Monday, October 26, 2009

Bardhyli i vogël në Botërorin e shahut

Njëri nga talentet më të mëdhenj austriakë, shqiptari nga Kumanova, Bardhyl Ukshini, (jeton në Graz), i cili nuk ka më tepër se tetë vjet, do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror U-11 në shah, i cili gjatë muajit nëntor të këtij viti do të mbahet në Antalia të Turqisë.

Javorja austriake "Woche" (Java), përmes një aksioni të saj, ka arritur që nga politikanë të ndryshëm lokalë të sigurojë mbi 1000 euro për këtë qëllim, si dhe me kursimet e prindit të tij, Bardhyli do të udhëtoj për në KB. Futbolli, tenisi, çiklizmi apo basketbolli, sporte këto me të cilat çdo i ri merret në moshën e vet, Bardhylit nuk i interesojnë aq shumë sa i intereson sporti i tij: shahu.

Bardhyl Ukshini


Djaloshi tetëvjeçar nga Kumanova, është duke mësuar në klasën 2a të shkollës popullore Jägergrund në Straßgang dhe llogaritet si njëri ndër talentet më të mëdhenj të shahut në Austri. Si pjesëmarrës më i ri, gjatë muajit shkurt të këtij viti, ai e fitoi vendin e parë në Olimpiadën e shahut për juniorë dhe vendin e dytë në Kampionatin U-10 vendor. "Ëndrra e tij më e madhe është të marrë pjesë në KB të shahut që do të mbahet në Antali të Turqisë gjatë muajit nëntor të këtij viti. Por, babai i tij momentalisht është i papunë dhe është prind edhe i tre fëmijëve të tjerë, kështu që familja nuk mund t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për pjesëmarrje në KB", kishte deklaruar Wilhelmine Riedl, drejtorja e shkollës popullore Jägergrund, e cila është angazhuar jashtëzakonisht shumë për nxënësin e saj. Në një artikull të shkruar gjatë muajit maj të këtij viti, javorja austriake "Woche" (Java), kishte publikuar një shkrim përmes të cilit gazetari i kësaj gazete Dieter Demmelmair kërkonte publikisht sponsorë të mundshëm për Bardhylin e vogël.

Le të shpresojmë se Bardhyl Ukshini do të fitojë ndonjërën nga medaljet në Kampionatin Botëror.

Reshat IBRAHIMI G.LAJM

No comments: