Shikimet

Saturday, January 9, 2010

Ç'na mëson Frojdi për seksualitetin ?

1-Seksi fillon tek infanti. Ky ishte zbulimi më revolucionar i Frojdit. Në vitin 1900, për shumë njerëz, kjo ide ishte neveritëse. Sot, nga shumica e njerëzve, kjo pranohet si një realitet.


2-Teoria e libidos. Kjo teori bëri që të ndryshojnë pikëpamjet e vjetra mbi instinktin seksual. Instinkti seksual përpara Frojdit, konsiderohej si instinkt i shumëzimit.




Frojdi shpjegoi se ka shumë aspekte të sjelljes fëminore, që e kanë burimin në ndijimet e këndshme seksuale, dhe që nuk kanë të bëjnë fare me shumëzimin. Kështu, thithja e gishtit dhe të dalurit jashtë të fëmijës (defekimi), që sipas tij janë sjellje të qarta seksuale, nuk kanë asnjë lidhje me shumëzimin.


Ky konkluzion pati rëndësi shumë të madhe. Ai e zgjeroi kuptimin e seksualitetit tej konceptit vetëm për shumëzim. Njerëzit, ndryshe nga kafshët, bëjnë seks për tre arsye: a-për shumëzim, b-për kënaqësi dhe c- për krijimin dhe forcimin e lidhjeve midis tyre.


Fëmija, në "fazën seksuale orale", është tërësisht i varur nga nëna prej kënaqësisë që ai provon në gojën e tij, kur thith gjirin e nënës. Këtë kënaqësi, ai e ndjen në një moment të rëndësishëm biologjik, në momentin e rritjes së tij më të shpejtë, kur psikologjia e tij varet nga nevoja për t'u ushqyer. Kur nuk e plotëson këtë kërkesë, ai bëhet kërkues dhe agresiv.


Faza seksuale orale pasohet nga "faza seksuale anale". Gjatë kësaj faze fëmija mëson për herë të parë si të përdorë oturakun, ose tualetin, pra, të kontrollojë funksionet e tij trupore. Kjo fazë fillon afërsisht në moshën tetëmbëdhjetë muajshe.


Mësimi i tualetit, ndërthuret me kënaqësinë anale, që vjen nga mbajtja dhe nxjerrja e masës fekale. Psikologjia e fëmijës në këtë moshë dominohet nga agresioni, smira, kokëfortësia dhe hakmarrja. Ai largohet nga dashuria për të prekur e për t'u lyer me materiet fekale (coprophilia). Tani ai kërkon pastërtinë, i pakënaqur nga pisllëku.


Faza tjetër seksuale, fillon në moshën trevjeçare. Ajo karakterizohet nga masturbacioni infantil, nga kurioziteti seksual, nga sjelljet ambicioze me shpirt gare, dhe mbi të gjitha, nga "kompleksi i Edipit". Këto vite janë quajtur "faza fallike" e zhvillimit të fëmijës. (fallike vjen nga Phallus, që do të thotë penis).


Nga mosha gjashtë vjeç, ka një periudhë "latente", seksualisht të qetë, në të cilën kurioziteti i mëparshëm fëminor për çështjet e seksit, zëvendësohet nga kurioziteti për të gjithë ambientin e tij rrethues. Ai ndjek shkollën dhe shumë nga energjitë e tij shkojnë për të mësuar.


Afërsisht, në moshën dymbëdhjetë vjeç, me hyrjen në pubertet, fillon një ringjallje e interesave të tij seksuale. Në këtë kohë është duke u pjekur sistemi i tij i riprodhimit. Në këtë periudhë të stuhishme, faktori qendror psikologjik i fëmijës është pasiguria. Shkaku i kësaj pasigurie është fakti që një trup plotësisht i pjekur fizikisht, duhet të udhëhiqet nga një mendje pa eksperiencë.





Pjekja (maturimi), ose e ashtuquajtura "faza gjenitale", karakterizohet kryesisht nga njohja e vetes, siguria dhe kapaciteti për dashuri prej të pjekuri. Kjo mënyrë sjelljeje bëhet e mundur ngaqë ai, në këtë moment, ka larguar atë që deri tani ishte kryesore, shqetësimin për veten. Të gjitha fazat e kënaqësisë seksuale pregjenitale, përqendrohen kryesisht tek vetja, janë ego- centriste.


Ato janë narcistike, sepse i riu në këtë moshë është i shqetësuar për rritjen e tij, për ambientin e tij fizik dhe mendor. Vetëm kur ka arritur rritjen dhe është bërë i aftë për veten e tij, ai bëhet i zoti ta kthejë dashurinë nga vetja tek një tjetër.


Këto mësime kanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe duhet të njihen mirë nga ata që kanë marrë përsipër mirërritjen, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve, gjatë gjithë periudhave të zhvillimit të tyre.


Pa dyshim, Frojdi ishte një shkrimtar krijues, po aq sa dhe shkencëtar. Megjithatë, ai nuk fitoi "Çmimin Nobel" për shkrimet. Nuk e fitoi "Çmimin Nobel" as për shkencën. Komitetet, sa ishte gjallë (ky çmim u jepet të gjallëve), kurrë nuk menduan se ai e meritonte atë çmim, ndonëse influenca e tij në botë është shumë tronditëse (për mirë, apo për keq).


Në kohën viktoriane, kur jetoi Frojdi, të flitje për seksin ishte turp. Mendimi se incesti (kompleksi Edipit) është pjesë mendjes së infantit inocent, nuk mund të pranohej. Ideja që hodhi Frojdi, se jeta seksuale e dominon sjelljen tonë, mund ta çonte gjithkënd në disiluzion.


Kush përpara Frojdit do të kish pohuar hapur, se buzët janë ndërtuar për lojë seksuale?

I porsalinduri thith çdo gjë. Ai thith një biberon gome dhe jargëzohet mbi një kukull të pistë, ashtu siç do të bëjë njëzetë vjet më vonë, me një të dashur. Ishte Frojdi që tha, se çdo nënë e dado e di këtë fakt.


Ai mbante mend dadon e tij. Ndonëse, tanimë e vdekur, ai e ndjeu atë, e nxori nga skutat e errëta të mendjes së tij dhe e solli në pjesën e ndritur të saj. Mendja e Frojdit, tmerrësisht unike, shkoi akoma më larg. Ai gjeti simbole seksuale në gjërat e thjeshta, në aktin e ushqyerjes, në kopshtari, në procesin e gatimit.


Pa dyshim, këto simbole seksuale janë kudo, madje edhe në çdo kishë, por ishte zor të thuhej kjo e vërtetë në kohën viktoriane. Atë e tha vetëm Frojdi. Ndërsa sot, ky mendim shkon hapur, ose i maskuar rrugëve, kudo në botë.


Atë e gjen në grupet dhe klubet e të rinjve dhe të moshuarve. E gjen tek shkrimtarët, në novelat dhe filmat e tyre. E gjen në traktatet e filozofeve, të priftërinjve, bile edhe në shkrimet e ndonjë pape.



Frojdi dëshiroi ta ndajë meritën për pikëpamjen e tij më të shquar, edipizmin, me Sofokliun; grekun, që ishte i pari frojdian i botës. Vjena moderne takoi Athinën antike. Frojdi besonte se Sofokliu e nxori "Edipin Mbret" nga thellësia e tij.


Ai besonte se sa më i madh të jetë një dramaturg, aq më shumë nga jeta e tij personale fut brenda dramës. Natyrisht, këtë e bën jo dukshëm, e bën fshehurazi. Dramaturgu, vigjilon si të gjithë në sipërfaqe, jo tek ajo që është groposur thellë. Janë personazhet e dramës së tij, që bëjnë shkrirjen e mendjeve të tyre me mendjen e shkrimtarit.

Sot, më shumë se çdo gjë, psikiatrit nuhatin seksin tek të sëmurët e tyre. Ka shumë seks në çdo skenë. Cila pjesë do të qëndronte në skenë pa seksin? Njerëzit e të gjitha kohërave kanë pretenduar ta gëzojnë seksin dhe, sigurisht, kanë luftuar për këtë.


Janë pikërisht këto kontribute të Frojdit, që e vunë seksualitetin në qendër të veprimtarisë së lartë nervore. Në sajë të këtyre punimeve, njerëzit, sot, kudo, e shqiptojnë fjalën "penis", një lloj sikur të thonë "hunda" .

Shekulli

No comments: