Sunday, September 27, 2009

Vjehërr-nuse, si mund të ndryshojë marrëdhënia ?

Shpesh keqkuptimet nuk nisin nga konfl ikte konkrete, por nga paragjykimet dhe modeli i së shkuarës.




Nëse të dyja e kuptojnë se ka vend për shumë dashuri dhe paqe

Ndodh jo rrallë që një burrë i devotshëm ndaj bashkëshortes të dalë për drekë me një "grua" tjetër, ta adhurojë, t‘ia dëgjojë fjalën dhe të ketë vazhdimisht nevojë për praninë dhe këshillën e saj. Dhe sërish le të kujtojmë se bëhet fjalë për një burrë shumë të devotshëm dhe besnik ndaj bashkëshortes që "e tradhton" atë vetëm me mamanë. Po, po, nëna për shumë meshkuj ka qenë dhe mbetet para dhe pas martese pika e sigurt dhe përhershme e referimit, madje në masë të tillë sa të ndërhyjë dhe ta shndërrojë marrëdhënien me bashkëshorten nga marrëdhënie parësore në marrëdhënie të dorës së dytë. Kjo fillimisht sjell habi, xhelozi dhe më pas grindje mes çifteve. Për shumë gra martesa është fillimi i një marrëdhënieje të re e të gjatë konkurrence me një grua që sigurisht nuk është rivale seksuale, por që përdor ndaj bashkëshortit të tyre mjete shumë më të forta se seksi: lidhjen mëmë-djalë, që në shumë raste është lidhja më e çeliktë që ekziston. Grindjet vjehërr-nuse janë të lashta sa vetë historia e marrëdhënieve njerëzore. Për të është folur e shkruar në lashtësi dhe në kohët moderne dhe ajo ka qenë në thelb të tragjedive dhe barsoletave njëherazi. Për shkrimtarët, kjo marrëdhënie ka qenë një burim i pashtershëm dramash nga më të çuditshmet dhe të pabesueshmet. Në vitin 1954, një studim nxori në pah se vetëm një në katër gra e pëlqenin vjehrrën e tyre, ndërkohë që sipas një studimi të fundit, del në pah se kjo marrëdhënie sot është bërë edhe më e vështirë. Bëhet fjalë për një studim të ndërmarrë në qindra familje në përfundim të të cilit doli se thuajse dy të tretat e grave ankohen se ata kanë vuajtur për një kohë të gjatë dhe kanë kaluar vërtet momente të palumtura stresi dhe pakënaqësish për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me vjehrrat. Në këtë studim që ka zgjatur 20 vjet rresht, gratë i kanë akuzuar vjehrrat e tyre për shfaqje të një xhelozie të paarsyeshme dhe të palogjikshme ndaj djemve. Nga ana tjetër, vjehrrat ankohen se ato ishin përjashtuar tërësisht nga jeta e djemve të tyre me ardhjen e nuses. Sipas një psikologu që është marrë me studimin, konflikti shpesh nis nga ideja që kjo marrëdhënie nuk mund të jetë kurrë e mirë dhe nga supozimi se të dyja palët nuk mund ta duan dhe e shajnë njëra-tjetrën. Në fakt, bëhet fjalë më shumë për një stereotip marrëdhënieje sesa me fakte konkrete që e çojnë një lidhje vjehërr-nuse në një konflikt që shpesh merr përmasat e një lufte të ashpër e të gjatë. Dhe shumë të pakta janë ato vjehrra apo nuse që nuk nisen nga paragjykimet dhe mundohen që të krijojnë një marrëdhënie krejt të ndryshme me njëra-tjetrën. Të dyja luftojnë që të arrijnë në familje pozicionin e "komandantes", luftojnë që të mbrojnë statusin që kanë dhe të fitojnë epërsi ndaj "kundërshtares". Të dyja palët ndihen të kërcënuara nga prania e njëra-tjetrës. Gjatë studimit janë intervistuar 200 persona, përfshi edhe 49 çifte. Psikologët kanë marrë pjesë në mbrëmje e festa familjare në mënyrë që të vëzhgonin sjelljen e nuseve dhe të vjehrrave në gjirin e familjes, që është edhe shesh-beteja e kësaj lufte shekullore. Në më të shumtën e rasteve bëhet fjalë për një marrëdhënie "tragjike" mes dy grave që kanë shumë gjëra të përbashkëta e që fare mirë në rrethana të tjera mund të kishin shkuar shumë mirë me njëra-tjetrën dhe që mbi të gjitha dy grave që mund të përfitonin shumë nga miqësia e tyre. Ajo çka ndodh është shkaktimi i një moslumturie të madhe dhe një stresi e tensioni që përhapet e ndihet te të gjithë pjesëtarët e familjes.

Psikologët thonë se kultura e urrejtjes dhe e konfliktit është aq e madhe sa nuk ka të bëjë fare me faktin që të dyja palët mund të jenë të mrekullueshme, të dashura dhe aspak konfliktuale në marrëdhënie me njerëz të tjerë. Ka nuse që e pranojnë se me vjehrrat kanë pasur shumë më tepër gjëra të përbashkëta nga sa kanë pasur me nënat e tyre, e megjithatë, konflikti nuk është shmangur. Shpesh një marrëdhënie niset nga paragjykimi që është pjesë e një mendësie të vjetër dhe tersndjellëse. Kjo ka të bëjë me idenë e trashëguar brez brezi që dy gra nuk mund "të sundojnë" njësoj një mashkull, në këtë rast mashkulli është djali i njërës dhe bashkëshorti i tjetrës. Nisur nga ky këndvështrim, kjo marrëdhënie paragjykohet dhe drejtohet për nga konflikti dhe jo për nga zgjidhja apo shmangia e tij përmes gjetjes së rrugëve të ndryshme të "zotërimit". Në këndvështrimin e paragjykimit, për shembull, një nuse supozon se sado moderne mund të jetë vjehrra, ajo do ta gjykojë gjithmonë për mënyrën e gatimit, pastrimin dhe aftësinë e të qenit një nënë e mirë. Nga ana tjetër çdo vjehërr shpesh i interpreton vendimet e nuses jo të nisura nga nevojat, apo kërkesat e saj, por nga dëshira për ta kundërshtuar apo hedhur poshtë këshillën e saj. Shpesh, nuset mendojnë se në grindjet që kanë me bashkëshortët, vjehrrat, duke qenë se janë edhe ato gra do të mbanin anën e tyre në një çështje të drejtë, por vjehrrat, nisur nga dashuria e pakushtëzuar ndaj bijve "dredhojnë" dhe i japin të drejtë të birit. Në raste të tilla zhgënjimet janë të mëdha dhe bazë për zhvillimin e një konflikti që mund të çojë në çarje serioze të marrëdhënieve njerëzore në një familje.

Një studim japonez ka nxjerrë në pah se gratë që jetojnë në një shtëpi ku bashkëjetojnë shumë breza ishin më të prirura për të pasur probleme zemre se ato që jetojnë vetëm me bashkëshortin e tyre. Nga ana tjetër, dhe kjo është për t‘u çuditur, burrat që jetojnë në shtëpitë me shumë njerëz: gjyshe, prindër, fëmijë, nuk e kanë një rrezik të tillë. Në studim del se 75% e çifteve kanë probleme me vjehrrat dhe vetëm 15% e kësaj shifre kap marrëdhënien mes dhëndrit dhe vjehrrës. Kjo sepse meshkujt janë më të aftë për të shmangur sherre të tilla dhe se kanë mjete interesante për të shtensionuar situatën si përdorimi i shakave apo thënia e më shumë fjalëve të mira në adresë të vjehrrës. Nëse do t‘u hidhni sy sajteve të internetit ku rrëfehen histori mes vjehrrave dhe nuseve do të kuptoni se sa e rëndë është situata. Në njërin prej këtyre rasteve, nusja ankohet se në dasmën e saj, e vjehrra nuk kishte dashur që të pozonte me familjarët e saj duke i quajtur ata "të huaj". Një tjetër ankohet se e vjehrra ishte shumë indiferente ndaj saj dhe se e kishte pyetur për shëndetin e saj dhe të të nipit vetëm disa ditë pas lindjes, me anë të një telefonate të ftohtë. "Kur më pyeti i thashë të vërtetën se isha me dhimbje të forta kurrizi. Më pas ajo mori tim shoq në celular dhe duke qenë se volumi i zërit ishte i lartë munda të dëgjoj se i tha të birit se dhimbja e kurrizit vinte nga fakti që isha shumë mbipeshë dhe se isha trashur aq shumë sa do të kisha edhe probleme të tjera". Histori të tilla janë të pafund, ndërkohë që janë edhe ato në të cilat vjehrrat rrëfejnë situatën e tyre.

Mashkulli, ndërkohë, është gjithmonë në një pozicion shumë të vështirë mes dy grave me të rëndësishme të jetës, njërës që i ka dhënë jetën dhe tjetrës që i ka dhënë asaj kuptim. Është shumë e vështirë për të që të gjykojë veprimet e njërës, apo të tjetrës e të mbajë anë, sepse i do të dyja, por të rralla janë rastet kur një burrë është shumë i prerë ndaj njërës, apo ndaj tjetrës. Një burrë mundohet të mbajë ekuilibrin, të mos e prishë as me njërën as me tjetrën dhe të negociojë paqen mes tyre, që shpesh është një mision i pamundur. Ata përpiqen që t‘i bëjnë të gjithë të lumtur dhe shpesh ia dalin përkohësisht, por vetëm përkohësisht, sepse ekuilibrat e brishtë prishen shumë shpejt. Për një marrëdhënie të shëndetshme mes nuses dhe vjehrrës nuk ka receta për përcaktuara, sepse receta të tilla nuk ekzistojnë për asnjë lloj marrëdhënieje, por ka disa parime të cilave nëse u përmbahesh nuk të lënë në baltë dhe japin rezultat të kënaqshëm. Parimi i parë është që në një marrëdhënie të tillë të mos nisesh nga stereotipi apo nga fakti që nuk mund të dalësh nga qerthulli i grindjes. Është plotësisht e mundur një marrëdhënie jo konfliktuale, mjafton që të vendosësh pak nga pak kufij të qartë dhe të aplikosh shumë tolerancë dhe mirëkuptim. Një nuse nuk duhet të harrojë marrëdhënien nënë-djalë, që ka nisur që nga dita e parë e ardhjes në jetë të burrit të saj dhe nuk do të mbarojë kurrë. Një nënë nuk duhet të harrojë se nusja është personi që mund ta bëjë të lumtur, ose fatkeq krijesën e saj dhe se gjithë sa ajo mund të bëjë është që të ndihmojë në realizimin e opsionit të parë.
Shqip

Ju rekomandoj pushime në Honolulu, ka rërë të mrekullueshme për fëmijët, diell magjik për gruan si dhe peshkaqenë gjakatarë për vjehrrën :D

No comments: