Thursday, January 28, 2010

Revolta e shqiptarëve: Shkupi na pengon arsimin

Arsimi shqip në Maqedoni përfundon në kaos.

Në fillim të semestrit të dytë shkollor shqiptarëve u mungojnë hapësirat për të dhënë mësim, ndërsa autoritetet po u rezistojnë kërkesave për hapjen e paraleleve në këtë gjuhë, njoftoi agjencia e lajmeve INA në Shkup.


Ndarjet e krijuara në shkollat e mesme të Strugës dhe kushtet e papërshtatshme për mësim në shkollat e mesme shqipe në Kumanovë; moslejimi i hapjes së paraleleve shtesë në shkollën e mesme të mjekësisë në Shkup, si dhe mungesa e hapësirave për nxënësit shqiptarë në shkolla të mesme e fillore, janë problemet që po krijojnë pengesa për arsimimin e nxënësve shqiptarë. Përballë kësaj gjendjeje problematike, shoqatat qytetare shqiptare kërkuan dje publikisht dorëheqjen e ministrit të Arsimit, Nikolla Todorov. "Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Todorov, për arsye të deklaratës së tij diskriminuese se mësimi i gjuhës së tretë që nga klasa e parë fillore do të ishte ngarkesë për fëmijët maqedonas, dhe jo edhe për ata fëmijë shqiptarë të së njëjtës moshë, si dhe për rritjen e tensioneve ndëretnike tani dhe gjatë regjistrimit të nxënësve shqiptarë në shkollat e mesme", - thanë përfaqësuesit e shoqatave shqiptare. Politikanët shqiptarë në Maqedoni ende nuk kanë reaguar lidhur me këtë lëvizje të fundit të shoqatave shqiptare. Por, eksperti shqiptar për çështje arsimore dhe pedagogjike, Xheladin Murati tha se "duhet të përcaktohet një axhendë për zgjidhjen e problemeve tashmë të hapura dhe që po krijojnë pasoja për nxënësit dhe studentët shqiptarë". "Është fakt se në arsimin shqip mungojnë shumë gjëra. Ministria e Arsimit nuk ka ndjeshmëri për të marrë vendime të prera lidhur me këto probleme të grumbulluara që kërkojnë zgjidhje.

Problemi i fundit i shkaktuar nga Ministria e Arsimit është imponimi i saj që nxënësit shqiptarë të shkollës shqiptarë të mësojnë gjuhën maqedonase nga klasa e parë. Kjo vetëm i thellon problemet në arsimin shqip", - theksoi profesor Murati. Sipas tij, në këtë rast qeveria duhet të kërkojë përgjegjësi të plotë për këtë vendim nga ministri i Arsimit. Probleme evidente në arsim ka regjistruar edhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) në Kumanovë e Likovë, e cila ka bërë thirrje për t'i ardhur në ndihmë arsimit shqip në Kumanovë. "Urgjentisht duhet të bëhet ndërhyrja institucionale për të evituar problemet dhe kaosin që ka mbretëruar arsimin shqip në Kumanovë. Pas sa viteve kemi probleme me mungesën e lokaleve për nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme shqipe, kemi probleme në çështjen e hapësirave për nxënësit e shkollave fillore, mungesa e kushteve për ndjekjen e trendëve arsimore si dhe shumë probleme të tjera që po i pësojnë fëmijët tanë", - ka theksuar kryetari i LASH-it, Etem Xheladini.

G. Shqiptare

No comments: