Tuesday, January 12, 2010

Të qënit tiranas !

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt: të qenët tiranas do të thotë që jo vetëm të sheshës pordhë, por edhe të t'i blejnë me qejf ato. Të buzëqeshin gocat konviktore nëpër party dhe të gjujnë çunat e gjatë, me fakultete dhe me komplekse nga rrethet. Të qenët tiranas të vesh me një shtëllungë "coolness"-i kudo që shkon, që ndryshe do të të duhej punë ta kishe fituar. Të qenët tiranas, (ose të prezantuarit si tironc, se ndryshe s'quhet) të lejon që të flasësh me njerëz që ndryshe do të të klasifikonin një klasë më poshtë në shoqëri dhe që do të të flisnin me pikatore.




Të qenët tiranas të jep një status të cilin e duan shumë veta me ose pa pahir, prandaj pas çdo prezantimi me shqiptarë, linja e prejardhjes tënde do të ndahet më katërsh e pastaj më tetsh derisa bashkëfolësi të gjejë ose një cen në biografi ose të bindet se "pedigria" jote është më e pastër se e tija.

Të qenët tiranas do të thotë të mos jesh nga Kamza, Vora, Bathorja, Alliasi, Qyteti studenti, Kombinati dhe disa herë edhe Ali Demi. Duhet të kesh lindur në Tiranë, mundësisht nga prindër që edhe ata kanë lindur në Tiranë. Duhet të mos flasësh për kushërinjtë nga Petrela, Peza, Fieri, Bilishti, Tropoja, Puka, Fushë-Kruja, Lushnja, ose Peqini. Lejohet përmendja e farefisit nga Elbasani, Dibra, Korça, Shkodra, Vlora, (hajt mo) edhe Durrësi. Përmendja e Beratit, Përmetit, Sarandës, Lezhës, Çamërisë dhe Krujës kanë efekt neutral. Nëse nuk kam përmendur krahina të tjera këtu, do të thotë se ato nuk egzistojnë në hartën gjeografike të prejardhjes së tiranasve.


Të qenët tiranas do të thotë të dish të orientohesh qoftë me Vorrin e Bomit, qoftë me vilën e Havarrve, qoftë me Kristalin. Të qenët tiranas do të thotë që e di që Sqepi ka qenë aty ku u bë Rogneri më pas dhe pastaj lëvizi mbrapa Arteve. Të qenët tiranas do të thotë ta kesh njohur Parkun Rinia para se të ndërtohej e të shkatërrohej Santa Luçia për t'i lenë vendin Tajvanit. Të qenët tiranas do të thotë të dish të gjitha rrugicat në pëllëmbë të dorës dhe të mos humbësh kur dikush të thotë "Shifna ke Hoxha Tahsini ose ke Shkolla Kuqe".

Të qenët tiranas do të thotë të dish kur ta shkëmbesh"a"-në me "o" (i.e. "Asmon"), të hash "ë"-të atje ku duhet, si edhe të kuptosh ndryshimin ndërmjet "ç'kemi" dhe "ç'kina". Të qenët tiranas do të thotë që fjalët "lal" "rrusho" "çun flori" "llakum" "katnar" të të rrëshqasin nga goja pa u përtypur. Të qenët tiranas do të thotë që gjyshen ta kesh thirrur "ije" e gjyshin "tate".




Të qenët tiranas do të thotë ta dish pse Blloku e ka atë emër, dhe faktin që xhiroja ka dalë nga moda andej nga 1990. Të qenët tiranas do të thotë ta kërcesh Napolonin duke i ardhur rrotull partnerit, dhe jo dorë për dore me të dhe valltarët e tjerë. Të qenët tiranas do të thotë t'i dish komplet fjalët e "lake bubulakes" dhe jo t'ia bësh "nër, nër nër" nëpër dhëmbë kur këngëtari shqyen bulçitë. Të qenit tiranas do të thotë të hedhësh lekë me shumicë, vetëm atëhere kur kërcen nusja me dhëndrrin, jo kur kërcejnë plakat e lagjes.

Mund të kesh lindur tiranas, mund të bëhesh tiranas, mund të jesh tiranas aktualisht, mund të jesh tiranas me korrespondence. Nuk mund të jesh tiranas kur përpiqesh më shumë se ç'duhet, kur mohon rrënjët e tua ose kur mërzitesh me të tjerët. Tiransit e vërtetë janë të njohur për mosqejfprishje, pilaf, raki, valle e këngë. Ata ofrojnë miqësi shpejt dhe e respektojnë mikun, ata shtrojnë "bukë e kryp e zemër" dhe i duan fëmijët e tyre në çdo aspekt, pa i rënduar me ambicje elbasanllie, fiksime korçare, xhentil-llëk shkodran, ndërgjegjësim lab, zjarr tropojan ose mprehtësi dibrane. Ata i mësojnë djemtë të kenë zanat e të bëhen burra të mirë, të dashur me fëmijët e gratë e tyre, ata i mësojnë vajzat të jenë të urta e t'ia dinë shtëpisë pa u bërë rrogoza për burrat e tyre, gjithashtu t'i duan fëmijët, vjehrrit e vjehrrat kunetërit, kushërinjtë e komshinjtë që u hyjnë e dalin.




Të qenët tiranas do të thotë të jesh qytetar i ndërgjegjshëm e i respektueshëm i këtij qyteti, që i do rrugicat e veta dhe pastërtinë e qytetit të tij, që nuk e vret trunin për gjë n'bot përveç mbarëvajtjes së familjes së vet dhe qejfit pas punës së lodhshme por të ndershme që kryen. Të tjerat ua le politikanëve dhe njerëzve që dinë të bëjnë para me "tiransllëkun" e tyre.


Bletë, peshkupauje

No comments: