Thursday, September 24, 2009

Shqipëria, varrezë e CO² ?

Jo shumë vjet më parë, një protestë qytetare ndali ndërtimin në Shqipëri të impianteve gjigante ku parashikoheshin të digjeshin plehrat e Italisë. Rreziku i ndotjes ndërgjegjësoi shqiptarët për t’i thënë “Jo!” sjelljes në vend të impianteve që përveçse do të zgjidhnin problemin e plehrave të Shqipërisë, do të zgjidhnin edhe një pjesë të problemit të Italisë, me një kosto të lartë mjedisore për Shqipërinë.


Sot vendi ka një tjetër problem, mungesën e energjisë elektrike. Ndaj ashtu si në “kohën e plehrave”, po ofrohen zgjidhje që të kënaqin më shumë se një palë. TEC-e ndotëse me bazë qymyrin synohet të ndërtohen në Shqipëri, por me kusht që shumica e energjisë së prodhuar të shkojë në Itali, apo në Greqi, ndërsa këto do të mbetet bashkë me ca pak Megavat edhe i gjithë dyoksidi i karbonit i prodhuar.
Dhjetorin e kaluar, ish-kryeministri italian Romano Prodi erdhi në Shqipëri, ku deklaroi se dëshironte ndërtimin e një termocentrali me qymyr në bregdetin shqiptar me kapacitet 1500 MV. Pak javë më parë, Presidenti i PPC, Takis Athanasopoulos erdhi në Tiranë për të kërkuar leje për ndërtimin e një termocentrali me qymyr në Porto Romano me fuqi 500-800 MV. Mësohet se kryeministri Berisha gjatë takimit i ka bërë të qartë grekëve se Shqipëria nuk do të pranojë të dyja termocentralet dhe se do të zgjedhë mes dy projekteve bazuar mbi kritere të posaçme, mes të cilave, edhe kriteri i propozimit të parë. Në këtë mënyrë sugjeroi se mundet që lejen ta marrin italianët. Projekti grek synon Porto Romanon si zonë për ndërtimin e TEC-it.
Prof. Ing. Sazan Guri, ekspert i çështjeve mjedisore, shpjegon se në fakt, duket se të gjitha rrugët të çojnë te qymyri, por nga ana tjetër nukjanë bërë studimet dhe vlerësimet paraprake mbi nevojën e investimeve, vëllimin e tyre, si dhe nuk marrë mendimi i ekspertëve për përzgjedhjen ndërmjet projekteve të ndryshme.
Sipas Gurit, TEC-i me gaz është më miqësori me mjedisin, por perspektivat e gazit janë shumë larg. Në këtë kuptim, ndoshta mund të duhen rreth 10 vjet që Shqipëria të hyjë në rrjetin e gazsjellësve rajonalë. “TEC-i me naftë nga ana tjetër, paraqitet jo rentabël në kushtet kur një fuçi naftë e papërpunuar po vrapon rreth çmimit 200 dollarë. Ndaj përjashtohet si mundësi ndërtimi i TEC-ve të tilla për arsye furnizimi normal me energji elektrike. Një TEC i tillë mund të shërbejë vetëm si “TEC krize”, pra të përdoret në situata shumë të vështira energjetike, duke qenë se lënda e parë sakaq kushton shumë dhe do të vazhdojë të kushtojë gjithnjë e më shumë”, vëren inxhinieri.
Ekziston edhe ideja e një centrali bërthamor, por në kushtet tona, sipas ing. Gurit, është një ide disi e çuditshme dhe mund të thuhet se kemi shumë rrugë për të bërë derisa të arrijmë atje, nëse një ditë vërtet duam dhe mundemi.

“Në këto kushte mbetet vetëm një alternativë: TEC-i me qymyr. Qymyri kushton lirë dhe ka rezerva të pamata në mbarë globin. Vetëm se duke qenë tejet ndotës, nevojiten kosto shumë të larta për të instaluar filtrat përkatës, filtra gjigantë DNOX dhe D-Sulfuring”, thotë ai. Megjithatë, inxhinieri vëren se këto filtra ndalojnë disa gazra helmuese si dhe grimca që çlirohen gjatë djegies së qymyrit, por jo CO2. Dioksidi i Karbonit nuk mund të ndalet. “Ai thjesht do të çlirohet në atmosferë në një masë të konsiderueshme. Teknologjia e TEC-ve të sotme me qymyr është përmirësuar ndjeshëm, por ata kushtojnë 10 herë më shumë se dikur, për shkak të filtrave”, sqaron ai.
Sazan Guri thotë se mbi të gjitha na duhet të kemi një proces transparent për sa i përket investimeve në energji. Duhet të përcaktohet në bashkëpunim me ekspertët sa është raporti optimal ndërmjet “green energy” (energji e gjelbër, jo ndotëse) dhe “brown energy” (energji ndotëse bazuar te djegësit fosilë). “Në rastin e vendit tonë, disa ekspertë thonë se ky raport duhet të qëndrojë diku te 80% për energji të gjelbër dhe 20% për pjesën e prodhuar përmes djegësve fosilë. Nevojitet gjithashtu të përfshihen edhe aktorë të tjerë, nga komuniteti, ekspertë të ambientit etj. Çelësi është transparenca dhe aktualisht, transparenca lë për të dëshiruar”, vëren profesori për MAPO-n.

Sipas inxhinierit, ne sot kërcënohemi nga Italia, e cila kërkon të sjellë një TEC me qymyr 1300 MV, si dhe nga Greqia, e cila kërkon të instalojë një TEC prej 500-600 MV. Varianti italian parashikon një impiant 700 MV në Levan dhe një tjetër 600 MV në Shëngjin, ose një impiant 1300 MV në Porto Romano. Ai kritikon edhe Romano Prodin, i cili e konsideroi këtë investim, si të “panegociueshëm”.
Gjithashtu, ekziston një projekt kinez, për momentin i mbajtur në sirtar për një TEC me qymyr prej 600 MV në Cërrik. Të gjitha këto janë vepra me bazë qymyrin. “Projekte që edhe sikur të kryhen me teknologjinë më të mirë të mundshme, përsëri do të lëshojnë një sasi shumë të madhe CO2 në ambient. Kjo do të na krijojë probleme të shumta jo vetëm shëndetësore, por edhe në marrëdhëniet tona me Klubin Evropian, ku kreditit tona të emisioneve të CO2 do të jenë më të larta nga sa na lejohet, ndaj do të penalizohemi”, sqaron ai.
Inxhinieri shton se edhe fabrikat e çimentos lëshojnë një sasi shumë të madhe CO2 në ambient. “Bëhen investime pa i kthyer sytë nga mjedisi dhe shëndeti i njerëzve. Problemi është se vendimet merren shumë lart dhe nuk ekziston një bashkëpunim qeveri-ekspertë për të përcaktuar një normë të përshtatshme “green-brown”, si dhe për të zgjedhur investimet më të përshtatshme”, thekson ai. Nga ana tjetër, eksperti i çështjeve të mjedisit kujton se ne nuk po zëvendësojmë as pyjet e prera, dhe në të njëjtën kohë po shtojmë dozën e dyoksidit të karbonit dhe ndotësve të tjerë, përmes investimeve të pamenduara që po bëjmë. “Duhet kuptuar që ky vend ka një sipërfaqe toke të kufizuar, një mjedis të kufizuar, një numër të kufizuar njerëzisht. të gjitha resurset janë të kufizuara, por lakmia njerëzore nuk është e tillë”, vëren inxhinieri.
Sipas Sazan Gurit, “në këto kushte na duhet së pari të përmirësojmë legjislacionin mjedisor dhe më pas të shkojmë drejt Demokracisë Mjedisore, ku komuniteti dhe aktorët e tjerë janë aksionerë në vendimmarrje të tilla, pasi këtu po flasim për disa pasuri si toka, ajri dhe uji që na përkasin të gjithëve, nuk janë pronë thjesht e qeverisë, apo e disa individëve”.

Bashkëpunim me Kosovën?

Por, përse nevojiten investime TEC-esh me qymyr në Shqipëri, kur vetëm pak qindra kilometra më tutje nga kufiri, ndodhen rezervat më të mëdha të qymyrit në Evropë, në Kosovë? Ndërkohë që Shqipëria ka rezerva të bollshme ujore e për rrjedhojë edhe të prodhimit të energjisë nga impiantet hidrike, Kosova, nuk disponon të tilla kapacitete, por disponon rezerva qymyri të pamata. Në më shumë se një rast ekspertët e energjisë kanë diskutuar për një shkëmbim energjie me Kosovën. Në rast investimesh ë përshtatshme, Kosova do të ketë shumë energji, jo vetëm për të përmbushur nevojat e saj, por edhe për të shitur.
Aktualisht, Shqipëria po i jep Kosovës energji elektrike. Raportimet në media flasin për 125 megavat/orë energji elektrike, ose sa gjysma e kapacitetit transmetues të linjës 220 kilovolt Fierzë-Prizren. Ndërkaq reduktimet e ashpra kanë përfshirë Kosovën, kjo për shkak të avarive të rënda blloqeve të termocentraleve, ndaj kryeministri Hashim Thaçi ka shpallur gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike. Kosova blen 40% të energjisë elektrike nga Serbia, pjesën tjetër nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria. Por Maqedonia dhe Greqia, zakonisht kanë mungesa të energjisë elektrike, kështu që Kosova e merr energjinë elektrike nga Serbia ose Bullgaria.

Ndonëse mund të jetë vërtet e pafuqishme aktualisht, gjasat janë që me investimet e duhura të shndërrohet në një superfuqi energjetike në të ardhmen e afërt. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, pritet që në Evropën Juglindore, rritja mesatare vjetore të jetë në nivelin 2,3% deri në vitin 2020. Kapacitetet operacionale ekzistuese në rajon janë në masën 43,9 GV (gigavat), çka është pak më shumë se 5% i totalit të kapaciteteve evropiane. Këto kapacitetet dominohen nga termocentrale që përdorin linjit (qymyrguri) si lëndë të parë. Sipas parashikimeve të ABS Energy Research, zhvillimi i kapaciteteve të reja në Evropën Juglindore, do të arrijë në nivelin 75 GV brenda vitit 2020. Kjo tregon një rritje dinamike të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike me një rritje mesatare prej 3,6%, sipas së cilës, krejt kapacitetet e rajonit do të arrijnë në nivelin 7% të totalit të kapaciteteve evropiane. Megjithatë, ndërtimi i kapaciteteve të reja nuk do të shpërndahet njëtrajtësisht në të gjithë rajonin, pasi në vende të ndryshme, prioritet do të jetë rehabilitimi i kapaciteteve ekzistuese.

Ndërkaq, Kosova është ndër vendet me më shumë rezerva qymyrguri në botë. Jo vetëm kaq, por këto rezerva janë të cekëta dhe nuk nevojitet gërmimi në thellësi deri në hapje galerish, por mjafton përdorimi i makinerive të gërryerjes në sipërfaqe, siç mund të jenë edhe ekskavatorët e thjeshtë. Kjo do të thotë se ndërtimi i megatermocentraleve në këtë zonë është plotësisht i mundur.
Firmat kryesore prej të cilave Shqipëria importon, kanë shfaqur njëzëri interes për ndërtimin e një termocentrali vigan në Kosovë. Madje, ironikisht listën e kryeson serbja EFT, kreu i të cilës Vuk Hamoviç, i pyetur pak vjet më parë për natyrën e pazakontë nga pikëpamja patriotike mbi mundësinë e këtij investimi, u përgjigj: “Just business!” Eksperti i energjisë, Gjergj Simaku, vëren se bashkëpunimi do të ishte shumë i mundur dhe i frytshëm në këtë rast, duke kombinuar, rezervat 100% hidrike të Shqipërisë me ato termike të Kosovës. Kështu të dyja palët do të mund të përfitonin shumë nga ky shkëmbim i ndërsjellë. “Nëse flitet pastaj për një termocentral të madh, i cili është plotësisht i realizueshëm, do të ishte një lehtësim i madh për të gjithë rajonin”, vëren eksperti i energjisë Gjergj Simaku.

Në këtë pikë, dilemat mes zgjedhjeve të ndryshme janë të forta, por diçka është e sigurt. Më në fund, Shqipëria ka hyrë ne epokën e saj industriale-energjetike, dhe për momentin, askush nuk mund ta thotë nëse përfundimi i TEC-manisë do të jetë një histori suksesi apo disfate. Koha do ta tregojë më mirë, por megjithatë, fillimi nuk duket i mbarë…

R.Mapo, Ervin Qafmolla

No comments: