Sunday, September 27, 2009

Trashëgimia arkeologjike dhe e natyrës, në rrezik !!!

Ditë më parë, një lajm i transmetuar nga mediat për shkatërrimin me dashje për qëllim përfitimi të disa varreve antike në nekropolin e Apolonisë, u shua shumë shpejt dhe institucionet e specializuara që përgjigjen para ligjit e flakën në humnerën e madhe të harresës.
Pati dhe më keq, para se ta flaknin, disa specialistë të këtyre institucioneve në vend që të merreshin me këtë fenomen që po shkatërron trashëgiminë kulturore, filluan të ironizonin edhe mediat për mungesë profesionalizmi në transmetimin e këtij lajmi.

Pesë pyetje (dhe të tjera) që kërkojnë shtetin...



Shkatërrimi me dashje për qëllim përfitimi i vlerave arkeologjike është një fenomen i izoluar, apo ai është bërë rrezik kombëtar për trashëgiminë që na kanë lënë të parët tanë? Shkatërrimi i vlerave arkeologjike për ndërtime të pa kontrolluara me dashje është një fenomen i izoluar, apo ai është bërë rrezik kombëtar për trashëgiminë që na kanë lënë të parët tanë? Shkatërrimi me dashje i vlerave të natyrës për t'u përdorur si objekt zbukurimi është një fenomen i izoluar, apo ai është bërë rrezik kombëtar për trashëgiminë natyrore? Trafikimi jashtë kufirit i objekteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore është një fenomen i izoluar, apo ai është bërë rrezik kombëtar për këtë trashëgimi? A është e ligjshme pronësia private mbi objektet arkeologjike në Republikën e Shqipërisë?

Një Shqipëri e zgavruar kudo nga thesar-kërkuesit



Shkatërrimi me dashje për qëllim përfitimi i vlerave arkeologjike është një fenomen i izoluar, apo ai është bërë rrezik kombëtar për trashëgiminë që na kanë lënë të parët tanë? Nëse viziton një qendër arkeologjike apo çfarëdolloj monument rrënojë (banesë, kishë, xhami, varr, urë, sterna uji), kudo qofshin dhe çfarëdo kohe t'u përkasin, është e pamundur të mos shohësh gjurmët e thesar-kërkuesve. "Gërmimet" janë kryer me mjete nga më të ndryshmet, me kazmë dhe lopatë, matrapik, buldozerë apo eksplozivë. Ato i ndesh kudo, që nga majat më të larta të maleve deri në thellësinë e detit, edhe aty ku arkeologët nuk kanë mundur të shkelin. Fillimisht, pre e saj ishte pjesa jugore e Shqipërisë dhe më pas ajo u bë gjithëpërfshirëse. Thesar-kërkuesi, është një profesion i filluar vonë në Shqipëri, kryesisht pas vitit 1997, fillimisht në shoqërinë e të huajve, dhe tani duke e vlerësuar nga gjurmët e punës së tyre, ata me siguri zënë vendin e parë në botë. Thesar-kërkuesit, të pajisur me metalkërkues (detektor) ose jo ose edhe me harta (skica dore) të shkruar me alfabet grek (nga ai arkaik deri tek i sotmi), për çdo ditë janë në kërkim të thesareve apo në shkatërrim të kësaj pasurie kombëtare, ndoshta dhe e me porosi. Kjo e fundit është akoma dhe më e rëndë dhe nuk e dimë nëse Shërbimi Informativ i Shqipërisë e ka pjesë të punës së tij. Dëmet janë të mëdha dhe të pallogaritshme: me dhjetëra varreza tumulare në zonën e Kolonjës dhe Korçës janë gërmuar me buldozer, po të njëjtin fat kanë pasur rrënojat e kishave me afresk apo shpellat e eremitëve. Janë hapur aq shumë gropa në zona të larta dhe të largëta edhe me kazmë e lopatë, që sikur kjo energji njerëzore të ishte përdorur për mbjelljen e pemëve frutore, atëherë Shqipëria sot do ishte eksportuese e madhe. Një rast për të përmendur është ai i vërejtur në kalanë e antikitetit të vonë në vendin e quajtur Goricat e Blushit, në rrethin e Ersekës, shumë larg fshatrave të banuar të Vodicës dhe Blushit. Aty ata kishin bërë aq shumë gropa për të zbuluar objekte metalike, që nuk ishin gjë tjetër vetëm pjesë zinxhiri prej hekuri, që njerëz normal do të donin një kohë të gjatë për ta bërë. Pra, si ky ka dhe shumë raste të tjera që tregojnë se këta njerëz janë të sëmurë, që kanë nevojë për kurim, dhe kura më e mirë do të jetë zbatimi i ligjit me rreptësi. Vetëm nga një kontroll jo i plotë i bërë brenda mureve të qytetit antik të Cakranit, është vërejtur se janë dëmtuar më shumë se 20 monumente, ku midis tyre edhe një mozaik si ai i Bukuroshes së Durrësit (fundi i shek. IV apo fillimi i shek. III para Kr.). Të njëjtin fat ka pësuar dhe kisha e Shën Mërisë në fshatin Brar, në të cilën është ndërhyrë disa herë gjatë viteve të fundit për të kërkuar thesare. Dhe, për këto kërkime janë përdorur matrapikët e gurores pranë saj, duke shkatërruar dyshemenë dhe murin me afresk ku ka qenë ndërtuar varri i sebastit Mihal Skura, datuar më 1201.
Numri i tyre është me qindra dhe mijëra dhe kudo që të shkosh të gjitha njihen nga banorët, kurse të vetmit që nuk dinë gjë apo nuk u bënë përshtypje janë personat që ngarkohen nga ligji për t'i mbrojtur.

Qindra mijëra sheshe ndërtimi, dhe i plotfuqishmi buldozer

Shkatërrimi i vlerave arkeologjike për ndërtime të pakontrolluara me dashje është një fenomen i izoluar, apo ai është bërë rrezik kombëtar për trashëgiminë që na kanë lënë të parët tanë? Shqipëria, për shkak të prapambetjes që trashëgoi në infrastrukturë, ka pasur një bum ndërtimesh në fushën e ndërtimit të rrugëve dhe banesave. Dihet se një pjesë e madhe e ndërtimeve private në zonat e ulëta dhe bregdetare u ndërtuan pa leje, dhe këtu nuk mund të llogariten dëmet e sjella. Por, ka pasur dhe ndërtime me leje apo edhe pa leje edhe në qendrat arkeologjike të Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Vlorës, Elbasanit, Sarandës, Butrintit, Margëlliçit, Ballshit, Bylisit, Apolonisë etj. Në një numër të madh qendrash arkeologjike (Lezhë, Melan, Cfir, Cakran, etj), falë lartësisë dhe pozicionit që ato zinin, vendin e reparteve të dikurshme ushtarake, filluan ta zënë pa lejen përkatëse antenat e shumta të telefonisë së lëvizshme. Rrallë, leja ka qenë në përputhje me ligjin dhe më keq akoma gjatë zbatimit nuk është respektuar asnjë rregull. Më rëndë deri tani e ka pësuar Saranda, edhe ajo pjesë që i kish ngelur nga qyteti i vjetër u shkatërrua nga ndërtimet e viteve të fundit. Me ritmet e ndërtimeve të pallateve në qytetin e Durrësit, vite më vonë kur turistët e pakët që do të vizitojnë amfiteatrin, ciceroni do të thotë se dikur këtu ku ju shihni këto pallate kanë ekzistuar rrënojat e një qyteti të lashtë dhe të rëndësishëm, që lidhte Lindjen me Perëndimin. I pafajshëm në këtë zallamahi ndërtimesh është vetëm kova e buldozerit që natën apo ditën, ndoshta edhe nën vëzhgimin e specialistit të ngarkuar me këtë detyrë, futet në thellësi duke shkatërruar monumentet njëri pas tjetrit. Të pafajshëm dhe të nderuar janë vetëm koleksionistët durrsakë dhe ata tiranas, që në mënyrë sistematike kontrollojnë hedhjet e shumta të kamionëve me mbetje arkeologjike që mbushen në gropat e pallateve të rinj në qytetin e Durrësit. Fati është me ta kur mbetjet arkeologjike nuk përfundojnë në det, por në Spitallë, Porto-Romano, apo përgjatë rrugëve të tjera automobilistike. Në vazhdën e dëmtimeve të mëdha të pasurisë arkeologjike janë futur dhe të gjitha gërmimet për ndërtimin e rrugëve dhe veprave të tjera industriale. Ligji, si në gjithë Evropën, ku ne shpresojmë të futemi, ka parashikuar kontrollin e gjurmës para bërjes së projektit të zbatimit dhe praninë e punonjësve të institucioneve të specializuara gjatë punimeve të gërmimit (citojmë Neni 47: "Në rastet e ndërtimeve te mëdha në territore në pronësi shtetërore ose private, si rrugë, autostrada, aeroporte, porte, vepra industriale, qendra të reja banimi, investitorët janë të detyruar që, gjatë procesit të projektimit dhe zbatimit të projektit, të marrin miratimin, me shkrim, të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Specialistët kryejnë kontrollin e zonës dhe përgatisin dokumentacionin përkatës. Kur zona përmban vlera të rëndësishme arkeologjike, etnografike ose gjurmë të arkitekturës së lashtë ose tradicionale, projekti duhet të ndryshojë. Shpenzimet për kryerjen e hulumtimeve të nevojshme, përgatitjen e dokumentacionit, si dhe ndryshimet e mundshme të projektit kryhen nga investitori"). Por, një gjë e tillë në vendin tonë është zbatuar vetëm në sheshet e fabrikës, gurores dhe të flishit në fabrikën e çimentos në Burizanë, Gjirin e Lalëzit, parkun energjetik të Vlorës, fabrikës së çimentos në Balldren; linja e tensionit të lartë në Zgërdhesh dhe ndonjë tjetër. Por, të gjitha këto janë bërë vetëm kur investitorët janë privatë, kurse në ndërtimin e rrugëve, ku investitor është shteti shqiptar, kjo praktikë mungon. Dhe, dëmtimet gjatë ndërtimit të rrugëve janë të pallogaritshme, se ato ndjekin po të njëjtat drejtime ku kanë lëvizur dhe lënë gjurmët e tyre dhe paraardhësit tanë. Deri kur do të vazhdojnë organet vendimmarrëse të Këshillave të Rregullimit të Territorit, që drejtohen nga kryeministri, kryetarët e bashkive dhe të qarqeve, të pranojnë projekte pa lejen përkatëse nga institucioni i ngarkuar nga ligji? Deri kur organet e pushtetit vendor dhe institucionet e ngarkuara me ligj për ruajtjen dhe administrimin e pasurisë arkeologjike do të lejojnë që nëntoka e tyre të trajtohet si mall pa zot?

Stalagmitet, stalaktitet, koralet dhe ambjentet e argëtimit



Shkatërrimi me dashje i vlerave të natyrës për t'u përdorur si objekt zbukurimi është një fenomen i izoluar, apo ai është bërë rrezik kombëtar për trashëgiminë natyrore? Edhe shpellat e thella dhe të pa eksploruara nga studiuesit janë bërë së fundi pre e grabitësve të pasurive që ka krijuar natyra gjatë miliona vjetësh. Një pjesë e tyre përfundon në zbukurimin e vilave dhe mjediseve të tjera të shërbimit, dhe pjesa më e madhe e tyre kalon pa të keq trarin e doganave tona, duke u regjistruar si gur i zakonshëm dekorativ. Po të njëjtin fat ka pësuar fundi i bregdetit tonë, ku koralet (?) dhe objektet me vlera arkeologjike kanë marrë rrugën e përtej detit.

A janë të sigurt kufijtë e Shqipërisë?



Kjo pyetje ka vite që nga ndërkombëtarët ka marrë vazhdimisht vlerësim negativ. Trafikimi jashtë kufirit i objekteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore është një fenomen i izoluar, apo ai është tani rrezik kombëtar për këtë trashëgimi? Trafiku i objekteve arkeologjike jashtë territorit të Shqipërisë është një fakt i pamohueshëm, dhe kjo për arsyen e thjeshtë se shumë të huaj, rezident në Shqipëri (pranë ambasadave apo agjencive të ndryshme të akredituar në vendin tonë), biznesmenë apo turistë kanë qenë dhe janë blerës të objekteve arkeologjike nga shitës, duke filluar nga tregu i Krujës dhe duke përfunduar tek shitësit anonim pranë qendrave arkeologjike. Po ashtu, shumë emigrantë shqiptarë, kryesisht nga ata që punojnë në Greqi, kanë qenë dhe janë pjesë e grupeve të thesar-kërkuesve. A ka pasur ndonjë rast të ndalimit në kufi për veprën penale të trafikut të veprave të trashëgimisë kulturore? Deri më tani jo më shumë se 2-3 herë.

Shoqata e thesar-kërkuesve, koleksionistët dhe tregu klandestin



Nuk do të guxoja të përfshihesha në terma juridikë rreth "gjykimit të tyre", por si përdorues i thjeshtë i legjislacionit për trashëgiminë kulturore të vendit, jo vetëm atë që është në fuqi, por dhe ai që e ka paraprirë, mund të vërej se problemet janë ndërlikuar dhe do të duhet shumë kohë e mund për t'u futur në hullinë e drejtësisë. Në Shqipëri flitet se vepron të paktën një shoqatë thesar-kërkuesish, e pajisur me lejë nga gjykata. A ka bazë ligjore krijimi dhe veprimtaria e shoqatës "Thesar-kërkuesit shqiptarë"? Përderisa ajo është pajisur me licencën e ushtrimit të profesionit të thesar-kërkuesit nga një gjyqtar, njohës dhe zbatues i ligjit, atëherë nuk ka vend për të diskutuar. Nëse kjo shoqatë në fushën e veprimtarisë së saj ka parashikuar kërkimin dhe zbulimin e objekteve të artit: piktura të artit mesjetar (ikona), piktura të trashëguara nga paraardhësit, skulptura; libra të vjetër; veshje dhe stoli si dhe objekte të tjera të kësaj natyre në pronësi të individëve të ndryshëm privatë, atëherë veprimtaria e saj është më se ligjshme. E paligjshme kjo shoqatë do të ishte nëse në fushën e kërkimit të saj do të parashikohej gërmim në tokë (arkeologjik) apo rrënoja, me apo pa aparatura metalkërkuese, dhe për fat të keq veprimtaria e kësaj shoqate lidhet me këtë të fundit.

A është e ligjshme pronësia private mbi objektet arkeologjike në Republikën e Shqipërisë?



Deri në vitin 1994, para se të aprovohej ligji "Për mbrojtjen e pasurisë kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme", shqiptarët (çdo person fizik) nuk kanë pasur të drejtë të mbanin, të trashëgonin apo shisnin në tregun privatë koleksione apo objekte arkeologjike. Në ligjin "Për mbrojtjen e pasurisë kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme" të vitit 1994 dhe në ligjin "Për trashëgiminë kulturore" të vitit 2003, është parashikuar që: "Çdo person fizik ose juridik që zotëron objekte, të cilat janë vlera të trashëgimisë kulturore të luajtshme, duhet t'i deklarojë ato pranë organeve të kulturës, të qeverisjes vendore dhe ta regjistroje objektin në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit te Pasurive Kulturore, sipas mënyrës që ofron kjo qendër, brenda dy vjetëve nga hyrja ne fuqi e këtij ligji". Me gjithë mangësinë e tij (çdo person fizik, që zotëron objekte …) dhe afatin prej 2 vjetësh të përsëritur edhe në vitin 2003, ligji u dha të drejtë koleksionistëve privatë dhe hapi rrugën edhe për muzetë arkeologjik. Por, a ka gjetur zbatim ky ligj në administrimin e objekteve arkeologjike? Në dijeninë time mund të them fare pak ose aspak gjë, që i ka hapur rrugë lëvizjes dhe tregtimit klandestin të objekteve, brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe gërmimeve klandestine që furnizojnë në mënyrë të vazhdueshme këtë treg kriminal. Kufijtë e Shqipërisë dhe trafiku i objekteve të trashëgimisë, ligjet dhe instrumentet zbatues që rrjedhin prej tyre. Kush e mbron dhe kush e ruan këtë trashëgimi?
Neni 50
1. "Të drejtën e vënies së gjobës e kanë inspektorët e institucioneve shtetërore të specializuara, sipas fushave që mbulojnë. Paga minimale me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 995, datë 02.07.2008 "Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi" është 17,000 lekë".

Fabrikë çimentoje në Fushë-Krujë dhe Nikël - "Gener 2"
(Në KRRTRSH me urdhër të kryeministrit) Bëhet fjalë për një investim të biznesmenit të familjes Berisha, Bashkim Ulaj. Fabrika, me shesh ndërtimi 432.000 m2, gjendet vetëm 1.5 km nga qendra arkeologjike e Albanopolisit (Zgërdhesh). Karriera e argjilës (dizastër mjedisor), është në një ndër vendet më piktoreske, pikërisht ndërmjet dhe në kontakt me dy rezervuarët: të Bajcungës dhe të Verjonit në Fushë-Krujë. Zona Fushë-Krujë - Krujë, në këtë mënyrë shndërrohet në rrethin e 9-të të Ferrit të Dantes. G.Sh. Nga Skënder Muçaj

No comments: