Wednesday, October 28, 2009

Zbulohet kontrata, pronat e Zogut janë shtetërore

Zbulohet kontrata origjinale, e cila vërteton se ish-Pallati i Pionierëve, ose si njihet ndryshe tashmë, Pallati i Mbretit, është ndërtuar me fonde shtetërore dhe si i tillë duhet të mbetet pronë shtetërore.


Kjo gjë është bërë e ditur për Gazetën nga studiuesi Artan Lame. Deri më sot është folur disa herë se, ish-Pallati i Pionierëve, që i është dhënë Leka Zogut nga Komisioni i Kthimit të Pronave, është ndërtuar me fonde shtetërore dhe si i tillë nuk i takonte atij. “Por tashmë kemi në dorë dokumentin origjinal, i cili e provon këtë gjë. Bëhet fjalë për kontratën midis Ministrisë së Punëve Botore të asaj kohe, në rolin e investitorit dhe firmës italiane që do të ndërmerrte ndërtimin e saj”, - bën të ditur Lame. Sipas tij, ndërtimi i disa veprave publike, por dhe i rezidencave qeveritare që do t’i shërbenin administratës shtetërore, në rastin konkret Presidentit të Republikës, u realizua nëpërmjet një kredie që u mor nga qeveria italiane, e njohur me emrin “Kredia SVEA” prej 50 milionë lirash. “Investimet publike në Tiranën e asaj kohe ishin të domosdoshme, pasi qytetit që brenda një dite u gdhi kryeqytet, i mungonin godinat ku duhej vendosur administrata e lartë shtetërore. Ndaj për këtë arsye u mor një kredi, ku veç ndërtimit të pallatit presidencial, siç u quajt në atë kohë, u ndërtuan edhe disa vepra të tjera publike, si rrugë dhe ura. Me vendim qeverie të asaj kohe, u përcaktua për çfarë do të shërbenin paratë e kredisë italiane, ku siç shihet edhe nga fotokopja e vendimit, u përcaktua edhe ndarja e fondeve për ndërtimin e pallatit presidencial në Tiranë. Më pas, mbi këtë bazë, u lidh kontrata me ndërmarrjen që do bënte ndërtimin. Është e njëjta praktikë që ndiqet edhe sot për ndërtimin e veprave publike. Kopja e Kontratës që po botohet sot për herë të parë, është firmosur nga njëra anë nga Ministri i Punëve Botore, Salih Vuçiterni, në cilësinë e investitorit dhe, nga ana tjetër, nga përfaqësuesi i ndërmarrjes italiane, Sculati, e cila do të kryente punimet. Është normale që punimet të kryheshin nga një ndërmarrje e huaj, pasi Shqipëria aso kohe nuk ofronte ndërmarrje të tilla. Në fakt janë bërë disa kontrata rresht që plotësojnë njëra-tjetrën, sa herë që projektit fillestar të godinës i bëheshin ndryshime. Gjithashtu ekzistojnë edhe faturat bankare, sipas të cilave firma ndërtuese është paguar pas kryerjes së punimeve, nëpërmjet Ministrisë së Financave.

Historia e Pallatit
Me fondin që u mor nga kredia SVEA, u ndërtua godina që sot njihet si Pallati Mbretëror, por gjatë viteve ka pësuar destinacione të ndryshme. Pas ndërtimit nuk u kthye në pallat presidencial, por fillimisht shërbeu si shtëpi pritjeje, ku zhvilloheshin pritje zyrtare. Më pas ndërroi sërish destinacion dhe në të ndenjën motrat e Zogut, sepse nuk kishin ku të rrinin në Tiranë. Pas Luftës, godina ndërroi disa herë funksion dike shërbyer edhe si seli e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, derisa në fund të viteve ’60, ajo u kthye në Pallatin e Pionierëve. Në vitin 2000, qeveria Nano, këtë godinë ia kaloi Institutit të Monumenteve të Kulturës, duke e kthyer në seli të institucionit më të rëndësishëm të kulturës në vend. Asokohe, me një fond prej 20 milionë lekë të reja, u restaurua e gjithë ndërtesa. U restaurua çatia, suvatimet, dyshemetë, dyert dhe dritaret u vendosën të reja, u vendos sistemi i ftohjes dhe i ngrohjes, dhe u mendua se shpëtoi jo vetëm godina por edhe arkiva e Institutit.


Ish Pallati i Pionerëve, tashmë Pallati Mbretëror



Por në vitin 2005, pas ardhjes së qeverisë Berisha, gjithçka filloi nga fillimi. Në një moment që atij i duhej mbështetja e monarkistëve, Kryeministri Berisha ndërmori një veprim të papritur dhe të pambështetur në asnjë ligj. Brenda 24 orëve i dha urdhër ministrit të Kulturës, Bujar Leskaj, të lironte pallatin dhe t’ia dorëzonte familjes së Zogut. Nga Ministri Leskaj, Instituti mori urdhër të lironte pallatin dhe brenda 24 orëve u lirua duke dëmtuar në mënyrë të rëndë pajisjet dhe arkivin që kishte. Në këtë mënyrë godina u lirua dhe iu dorëzua Leka Zogut pa asnjë dokument. Në atë kohë në Kuvend u bë edhe një interpelancë për këtë çështje, ku Berisha deklaroi se “Unë po ia jap Zogut dhe letrat le t’i bëjë më vonë”. Disa muaj pas kësaj deklarate të Kryeministrit, doli vendimi i Komisionit të Kthimit të Pronave, që natyrisht nuk mund t’i binte kundër fjalës së Berishës dhe prona u regjistrua në emër të trashëgimtarëve të Zogut. Lame thotë se: “Kjo që bëri Komisioni i Kthimit të Pronave, është njësoj sikur Nano të kërkonte pronësinë mbi Vilën Qeveritare 31, e cila u rikonstruktua kur ai ishte Kryeministër, apo sikur Bamir Topi të kërkojë pas disa vjetësh pronësinë e godinës së Presidencës, pasi edhe kjo u rikonstruktua gjatë kohës kur ai ishte President i Republikës”. I pyetur nëse do ta vazhdojë luftën për kthimin e kësaj prone shtetit shqiptar, Lame shprehet se: “Natyrisht që do ta vazhdoj, megjithëse pres që pjesëtarë të këtij procesi të bëhen edhe organet shtetërore që paguhen për këtë punë. E kam fjalën për Kontrollin e Shtetit, për Prokurorinë, për Avokatin e Shtetit, e kështu me radhë”.

Kthimi i eshtrave
I pyetur për vendimin e kryeministrit Berisha për kthimin e eshtrave të mbretit Zog në atdhe, Artan Lame shprehet se ky është një vendim i drejtë. Gjithashtu ai thotë se dhe nga ana financiare duhet të jetë shteti shqiptar që duhet ta financojë këtë gjë, pasi Zogu ka pasur funksionin e kreut të shtetit. Por sipas tij, nuk duhet të harrohet fakti se trashëgimtarët e tij kanë marrë me pa të drejtë prona shtetërore që nuk u takojnë. “Siç jemi në dijeni, kryeministri Berisha do bënte kthimin e eshtrave të Zogut në atdhe. Kthimi i eshtrave në Atdhe, nga pikëpamja historike, është e drejtë, por jam i bindur se Berisha nuk po e bën se i intereson shumë drejtësia e Zogut. Meqenëse këtej po flitet për hapje kutish e manipulime në zgjedhje, Berisha sipas teknikës së tij, vendos që të bëjë pak tymnajë, duke hequr vëmendjen nga këto ngjarje. Unë do thosha se shqiptarët i kanë borxh Zogut varrin e të atit, ndërsa ai u ka borxh Pallatin e Pionierëve, sepse është pronë e shtetit shqiptar”, - thekson Lame. Më tej ai vijon se: “Vetë Zogu nuk e ka pretenduar asnjëherë këtë si pronë, pasi ai e ndërtoi atë si pronë shtetërore dhe me pará shtetërore. Kjo që ndodhi është një spekulim i trashëgimtarëve të tij dhe i atyre që rrinë rrotull tyre për të kapur ndonjë pronë apo çfarë të mundin”. Lame, kur thotë se shqiptarët i kanë borxh varrin Zogut, e lidh me faktin se në periudhën e komunizmit Mbretit Zog i kanë shkatërruar varrin e të ëmës, e cila ishte e varrosur në tyrben që ndodhej në kodrat e Saukut. “Për sa i përket varrit, pas vdekjes së nënës mbretëreshë, të ëmës së Zogut, Sadije Toptani, ajo u varros në kodrat e Saukut, aty u ndërtua një mauzole, godinë me vlera të jashtëzakonshme arkitekturore. Ajo ishte shumë moderne për kohën, në stilin e racionalizmit monumental, u kthye në një vend pelegrinazhi zyrtar për delegacionet e huaja që vinin në Shqipëri.
Pas pushtimit, italianët nuk e prekën, se s’kishin përse të merreshin me varre, u mjaftuan me largimin e mbretit. Por më pas, në nëntor të vitit 1944, menjëherë pas hyrjes së partizanëve në Tiranë, me urdhër të Mehmet Shehut, varri u hodh në erë, godina u zhvesh nga mermeri, nga pajisjet prej bronzi dhe për shumë kohë u përdor si depozitë veglash pune për punëtorët e Parkut të Liqenit”, - sqaron ai. Më tej, në vitet ‘70, udhëheqësve të asaj kohe, ndofta iu kujtua ndonjë fantazmë dhe, me një urdhër tjetër, e hodhën komplet në erë godinën duke e rrafshuar me tokën. “Pikërisht për këto arsye, unë gjykoj që shteti shqiptar është ai që ia hodhi në erë dhe shteti shqiptar ka detyrimin, pavarësisht se kush është në pushtet, shteti ka vijueshmëri, ka detyrimin që ta rindërtojë dhe në të, të vendosen eshtrat e Zogut pas kthimit të tyre në Shqipëri. Detyrim për të cilin, unë gjykoj se edhe nga pikëpamja financiare është detyrim i shtetit shqiptar, pasi kemi të bëjmë me një kryetar shteti, sepse Zogu ka qenë kryetar i shtetit shqiptar dhe është borxh i shtetit që ta bëjë këtë gjë. Këtu mbaron detyrimi i shtetit dhe vënia në vend e një padrejtësie. Por detyrë e shtetit shqiptar, siç po ndërmerr këtë gjë, është edhe të ndërmarrë detyrën tjetër, të kërkojë kthimin e pronave të veta, pasi janë pronë e gjithë shqiptarëve. Pronat duhet t’i kthehen pronarit të ligjshëm, që në rastin konkret është po shteti shqiptar”, - ka përfunduar Lame.

Ermelinda Hoxhaj, G. Shqiptare

No comments: