Saturday, October 3, 2009

"Tarifat e Albtelekomit, përse duhen rrjepur kështu qytetarët shqiptarë"?

Problemi që dua të ngre ka të bëjë me fakte konkrete që janë në faturën e çdo shqiptari që u servir çdo muaj Telekomi, të cilave në këndvështrimin tim nuk mund t'u vë emër tjetër përvese "rrjepje".


Për hir të së vërtetës, me aq sa vështrojmë, stafi vendor i Telekomit në Dibër duket i përkushtuar, që nga drejtori, por urdhrat i marrin nga lart, nga turku. Çdo shtetas, që ka një numër telefoni fiks, ka lidhur një kontratë, një pjesë e mirë e kontraktuesve kanë vënë firmën pa e lexuar (ky nuk është faj i Telekomit).



Në kontratë thuhet se duhet paguar tatim mujor vlera e të cilit nga 200 lekë në muaj këtej nga anët tona është rritur gradualisht, sot ka shkuar në 293 lekë në muaj, që do të thotë 3516 lekë të reja në vit dhe në një qytet modest me 5000 abonentë kjo vlerë shkon në 17 milionë e 580 mijë lekë të reja.


Kur kemi lidhur kontratën me Telekomin, kemi paguar tarifën e lidhjes, ose më saktë instalimit. Pse vallë e merr tani çdo muaj taksën e pajtimit?! Nëse bëhet fjalë se Telekomi mirëmban linjën, kjo nuk shkon, pasi edhe elektriku mirëmban linja, bile me shpenzime më kolosale se këputja e një teli telefoni, por nuk merr taksë pajtimi.


Elektriku riparon defektet, transformatorët, linjat e këputura e nuk na shënon shtesë pagese në faturë. Nëse telekomi mirëmban linjën, e bën për vete, për fitimet e biznesit privat e ne kemi detyrë që të paguajmë impulset. Aq më tepër tani, Telekomi dhe instalimet e reja po i bën falas.


Sikur të mos mjaftonte taksa e pajtimit familjar kësaj takse i shtohet dhe tvsh-ja. Pra taksë mbi taksë. Pasi shkruhet në faturë në fillim taksa e pajtimit, pas saj komunikimet lokale, rajonale, kombëtare e ndërkombëtare, mblidhen të gjitha bashkë dhe kësaj shume i shtohet dhe tvsh-ja 20%.


A ka ekonomist të na mbushë mendjen se pajtimi familjar nuk është taksë dhe nga ana tjetër se dhe për taksën duhet mbajtur t.v.sh.? T.v.sh. - ja vetëm për këtë taksë, sikur të mos harxhosh asnjë impuls është 703.2 lekë në vit për familje, dhe për 5000 familje shkon në 3 milionë e 516 mijë lekë, natyrisht të reja.


Po në shkallë kombëtare?! Ndaj me këto argumenta të përmbledhura, pa folur për të tjera, si fjala vjen futja e pagesës dhe kur kërkon një numër te 124-a, do të thosha se telekomi po na "rrjep" për të mos përdorur fjalën "vjedh".


Dhe kjo, sigurisht, vjen nga lart, nga atje ku bëhen politikat menaxhuese të Telekomit, nga ata pra, të huajt. Është mirë që të mos na kujtojnë poezinë "Shqipëtar" që fillon me vargjet: "Shqipërinë e mori turku ..."
Shekulli

No comments: