Thursday, February 11, 2010

Eksodi shqiptar

Shqipërinë e kanë braktisur për shkaqe ekonomike mbi një milion qytetarë. Shteti shqiptar as nuk ka mundësi ekonomike, as dëshirë, as nuk e ka plan të bëjë ndonjë hap për t´i kthyer këta njerëz.

Jashtë vendit nuk gjenden vetëm ata që kërkojnë punë të rëndomta, por edhe shkrimtare e shkrimtarë, profesorë nëpër universitete perëndimore, gazetarë, kameramanë, sportiste e sportistë, këngëtare e këngëtarë, artiste e artistë, poete e poetë, madje edhe ish-politikane e politikanë.

Këta emra, apo më mirë, këta emra e mbiemra, që i lexojmë sot, pas disa dekadave do të shuhen dhe fëmijët e tyre do të asimilohen, mu siç janë asimiluar edhe ata, që patën ikur në fillim të shekullit të kaluar.

Shumë emra të mëdhenj, me të cilët ne mburremi sot, nuk kanë lënë pasardhës shqiptarë si vetja; jo se jo për nga fama profesionale apo angazhimi kombëtar, por as nga vetëdija kombëtare.

Për këtë dukuri ka një shpjegim shkencor: thuhet se fëmija diku rreth tridhjetë për qind të edukatës e merr nga familja, diku mbi tridhjetë nga shkolla dhe mbi tridhjetë nga shokët.

Nga kjo mund të konstatohet se fëmijët tanë mbeten diku 30 % shqiptarë, nëse martesat janë të përziera, atëherë teorikisht kjo përqindje përgjysmohet. Kjo përqindje tkurret akoma më shumë, kur të martohen fëmijët e mërgimtarëve të sotëm. Më së largu në brezin e tretë, shkrirja në kombin tjetër përmbyllet.

Arsyeja logjike: në vendet e huaja nuk prodhohen shqiptarët, por shqiptarët asimilohen! Këtë duhet ta ketë të qartë klasa politike në Shqipëri.

Sipas mbiemrit, edhe pas disa dekadave, mund t´i zbulojmë, por ata nuk do të ndjehen shqiptarë, siç nuk e ndjejnë veten ata në Turqi apo shqiptarë e lashtë në Greqi. Shteti shqiptar nuk brengoset për shkollimin e tyre. Detyra më të madhe që i ka caktuar vetes ky shtet është: anulimi i vizave brenda BE-së (!). Ta zëmë se ndodhi dikur.

Do të ketë dyndje të re: bashkëngjitja e familjeve, martesat, punësimi etj. Politikanët tanë, këtë ndodhi nuk e perceptojnë si alarmuese, por si progres.

Ata me emigrimin ndjehen të lehtësuar, sepse kështu zvogëlojnë papunësinë dhe qytetarinë sigurisht. (ata që emigrojnë janë kryesisht ata që duan ndryshimin e shpejtë, pra pjesa më qytetare dhe më kritike e një vendi).

Nëse përfundon kështu, në horizont nuk shihet asgjë që mund ta evitojë këtë ecuri, atëherë shumë shpejt mund ta dimë numrin përfundimtar të shqiptarëve! Me kësi ritmesh Shqipëria do të bëhet shpejt më e vogël se Maqedonia e sotme.

Dikur braktisëm vendin nga trysnia e pushtuesve, më vonë ikëm nga komunizmi, sot braktisim vendin nga qeveritarët e paaftë që i kemi. Kur shteti nuk është i aftë t´i mbajë njerëzit brenda, është e njëllojtë si kur prindi nuk mund t´i ushqejë dhe mbajë fëmijët në shtëpi. Prindi mund të arsyetohet, por pushtetarët jo. Ata paguhen për t´i ndryshuar rrethanat.

Dallimi në mes diktaturës me karakter të fortë dhe demokracisë pa karakter është ky: Elita komuniste vdiq apo gjallon e varfër, mendonte se kishte zbuluar çelësin e universit dhe bazohej në ideale. Populli ishte i varfër, por në mënyrë modeste jetonin edhe "udhëheqësit". Ata jetuan shumë më keq se sa elita e sotme.

Ata nuk u lanë fëmijëve të tyre pasuri përrallore, siç do t´u lënë sot "politikanët e rinj" shqiptarë. Ata të dikurshmit flisnin për popullin dhe në emër të popullit dhe jetonin edhe vetë me iluzione.

Sot edhe këta flasin për popullin dhe në emër të tij, por nuk janë idealistë, por materialist tej për tej. Sot, këta, ëndrrat ia shesin vetëm qytetarëve të vetë, ama kur vjen puna te vetja, ata fitojnë mirë nga shitja e shpresave.

Praktikisht pasurohen vetë! Elita "demokratike" e këtyre viteve e ka siguruar jetën, madje jo aq sa zgjat një jetë njeriu, por edhe më tepër.
Si në Shqipëri, ashtu ndodh edhe në Kosovë. Ky shtet i ri nuk dinë as sa qytetarë ka jashtë vendit
.

Dikur pat dëbuar shqiptarët Serbia e kralit, pastaj Serbia komuniste, sot nuk çanë kokën për shqiptarët qeveria kosovare, që drejtohet nga patriotët e djeshëm!
Ky shtet ka mërgatë të madhe në Zvicër, në Gjermani, Belgjikë dhe vende të tjera. Në mërgim nuk krijohen shqiptarët, por asimilohen! Kosova e dinë mirë se çka ndodhur me shqiptarët në Turqi! Miliona shqiptarë janë shkrirë në turq.

Edhe ky vend, si Shqipëria, është në zbrazje e sipër. Tridhjetëmijë të rinj çdo vit paraqiten në tregun e punës, me mijëra, çdo vit ilegalisht braktisin vendin.

Lexohen diku 25 mijë gazeta në ditë dhe kjo tregon shumë për gjendjen ekonomike të vendit. Shqiptarët nga ky vend, ku miklohen për çdo ditë serbët, për kafshatën e gojës, kanë arritur edhe në Haiti.

Numri i emigrantëve nuk dihet, por mund të thuhet se diku pesëqind deri në shtatëqind mijë jetojnë jashtë shtetit. Pas disa dekadave, disa mijëra kthehen si pensionistë dhe fëmijët mbeten.

Nëse ai numër mund të merret si i saktë, atëherë domethënë se në Kosovë jetojnë diku një milion e treqind mijë apo në rastin ideal një milion e pesëqind mijë qytetarë. Nëse janë dhjetë për qind pakica, atëherë ky numër zbret edhe një herë dhe Kosova dalëngadalë, por sigurt nga numri i banorëve shqiptarë do t´i afrohet Malit të Zi.

Në kohën e kralit serb numri i shqiptarëve zvogëlohej, në kohën e Rankoviçit numri i shqiptarëve zvogëlohej, në kohën e Milosheviçit numri i shqiptarëve zvogëlohej. Numri i shqiptarëve brenda zvogëlohet edhe në kohën e politikanëve shqiptarë.

Dje pasuroheshin serbet në kurriz të shqiptarëve, sot pasurohen disa shqiptarë në kurriz të shqiptarëve e në Shqipëri ka edhe serbë që thonë se këto vetëm në dy vjet i paskan bërë 50 milionë euro pasuri në saj të miqësisë me kryeministrin e Tiranës!

Rezultati, mirëpo, është i njëjtë: me kral apo pa kral, me Rankoviç apo pa Rankovic, me Tito apo pa Tito, me Enver apo pa Enver, me qeveri demokratike në Shqipëri apo pa të, me Millosheviç apo pa Millosheviçin, me politikanë shqiptarë apo serb në Kosovë, me shqiptarë në qeverinë maqedonase apo pa shqiptarë, me parti politike shqiptare në Serbi apo pa to, me politikanë shqiptar në Mal të Zi apo pa ta, shqiptarët kanë fatin e njëjtë: varfërinë ose emigrimin! Përgjysmimin e familjeve dhe vuajtjen nga mungesa e kontakteve sociale.

Çdo shtet tjetër në Europë do të alarmohej, kur sheh se populli dhe inteligjencia po lëshon vendin. Çdo shtet tjetër në Europë do të alarmohej kur vëren se kombi po braktis vendin, mirëpo nuk brengosen qeveritarët shqiptarë.

Nëse nuk dinë se çka duhet të bëjnë për ta mbajtur kombin brenda, e si ta mbajnë, nëse nuk kanë fuqi dhe dituri për ta ndryshuar gjendjen ekonomike, nëse nuk kanë ide e aftësi, atëherë puna më e madhe patriotike, që mund të bëjnë në dobi të kombit, natyrisht nëse e duan kombin e vet siç çirren, do të ishte të tërhiqen nga politika dhe t´i lënë vendin idealistëve, atyre që nuk pasurohen vet, por që mundohen ta çojnë vendin para!

Nuk mund të pranohet gjendja faktike dhe nuk duhet pajtuar me këtë se shqiptari ka vetëm dy alternativa: varfëri ose emigrim! Ka ardhur koha të luftohet për të tretën: jeta me dinjitet në atdhe!

Qeveritarët e sotëm e kanë dëshmuar se nuk dinë ta bëjnë!
Të shkruash një artikull mbi sjelljet e papërgjegjshme të politikanëve shqiptarë, domethënë ta hedhësh veten në depresion dhe sapo ta mbarosh shkrimin, të kridhesh në vaj.

Ne kemi shkrimtarë me famë botërore, por politikanë të vegjël, shumë të potershëm. Ne kemi humanist me famë botërore, por politikan picërr, shamataxhi. Ne patëm trima të fortë dhe kemi politikan shumë të dobët.

Ne kemi qeveritarë të pasur dhe popull të varfër! Kemi shkencëtarë të njohur edhe në botë, por politikanë që lum ato shtete që nuk i kanë! Lum ato shtete që nuk i kanë politikanët tanë!

Konkluzion: Planet e Çubrilloviçit nuk mundi t´i realizojë Serbia, do t´i përfundojnë me sukses mosefikasitetit, padituria dhe plogështia e klasës politike shqiptare!


Naser Aliu, Shekulli

No comments: