pasiguria, mosrespekti që kanë për Ligjin të fortët, të mëdhenjtë e pushtetit, anarkia që buron përherë nga lart, zullumqaria kolektive që ka më shumë fuqi dhe inerci edhe se derrgripi që ka kllaposur botën…Sepse, mjerisht, ndër ne ka liderë të shquar e karizmatikë që ende besojnë se nuk ka zhvillim e përparim, liri dhe demokraci pa mbjellë konflikte, pa tensione, pa përplasje, pa sakrifica, por dhe pa gjak! Tekefundit, vetëm në një shoqëri ku jeta nuk ka asnjë vlerë, mund të të votojnë si në Gërdec!
Prandaj nuk gaboj po të them se në këto 20 vjet, përditë e më tepër po provohet dhe po dëshmohet kjo e vërtetë e hidhtë: këtu, jeta sa vjen e më tepër zhvlerësohet, po e humbet kuptimin që i ka dhënë Zoti, natyrisht jo rastësisht, po qëllimisht! Pas këtij arsyetimi nuk është e vështirë të pranohet se çdo gjë tjetër, -zgjedhjet, kush i fiton e kush i humbet, kush na drejton e kush na poshtëron, kush na gënjen e kush na mashtron, kush na vjedh e kush na fëlliq, - duken edhe më të parëndësishme.
***
Ne vërtet na erdhi demokracia si dhuratë nga Zoti, pa derdhur gjak; madje edhe kur përmbysëm monumentet e diktatorit nuk u derdh pikë gjaku, e për këtë vazhdojmë të mburremi; po kjo nuk do të thotë që të mos e paguajmë tranzicionin për instalimin e demokracisë më shtrenjtë se të gjithë popujt që dolën nga diktaturat! Ne jemi vërtet shtet i pavarur dhe sovran, paçka se nuk kemi regjistër të popullsisë, le më statistika shtetërore sa njerëz janë vrarë nëpër rrugë, sa njerëz e humbën jetën në vitin 1997, sa shqiptarë janë të burgosur nëpër botë, sa të burgosur kemi këtu, sa kanë ikur përgjithmonë, sa janë të ngujuarit, sa të vetëvarurit, sa të depresuarit…sa…sa…Trupi i kombit është i sakatosur, i plagosur, i hapërdarë, një eshtër këtu e një në fund të botës…Vetëm po të shkosh nëpër varreza mund të marrësh një përgjigje të saktë dhe të kuptosh se në Shqipëri janë më të shumtë të rinjtë, 20-vjeçarët, se sa pleqtë, ata që ikin nga kjo botë njëherë e përgjithmonë! Rrezik vetëm tek ne ndodh që vdekjet “aksidentale” mund të jenë në këtë palo tranzicion më të shumta se vdekjet natyrore.
Por po ta shohësh me një tjetër sy këtë dukuri “zhvillimore”, vërtet nuk ka vend për të vënë alarmin e obobosë. Krerët tanë, që janë përgjegjës për këtë vend, mendojnë krejt ndryshe. Sipas tyre, derisa tek ne ka rënë çmimi i jetës, kjo do të thotë që edhe krahu i punës këtu është i lirë; e pra, kjo do të sjellë automatikisht edhe shumë investitorë të huaj, gjë që do ta evropianizojë edhe më tepër Shqipërinë…Që vriten përditë njerëz nëpër autostrada, kjo tregon se ne jemi urbanizuar e civilizuar, se kemi hyrë më në fund në botën e zhvilluar, se i lamë pas “shtigjet e dhive” dhe tani po ecim nëpër autostrada!..A nuk u bë e gjithë fushata e kaluar me billborde gjigante pas supeve të udhëheqësve ku tregoheshin autostrada? Jo, jo, nuk duhet vrarë mendja ku do të na çojnë ato rrugë, sepse kjo është një qasje antikombëtare! Nuk ka rëndësi as që në ato autostrada po vriten përditë njerëz; as duhet shkuar nëpër mend se ato, më shumë se do t’i bashkojnë njerëzit, po i vrasin! Derisa nuk ka pikë rëndësie sa kushton jeta e njeriut, nuk ka rëndësi as sa po kushtojnë këto rrugë! Rëndësi ka vetëm kjo: që rruga Durrës-Kukës të marrë nesër emrin Sali Berisha!
Kësisoj, sa më shumë shqiptarë të vriten rrugëve apo të ikin në emigracion, të theren, të grinden, të hasmosen e të gjakmerren mes vedi, aq më mirë është për krerët e sotëm partiakë, sepse andrallat e tyre kësisoj do të jenë më të pakta, privatizimet dhe tenderimet më të kollajta, pasurimi më i shpejtë, mbajtja gjatë e pushtetit në pak duar dhe manipulimet e zgjedhjeve do të jenë më të lehta… Një qytetar që nuk e ka të sigurt jetën dhe që lufton për mbijetesë dhe për të nxjerrë bukën e gojës është më i kollajtë për ta manipuluar e tërhequr për hunde! Një popull që rruga e çon në qorrsokak nuk shikon dot larg, nuk ka vizion, ndaj kënaqet me pak dhe bindet pa kushte, qoftë edhe me gënjeshtra, duke u bërë madje edhe mercenar….Në një shoqëri të gërdecarizuar ku jeta është kaq e zhvlerësuar, nuk mund të kërkosh standarde dhe rregulla demokratike. Ja pra përse liderëve tanë u leverdis një e tillë shoqëri e traumatizuar dhe e mëkuar me vuajtjen e pashmangshme dhe idenë e vdekjes “aksidentale”; ja përse hollë-hollë atyre nuk u lipset as anëtarësimi ynë në BE, pasi e dinë se kështu ata do të humbasin edhe fuqinë, edhe pushtetin, edhe tahmanë, edhe sundimin e pakontrollueshëm. Ja përse askush nuk shqetësohet për vrasjet nëpër rrugë që po bëhen si në një betejë të pashpallur! Ja pra përse edhe Drejtësia, edhe policia, edhe qeveria, edhe partitë, edhe krerët nuk merakosen edhe kur në një 24 orë vriten tetë vetë nëpër rrugë e plagosen dhjetëra të tjerë…Sepse ne vazhdojmë të besojmë se vdekja e tjetrit nuk është vdekja jonë! Vetëm delet nuk e kuptojnë se kur theret e rripet e pastaj piqet në hell shoqja, do të theret më pas edhe vetë!
Sepse, afërmendsh, derisa në Gërdec u vranë 26 njerëz dhe u plagosën qindra të tjerë, madje u hodh në erë edhe një zonë e tërë e nuk i hyri gjemb në këmbë askurrkujt, atëherë si mund të mos duken më se të natyrshme edhe vrasjet e përditshme “aksidentale” nëpër të gjitha rrugët e Shqipërisë? Prandaj, ky është krimi më i rëndë që ka kryer me sukses të plotë politika në këto 20 vjet: E ka ambientuar qytetarin me vrasjet, me vdekjen, me zezonën e fatalizmit (“ky vend nuk bëhet!”), me gjakun e derdhur kotekot nëpër rrugë, me dhunën, me shpifjet, me poshtërimin e njeriut nga njeriu, me urrejtjen e pakuptimtë të shqiptarit për shqiptarin, që…që kësisoj ta sundojë sa më lehtë këtë njeri e këtë shoqëri e cila, fatkeqësisht, po denatyrohet e po degradohet moralisht dita-ditës!

Kiço Blushi G. Shqiptare

No comments: