Shikimet

Monday, December 7, 2009

Raca shqiptare në shekuj

NDIKIMET NË GJAK DHE NDIKIMET NË GJUHË E QYTETRIM - KOLONIT GREKE DHE PUSHTIMI ROMAK - DYNDJET E SËRBVET E TË BULLGARVET - DIASPORA E PARË SHQIPTARE - MYSLIMANIZMI DHE RACA - SHQIPTARËT NE KOSOVË - SHQIPTARËT E MËDHENJ.



Të flaç për origjinën e largët të një populli evropian, nuk ke thënë kurrgjë për racën e tij, pse dyndjet e shumta të popujvet që kanë mbushur faqet e historis së mesme e të ré, që nga shkatrrimi i Romës gjer në ditët t'ona, kanë lënë, pa dyshim, gjurmë të pashlyershme në kartën ethnografike të këtij kontinenti. Shumë popuj,dikur krejt të pastër për racë, sot janë ndryshuar kaq fort, sa që munt të thuhet se në venat e tyre qarkullon çdo lloj gjaku tjetër përveç atij të fisit q'i u ka lënë emrin ose, ndonjë herë, gjuhën. Shëmbullin më të gjallë na e japin Grekët e sotshëm. Thezin e shpallur nga Fallmerayer-i e përkrahin edhe anthropologët: shumë pak gjak i u ka mbetur fqinjvet t'anë të jugës nga Elenët e moçëm. Gjuha e Omerit mbulon me mantelin e sajë një tok Shqiptarësh e Sllavësh t'ardhur në Gadishullin elenik gjatë sundimit bizantin q' i a ka ndryshuar krejt vijat morfologjike dhe veçorit psiqike popullit vëndës.


Perandoria Ilire

Po ajo vëré munt të bëhet edhe për pjesën më të madhe t'ilirvet të vjetër. Fiset e tyre, të shumta në numër, ishin përhapur që përtej Danubit — Baviera, Austrija e Hungarija banoheshin prej tyre

1) — gjer në gjirin e Ambracis dhe një vijë që ndjek afër e ngjat kufirin e paraluftës midis Jugosllavis e Rumanis dhe Jugosllavis e Bullgaris i ndante, nga ana e lindjes, me popujt fqinjë q'ishin, edhe këta, të një gjaku me ta. Mbrënda këtij trekëndshi kaq të math, sot zë vënt një grumbull popujsh të ndryshëm: Gjermanë, Kroatë, Sërbë, Malazias, Bosnjakë e Hercegovinas, Bullgarë, Shqiptarë e Vllehë, pa përmëndur grupet e tjera më të vogla që janë
infiltruar më me pakicë. Për të kuptuar si kanë ndodhur këto shtrajtime ethnike, duhen përmëndur pa tjetër lëvizjet e fisevet të ndryshme që janë sjellë ndër këto vise e që kanë lënë në racë gjurmë të pashlyershme.

Edhe kur një popull, si Ilirët, zë vënt në një trevë të caktuar dhe heth rrënjë ndër viset më të përshtatëshme për banesë, nuk siguron pastërtin e gjakut për sa kohë popuj të tjerë, për arsye imperializmi ose pse vazhdojnë jetën endacake, hidhen në trevën e tij dhe ose e pushtojnë ushtarakisht ose depërtohen (infiltrohen) në të. Këta, në çdo rasje, i a turbullojnë pak a shumë qytetrimin dhe i a përziejnë gjakun. J. Brunhes, në veprën e tij La Géographie de l’Histoire i dallon lëvizjet e popujve «në lëvizje që ndryshojnë karakterin e racave pse veprojnë në turma të mëdha (racial drift) e në lëvizje që ndryshojnë vetëm qytetrimin e tyre (cultural drift), pse të riardhurit nuk bëjnë gjë tjetër veçse depërtohen, treten në popullsin e më parëshme të vëndit ; por edhe depërtimi (infiltrimi) nuk kalon pa lënë ndonjë ndikim në racë 2)».

Mendimi i këtij Auktori i përngjan, me gjithë se nuk përputhet, edhe përfundimit në të cilin arrin Pittard-i. Anthropologu zviceran mendon se shumë rrallë ndoth që një popull t'i japë veçorit e veta fizike një populli tjetër që pushton. Pikërisht këtë thonë edhe Gini, Martial-i e Genna. I pari flet mbi qëndresën e pamposhtur të veçorive anthropologjike të popujvet të sunduar për ball ndikimevet të popujvet sundonjës ; i dyti thot se metiçët e lindur nga kryqzimet e Galvet me Romakët i humbën dal-e-ngadalë shënjat e romanizimit për shkak të kryqzimevet të mëvonëshme me elementin vëndës ; i treti përmënt se si depërtimet e Asirvet të vjetër ndër Ebrej nuk kanë numdur të ndryshojnë përbërjen etnike të këtyreve të fundit, me gjithë se të dy këta popuj i përkisnin trungut semit 3).

Popujt që kanë patur të bëjnë me Ilirët gjatë shekujve kanë qënë kolonizatorë, pushtonjës ushtarakë ose migrantë endacakë. Këta nuk kanë patur kontakt të barabartë me të gjithë turmën ilirike të përhapur në një trevë kaq të madhe. Por, ndërsa ndrydhja e tyre ka qënë m'e fortë për disa fise e vise, ka qënë shumë m'e dobët ose nuk ësht ndier aspak ndër fise e vise të tjera. Disa nga këta popuj nuk kanë lëne gjurmë veçse në qytetrim; kurse disa të tjerë kanë lënë
shumë gjak ndër viset e pushtuara. "Vetëm ai grup i Ilirvet që më vonë u çqua me emrin Shqiptar, qëndroi m'i pastërti dhe, me gjithë se e ndjeu mjaft ndikesën e qytetrimit të huaj, mbeti gati krejt i paprekur për nga raca.

Por, për të kuptuar këtë të vërtetë, duhet të hyjmë pak në histori e të flasim, në vija të përgjithëshme, mbi trajtën e përpjekjevet që Ilirët e moçëm e Shqiptarët e mëvonshëm patën me të huaj.

***

Në jugë të viseve që banoheshin prej të parvet t'anë qëndronte një popull shumë m'i qytetruar e m'i organizuar se ata. Grekët kishin zënë vënt në një tokë të varfër. Për të jetuar në nivelin q'i u impononte qytetrimi, kishin nevojë për të shfrytzuar vise më të pasura të banuara prej popujsh që ata i thirrnin barbarë. Kishin, për ato kohë, një industri të përparuar dhe, mbi të gjitha, një tregti shumë të zhvilluar. I u shisnin «barbarvet» mallra të fabrikuar në qytetet e tyre të shkëlqyera ose të blerë ndër vise të tjera të Mesdheut dhe i u mirrnin ç'u duhej për të jetuar: drith, metale të çëmuarshme e çdo pasuri tjetër. Deti Mesdhé ishte qarkuar prej kollonive të tyre të lulzuara. Edhe në Bregun lindor t'Adriatikut, Grekët themeluan një vark qytetesh midis së cilave çquhen Buthroton, Phoinikon, Apollonia, Dyrrachion, Nymphaion e Lissus.

Ndikimi helen ndër këto vise ësht ndier më fort në kulturë. Në besim e gjuhë ka lënë vrraga të lehta. Por kudo, në një sipërfaqe të kufizuar. Në veri nuk largohej shumë prej rretheve të kollonis, ndërsa ne jugë, hinterlandi shtrihej diçka më tepër. Përveç skelave të bregdetit, në mes t'Apollonis e të Butrintos kemi edhe disa qëndra të tjera greke, sidomos në Mallakastër, që shërbenin si tregje ku, midis vendësvet e t'ardhurvet shkëmbeheshin prodhime bujqësore me lëndë industrore. Kultura q'u përhap në këto vise ishte greke. Por harti grek, diku diku merr trajta të posaçme që kanë lindur nga shpirti krijonjës i vëndit. Shëmbull: kapitelet e stilit apolloniat të zbuluara në Pojan nga Kryetari i Misjonit frëng Léon Rey. Por, sidoqoftë, mbetemi në fushën e kulturës. Përzierje gjaku nuk ka pasur aspak, ose ka pasur aq shumë pak sa që nuk vlen as të zihet me gojë.


Perandoria Romake


Me pushtimin romak ndikesa e huaj bëhet shumë m'e fortë. Passi Mbreti i funtmë i Ilirvet, Genci, thyhet, zihet rop (në vitin 168 p.e.s.) dhe dërgohet në Romë për të stolisur karrocën triumfore të Pretorit Lucius Anicius, të gjitha tokët e Mbretris së tij e të fisevet të tjera bjenë dal-e-ngadalë në dorë t'ushtris së fortë të Qytetit të shiat kodravet. Populli ngadhnjimtar nuk ësht vetëm i fuqishëm ushtarakisht, por qëndron edhe shumë përpara në qytetrim. Ndikimi i tij, në krye i kufizuar, u përhap në të katër anët e tokës ilire, por nuk e romanizoi krejtësisht popullin që banonte në të.

Ky ndikim nuk qe i barabartë në të gjitha viset ; diku u ndie shumë më tepër e diku shumë më pak. Drejtimet e tij përputhen me ato q'u ndoqën nga legjionet ushtarake. Ndjekin pra rrugët e detit e ato të tokës që topografikisht nuk pengojnë kalimin. Në vija të përgjithëshme presioni romak u ndie më tepër në bregdetin dalmatin, rreth e rrotull rrugës Egnatia që shkonte nga Apollonia e Durrsi deri në Salonik dhe në luginën e Danubit. Në këtë të funtmen, sidomos, presjoni ka qënë shumë m'i fortë, pse legjionet e Romës kishin zënë vënt me shumicë jo aq për të siguruar arterjet më të rëndësishme të lëvizjes së tyre nga sulmet e vendësvet, se sa për të penguar, në një vark fortifikimesh, — q'u shtuan shumë më tepër në kohën e Justinianit e të perandorvet të tjerë të Bizancit — çdo mësymje të papritur të popujve nomadë e gjysëm t'egjër që vinin prej veriut e prej veri-lindjes. Kemi pra disa pjesë të tokës ilire shumë të ndikuara e disa të tjera, posaçërisht viset malore ose të varfra ekonomikisht ose ato q'u ndodhën lark këtyre rrugëve jetike për Romën, gati të paprekura.

Qytetrimi i Romës la gjurmë të pashlyershme në çdo sektor të jetës. Gjuha pësoi më fortë se të gjitha. Në shumë vise ilirishtja nuk u fol më dhe vëndin e sajë e zuri latinishtja. «Sikur të zgjaste edhe ca kohë ky zhvillim, thot Stadtmüller-i, atëherë gjuha e herëshme shqipe mbrënda një ose dy shekujve do t'i ishte shtrue krejtësisht romanizimit dhe Shqiptarët e sotshëm do të flitshin nji dialekt romak qi do t'ishte shumë i afërm me gjuhën rumune 4).»

Por, ndërsa qytetrimi e gjuha e ushtarvet të Romës u përhap ku më shumë e ku më pak në të gjithë Ilirin, asnjë historjan nuk flet për depërtim gjaku latin. Studimet anthropologjike, nga ana tjetër, e provojnë, siç do të shohim, këtë pastërti. Legjionet e Romës nuk patën kontakte të shumta me popullsin vëndëse. Nga viset e Ballkanit, vetëm në Dacje 5), e pra shumë lark prej tokës shqiptare, thot
historija, u themelua një koloni romane e shumtë në numër, por edhe kjo duhet të jetë larguar q'andej më 271 e.s., në kohën e Aureljanit, atëherë kur kërcënimi i Gotvet e kishte bërë të vështirë qëndrimin e sajë.

Nga ana tjetër, sundimi romak ka qënë shumë i butë me popujt e nënshtruar që nuk i qitnin ngatrresa. Ja ç'shkruan Patsch-i për të: «Romanët në luftë qenë t'egjër, e shtrojshin pa farë dhimbe çdo kryengritje. Por përkundrazi, kur sipëranija e tyne njihej e nderohej, atëherë i u jipshin të nënshtruemvet nji liri shumë të gjanë. Ata nuk u përkitshin në kombësin (mendo racën) e tyne, as në besim, as në kulturën qi kishin; edhe n'administratë i lijshin të lirë, për sa u jipshin leje interesat e Mbretnia, Ata nuk kërkojshin prej të nënshtruemve qi të shkriheshin e t’asimiloheshin me ta; por asht e dijtun se pushtimi prej nji populli të fortë, të dijtun e të përparuem, linte me doemos gjurmët e veta në popullin e mundun. Prej kësaj pune kuptohet lehtazi, qi të nënshtruemit, porsa shihnin se rifitimi i vetqeverimit të tyne nuk ishte i mundun, i shtroheshin gjëndjes së re, përparojshin, por tue ruejtë vetit kombtare 5)... »

Dhe duhet t'ishte pikërisht kështu. Ndryshe nuk ka si të spjegohet fakti që gati dy qint vjetë pas pushtimit nga Roma, fiset ilire e kishin akoma të ndezur ndjenjën e liris dhe, shumë ndër to, të prira nga Desetiatët e të komanduara nga Bato-ja, nisën kundër Romakve luftën për shkundjen e robëris, luftë kjo që zgjati plot tre vjetë (deri më 9 e.s.) dhe pati episoda të shkëlqyershëm trimërije 6)

***

Perandoria Bizantine


Gjatë sundimit të Perandoris bizantine, popuj të shumtë racash të ndryshme i turren tokëvet të pasura të Gadishullit, i drejtohen shumë herë Kostantinopolit dhe e ndryshojnë kryekëput kartën ethnike të visevet ku shkelin. Shumë nga këta kalojnë nëpër krahinat ilire, por kalim meteorësh: vrasin, plaçkitin, pa lënë asnjë trragë tjetër. Kështu ndoth me Gotët, me Hunët, me Antët, me Hungarët, me Avarët 7).

Të huaj qenë edhe Venecjanët, Amalfitanët e Raguzanët që mbajtën shumë koloni në bregun e Adriatikut, por as përpjekjet me këta popuj nuk kanë ndonjë rëndësi, pse krijuan vetëm marëdhënje tregtare e jo lidhje gjaku. Nga këta, Venecjanët kanë pasur edhe një farë sipëranije politike ndër disa krahina afër detit. Më vonë Normanët e Angjevinët krijuan mbretrira që mbetën më këmbë për shumë vjetë; por kemi të bëjmë gjithnjë me sundime politike e ushtarake e jo me migracjone popujsh të tërë që munt të ndryshojnë gjakun e vëndasvet me të cilët përzihen.

Dy rreziqe i janë kërcënuar racës shqiptare gjatë sundimit bizantin: ai i greqizmit dhe ai i sllavizmit. Ndërsa i pari do të ndihej vetëm në gjuhë e në kulturë, i dyti do t'ishte me të vërtetë rrezik për çdukjen ose përzierjen e fortë të gjakut e prandaj do të kishte për rrjedhim shuarjen e njësis racore shqiptare në Ballkan.

Një farë ndikese të helenizmit e ndjeu populli i ynë porsa Perandorija e Lindjes u nda nga ajo e Perëndimit. Thuaj se e gjithë toka e Ilirvet mbeti nën Bizantinët e prej tyre mori pjesërisht fén orthodokse dhe pësoi n'organizimin shoqëror, ekonomik e familjar mbresa të forta që kanë mbetur të pashlyera gjer në ditët e sotëshme. Sikur kjo Perandori t'ishte ushtarakisht m'e fuqishme, me kulturën e sajë të zhvilluar, me ligjët e përsosura dhe me administratën e mënçme kishte për t'a greqizuar shumë shpejt vëndin t'onë, por ngatrresat e mbrëndëshme dhe luftrat e jashtëme e penguan një veprim të këtillë. Nga kjo pikpamje krijimi i Perandoris latine të Bizancit në Kryqëzatën e katërt e, bashkë me këtë, forcimi i auktoritetit të Dogëvet dhe sundimi i Normanvet e i Angjevinvet kanë qënë një farë kundërpeshe e nevojshme 8). Por pengimin më të math helenizimit i a solli dyndja e Sllavëvet, do me thënë e Serbëvet dhe e Bullgarëvet, në Ballkan. Kjo çduku një rrezik, por ngjalli një rrezik tjetër shumë më të math.

Sërbët ishin bujqë e druarë 9) dhe prandaj të pazotë për luftë. Përhapjen dhe fitimet e tyre u a detyrojnë Avarvet prej gjaku turk që dikur, si fise ushtarake kalorse, shkonin jetë nomade në krahinën e Panonis. U dukën në tokën bizantine në kohën e mbretrimit të çquar të Justinianit, por, me gjithë se në fillim nuk patën sukses pse fuqija e monarkut ilirjan ishte e madhe, nuk shkoi kohë që të bëhen element i rrezikshëm për Perandorin. Shkelën në dy valë viset e Iliris. Vala e parë nuk ka asnjë rëndësi, pse mësymjet bëhen në grupe të vogla dhe jo prej njësish politike t'organizuara. Qëllimi i këtyre lëvizjeve nuk qe që të kërkonin banesa të reja, por që të bënin plaçkë; pas çdo mësymje ata ktheheshin rishtas përtej Danubit ku kishin banesën e zakonëshme.

Vala e dytë qe shumë m'e rreptë. Të bashkuar me Avarët, ata më 578 shkretuan Thrakën, Ilirin e vise të tjera dhe u hodhën gjer në Greqi 10). Selaniku u mësye për të parën herë prej tyre.

Jehona e pushtimevet të këtyre fiseve barbare u përhap shpejt në të gjithë Perandorin, pra deri në vise të largëta t'Azis e t'Afrikës. Duket se në disa luftëra këta kanë bashkëpunuar edhe me fise ilire. Peshkopi egjyptian i Nikiu-s shkruante aso here në këtë mënyrë: «Në lidhje me Perandorin romane ka lajme se mbretrit e kësaj kohe, bashkë me Barbarët, me popuj të huaj e me Ilirjanë, rrënojnë qytetet kristjane dhe marrin banonjsit robër. Vetëm qyteti i Salonikut ka mundur të shpëtojë pse i ka muret e forta dhe, për hir të mbrojtjes së Zotit, popujt e huaj nuk kanë mundur t'a marrin ; por i gjithë populli i krahinës ka dalë fare 11)».

Kuptohet nga kjo kronikë se munt të ketë pasur një farë bashkëpunimi midis Sërbve dhe një pjese Ilirjanësh ndër vjetët e parë t'ardhjes së tyre në Ballkan ose, të paktën, ordhit sllave nuk duhet të jenë pritur keq prej Ilirvet në krahinat e të cilëvet zunë vënt. E kjo duhet t'i ketë sjellë dobi të madhe praktike popullit vëndas: ndalimin e çfarosjes ose të largimit të tij nga toka ku banonte që prej shekujsh. Por, sidoqoftë, kurrgjë nuk i pengonte Sërbët që të shtriheshin sa nga veri-perndimi aq nga lindja. Disa nga fiset e tyre pushtuan bregdetin dalmatin, tokët që sot thirren Sloveni e Kroaci dhe arrijtën në veri gjer sa u takuan me popujt gjermanë e me Hungarezët. Në këtë trevë të gjërë ata u përzien me Ilirët e i u dhanë këtyreve gjuhën. Të tjera fise u përhapën në tokën që përbën Sërbin e sotëshme, në Bosnje, Hercegovinë, Mal të Zi e u shtyjtën deri n'Alpet Shqiptare.

Kjo pjesë e dytë ka për ne rëndësi shumë më të madhe pse, ndërsa e para zuri vënt nëpër treva të cilat që prej kohësh ishin romanizuar, kjo, me lëvizjet e herë-pas-herëshme ka qënë një kërcënim i vazhduarshëm për atë grup t'Ilirvet që më vonë u thirrën Arbër.

Rëndësi më të madhe nga Sërbët për Shqipërin e pa-romanizuar të shekujvet XI, XII, XIII kanë Bullgarët. Këta, kur shkelën për të parën herë në Ballkan t'udhëhequr nga Asparuchi dhe u vëndosën në Dobruxhën e sotëshme, ishin të pakët në numër, por luftarë të zotë e prandaj shumë të rrezikshëm për Perandorin e Bizancit. Nga kontakti që patën me Sllavët, të cilët n'atë kohë ishin përhapur në jugë të Danubit, u sllavizuan e u shtuan tepër, pse në rreshtat e tyre hyri edhe shumë element sërb. Muarën pra gjuhën e tyre, fén kristjane dhe, sidomos, gjakun sllav. Nxunë, gjithashtu, mjeshtrinë kryesore të Sërbvet, bujqësin.

Në takimet që këta Bullgarë të sllavizuar patën me Shqiptarët, prej shekullit të shtatë deri në shekullin e dhjetë, jetuan në paq 12). Në tre shekujt e pastajshëm kemi periudhën perandorake bullgare. Të prirë prej Perandorit të tyre Simeon i Math, këta luftojnë kundër Bizancit, e thyejnë në shumë anë ; i u shpallin luftë Sërbvet, i mposhtin edhe këta. Më 917 Shqipërija e jugës, Epiri me kryeqytetin e tij Nikopolis, dhe një pjes' e Shqipëris së mesme bjenë në duart e tyre.

Qëndrimi i Bullgarëvet në Shqipëri ka lënë shumë fjalë në gjuhë e, sidomos, shumë emra në toponomastikë. Munt të linte edhe shumë gjak e munt t'i sllavizonte krejtë krahinat jugore sikur Perandorija bizantine të mos ishte fuqizuar pas një shekulli nën skeptrin e perandorvet maqedhonas. Nga këta, Vasili i dytë, Bullgaroktoni, e sulmoi Carin Samuel disa herë, shkaktrroi ushtrin e tij të fortë dhe, më 1018, i dha përkohësisht funt fuqis së madhe që pat krijuar Simeoni. Mbretrija bullgare, kaq e rrezikëshme për racën t'onë, u bë copë e thërrime dhe vëndin e sajë e zuri Perandorija bizantine, sundimi i së cilës kishte më tepër karakter administrativ. Për administrimin e visevet shqiptare u krijua thema e Dyrracchium-it, me Durrsin si kryevënt.

Por disa familje bullgare duhet të kenë mbetur në Shqipëri edhe pas shkatrrimit t'organizatës së fortë politiko-ushtarake. Ndikesa e këtyre elementeve të mbetura, e mbajtur gjallë prej Patriarkatit t'Ohrit që ndodhej mu në zëmër të Shqipëris, u përtërit edhe një herë me rilindjen e Perandoris bullgare nën Ivan Asenin e parë. Për fat kjo përiudhë perandorake e dytë nuk zgjati për shumë kohë, pse, me
vdekjen e Asenit të dytë (1241), fuqija e tij, që munt të krahasohej me atë të Carit të parë, u çduk me një herë nga luftrat e mbëndëshme dhe, bashkë me të, edhe ndikesa bullgare në Shqipëri mori funt.

Në këtë kohë eksistenca e një Shqipërije kombëtare, «e një toke të banuar vetëm prej kësaj race», nuk munt të vihet në dyshim. Kur Ivan Aseni, Car i Bullgarve, ai që do t'i jepte funt Despotatit t'Epirit, fal një piivilegj tregtije, e vëndos krahinën e Devollit në «tokën e Arbanases.» Mbishkrimi i mirënjohur i Tërnovos, në të cilin Sovrani bullgar numron të gjitha pronat e tij, shënon edhe një «tokë e Arbanases» pranë një «toke greke» ... Barinjt shqiptarë, një soj si barinjt e famshëm vllehë, përmënden nga gjysma e shekullit të XIII.» 13)

Me shekullin e XlV-të fillon të bëhet fjalë edhe një herë për Sërbët. Këta nisën t'organizohen politikisht e ushtarakisht. Mbretrija e themeluar prej Stefan Nemanjës zgjati thuajse një shekull dhe, nën Stefan Dushanin, u zgjerua kaq shumë sa përmblodhi në gjirin e sajë, përveç Sërbis së Vjetër, edhe të gjithë Shqipërin me kufijt ethnikë të sotshëm, Greqin, Maqedhonin e një pjesë të Thrakës. Stefan Dushani vetë, ditën e pashkëve të vitit 1346, u kurorzua «perandor i Sërbëve, Shqiptarëve, Bullgarëve dhe Grekëve» prej patriarkut sërb të Shkupit në prani të patriarkut bullgar t’Ohrit, të kryeigumenit të Malit të Shënjtë e të shumë peshkopve të tjerë, të mbledhur nga të gjitha viset e Mbretëris së tij të gjërë dhe po përgatitej për t'i rënë Kostantinopolit 14). Por vdekja e tij e papritur (1355) shkaktoi edhe vdekjen e rrezikut sllav për Bizancin dhe për vëndin t'onë. Princat e vogjël u shpallën me një herë më vehte dhe prenë çdo marëdhënje me Sërbët. Tyrqit, më në funt, i dhanë shkelmin e vdekjes organizimit të Car Dushanit kur, në luftën e Kosovës (1389), vranë krajlin e tyre të funtëm, Lazarin.
Kur Sllavët shkelën ndër viset ilire, gjetën atje këto popullsira: në veri të Danubit, Gjermanë; në disa koloni bregdetase, Grekë; në të gjithë pjesën veriore të Ballkanit, prej Adriatikut gjer në kufi të Dakjes, Ilirë të romanizuar e disa Romakë; ndër disa vise malore e të varfra që nuk përshkoheshin prej rrugësh të rëndësishme, llirë të pastër nga gjaku që vetëm në gjuhë e në qytetrim kishin ndjerë pak a shumë ndikimin latin. Ordhit e reja barbare e detyrojnë popullsin e vjetër të romanizuar e të greqizuar të viseve të mbrëndëshme të Ballkanit që t'ikij e të vëndoset në qytetet e bregut t'Adriatikut e nëpër ishujt e detit ku qëndroi nën mbrojtjen e flotës bizantine 15). Një numër i vogël shkoi në male ku pjesërisht u shqiptarizua, pjesërisht u sllavizua. Një pjesë tjetër — dhe kjo duhet të jetë m'e madhja — pranoi të bashkëjetojë me pushtonjsit e të ndjekë lëvizjet e tyre ushtarake dhe dal' e ngadalë e humbi gjuhën e vetë. Eksistenca e Morlakvet si njësi ethnike e dalluar mirë deri në shekullin e XVII-të, tregon se disa nga Ilirët e romanizuar kaluan ndër male 16).

Në këtë mënyrë krahinat e gjëra që dikur banoheshin prej Ilirësh, që nga Danubi e gjer në rrëzë t'Alpeve Shqiptare dhe që nga bregdeti dalmatin e gjer në viset më të skajëshme të lindjes, sllavizohen të gjitha. Ka midis këtyreve ishuj që e kanë mbajtur të pastër gjakun shqiptar dhe të paprekur gjuhën gjer në shekullin e XIV-të 17); por edhe këta ishuj me kohë asimilohen.

Studimet anthropologjike vërtetojnë qartas se në trajtimin racor të popullit sllav të jugës ka shumë gjak ilir 18). Bilé, munt të thuhet se e gjithë pjesa perndimore e Gadishullit ilirik që përmbleth Kroatët, Dalmatinët, Bosnjakët, Malazezët,
Shqiptarët dhe gjysmën e Grekvet ësht e popullzuar prej fisesh që kanë të gjitha tiparet e racës ilirike e prandaj përbëjnë së bashku një unitet ethnik të çquar mirë. Kartat e botuara prej Pittard-it në Les Peuples des Balkans flasin qartas për këtë të vërtetë.

Hapsira ku shtrihet raca shqiptare pas vërshimeve sllave ësht pra shumë e kufizuar: përfshin disa malsira të Shqipëris së sotëshme. Si pas Stadtmüller-it vetëm krahinën e Matit 19). Por thezi i albanologut të ri gjerman, që ka hasur në kundërshrime të shumta, nuk duhet t'i përshtatet shumë së vërtetës. Po të jetë siç thot ai, ku u gjeten qindra mijrat e Shqiptarvet q'u shpërndanë, duke nisur prej të XI-it shekull, në të gjithë Greqin perndimore e jugore, në viset e Vardarit e të Kosovës e, më vonë, pas luftravet me Tyrqit, edhe n'Itali? Por t'a lëmë më nj'anë këtë çështje. Ësht punë historianësh dhe linguistësh të zotë për t'a shoshitur thezin e Stadtmüller-it.

Duhet pranuar veç, se sipërfaqja toksore ku shtrihej raca shqiptare ishte shumë e kufizuar gjer në shekullin e njëmbëdhjettë, do me thënë deri në shkatrrimin e Perandoris së parë bullgare të themeluar nga Cari Simeon.

***
Pas tatëpjetës së kësaj fuqije fillon zgjerimi i hapsirës jetsore të Shqiptarvet, më parë në fusha e kodrina të Shqipëris së mesme e jugore prej nga dëbohen ose nënshtrohen pronarët e bujqit sllavë 20); më pas në vise më të largëta drejt Greqis. Lajmin më të parë të migracjonit shqiptar në gadishullin elenik e kemi nga vjetët 1021-1022 21).

Me ardhjen në fuqi të një serije perandorësh të zotë në Bizanc, migracjoni jashtë kufijve toksorë të Shqipris ndërpritet, por kolonizimi i mbrëndshëm vijon. Tokët pjellore nisin të banohen e të punohen prej vetë Shqiptarëvet. «Nëpër malet shqiptare, të paprekuna nga lufta e rreziqet, popullsija e njij race shumë të bukur u mbajtë e freskët, pjellore, e shëndoshë, me nji jetësi të jashtëzakonëshme ndër disa vise, e qëndrueshme ndër të gjitha fatkeqsit, luftare... Ai element bredhës filloi me u rrotulluem prej maleve ndër fusha i lodhun prej luftavet të pandame e prej rreziqevet të të papushueme 22).»

Në funt të shekullit XIII nis vala m'e madhe e përhapjes së fiseve shqiptare përjashta tokës së vet duke ndjekur dy rrugë: drejt veri-lindjes vëndosen në Kosovë, Rashë, Sërbi, në një pjesë të madhe të Maqedhonis verjore e perndimore; drejt jugës ngulen në Thesali, Epir, Etoli e Akarnani 23). Shumë nga këta braktisin tokët e porsa-hapura të Myzeqés e të Savrës për të shkuar në viset e largëta të Gadishullit helenik 24). Diku janë të ftuar prej vetë pronarvet të tokëvet që kishin mbetur djerrë 25) ; diku thërriten prej despotvet bizantinë të vëndit të cilët kanë nevojë për fuqira ushtarake që të mbrohen kundër Tyrqvet 26) ; diku shkojnë vetë në fise t'organizuara ushtarakisht e t'udhëhequra prej princërvet të tyre 27) ose të huaj 28).

N'atë kohë në Greqi zjente një shpirt kolonizimi një soj si n'Itali n'epokën e kolonizimit të math të Gjermanvet 29). Shkaku duhet kërkuar në rrallimin e fortë të popullsis greko-sllave t'atëhershme prej luftravet të dëndura e sidomos prej murtajës së zezë të vitit 1346 e cila u përhap nga thellsit e Azis në Greqin e jugës dhe shkaktoi vdekje të panumërta 30).

Shqiptarët që shkuan në Gadishullin helenik u shpërndanë pjesërisht në Thesali e pjesërisht në krahinat përndimore. Ata të Thesalis përmënden që në kohën e Andronikut të tretë (1328-1341) si pronarë të mëdhaj tokësh (arhondër) 31). Me shkeljen e Stefan Dushanit në këtë krahinë, arhondët dhe stratiotët grekë u dëbuan prej çifliqeve të veta dhe vëndin e tyre e zunë, më të shumtën, kryetarët shqiptarë e prandaj numri i tyre u shtua më tepër 32).
Nga Epiri, Etolija e Akarnanija, me kohë u larguan disa Shqiptarë të ndarë në dy degë: njëra degë shkoi në Beoti. Atikë, Negropont dhe n'ishujt e tjerë të detit Egjé. Pjesa tjetër, e ftuar prej Despotit të Misthrës, Manuel Kantakuzenit, kalon gjirin e Korinthit dhe vëndoset në Moré (1383) 33). Ftesa përsëritet nga Despoti i mëpastajshëm Theodor Paleologu dhe numri i familjevet shqiptare shtohet akoma më tepër 34).

Shqiptarët ishin trima e puntorë e prandaj, me fuqin e pushkës dhe me punën e tyre të parreshtur, i suallën dobira të mëdha vëndit. Perandori Manuel i dytë, thot Vasiliev-i, në fjalimin e varrimit që mbajti për Despotin që solli Shqiptarët, e lavdëron atë shumë për këtë masë me vënt 35).

Në këtë mënyrë Shqiptarët u përhapën me shumicë në të gjithë Greqin. Në Moré, kaq i math qe numri i tyre, sa që një shkrimtar e diplomat i kohës, Gjergj Phrantzae, si me lot për faqe, ankon se në kohë të tij, në gjysmën e shekullit të pesmëdhjetë, dy të tretat e Gadishullit ishin shqiptare me 290 mij vetë e me 30 mij luflarë 36).

Me dukjen e parë të Tyrqvet ndër tokët t'ona, krijohet edhe një rrugë e ré shpërngulje për Shqiptarët; shumë familje shkojnë n'Itali, në Raguzë, Venetik, Rekanatë e Ankonë, por nuk trajtojnë kolonira të caktuara. Këto kolonira themelohen më vonë në Pulje, Kalabri, e Siqeli, kur rreziku tyrk shtohet e sidomos atëherë kur Heroi i ynë kombëtar ndrron jetë dhe ushtrit e pathyershme të Sulltanit pushtojnë me radhë të gjitha kështjellat e forta dhe qytetet e lulëzuara.

***

Gennaro M. Monti shkruan: « pushteti i Tyrqvet më shumë se një sundim i vërtetë qe një sovranitet i lartë 37).» Ka pasur karakter administrativ e ushtarak e prandaj nuk do të kishte rëndësi të madhe për historin e racës s'onë, sikur herë pas here mos të kishin dalë njerz që gjejnë halën në përpeq e të kishin thënë se tyrqizmi ka lënë gjurmë të pashlyershme, se e ka ndryshuar gati krejt gjakun arjan e se ka çrrënjosur cilsit ario-evropjane nga populli shqiptar.

Akuza ësht e vjetër; dhe, me gjithë se ësht përgënjeshtruar disa herë, prap, kur ndokush ka pasur interes, ësht përsëritur. Këtë mendim pa vënt këta njerz e mbështesin në myslimanizmin që u përhap në tri të katërtat e popullit shqiptar. A ka ndonjë farë themeli ky besim? Asnjë. Pse myslimanizëm nuk do të thotë tyrqizëm, sado që, pas pushtimit t'Egjyptit prej Tyrqvet, përfaqsonjsi i Muhamedit në tokë ishte një kryetar shteti, vetë Sulltani i Osmanllinjvet. Të besojmë sa shkruajnë këta të huaj të përciptë ose dashakeqë, do t'ishte një soj sikur të pohojmë se Gjermanët ndrruan gjak, pse lanë paganizmin dhe përqafuan krishterimin ose se Englezët e sotshëm nuk janë më ata të pesqint vjetve më parë, pse u ndanë nga Kisha Katholike Apostollore Romane.

Duhet të pranohej sa thonë këta, sikur myslimanizmi të përhapej me anën e turmave kolone tyrke të vëndosura prej Portës së Lartë ndër krahina të ndryshme të Shqipëris. Por një kolonizim të këtillë nuk e përmënt asnjë herë historija. Ettore Rossi, kur mirret me përhapjen e fes së Pejgamberit pohon: «nuk munt të thuhet se islamizmi i Shqipëris ka qënë i ndihmuar prej imigrimit t'elementevet tyrke. Sulltanët shpërndanë disa fise t'Anadollit nëpër Ballkan, por nuk i shtyjtën këto gjer në Shqipëri 38).»

Një misjonar, Fr. Angelo da Bergamo, i cili pat vizituar vëndin t'onë që në gjysmën e parë të gjashtqindshit. « pat vënë ré se Shqiptarët muhamedanë ishin gati të gjithë të lindur në vënt dhe se zbrisnin nga Kristjanët që kishin ndrruar fé 39). »

Gjithë këtë thot preras një i ditur pollak që studjon shpërndarjen e elementevet të racës tyrke në Ballkan: «me gjithë se Islami ësht shumë i përhapur në Shqipëri, nuk ka aglomeratë tyrke të rëndsishme në kët vënt 40).»

Kështu flet edhe arsyja. Sikur familje Osmanllinjsh ose Tartarësh të nguleshin në tokën t'onë, si këto do t'i humbisnin zakonet e gjuhën e tyre duke patur kontakt të vazhduarshëm me sundonjsit e një gjaku? Në Rumani ku sipëranija tyrke ka qënë shumë m'e dobët se në Shqipëri, pse atje kurdoherë janë mbajtur një farë autonomije dhe një princ kristjan në krye, shohim edhe sot se Gagauzët, Qyrdët, Lipovanët, Tartarët e Tyrqit, të vëndosur në Dobruxhë që prej kohësh, i kanë ruajtur dhe i ruajnë edhe ndër ditët t'ona gjuhën, fén, zakonet dhe tiparet e racës nga e kanë origjinën.

Duhet shtuar, më në funt, se nuk do t'ishte n'asnjë mënyrë e mundur që një popull me gjak të përzier e gati tyrk të ruajë për pesë shekuj ndjenjën e individualitetit kombëtar dhe të mos trëmbet as nga mallkimet e Babi Alis, por të kërkojë e të fitojë mvehtësin politike.Por prap — munt të thotë ndokush — edhe në mos qoftë e ardhur prej s'di se ku pjesa m'e madhe e myslimanvet, lihet për të dyshuar shumë në karakterin e, pikërisht, në racën (pse karakteri ësht funksjon i racës) e një populli që si pa të keq shqelmon fén e vetë për të pranuar një fé që s'ka asnjë lidhje me të parën. Këtu, mendon një studjonjës i problemeve shqiptare që mbahet si m'i thelli njohës i shpirtit t'onë, ka të bëjë një farë «forma mentis etiko-psikologjike paqëndrese që ësht diktuar kurdoherë në tokën ilirike dhe që ka ngjasje të rrjedhë nga coptimi politik nën të cilin qenë shtruar thuaj se pa prerë popullsit q'e banuan 41).»

Të njëjtin mendim e ka pas çfaqur me kohë Dr. Vladan Gjorgjeviçi. Ai e tha më rrumbullakët : Shqiptarët ndjekin një parim filozofik të çuditëshëm si pas të cilit « e kuj të jetë shpata e atij do të jetë edhe besa 42).»

A ësht e vërtetë kjo akuzë? Aspak.

Ësht e vërtetë vetëm se Shqiptari nuk ësht i lidhur shumë ngushtë me fé. Se Shqiptari, me të gjitha valët e qytetrimit të huaj që ka kaluar, ka mbetur prap se prap, në funt të shpirtit, pagan e se beson më me qejf në çukën e shkëmbënjtë të Tomorrit ose në guvën e thellë të Sarisalltëkut mbi Krujë, se sa në shënjtin më çudibërës, qoftë ky i myslimanvet, qoftë i kristjanvet; se trëmbet më shumë nga shitimi i Orëvet e i Zanavet se sa nga shpata e mprehtë e Kryeengjëllit Mëhill q'i u merr jetën njerzve. Kur paganizmi ësht rrënjosur kaq shumë në shpirtin e një populli, që s'ësht zhytur akoma kok' e këmbë në pellgun e qytetrimit evropjan, atij i duket se fét e tjera mundet t'i ndryshojë më me lehtësi, pse këto nuk i a çrrënjosin bestytnit me të cilat ai ka lidhur ngushtë botëkuptimin e tij, jetën e tij familjare e shoqërore.

Por, as kjo nuk ësht arsyja kryesore e përhapjes së myslimanizmit në Shqipëri. Arsyja e vërtetë duhet kërkuar në faktorët historikë e shoqërorë. Le t'i gërmojmë pak këta faktorë — veç sipërfaqësisht, pse mbi shkaqet dhe mënyrën e përhapjes së myslimanizmit në vëndin t'onë ësht shkruar shumë pak dhe gjysmakërisht.

Pas vdekjes së herojit t'onë kombëtar, Skënderbeut, ushtrit e mëdha të Sulltanit pushtuan me radhë te gjithë kështjellat që përfaqsonin fuqin e zogjvet të shqipes: Beratin, Krujën, Drishtin, Leshin, Shkodrën e më në funt Durrsin e Vlorën. Princat e priesat shqiptarë e kuptuan se i u kërcënohej jeta, nderi e besimi e prandaj u shpërngulën duke marrë me vehte të gjithë klasën që përfaqsonte bujarin e vëndit e, sidomos, klerin kristjan, pse pikërisht ky e ndjente vehten më fort në rrezik nën sundimin e Gjysëmhënës. Në tokën e Kastriotit mbetet atëherë populli m'i ulët (bujqit e barijt) e m'i pakulturë. Krye për t'a drejtuar, për t'a mbajtur të bashkuar e për t'i treguar rrugën e detyrës nuk ka. Ça do të thotë shumë, pse porsa ësht kaluar kufiri i Mesjetës së mbushur me feudalizmin karakteristik e me frymën kristjane fanatike të krijuar nga një numër tepër i ngjeshur priftrinjsh.

Për t'i u përshtatur rymës së re që po i a ndryshon dukien lëndore e shpirtrore të gjithë Evropës dhe, pastaj, për të gjetur rrugën më të drejtë që duhet ndjekur në vëndin e tij të pushtuar nga një popull krejt i huaj jo vetëm për gjak e gjuhë, por edhe për konceptin që ka për këtë e për atë jetë, Shqiptarit i duhen udhëheqës shpirtërorë shumë të zotë. Këta i mungojnë kryekëput e prandaj ky mbetet i hutuar në mes të katër rrugëve. Gati të gjithë krerët e Shqipëris që luftuan krah për krah me Skënderbén nuk qëndruan në mes të tij për t'i treguar udhën. Shumë të pakët qenë ata priftrinj që pranuan rreziqet e rënda q'i u kërcënoheshin për të shpëtuar shpirtrat e vllezërvet që s'munt të kapërcenin detin. Miqsija e Gjergj Kastriotit me Mbretin e Napolit dhe politika venecjane e muarën më qafë krishterimin shqiptar.
Dokumentat historikë e provojnë katërçipërisht mungesën e priesave politikë e shpirtërorë. Të gjitha relacjonet e shekujvet të XVI-të e të XVII-të q'i janë dërguar Vatikanit thonë se në Shqipëri nuk ka meshtarë e se ndonjë që këtu këtje mund të ketë mbetur, ësht kaq ignorant sa që memzi lexon Ungjillin 43). Shumë vise vetëm një herë në dhjetë vjetë e shikonin me sy barin e shpirtravet e, edhe kur kishin fatin të dëgjonin një meshë, nuk gjenin dot te prifti njerin e përshtatshëm që do t'i jipte dorën për t'a nxjerrë nga balta të mjerin që kishte ngecur në llomin e mëkateve e të dyshimit 44). «Më 1642, thot Sufflay, ishin në Shqipni të veriut priftën të rij pa asnji cilsi: ushtarët që në Lombardi kishin nxanë italishten, konkurrojshin me përfundim të mirë për priftënj 45).» Shumë kush lindte e vdiste pa parë meshtar me sy. Arkivat e huaja na dëftejnë gjithë ato rasje kur dinjitarë të dioqezeve katholike të Shqipëris e kalonin jetën në Zara, në Venetik ose në Romë pa shkelur asnjë herë në tokën e jurisdikcionit të tyre fetar 46).

Ç'ndoth ndër katholikë, pasqyrohet edhe në botën orthodokse shqiptare. Më sa në veri, dua të themë në krahinat e patriarkatit të Pejës, kjo në fillim nuk pëson humbje të mëdha — pse kleri sllav kishte mbetur i gjithë në vënt edhe pas shkeljes së Tyrqve në Sërbi — bilé, herë herë e përhap jurisdikcionin e sajë edhe në botën katholike të mbetur pa priftrinj 47), në jugë punët shkojnë shumë keq. Nga dokumentat e vlefshëm që na sjell At Nilo Borgia në historin misjonare I Monaci Basitiani d'Italia in Albania provohet se kleri orthodoks i jugës ishte për faqe të zezë e se peshkopët nuk ushtronin ndonjë veprimtari fetare, por interesoheshin më shumë për t'u marrë me intriga të kota ose për të mbledhur t'ardhurat e dioqezeve të tyre 48).

Më shumë se një herë ngjan që katunde të tëra, me prift e peshkop në krye, të lënë fén orthodokse dhe të bëhen myslimane 49).

Punët ndryshojnë vetëm atëherë kur Austro-Ungarija 50) dhe Rusija 51) i marrin nën sqetull kristjanët e Ballkanit. Por për kristjanët e Shqipëris kjo mbrojtje ishte shumë e vonë. Pjesa e tyre m'e madhe kishte kaluar në myslimanizëm një qint vjetë më parë 52).

Kjo ësht suaza e saktë e gjëndjes shpirtrore e fetare në Shqipëri në mbarimin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë.

Ç'munt të bëjnë Shqiptarët kaq pak t' organizuar shpirtërisht kundër rebeshit aziatik?

Ndjenja e auto-konservacjonit, që ësht një nga karakteristikat kryesore të racës së tyre, i mëson që të mënjanohen, të braktisin jetën e qetë të qëndravet urbane ose begatin e fushavet pjellore dhe t'arratisen nëpër male. Disa misjonarë të huaj që kanë shkelur nëpër këto anë i kanë parë këta Shqiptarë dhe i kanë përshkruar si njerz t'egjër që jetojnë nëpër shpella 53). Në këtë mënyrë munt të qëndronin më shumë në fén e Krishtit. Por kataklizma shpirtrore i ka tronditur. Disa faktorë të tjerë, ekstrinsekë që ndërhyjnë në këtë kohë, e shpejtësojnë islamizimin.

Tyrqit kanë nevojë t'a shtrojnë këtë popull për dy arsye: më parë, që të mos u qesë pengime kur ushtrit e tyre të mëdha do të kalojnë nëpër Shqipëri për të mposhtur vise të tjera të Ballkanit që ngrenë krye ose për t'u hedhur në Gadishullin e Apeninëvet; pastaj, që t'a shfrytzojnë trimërin e tij të pashoqe duke e përdorur si shokë armësh. Që të mirren vesht me të duhet të krijojnë më parë një klasë drejtonjse, e cila ndër një qint vjetët e parë të sundimit osman mungonte thuaj se krejtësisht pse kishte shkuar n'Itali Por nuk mjafton kaq. Duan edhe që të jenë të sigurtë nga besnikrija e kësaj klase së ré. Marin, prandaj, disa nga Shqiptarët më të çquar të çdo vëndi, i u japin rutbera e i u premtojnë pasurira të mëdha tokësh, në qoftë se bëhen myslimanë. Këta, kush më parë e kush më vonë, e pranojnë dëshirën e sundonjsit. Dikuj nuk i duket gjë e kundër-natyrshme ndrrimi i fés, pse me kristjanizmën vetëm emri e lithte. Dikush tjetër porsa lindur ësht marrë në Stamboll ku ësht rritur e edukuar në fén e Muhamedit dhe ka hyrë në radhët e Jeniçerve. Dikuj i ka ardhur shpirti në majë të hundës nga ndjekjet e parreshtura të Tyrqvet 54). Ndonjë kryetar fisi e sheh popullin që po vuan shumë nga taksat e rënda e prandaj pranon të ndrrojë fé për të mos lënë që të heqin keq njerzit e vetë. Misjonarët katholikë që kanë udhtuar nëpër viset t'ona për të mbajtur lartë Kryqin, kanë lënë shumë shënime që pohojnë këto të vërtetas 55).

Ata shkrimtarë që thonë së Tyrqit nuk e përdorën n'asnjë rasje forcën për të përhapur besimin e tyre duhet të jenë në gabim.

Shohim, në këtë mënyrë, të krijohet në Shqipëri klasa e ré drejtonjse të cilën e lith, nëpër mjet të myslimanizmit, besnikëri e patronditëshme te Sulltani. Krahina të tëra, ku pjesërisht e ku tërësisht, rrokin fén e Muhamedit.

Myslimanizmi për një kohë të gjatë nuk e ndau Shqiptarin nga Shqiptari. Martesat midis dy féve kanë qënë të zakonëshme, dhe vazhdojnë edhe sot në disa malsira. Ka shëmbuj të dëndur që tregojnë se muhamedani e pagzon fshehtazi të birin, ose gruan 56), shkon e falet në kishë, jep ndihmë për mbajtjen e famulltarit 57), jeton nën, një strehë bashkë me kristjanin q'e ka vlla a kushëri 58) dhe, kur vdes, i a lë trashgim monastirit të gjithë pasurin e tij. Ndoth edhe diçka m'e çuditëshme: në një kishë të shndrruar në xhami, Kristjanët mirren vesh me bashkë-qytetasit e tyre që kanë kthyer fé dhe, herë pas here, shkojnë atje me priftin
në krye e «i falen Perëndis si pas dogmës së tyre» 59). Një Krahin' e tërë e Elbasanit, Shpati, për të shpëtuar nga ndjekjet tyrke, çfaqet si myslimane duke ndryshuar vetëm emrat e njerzve, kurse fshehtazi e mban të paprekur fén orthodokse. Kriptokristjanët kanë qënë të shumët në numër gjatë shekullit të XVII-të.

Ja shkaqet e përhapjes së besimit të Muhamedit në vëndin t'onë. Kuptohet nga këto se nuk ka asnjë shënj imoraliteti të mbrujtur në gjakun shqiptar, por se rrethanat kanë qënë t'atilla, sa që cilido popull tjetër i ndodhur në këto kushte nuk do të kishte mundur të vepronte ndryshe 60).

***
Historija mbi racën e një populli nuk do t'ishte e plotë në qoftë se do të përmbante vetëm lëvizjet e sipërfaqes toksore mbi të cilën kjo racë ësht përhapur ndër kohë të ndryshme dhe ndikimet që ka patur gjatë shekujve prej popujve me të cilët ka rënë në kontakt. Çdo racë, përveç dukjes së jashtme, ka edhe një dukje të mbrëndëshme, shpirtrore, një farë psike të vetën që i jep asaj vulën më të fortë dallonjse dhe i cakton, në pjesën më të madhe, rrugën që duhet të ndjekë në histori.

Kjo psikë e veçantë ësht e shpërndarë, pak a shumë, në të gjithë përfaqsonjsit e një race. Por seicili ndër këta përfaqsonjës nuk i përmban të gjitha veçorit e mira shpirtrore të sajë. Kush nga këta ka më shumë e kush më pak. E kur një individ ësht pajosur shumë më tepër nga shokët 'e tij, me këto veçori, kemi një gjeni që përfaqson për bukuri racën së cilës i përket. «Gjenija, në të vërtetën, thot një biolog i math italjan, nuk ësht veçse shprehja e cilsive më te mira shpirtrore, racore e të trashguarshme të fisit, të bashkuara në një njeri 72).»

Ndofta ësht i vogël numri i bijve të fisit t'onë që janë njohur prej të gjithë botës si gjeni të vërtetë. Pse i vogël ësht edhe numri i përgjithshëm i popullsis shqiptare. Por njerz të mëdhej që kanë skalisur thellë emrin e tyre në shkëmbin e historis së përbotëshme kemi kaq shumë sa cilido prej nesh duhet të mburret e kërkush në botë nuk ka si të na mohojë meritat.

Një nga intelektualët t'anë më të mirë, i ndyeri Vangjel Koça, ka pas mbajtur një konferencë të rëndësishme me qëllim që t'i bëjë të njohur botës se huaj vlerat e kësaj race. Me shpresë se kjo ligjëratë do të përkthehet e do të botohet edhe në gjuhën shqipe, unë nuk dua të shënoj të gjithë emrat e Shqiptarvet të mëdhenj që numron historija, por po përmënt vetëm e thatas disa ndër ta sa për të treguar se sa të shumta e të mëdha janë vetit me të cilat ësht pajosur raca e jonë.

Kërkush nuk ka mohuar, gjer më sot, cilsit ushtarake që kemi në gjak. Të përmëndim Lekën e Math, do të gjenim ndokënd që do të thoshte: këta mëndjemëdhenj « kanë dashur të fusin në familjen e gjërë ilirike të të parvet të Shqiptarve të sotshëm edhe ngadhnjenjsin e math maqedonas, por në këto lavdërime të vonuara nuk ësht historija që rindërton; janë ëndrrat poetike të fantazis që zbukurojnë » 73), Por për vargun e perandorvet të Romës, ndër të cilët Aureljani, Dioklecjani dhe Kostandini i Math, nuk besoj të ketë njeri që të kundërshtojë origjinën ilire. Gjatë kohës së mesme shumë priesa ushtarakë duhet të kenë qënë Shqiptarë. Reparte të përbëra prej Shqiptarësh ka patur kudo dhe kudo janë dalluar për trimri e qëndresë. Do të mjaftonte vetëm emri i Gjergj Kastriotit për të provuar se trimërija e Shqiptarit nuk ësht treguar vetëm për të ruajtur tokën e vetë dhe pastrin e racës, por, kur ka qënë nevoja, edhe për të mbrojtur të gjithë krishterimin perndimor nga rreziku m'i tmerrshëm q'i kërcënohej.

Gjatë kohëve të vona kemi një numër shumë të math pashallarësh, me Qypërlinjt në krye, që shpëtojnë nga rreziku Perandorin osmane dhe mbajnë lart emrin e Sulltanit. Arbreshët q'u hodhën n'Itali u shpërndanë shpejtë nëpër Evropë për të shërbyer pranë mbretërve të mëdhenj në bataljonet e stratiotëve të komanduar prej gjeneralash gjakut të tyre si Gjergj Basta. Lufta e mvehtësis greke i u dha nam aq të math Arbreshve të vëndit, ose atyreve që porsa kishin shkuar nga Shqipërija orthodokse për të luftuar kundër Islamit, sa që historjani gjerman Stadtmüller u detyrua të thotë: «Lufta greke për liri nuk munt të mendohet pa elementin shqiptar» 74); një soj siç tha shoku i tij m'i vjetër Fallmerayer-i një shekull më parë: «kryengritja greke e shekullit të XIX-të, që shpëtoi Greqin nga zgjedha tyrke, qe vepër e Shqiptarvet 75).»

Sikur vetëm në fushën e armëve të binte në sy Arbreshi, gjithkush do të kishte të drejtë të thoshte: ja një popull i zoti vetëm për të shkatrruar, për të vënë në zjarm e në flakë ça bota me djersë e mund mbleth, ndërton e rregullon. Por edhe ndër fusha të tjera ësht çquar raca e jonë;ajo ka nxjerë udhëheqës popujsh e politikanë të mëdhej si perandorët e Romës e të Kostantinopolit, familjet princore Gjika e Lupu të Rumanis, Françesk Crispin e Italis, të gjithë pashallarët e Egjyptit që më vonë u bënë mbretër e sa e sa të tjerë. Raca e jonë ka nxjerë një perandor q'e ka mbajtur gjallë Bizancin me organizatën financjare që krijoi, Anastasin e Durrsit 76), ligjëvënësin më të math të botës, Justinianin 77), projektonjsin e tunelit të Semmeringut Karl Gegën, Nën-Kryetarin e sotshëm t'Akademis Mbretrore t'Italis, shkencëtarin në zë Prof. Valaurin 78) nga Korça. Shqiptarë kanë qënë përkthenjësi i Ungjillit në latinishte Shën Hieronimi, papa Klementi i XI dhe disa patriarkë të Kishës Orthodokse 79).

As në letra e harte Shqiptarët nuk kanë mbetur prapa së tjerësh. Arkitektat Mika Petrab prej Tivarit, Aleksandër Aleksi prej Durrësit, ndërtonjësi i xhamivet më të bukura të Stambollit, Mimar Sinani 80) prej Sulove, piktori në zë Francesk Albani, humanistët Gjon Gazulli, Marin Beçikemi e Marin Barleti, skulptori Gjon Albani, poeti Mihail Eminescu 81), dramaturgu Viktor Eftimiu 82) dhe artisti më i math tragjik që ka pasur bota në këta vjetët e fundit, Aleksandër Mojsiu prej Durrësi, janë që të gjithë bij të kësaj race.

Shihet nga këta pak rreshta se raca shqiptare nuk ka
nxjerë vetëm burra të pushkës, por edhe njerz të mëndjes e të shpirtit, filozofë, ligjëvënës, burra shteti, shkencëtarë, letrarë, dijetarë, poetë e artistë të mëdhenj. Numrit të njerzve të dëgjuar që njihen si Shqiptarë duhet t'i shtohet një numër tjetër shumë m'i math të panjohurish, që janë mbajtur si pjellë e ndonjë populli tjetër dhe që ne nuk u a dimë emrat.

Kontributi që kjo racë i ka sjellë botës, në përpjestim me numrin e me kushtet në të cilat ka jetuar, nuk e vë prapa racavet të tjera fqinje. Tregon, për kundrazi, se paja. shpirtrore e sajë ësht e madhe dhe e shumanëshme.


BIBLIOGRAFIA
76) VASILIEV: «Op. Cit.», tom I,.faqe 139-145 etj...
77) CORDIGNANO, në studimin e tij që ka mbetur i famshëm për prapamendim, dyshon për origjinën shqiptare të Justinianit (faqe 29), ndërsa VASILIEV-i, një nga njohsit më të thellë të historis bizantine, e vërteton me dokumenta se Ligjëvënsi i math ka qëne i racës ilirike. Shif «Op. Cit.», tom I, faqe 169 - 170.
78) S'besoj të ketë shkruar kush gjer më sot se Prof. Valauri ësht shqiptar. Pretendimin t'im mbi shqiptarsin e tij e mbështes në të thënat e zotrinjve Loni Xoxa nga Fieri dhe Prof. Naun Stralla nga Korça. I ati i Valaurit (Ballaurit) larguar nga Voskopoja e Korçës, mirrej në Brindisi me tregëti zhuke e gjëje të gjallë që i dërgoheshin prej Myzeqeje. Dy të bijt e tij, nga të cilët fizikani i math ,i janë pagzuar prej së motrës së Z. Loni Xoxa. Në Korçë ka edhe sot shumë nga farefisi i tij.
79) Faik KONICA : «Një patriark shqiptar në shekull të XV-të» në Bota Shqiptare, faqe 555.
80) Origjina shqiptare e Arkitektit Sinan ësht vërtetuar nga Abdurrahman Sherif Beu, historiograf i math dhe kryetar i Shoqëris së Historis otomane. Shif Lumo SKËNDO : «Les Albanais chez eux et a rétranger», Lausanne, 1919, faqe 25.
81) Mitrush KUTELI : Mihail Eminescu, Viersha, Kostancë, 1939. faqe 13, 14, 15.
82) «Bota Shqiptare», faqe 531.
73) CORDIGNANO : «Op. Cit.»», faqe 27.
74) STADTMUELLER : «Op. Cit.», faqe 222.
75) VASILIEV : «Op. Cit.», tom II, faqe 296.
72) GHIGI : «Op. Cit.», faqe 30.
67) SUFFLAY : «Op. Cit.», faqe 118.
68) STADTMUELLER : «Op. Cit.», faqe 222.
69) STADTMUELLER : «(Op. Cit.», faqe 225.
70) ALMAGIA : «Op. Cit.», faqe 188.
71) Branko MERXHANI : «Roli Historik i Perandoris s'Osmanllive në Ballkan dhe një vështrim mbi historin e Popullit tyrk», VI, n’lllyria, Viti I, Nr. 52, faqe 2.
61) STADTMUELLER : «Op. Cit,», faqe 218.
62) Carlo TAGLIAVINl : «Le parlate albanesi di tipo Ghego-orientale (Dardania e Macedonia nord - occidentale) në Le Terre albanesi redente, I, Kossovo, faqe 16.
63) TAGLIAVINI : «Op. Cit.», faqe 14.
64) Vukaniç thot se Shqiptarët e Drenicës ishin malsorë katholikë që u bënë muhamedanë mbas ardhjes së tyre në Sërbi. (TAGLIAVINI : «Op. Cit.», faqe 14.
65) Roberto ALMAGIA : «L'Albania», Romë, 1930, faqe 105.
66) JORGA : «Bréve Histoire de l'Albanie», etc. faqe 59. - ALMAGIA : «Op. Cit.», faqe 105. - STADTMUELLER : «Op. Cit.», faqe 222.
59) Evlija ÇELEBI : "Shqipnija para dy shekujsh», përkthim i Salih Vuçiternit, Tiranë, 1930, faqe 124 -125. Por këtu shkrimtari turist tyrk bën, pa dashur, një ndërlikim : kujton se kristjanët e Ohrit janë Bullgarë, kurse ne e dimë se ata ishin Shqiptarë. Si do qoftë, toleranca tregohet nga ana e Myslimanve q'ishin, me siguri, të gjakut t'onë.
60) STADTMUELLER-i e përmbleth me këto fjalë procesin e myslimanizimit të Shqiptarve : «Ky kthim i vijueshëm i popullsis n'islamizëm qi u zgjat në Shqipni deri në Luftën Botnore, nuk asht për t'u kundruem si nji lëvizje besimtare. Në këtë pikë janë të gjithë shkrimtarët të nji mendimit. Arsyet e këtij kthimi ishin të jashtëme, politike dhe ekonomike. Përpara çdo gjaje, me anën e islamizmit kërkohej lirimi nga taksat dhe sigurimi i mprojtjes policore t'autoriteteve tyrke». Shif «Op. Cit.», faqe 221.
54) JORGA : «Bréve Histoire de l'Albanie», etc, faqe 53.
55) Shif, sidomos, GRANATA : «Op. Cit.», faqe 235 - 236.
56) BORGIA : «Op. Cit.», faqe 55 etj.
57) ROSSI : «Op. Cit.», faqe 207.
58) STADTMUELLER : «Op. Cit.», faqe 221.
49) ROSSI : «Op. Cit.», faqe 207 dhe Z. M. : «Peja në kohën e Luftës ballkanike», në Hylli i Dritës, vjeti XVI, faqe 344.
50) ...në virtyt të traktateve të Karlovitz-it (1699), të Passarovitz-it (1718) e të Belgradit (1739) që lidhi me Tyrqin, mori përsipër mbrojtjen e katholikve shqiptarë .
51) Mori në mbrojtje të gjithë Orthodoksët e Ballkanit. Shif edhe Mehdi FRASHRI : «Op. Cit.», faqe 38.
52) ROSSI : n'«Op. Cit.», faqe 207, thot se nga viti 1620 gjer më 1650, treqmtmij Shqiptarë u hënë myslimanë.
53) GRANATA : «Op. Cit,», faqe 227 e tutje. - Ësht mirë, gjithashtu, të lexohen relacjoni i Emzot Stanilës në veprën «I Monaci basiliani» etj. botuar në Studi Albanesi, vol. III - IV, faqe 177, dhe përshkrim i famshëm i udhtimit që ka bërë në Shqipëri Emzot Mario Bizzi (Shif Zani i Shna Ndout, Viti VIII, pjes' e dytë, numri 1 – Kallnuer 1920 dhe Hylli i Dritës, vjeti XIX, Nr. 4 - 5, faqe 196).
43) ROSSI : «Op. Cit,», faqe 207.
44) GRANATA : «Op. Cit.», faqe 227, 228, 229.
45) SUFFLAY : «Op. Cit.», faqe 93.
46) Giuseppe PRAGA : «I1 Vescovado albanese nel sec. XVI», Rivista d'Albania, 1940, faqe 142. - GRANATA : «Op. Cit.», faqe 228 e tutje. - SUFFLAY: «Op. Cit.», faqe 149, 150.
47) GRANATA : «Op. Cit.», faqe 229, par. II dhe faqe 243, par. II. - Shif edhe SUFFLAY : «Op. Cit.», faqe 110.
4t) Shif në «Studi Albanesi» volumet III - IV e V - VI dhe «I Monaci Basiliani d'Italia in Albania», Periodo secondo,- Roma, botim i Reale Accademia d'Italia, 1942.
41) P. Fulvio CORDIGNANO : «L'Albania nella Storia e nella Vita», në Rivista d'Albania, Viti II, fashikull I, faqe 39.
42) Dr. Vladan DJORDJEVIÇ : «Shqiparët e Fuqit e Mëdha», përkthimi i Mustafa Krujës, Zara, 1928, faqe 41.
38) Ettore ROSST : «Saggio sul dominio turco e l'introduzione dell'Islam in Albania», në Rivista d'Albania, Viti III, fashikull IV, faqe 206.
39) Fernanda GRANATA : «L'Albania « le Missioni italiane nella prima meta del secolo XVII in base a documenti inediti», në Rivista d'Albania, Viti III, fashikull IV, faqe 231 e 234.
40) Tadeusz KOWALSKI : «Les Turcs Balkaniques», në Revue Internationale des Etudes Balkaniques, II année, tome 3-4, faqe 423.
33) «Bota Shqiptare», faqe 603 dhe KERSOPOULOS ; «Op. Cit.», faqe 27.
34) VASILIEV : «Op. Cit.», Tome II, faqe 327.
35) VASILIEV : «Op. Cit.», Tome II, faqe 327.
36) «Bota Shqiptare», faqe 603, 604.
37) «Albania», Guida della Consociazione Turistica Italiana, Cenna Storico, faqe 49.
22) SUFFLAY : «Op. Cit.», faqe 111.
23) STADTMUELLER : «Op. Cit.», faqe 218.
24) SUFFLAY : «Op. Cit.», faqe 111.
25) STADTMUELLER : «Op. Cit.», faqe 219.
26) KERSOPOULOS : «Op. Cit.», faqe 26 dhe VASILIEV : «Op. Cit.»,. tome II, faqe 327.
27) Duhen përmëndur këta priesa : Bua Shpata, Pjetër Losha, Ginj Bua Shpata. KERSOPOULOS : «Chronologie», faqe 26, 27.
28) SUFFLAY : «Op. Cit.», faqe 114.
29) STADTMUELLER : «Op. Cit.», faqe 218.
30) VASILIEV : «Op. Cit.», Tome II, faqe 311 - 312. Kjo epidemi shkaktoi vdekjen e shumë vetve. Viktimat e saj n'Evropë e n'Azi kapen në 48 milionë. Shumë historjanë bizantinë, ndër të cilët Jean Kantakuzeni, kanë bërë përshkrime të hollësishme mbi këtë murtajë.
31) VASILIEV : «Op. Cit.», Tome II, faqe 393.
32) SUFFLAY : «Op. Cit.», faqe 113, 114.
19) STADTMUELLER : «Op. Cit.», faqe 153.
20) STADTMUELLER : «Op. Cit.», faqe 218.
21) Jean G. KERSOPOULOS : «Chronologie Albanaise», Extrait de la revue «Les Balkans», Athénes, 1937, faqe 20.
15) STADTMUELLER : «Op. Cit.», faqe 151.
16) SUFFLAY : «Op. Cit.», faqe 107 e 117. Gjika BOBICH : «I discendenti degli Illiri, i Morlacchi», Difesa della Bazza. Anno III, 5 - 20 Shtator 1940, Nr. 21 - 22
17) «Për rranzë të detit, Shqiptarët në kohën e mesme mrrijshin në veri ma larg se sot. Degët e trupit shqiptar të premuna nga kolonizimi sloven i zhupanvet të vjetër ndërmjet Ulqinit, Budues e liqenit të Shkodrës, shiheshin në të 13-tin e të 14-tin qindvjet për qark të Raguzës e të Kotorrit...» SUFFLAY: «Op. Cit.», faqe 109.
18) Pittard-it, q'ësht një nga njohsit më të mirë të kushteve anthropologjike të Balkanit, i ësht mbushur mëndja se pjesa m'e madhe e popullsive balkanike me gjuhë sllavishte nuk i përket trungut të vjetër sllav, por ësht e sllavizuar. Jugosllavët shkruan ai, përbëjnë një shëmbull interesant të gabimeve që shkaktohen nga konceptet gjuhësore. Shif B. BATTAGLIA : «Op. Cit.», faqe 763.
13) JORGA : «Bréve Histoire de l'Albanie etc.», faqe 21, 22.
14) Në vënt që t'i nënshtronte, Perandori Sërb u mundua më shumë që të bëhej mik i Shqiptarvet e prandaj jo vetëm u suall mjaft mirë, por edhe futi shumë ndër ta n'ushtrin e tij të madhe. «Venetikasit i quanin ushtarët e Gjeneralit të tij Perljubi, që hyri gjer në kështjellin e Pteleonës, me emrin Albanenses». Dr. Milan SYFFLAY : «Sërbët dhe Shqiptarët», Tiranë, 1926, faqe 113.
12) STADTMUELLER : «Op. Cit», Hylli i Dritës, 1942, faqe 158.
10) V. N. ZLATARSKI : «Die Besiedelung der Balkanhalbinsel durch die Slaven», në Revue Int. Et. Balk., 1938, faqe 361 e tutje.
11) VASILIEV: “Op. Cit.” tome I, faqe 223, 224.
8) N. JORGA : «Bréve Histoire de l'Albanie et du Peuple Albanais», Bucarest, 1919, faqe 18.
9) STADTMUELLER : «Op. Cit.», Hylli i Dritës, 1942, faqe 150.
5) Karl PATSCH : «Ilirët», faqe 41 - 42.
6) PATSCH : «Ilirët», faqe 36, 37, 38.
7) PITTARD : në veprën e cituar «Lee Races et l'Histoire» faqe 15 përmënt rasjen e Vizigotve që mbrënda tridhjet e nënt vjetësh bëjnë qindra lëvizje në Ballkan, n'Itali e në Spanjë. Ësht e natyrëshme pyetja : Ç'farë ndikese racore munt të kenë pasur ata ndër viset që shkelën?
4) STADTMUELLER : «Op. Cit.», në Hylli i Dritës 1942, faqe 150.
2) Henri BERR : në Parathënje të veprës «Les Races et l'Histoire», faqe 13.
3) Shif mbi këtë argument: MARRO : «Op. Cit.», faqe 39 e tutje.
1) Karl PATSCH : «Ilirët», përkthyer prej Karl Gurakuqit, Tiranë, 1923, faqe 5.

No comments: