Sunday, October 4, 2009

Vatra - G, zona seksuale.

Shumë nga ju kanë dëgjuar për historitë që lidhen me atë vatrën magjike brenda trupit të gruas, që kur stimulohet në mënyrë të përshtatshme, i çon disa gra në lartësi të pabesueshme të ekstazës seksuale. E njohur si vatra-G, kjo zonë ka qenë subjekt i shumë librave dhe artikujve në revista. Por, .... a ekziston kjo vatër me të vërtetë dhe nëse ajo ekziston, si do ta gjeni ju atë?


Përgjigja e thjeshtë. Një "Po" e madhe. Kjo vatër ekziston. Asgjë lidhur me të nuk është misterioze. Vatra-G, thjesht, është një zonë me ndjeshmëri të lartë, që e ndjejnë shumë gra. Të gjitha gratë e kanë vatrën-G, por jo të gjitha gratë vënë re ndonjë ndryshim kur ajo stimulohet. Madje, disa gra, nuk e pëlqejnë sensacionin që marrin nga stimulimi i kësaj vatre. Për këto dy arsye, gratë, nuk duhet të mërziten, po qe se nuk e gjejnë këtë vatër tek vetia, ose partneri i tyre seksual nuk e gjen dot këtë vatër tek ato.



Nga pikëpamja embrionologjike, vatra-G është analoge me prostatën e meshkujve. Siç dihet, gjatë zhvillimit embrional, disa qeliza zhvillohen në një drejtim kur fëmija është femër dhe në një drejtim tjetër kur fëmija zhvillohet si një djalë. Zona që tek djemtë është një prostatë, tek vajzat është vatra-G. Arsyeja që disa autoritete mjekësore, akoma edhe sot, nuk e pranojnë praninë e kësaj zone është, sepse ajo zmadhohet dhe evidentohet vetëm gjatë stimulimit seksual. Ajo ka vështirësi të lokalizohet në kufomat, ku bëhen, kryesisht, studimet anatomike.


Vatra-G, diçka jo më e madhe se një bizele, ka shkaktuar furore, që i tejkalojnë shumë dimensionet e saj. Ata që besojnë në praninë e saj, e quajnë atë si një zbulim të madh në seksualitetin femëror, si një vatër erotike, sekrete e të nxehtë, që ishte krejtësisht e panjohur deri në vitin 1980. Që të jem i drejtë duhet të them, se shumë kërkues shkencorë në fushën e seksit mendojnë se ajo nuk ekziston. Madje, edhe librat më të rinj e më prestigjiozë të anatomisë humane, që studiohen, sot, në universitete, nuk e përshkruajnë vatrën-G, si formacion anatomik. (Frank H. Netter, M.D.: "Atlas of Human Anatomy", botimi i tretë, viti 2003; Gerard J. Tortora: "Human Anatomy" , edicioni i shtatë, viti 1995.
Por, ajo që ringjalli sërish diskutimin për Vatrën-G, ishte dalja në dritë e librit të quajtur: "The G-Spot and Other Recent Discoveries abort Human Sexuality", në vitin 1982, i autorëve Alice Ladas, psikologe në Manhattan; Beverly Whipple, kërkuese shkencore në Rutgers University në New Brunswick, New Jersey dhe John Perry, psikolog dhe seksolog i njohur. Këta kërkues rizbuluan një artikull të vjetër, të harruar prej kohësh, që e kishte publikuar në vitin 1950 obstetër-gjinekologu gjerman Ernest Grafenberg. Në këtë artikull, ai përshkruante një zonë të vogël në murin e sipërm të vaginës, që në disa gra ishte aq shumë e ngarkuar erotikisht, sa mund të prodhonte orgazma, krejtësisht, të pavarura nga stimulimi i klitorit. "Indi në këtë zonë", shkruante Dr. Grafenberg, "duket se është i rrethuar nga ind erektil si ai i penisit, që gjatë stimulimit seksual ënjtet dhe arrin dimensionin e një dhjetëqindarkëshi."


Ashtu siç ndahen mendimet e shkencëtarëve për praninë e vatrës-G, ashtu ndahen edhe vetë gratë. Legjione të tëra grash, kudo në botë, kanë zbuluar kënaqësinë ndjesore të kësaj zone, ashtu si shumë të tjera, kanë dështuar në përpjekjet e tyre për ta gjetur këtë zonë dhe kanë arritur në konkluzionin se e gjitha kjo është, vetëm një gënjeshtër e këndshme.


Vatra e Grafenbergut, ose vatra-G, siç e quajtën Dr. Ladas, Dr. Perry dhe Dr. Whipple, gjendet direkt pas kockës pubike, në murin e sipërm të përparmë të vaginës, rreth 4cm brenda hapjes vaginale. Ndonëse dimensioni i saj ekzakt dhe vendosja e saj ndryshojnë, ajo mund të gjendet diku në mes, midis faqes së pasme të kockës pubike dhe pjesës së përparme të qafës së mitrës, afër qafës së vezikës urinare. Nëse ju imagjinoni një orë brenda vaginës, me 12 nga kërthiza, vatra-G, zakonisht, do të gjendet diku midis orës 11 dhe 1.

Ejakulacioni femëror

Të tre autorët (Ladas, Perry dhe Whipple) thonë se shumë gra, që janë të ndjeshme ndaj stimulimit të vatrës-G, shpesh, ejakulojnë një lëng të qartë gjatë orgazmës. Disa herë, vetëm pak pika, herë të tjera një shpërthim i fuqishëm i tij. Ndërkaq, shumë nga këto gra ndjenë nevojën urgjente për urinim, menjëherë përpara orgazmës. Gra të tjera janë të bindura se urinonin në mënyrë të pandërgjegjshme gjatë seksit. Këta autorë dhe shumë të tjerë, kanë argumentuar se ky lëng misterioz nuk ka të bëjë fare me urinën.
A nuk keni dëgjuar për burra që ankohen se gratë e tyre urinojnë gjatë seksit? Madje, jo vetëm kaq, por këto martesa kanë përfunduar, prej padijes, në divorc dhe gjyqi e ka quajtur me vend ankesën e burrit. Këto gra, po nga padija, janë ndjerë të turpëruara, në vend që të ishin krenare për pasurinë e tyre anatomo-fiziologjike.


Analizat kimike të këtij ejakulati, tregojnë se janë krejt të ndryshme nga urina. Madje në këto analiza duket e qartë se, në këtë ejakulat ka komponentë si ato që sekreton gjëndra e prostatës tek burrat. Këta autorë dhe të tjerë pas tyre, kanë vërtetuar se ky lëng prodhohet nga një grup kanalëzash që quhen "gjëndrat e Skenes", dhe që vendosen afër uretrës. Është provuar, se vatra-G evoluon tek embrioni nga i njëjti ind, që krijohet edhe prostata te burrat. Është kjo arsyeja, që disa autorë i referohen vatrës-G si "prostata femërore". Por, edhe kjo teori, ndërkaq, ka shumë kundërshtime (si çdo gjë tjetër që lidhet me vatrën- G). Edhe studimet e mëvonshme kanë treguar se lëngu që del nga vatra-G, është ndryshe nga urina.

Ku fshihet vatra-G?

Si është e mundur që diçka kaq me rëndësi për përgjigjen seksuale të grave, i ka shpëtuar vëmendjes së klinicistëve, të gjinekologëve dhe të dashnorëve për kaq shumë shekuj?
Për përkrahësit e lëvizjes feministe, shkaku pse ky organ kaq i rëndësishëm i seksualitetit femëror u zbulua kaq vonë, është nënvlerësimi që i është bërë gjatë gjithë historisë, seksualitetit femëror. Është "dystandarti", që i shikon gratë si më inferiore se burrat, veçanërisht, kur bëhet fjalë për seksualitetin e tyre.
Ata që besojnë se vatra-G ekziston, thonë se ejakulacioni femëror është përshkruar nga Aristoteli dhe Galeni që në shekullin e dytë para Krishtit. Anatomisti holandez Regnier de Graaf e ka përshkruar "prostatën femërore" në detaje. Ai thoshte: "..... gjatë aktit seksual gruaja lëshon një lëng që del jashtë pudentave (gjenitaleve të jashtme), për të lubrifikuar traktin. Këto mund të jenë farërat femërore aktuale".
Disa popuj primitivë, janë shumë të familjarizuar me ejakulacionin femëror (kështu e quajnë ata). Banorët e fisit Bataro në Uganda, kanë një zakon, që ata e quajnë kachapati , ose "spërkat murin". Gjatë kachapatit, gratë e moshuara u mësojnë të rejave, si të ejakulojnë.


Mbështetësit e vatrës-G thonë se kjo vatër, ndryshe nga klitori që është një organ i dallueshëm dhe i dalë, ka mbetur e pazbuluar për kaq shumë kohë, sepse është e vendosur brenda murit vaginal dhe përgjigjet, zakonisht, vetëm ndaj presionit të thellë dhe të fortë. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht faktin që disa gra ndjejnë sensacione orgazmike gjatë lindjes së fëmijëve. Ato thonë se koka e fëmijës ushtron presion të thellë mbi muret vaginale.


Krejt ndryshe mendon Dr. Alfred Kinsey. Ai me ndihmën e pesë mjekëve obstetër-gjinekologë kreu disa eksperimente të famshme. Gjinekologët ekzaminuan gjenitalet e mbi 800 grave, duke shtypur lehtë në vaginë, në klitoris dhe në zona të tjera me një instrument kirurgjikal. Nga gratë e ekzaminuara, 98% e tyre arritën ta ndjejnë instrumentin kur prekej klitori. Ndërsa, vetëm12% e tyre ndjenë instrumentin që lëvizte brenda në vaginë. Kjo e detyroi Dr. Kinsey të konkludojë: mundet gabimisht, që vagina nuk është seksualisht shumë e ndjeshme.

Pikëpamjet moderne

Pasi vatra-G, bëri xhiron e radhës në shfaqjet televizive, fiziologët dhe kërkuesit në fushën e seksit, patën mjaft kohë për të hedhur një shikim depërtues në fiziologjinë e seksualitetit femëror. Ata me ngulm gjuajnë për të gjetur të dhëna të forta, për të provuar prezencën e kësaj vatre elusive. Me gjithë këto përpjekje, duhet të themi se i gjithë biznesi i vatrës-G, akoma, mbetet me shumë kundërthënie. Disa specialistë të shquar në fushën e seksit, siç është edhe psikiatria e Loyola University në Çikago, Doktoresha Domeena C. Renshaw, nuk e pranojnë qenien e vatrës-G. Ajo shkruan : ".... deri sa të kemi të dhëna më të mira, vatra-G, duhet të mbetet e papranueshme si një fakt shkencor".


Kërkues të tjerë arrijnë në përfundimin se edhe nëse vatra-G ekziston me të vërtetë, ajo nuk është aq e përhapur sa pretendojnë përkrahësit e saj. Një studim me mbi 100 gra, konkludoi se vetëm tek 10 përqind e grave u gjet diçka, që mund të konsiderohet si një zonë sekrete erogjene. Në një anketim të 1245 grave me profesion mjeke-obstetre dhe mami, 65 përqind e tyre thanë se ato e kanë një zonë sensitive në vaginat e tyre, që i ngjan vatrës-G. Për më shumë, rreth tre të katërtat e këtyre grave thanë se ato provojnë orgazma kur e stimulojnë këtë zonë.


Zvi Hoch, Drejtor i Qendrës për Terapinë Seksuale, Edukimin dhe Kërkimet, në Rambam Medical Center në Izrael, thotë se në të gjithë "historinë" e thurur për vatrën-G, është e vërtetë që ka një buton të ndjeshëm. Ai thotë: "Evidencat në mbështetje të vatrës-G, që e përcaktojnë atë si një strukturë anatomike të fshehtë, të vendosur në murin e përparmë të vaginës, që ënjtet pasi stimulohet me prekje, janë konkluzive". Më poshtë ai vazhdon: "Është plotësisht e arsyeshme të pranohet, se gratë e kanë një zonë të ndjeshmërisë erotike taktile në murin vaginal të përparmë. Kjo zonë, në shumicën e grave, mund të shtrihet në të gjithë murin e përparmë të vaginës, si dhe në murin e pasmë të saj.

Si ta gjeni vatrën-G, kudo që ajo ndodhet ajo?

Sido që të jetë, çfarëdo emri që t'i vini, kudo që ajo të ndodhet, kërkojeni për kënaqësinë tuaj. Ajo kurrsesi nuk dhëmb. Për ato gra që e kanë të vështirë ta lokalizojnë vatrën-G kur janë të shtrira në shpinë, do t'u sugjeroja të përpiqen ta gjejnë këtë zonë kur janë ulur në fronin e WC. Për këtë sugjerim e kam një arsye: Sensacioni i parë që gruaja provon kur vatra-G stimulohet, është nevoja urgjente për të urinuar. Përpiquni të eksploroni murin e përparmë të sipërm të vaginës, duke ushtruar presion të fortë në drejtim sipër me gishtin tuaj. Me stimulim të mjaftueshëm, zona mund të fillojë të ënjtet dhe të ndjehet në prekje si një bizele e vogël.
Disa gra, e gjejnë më me lehtësi zonën, kur ushtrojnë presion të fortë, nga lart poshtë me njërën dorë, mbi kockën pubike, në abdomen, kur gishtat e dorës tjetër kërkojnë brenda vaginës.



Shumë gra thonë, se gjatë interkursës në pozicion gruaja-sipër, është më e lehtë të "goditet vatra". Në këtë pozicion seksual, gruaja, është në gjendje të kontrollojë se ku duhet të godasë penisi i erektuar i burrit. Gra të tjera thonë, se pozicioni për seks, me hyrje nga prapa, gjithashtu, funksionon mirë për të gjetur vatrën e duhur. Disa gra të tjera thonë se kur përdorin diafragmat, këto i ndihmojnë për stimulimin e vatrës-G.
Vatra-G, nuk është vetëm një buton magjik, ajo është një zonë e tërë, që shumë gra kënaqen kur e stimulojnë. Për të vetë - eksploruar vatrën-G, çdo grua mund të procedojë ashtu siç do ta përshkruaj më poshtë. Por, procedura mund të modifikohet, kur vatrën-G do të përpiqet ta gjejë partneri seksual.


Kërkimi i vatrës "G", ka vështirësitë e saj dhe ndryshon në gra të ndryshme. Edhe koha e nevojshme për të eksploruar vatrën "G", ndryshon nga njëra grua te tjetra.

Ç'duhet të bëni gjatë vetëeksplorimit të vatrës "G"?

1-Shtrihuni në shpinë dhe qetësohuni. Kjo është kënaqësi.
2-Përdorni lubrifikant.
3- Masturboni në mënyrën që jeni mësuar të masturboni.
4- Futni një ose dy gishta në vaginën tuaj.
5-Përkulini gishtat me drejtim nga sipër (nga kërthiza). Përfytyrojeni vaginën tuaj si një fushë sahati, që kur je e shtrirë 12-a është sipër (vendosi gishtat midis orës 11 dhe 1)
6-Bëni një lëvizje me gishtat sikur i thoni dikujt "hajde këtu".
7- Shtypni fort në drejtim të çatisë së vaginës, në rreth 1/3 e saj të poshtme..
8-Ju do të ndjeni një të ngritur të vogël, që rritet në dimensione kur rritet stimulimi seksual.
9- Ju mund të kënaqeni, ose jo. Ju mund të keni një orgazmë ose jo. Juve mund të mos ju pëlqejë sensacioni. Çdo grua është e ndryshme.
10- Kombinoni këto veprime, po qe se dëshironi, me stimulimin e klitorit.
11- Po qe se kënaqeni nga vetë-stimulimi i vatrës-G, mësojeni edhe partnerin që ta bëjë këtë për ju.
Gjatë stimulimit të Vatrës G, mos u shqetësoni nëse:
1- Ndjeni nevojën për urinim. Kjo ndodh, sepse nga stimulimi vatra-G fryhet dhe bën presion mbi uretrën. Zakonisht, ndjenja e urinimit kalon dhe ia lë vendin kënaqësisë seksuale.
2- Filloni të ejakuloni. Kjo mund të jetë një ndjenjë e çuditshme, por gjithçka është normale, kënaquni.
3- Kur nuk ndodh asgjë, kupto që vatra-G nuk merr përsipër gjithçka te gruaja. Ajo është vetëm një vend kënaqësie më shumë për disa gra, jo për të gjitha. Ato gra që nuk ndjejnë kënaqësi nga ngacmimi i vatrës-G, kanë zona të tjera të ndjeshme.
Në qoftë se ju zbuloni, se jeni të ndjeshme seksualisht në këtë zonë, konsiderojeni këtë si një shtesë të re në repertorin tuaj, për të arritur kënaqësinë seksuale. Por, ju lutem, mos mendoni se jeni neurotike, se nuk jeni seksuale, ose nuk jeni adekuate, kur nuk do ta gjeni dot vatrën-G.



Shekulli

No comments: