Sunday, October 25, 2009

Patriotizëm shqiptar me mbretin e pop-it.

Një ngjarje po zhvillohet këto ditë. Ajo herë duket sikur bën shpalosje para syve tanë dhe shumë herë të lë përshtypjen se na rrëshqet nga vëmendja.

Po përjetojmë një çast kur janë pleksur me njëra-tjetrën, në një masë mjaft viskoze, tema të sovranitetit kombëtar dhe të ruajtjes së kufijve, bashkimit të trojeve shqiptare në projekte etnike apo të ekzistencës së dy kombeve, edhe atij kosovar. Në këtë debat të madh nuk mungojnë edhe ata që duan të çmitizojnë kultet e ngritura nga e kaluara, mes tyre nuk kursejnë edhe atë të Nënë Terezës. Pikërisht këto kohë çmitizuesit kanë ndezur edhe pasionin për të zbrazur nga fryma e romantizmit dhe e idolatrisë vetë patriotizmin. Ky i fundit, thonë jo pa të drejtë, duhet të jetë modern, sepse arkaik apo edhe me pamje folklorike ai nuk u nevojitet gjeneratave të reja.



Pikërisht në këto çaste, vetëtimshëm nëpër disa pak tituj të parë, por më shumë i shtyrë tutje në sfond të ngjarjeve më të rëndësishme të ditës, bie në sy një siluetë njeriu. Ai quhet Saimir Strati. Ka një portret sugjestionues dhe një jetë ca më tepër të tillë. Strati është një artist që merret me krijimin e mozaikëve me synimin e futjes në Librin e Rekordeve Botërore "Guinnes". Bashkëkombësi origjinal me një shpejtësi të rrufeshme dy-tre vitet e fundit ka realizuar disa herë fitimtarin e hyrjes në këtë libër dhe këto ditë po i jep jetë përpjekjes tjetër të tij. Çmimin e kampionit botëror me një gjë të veçantë, të cilin në glob nuk e ka kryer tjetër kush, kësaj radhe Saimir Strati e ka sipër marrë me realizimin e një mozaiku me portretin e Majkëll Xheksonit. Më parë e pati kryer me një peizazh mesdhetar apo deri edhe me pamjen e Leonardo Da Vinçit. Në punët e mëparshme ka përdorur si lëndë sendërtimi artistik tapat e shisheve të verës apo edhe gozhdët, kësaj radhe po e ngurtëson veprën e tij me penela pikturimi. Bëhet fjalë për treqind mijë penela që kanë nisur të mbushin një portret të Majkëll Xheksonit në një hapësirë prej tridhjetë metrash katrorë. Këtë punë Saimir Strati duhet ta përfundojë më 10 nëntor, kohë që përcakton ditën ndërkombëtare të çmimit "Guinnes".

Sigurisht edhe këtë herë ai ka për të hyrë sërish në Librin e Rekordeve Botërore, tashmë duke u bërë mes nesh një fenomen i jashtëzakonshëm. Veç do të jetë i tillë jo thjesht sepse do të rimarrë edhe njëherë tjetër këtë çmim të madh, por sepse me mbretin botëror të Pop-it ka gjetur një mënyrë të veçantë publiciteti kombëtarist. Krijesa e tij artistike e vendosur në shpinën e një kamioni do të lëvizë nëpër disa qytete kryesore të Shqipërisë dhe më pas edhe në Prizren e Prishtinë. Siç edhe ndërkohë e bëri në Fier, në secilin qytet, në sheshin më të madh të tij, Saimir Strati do të punojë nga gjashtëmbëdhjetë orë në ditë në mjedis të hapët, para vështrimit të njerëzve. Artisti që po bën këtë emër të bukur edhe më parë e ka shpjeguar se nxitja për të hyrë vazhdimisht në Librin e Rekordeve Botërore "Guinnes" ka pasur motive atdhetare. Strati nuk duket aspak nga ata që patriotizmin e shpërdor për të marrë prej tij. Ai i jep. Kur bëri mozaikun e tij "Mesdheu" bëri të ditur për opinionin se "Ndihem shumë mirë që jam pasardhës i ilirëve në teknikën e mozaikëve". Më pas mori pjesë modestisht në një nga koncertet televizive "Dua më shumë Shqipërinë"...

E krijuar me një milion gozhdë


Kjo vepër e tij e fundit dhe njëkohësisht një spektakël atdhetarizmi, i ideuar nga vetë autori, një nga sipërmarrjet imazhpozitive më të spikatura prej të cilës edhe një shtet apo të dy shtetet shqiptare mund të marrin shembull dhe shtysë, do ta ketë në qendër këtë artist me shtat të pabujshëm, por me një pamje artistikisht sugjestionuese, me në ballë lidhur një rrip me ngjyrën e kuqe dhe shqiponjën e zezë në mes. Pra në mbi tridhjetë ditët e punës së tij intensive, nëpër atë karvan që do të përshkruajë gjerë e gjatë trojet e shqiptarëve, Saimir Strati do të ketë rreth kokës flamurin kombëtar.

Mos duket kështu, me këtë rrip flamuri rreth ballit, një anakronik? Mos ai është ca tepër romantik në këtë kohë kur flitet se duhet të shpërngulemi nga shprehjet folklorike të atdhetarizmit? A duhet që për kombin të jesh kaq shumë tifoz? Mos përhap kjo mënyrë shprehjeje frymë nacionalizmi të skajshëm? Mos ndoshta Saimir Strati duhet të jetë më i përmbajtur?!

Në të vërtetë duke krijuar në tridhjetë metra katrorë me treqind mijë penela portretin e Majkëll Xheksonit dhe duke fituar hyrjen rishtazi në "Guinnes" bashkëkombësi ynë po jep një mësim për të gjithë debatin e madh që na ka rizënë dhe që bëhet për të mirën tonë, si edhe të vetë gadishullit, ku kemi popuj miq. Saimir Strati po ashtu tani i ka të gjitha autoritetet të bëjë të mendohen më thellë ata që kanë marrë përsipër kryqëzatën për të përhapur përreth nesh të vetë ndjerit e provincializmit apo fajit se gjoja ne e ekzagjerojmë ca si shumë në çështjet e atdhetarizmit, se shpirti romantik i motit të Rilindjes duhet lënë pas.

Shumë nuk e dinë, një pjesë harruar natyrshëm për shkak se kanë kaluar mbi dhjetë vjet, se Majkëll Xheksoni në luftën e vitit 1999, bashkë me UNICEF bëri në SHBA një koncert të madh në mbrojtje e ndihmë të fëmijëve të Kosovës. Ata që e kanë ndjekur, qoftë edhe nëpërmjet internetit, kanë mbetur të mahnitur nga dhjetëra mijëra shikues si edhe nga titrat prezantuese "Michael Jackson & Friends, Kelly Family". Edhe tani disa video të tij kanë arritur deri në një gjysmë milioni ndjekës. Ndërkohë, dihet që ato çaste mbreti i Pop-it dhuroi për fëmijët shqiptarë të Kosovës 1 milion dollarë.



Në një intervistë të ditëve të fundit të vetë Saimir Stratit thuhet se e ka zgjedhur Majkëll Xheksonin edhe sepse kënga dhe imazhi i tij qenë frymëzues dhe i dhanë shpirt revolucionar të rinjve shqiptarë kur në fillim të viteve nëntëdhjetë përmbysën diktaturën. Mirëpo, për hir të së vërtetës ne shtojmë se kënga e tij frymëzonte për një jetë të lirë edhe rininë kosovare në protestat e saj heroike të vitit 1981.

Ja që patriotizmi ynë paska tridhjetë vjet që u bashkuaka me Mbretin Botëror të Pop-it! Thua edhe kësaj here ndokush do të shqetësohet se të bësh patriotizëm edhe me një rreth flamuri kombëtar përreth ballit është anakronizëm?

Ylli Polovina, Shqip

Faqja e Saimir Stratit http://www.facebook.com/pages/Saimir-Strati/43721343601?v=wall

No comments: