Saturday, October 3, 2009

Rregulloni semaforët, pastaj ejani të na vini gjobat

Policia s’tërhiqet, dje vuri 1759 gjoba. Shumica e tyre janë ende të papaguara.

TIRANE- Drejtuesit e automjeteve që janë gjobitur nga efektivat e Policisë Rrugore të Tiranës, nuk pranojnë të shlyejnë detyrimet financiare në arkën pranë komisariatit rrugor që ndodhet në Kinostudjo. Shkak i kësaj situate sipas tyre është bërë gjobitja pa kriter e shoferëve nga ana Policisë Rrugore, të cilët çdo ditë kanë vënë mbi 1500 masa administrative ndaj atyre drejtuesve që ata i quajnë kundërvajtës me sinjalistikën rrugore. Pjesa më e madhe e të gjobiturve kanë refuzuar të paguajnë shumat financiare, për arsye se ata janë gjobitur në mënyrë të paligjshme nga efektivat e Policisë Rrugore. Shoferët tregojnë se policët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, kanë shkelur të gjitha rregullat elementare që zbatohen në momentin e vendosjes së gjobës apo penalizimeve të ndryshme. Pakënaqësitë, drejtuesit e automjeteve në kryeqytet i mbështesin në disa fakte, ku sipas tyre Policia Rrugore vendos gjoba në kryqëzime ku nuk funksionojnë semaforët. Gjithashtu ata tregojnë se janë gjobitur, për arsye se nuk kanë respektuar semaforin, në një kohë kur ky i fundit nuk dallohej fare, pasi ishte i mbuluar nga reklamat e ndryshme të bizneseve si dhe nga degët e pemëve që ndodhen në trotuar.



Ky nuk është argumenti i vetëm i drejtuesve të makinave, pasi ata theksojnë se janë gjobitur për arsye se udhëtonin në kundërvajtje me tabelat e rrugës. Mirëpo realisht në fillim të segmentit rrugor apo në fund të tij, nuk ka pasur asnjë tabelë që të tregonte drejtimin e lëvizjes së mjeteve. Një ndër arsyer e tjera që shoferët e ngrenë si protestë kundër gjobitjes masive të Policisë Rrugore, është edhe ajo e vijëzimit të rrugëve në kryeqytet. Pjesa më madhe e tyre, nuk kanë asnjë vijë të bardhë, e cila do të orientonte në parkimin dhe lëvizjen e mjeteve. Duke qenë se shumë elementë të sinjalistikës mungojnë në rrugët e Tiranës, shoferët nuk mund të parashikojnë të drejtën e lëvizjes së tyre në rrugët e ndryshme të kryeqytetit. Ndërkohë përkundër këtyre zërave është shprehur policia e Tiranës, e cila ka deklaruar se në ditët në vazhdim do marrë kontrolle dhe masa ndëshkuese ndaj atyre drejtuesve, të cilët nuk kanë shlyer detyrimet e tyre, që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative.


ELTON QYNO, Metropol

No comments: