Saturday, December 12, 2009

Të merren masa ndaj Bollanos, po punon kundër interesave kombëtare

Historiani Sabri Godo ka kërkuar që ndaj kreut të Bashkisë së Himarës Vasil Bollano të merren masat, pasi fantazia e tij nuk po njeh kufij.

Republikani theksoi se Bollano me fantazinë e tij të tepruar po punon kundër interesave kombëtare, sepse Himara ka qenë e përbërë nga popullsi e pastër shqiptare që në fillimet e historisë. Deklarata të tilla të Godos vijnë pas asaj të kreut të Bashkisë së Himarës Vasil Bollano se grekët në Shqipëri kanë përbërë 3/5 e popullsisë në jug të vendit.



“Fantazia e Vasil Bollanos nuk po njeh kufij”, theksoi Godo, ndërsa renditi argumentet që kundërshtojnë pretendimet e Bollanos, duke ju referuar të shkuarës. Godo thekson nevojën e marrjes së masave ndaj Bollanos, që sipas tij është një zyrtar i administratës shqiptare dhe punon kundër interesave kombëtare të vendit. Faktin që Bollano pretendon se jugu i Shqipërisë është grek, Bollano e lidh me domethënien e fjalës epir, që do të thotë pakufi. Sipas Godos, kjo e bën Bollanon të mendojë se popullsia greke shtrihet në pafundësi. “Himara që kur është krijuar historia e deri më sot ka qenë një krahinë e pastër shqiptare. Bollano kërkon tani, që jo vetëm Himarën ta shpallë tokë greke, por në një mënyrë të habitshme synon një shtrirje të pakufi. Ndoshta niset nga ajo që ‘Epir’, me sa di unë, në greqisht do të thotë pafundësi dhe z. Bollano me fantazinë e tij tani nuk njeh më asnjë kufi”, nënvizoi Godo.

Ndërkaq ndaj deklaratës së Bollanos kanë reaguar edhe punonjësit shkencorë të historisë dhe arkeologjisë në qytetin e Durrësit, për të cilin kryetari i bashkisë së Himarës deklaroi dje se “Durrësi është themeluar nga grekët në shekullin e 7 para Krishtit”. Dr. Adrian Anastasi, shef i sektorit të arkeologjisë nënujore në Institutin e Arkeologjisë, thotë, “Thëniet e Bollanos janë qesharake dhe nuk duhen marrë në konsideratë, pasi historia është një shkencë që e bëjnë studiuesit. Historiografia botërore e ka thënë prej kohësh fjalën e vet për qytetin e Durrësit, i cili banohej që prej tre mijëvjeçarësh nga ilirët taulantë”.

Bollano deklarata të tilla nuk i bën për herë të parë, pasi mbi të qëndrojnë disa akuza ndër të tjera edhe ajo për heqjen e tabelave shqip të sinjalistikës rrugore. Sipas hetimeve nga prokuroria e Vlorës, Bollano ka dhënë leje ndërtimi në favor të personave jo pronarë të tokës, ka dhënë leje ndërtimi në zonat turistike duke shkelur kompetencat e Këshillit të Rregullimit të Territorit, ka dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me procesverbalet e bashkisë, ka dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin për urbanistikën si dhe ka dhënë leje për shesh ndërtimi në zona jashtë vijës së verdhë të qytetit të Himarës.

Ndërkohë vetëm pak javë më parë Gjykata e Vlorës e shpalli fajtor kryebashkiakun e Himarës pas akuzimit që i bëri prokuroria, se Bollano hoqi tabelat shqip në rrugën Qeparo-Llogara. Bollano u dënua me 6 muaj burg, 5 milionë lekë të vjetra gjobë si dhe i hiqet për 3 vjet e drejta e funksioneve publike.

Tirana Observer

No comments: