Saturday, October 10, 2009

Prishet urbani, udhëtarët paguajnë 2 herë biletën

Problemet e pasagjerëve të linjave urbane që operojnë në kryeqytet nuk përfundojnë asnjëherë. Një ditë më parë, me dhjetëra pasagjerëve të linjës "Tirana e Re" u është dashur të rrinë për më shumë se 30 minuta pranë stacionit tek Dogana, sepse u prish autobusi.

"Veç se rrimë në trafik, me këto rrugë që kemi ku nuk ka asnjë korsi të veçantë për linjat urbane, tani duhet të presim sepse prishen mjetet çdo ditë për shkak se janë shumë të vjetruar. Nuk po ndodh për herë të parë që autobusi pëson defekt, dhe ne duhet të zbresim për të pritur sa të vijë një urban tjetër", - tregojnë pasagjerët e kësaj linje, të cilëve pas defektit të autobusit të tyre në orën 14:25 minuta, u është dashur që të presin deri në orën 15:00 që të marrin një tjetër urban.



Problemet

Në një kohë kur institucionet, si lokale, por edhe ato qendrore bëjnë apel për një përdorim të madh të mjeteve të transportit publik, ky shërbim në metropolin e vendit lë shumë për të dëshiruar. Çdo ditë nëpër rrugët e tij shikohen urbanë shumë herë më të vjetruar, të cilët shpesh herë pësojnë defekte dhe i lënë pasagjerët në mes të rrugës. Ndërkohë që një problem tjetër janë edhe vonesat që kanë normalisht linjat urbane, gjë e cila vjen për shkak të mungesës së korsive të veçanta për këtë lloj shërbimi. Edhe pse është premtuar shumë herë nga pushteti lokal, deri më tani edhe një segment që e ofron këtë shërbim nuk është vënë në përdorim nga linjat urbane, pasi asnjë linjë nuk kalon nëpër këtë segment. E vetmja rrugë e cila ka një korsi të veçantë për transportin urban është Unaza e vogël e kryeqytetit. Por, në këtë rrugë, duke qenë se një prej segmenteve më kyçe të saj nuk ka nisur nga puna, kjo korsi nuk vihet në përdorim.

Ermelinda Hoxhaj, G.Shqiptare
What's that ?

No comments: