Saturday, October 10, 2009

Librat shqip sërish ndalohen në “Qafë Thanë”

Që nga ora tre e pasdites të së martës deri në orët e mesditës së të mërkurës, librat shqip janë bllokuar në pikën kufitare “Qafë Thënë”, ndërsa bashkë me ta kanë qëndruar edhe botuesit shqiptarë nga Shqipëria dhe Çamëria të cilët ishin nisur për të marrë pjesë në panairin e librit “Tetova 2009”.


Lajmin e konfirmoi edhe Afet Beadini, drejtor i Panairit të Librit. “Librat e botuesve shqiptarë janë ndaluar në kufi. Me ndërhyrje të zëvendëskryeministrit Abdilaqim Ademi, librat janë lëshuar dhe pritet nga çasti në çast të arrijnë në Qendrën për Kulturë bashkë me botuesit”, tha Beadini për “Lajm”. Sipas tij, doganierët nuk kanë pasur asnjë pretekst apo arsyetim zyrtarë dhe akoma është e panjohur për ta përse u ndaluan librat shqip në pikën kufitare.



Të njëjtën gjë e pohoi edhe botuesi i vetëm nga Çamëria, Arben Kondi, i cili kishte arritur në Tetovë. Një pjesë e mjeteve personale të tij kishin ngelur në autobusin me të cilin kishin udhëtuar, ndërsa librat i kishte lënë në kufi. “Na ndaluan pa asnjë pretekst, na thanë që duhet respektuar ligjin dhe rregullat por nuk saktësuan se çka është problemi më saktësisht. Kjo na ka ndodhur vetëm njëherë pas konfliktit të 2001-shit dhe asnjëherë tjetër”, tha Arben Kondi. Sipas tij, kjo nuk kishte të bëjë asgjë me ligjin apo parregullsitë, sepse ngjashëm kanë ardhur në Maqedoni edhe më parë dhe në mënyrë të njëjtë kanë shkuar edhe në panairet e tjera. Sipas Kondi ky ishte vetëm një provokim dhe hakmarrje ndaj librit shqip. “Kjo është një hakmarrje ndaj librit dhe kulturës shqipe, në vazhdën e provokimeve të shumta që po ju bëhen shqiptarëve këtu, këtu si duket dikush dëshiron të provokojë dhe të shkaktoj diçka më të keqe”, tha Kondi. Në Panairin e librit “Tetova 2009”, pritet të marrin pjesë 50 botues nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe trojet tjera shqiptare. (A.zeqiri)Lajmpress)

No comments: