Sunday, September 20, 2009

Shoqëria civile dhe niveli i ulët i debatit publik



Është e natyrshme dhe e arsyeshme që ankohemi për nivelin, cilësinë dhe efiçencën e qeverisjes së vendit. Por mënyra se si ankohemi, si reagojmë, si dëgjohemi dhe sa dëgjohemi është e lidhur me aftësinë tonë si qytetar për të formuar opinion, për të gjetur mënyrën për ta shprehur atë në mënyrë të qytetëruar. Sepse forca reaguese e qeverisë ndaj opinionit të qytetarëve është e lidhur me cilësinë dhe aftësinë për të ushtruar presion për rritjen e nivelit të “reagimit pozitiv” të qeverisjes ndaj opinionit publik.

Pa dyshim që një rol esencial në këtë aspekt ka shoqëria civile. Pesha e ndikimit të saj është vendimtare. Në këtë kontekst shteti dhe shoqëria civile kanë në mënyrë të natyrshme një “konflikt demokratik” midis tyre, që ka të bëjë nga njëra anë me cilësinë e qeverisjes dhe nga ana tjetër me nivelin demokratik të “reagimit qytetar”. Qytetarët, intelektualët dhe shoqëria civile shfaqin shqetësim për një prirje konstante të qeverive në Shqipëri (e majtë apo e djathtë), për të kufizuar rolin, për të mos vlerësuar dhe marrë parasysh opinionin publik, jo vetëm në formulimin e politikave publike të shtetit, por sidomos kur është fjala për interesat sociale të grupeve të caktuara. Kjo dukuri nuk është sëmundje e demokracisë sonë. Ajo është më e përhapur dhe e shtrirë më gjerë. Pikërisht këtë fakt ka pasur parasysh studiuesi Erik Nordlinger, i cili shkruan se “edhe shtetet demokratike ngelen mjaft të pavarura nga opinioni publik” (L. C. Mayer “Politikat krahasuese” f. 82).

Shoqëria civile në Shqipëri në shumë raste e ka zbehur misionin e formimit qytetar dhe kultivimit të qytetarisë dhe herë të tjera merret me ca punë që ose nuk kanë vlerë, ose janë shumë periferike në krahasim me këtë detyrë madhore. Eksperienca e vendeve me staturë demokratike ka treguar se ajo është instrument social, që ka forcë dhe mundësi të ndikojë në procesin e transformimit të njeriut në qytetar, sepse shoqëria civile është së pari dhe mbi të gjitha lëvizje sociale, e përfaqësuar nga qytetarët që bëjnë pjesë në grupet e interesit, e cila i shërben formimit të aftësisë së tyre për të bërë debat publik me shtetin. Nuk mund të ndihet mirë shoqëria civile në Shqipëri, që tërë energjitë e saj i ka përqendruar vetëm në fushën e shërbimeve. Roli i shoqatave, organizative jofitimprurëse në lëvizjen sociale për konsolidimin e parametrave demokratikë çdo ditë e më shumë po evidentohet si faktor pozitiv edhe në Shqipëri. Tani është krijuar një rrjet i gjerë i shoqatave dhe grupimeve qytetare, që po luajnë gjithnjë e më shumë rol në forcimin e karakterit rregullues të opinionit publik, përballë çdo veprimi joqytetar, nga kushdo qoftë. Sa më shumë të zgjerohet shoqëria civile, sa më i gjerë të jetë rrjeti i saj, si lëvizje sociale, aq më i gjallë, aktiv e dinamik do të jetë opinioni dhe debati publik në shoqëri. Opinioni publik nuk është jashtë realitet të qeverisjes, por forcë integrale e lojës qeverisëse. Ndaj është detyrë e shoqërisë civile që së pari të studiojë nivelin e zhvillimit, të përcaktojë gjendjen e forcës ndikuese të opinionit publik në raport me forcën e qeverisjes. Nuk është normale që opinioni të bëjë sehir, të heshtë kur qeveria jo vetëm nuk përfill opinionin qytetar, por me mjeshtëri gjuhësore dhe lojëra verbale krijon perden, mirazhin sikur gjërat janë konform me dëshirat dhe synimet qytetare. Detyra e shoqërisë civile është angazhimi i qytetarëve jo në maskarada elektorale dhe mitingje populiste, por të ndihmojë opinionin të shikojë qartë, të detyrojë qeverinë në çdo rast që të heqë vellon e mashtrimit, të manipulimit të opinionit publik. Kjo kërkon që te njerëzit të krijohet kuraja civile, shpirti qytetar, jo konformist dhe klientelist. Njerëzit publikë të shoqërisë civile dhe intelektualët si qytetarë me peshë në shoqëri kanë mundësi të injektojnë lubrifikant social, në kategorinë sociale të qytetarëve që janë indiferentë dhe inertë. Rëndësia e shoqërisë cilivile është se në radhët e saj janë formuesit e opinionit, të cilët janë gazetarë, analistë, opinionistë, intelektualë, të cilët kanë mundësi ndikimi publik në formatimin e opinionit nga spontan dhe kaotik në opinion qytetar. Opinioni publik në këtë rast nuk është gjë tjetër veçse tërësia e gjykimeve racionale që qytetarët kanë për politikën, shtetin, shoqërinë, moralin.

Pikërisht ky raport midis elitës drejtuese politike dhe opinionit publik qytetar është shprehje konsistente e veprimit të mekanizmit të shoqërisë demokratike, e cila vendos raporte të drejta midis atyre që kanë në dorë formulimin dhe zbatimin e politikave publike dhe opinionit shoqëror, si instrument dhe zë i shoqërisë. Shoqëria civile përmes opinionit të qytetarëve të informuar për efektivitetin e politikave të qeverisë ka të drejtën e reagimit publik për të miratuar ose kundërshtuar këto politika, për të garantuar rritjen e përgjegjshmërisë dhe të përgjegjësisë së elitave politike para opinionit publik dhe qytetar. Nuk ka demokraci dhe qeverisje të mirë pa dëgjuar e vlerësuar opinionin publik qytetar, si shprehje e statusit të një shoqërie me dimension demokratik. Me të drejtë Arend Ljipharti argumenton se është vend demokratik ai që “vepron sipas parapëlqimeve të popullit”. Pa dyshim, në formimin e opinionit publik nuk marrin pjesë të gjithë njerëzit, për shkak të indiferencës, pasivitetit, mungesës së kohës fizike dhe të një niveli të caktuar jetese. Prandaj përgjithësisht ndeshemi me një opinion spontan të paformuar ose të krijuar në rrugë jonormale dhe që për pasojë nuk është shumë i dobishëm. Sociologët kanë kohë që përdorin dy koncepte për opinion publik si të vërtetë dhe për opinion publik fantazmë.

Shoqëria civile ka detyrën, por dhe mundësinë, që përmes procesit të formimit, organizimit dhe drejtimit të opinionit publik të detyrojë qeverinë tu përgjigjet nevojave dhe kërkesave të popullit, si një nga kushtet themelore të qeverisjes demokratike. Opinioni publik formohet pavarësisht nga shteti. Megjithatë, studimet e kryera për sjelljen qytetarëve tanë tregon se një pjesë njerëzish janë indiferentë dhe pasivë ndaj politikave të shtetit, duke e konsideruar atë si punë që nuk i përket atij. Opinioni publik është i vështirë të organizohet me njerëz të izoluar dhe të painformuar, që janë të rrethuar nga hallet e përditshme të ekzistencës së tyre dhe që mendojnë se kostoja e kohës për të qenë qytetar i angazhuar, për të qenë i integruar nga ana sociale është e madhe dhe e pavlerë. Pikërisht këtë vakum të opinionit publik, të shpërbërë e të pakultivuar, është përgjegjësia e shoqërisë civile. Këtë vakum shfrytëzon politika, shteti, krerët e saj, të cilët kanë aftësi politike, karizëm dhe influencë sociale, kapacitet për të udhëhequr opinionin publik në drejtimin që duan ata. Nuk mund të jetë qeverisje demokratike ajo që nuk është e “rrethuar”, që nuk ndien presionin e opinionit publik. Sipas Samuel Hantigtonit, “zgjerimi i segmenteve politikisht të rëndësishme të popullsisë do të ngrejë në mënyrë të pashmangshme nivelin e shpresave dhe atë të presionit mbi regjimin” (S. Hantington Political Order in Changing Societies f. 266).

Si konkluzion, duhet pohuar se madhësia dhe intensiteti ndikues i opinionit qytetar është një nga treguesit më sintetikë që të ndihmon për të konstatuar nivelin e zhvillimit të shoqërisë civile. Niveli i reagimit qytetar, aftësia e tyre për të pasur gjykim të mëvetësishëm dhe të pavarur nga shteti është kusht dhe mjet i progresit të transformimit të njeriut në qytetar. Në sociologjinë moderne testimi i nivelit të zhvillimit të opinionit publik dhe aftësia e reagimit të menjëhershëm qytetar janë garantët që vërtetojnë sasinë dhe cilësinë e “fermentit qytetar”, kapacitetin ndikues dhe transformues të shoqërisë moderne.

Në këtë kontekst, shoqëria civile në Shqipëri të mos tregojë përralla me mbret, apo të bëhet thjesht zgjatim dhe bisht pas qeverisë, por ti përgjigjet detyrës, imperativit historik, për të ndikuar në gjetjen e ekuilibrit funksionues midis qeverisë, qeverisjes dhe opinionit qytetar. Ky është mision i madh i paplotësuar i shoqërisë civile, është mjeti i kultivimit dhe përfshirjes së qytetarëve në procesin e hapur të gjykimit të cilësisë së qeverisjes, e cila nuk është demokratike në qoftë se është e pavarur nga parapëlqimet shoqërore. Një gjë është e sigurt: në Shqipëri nuk do të kemi kurrë cilësi të qeverisjes demokratike, nëse shoqëria civile nuk do të jetë e interesuar si përfaqësuese e interesit qytetar, që qeverisja e vendit të këtë të integruar të dy këta komponentë...

GëZIM TUSHI, Metropo
l

No comments: