Monday, February 22, 2010

Shesin ar e kafshë për t’u shpërngulur në Evropë!

Fshatarët shesin kafshët shtëpiake, ndërsa nuset floririn, për të grumbulluar paratë e udhës së gjatë e pa kthim.


Në Kumanovë kurrë nuk ka pasur kaq shumë ofrues të arit sa këto ditë, ndërsa pazari i gjësë së gjallë është mbushur përplot me kafshë shtëpiake.
Të gjithë kërkojnë të shesin dhe vetëm shesin, ndërsa me paratë e fituara blejnë bileta për në një drejtim. Shqiptarët po shpërngulen në mënyrë të heshtur, shkollat po boshatisen.

Pronari i argjendarisë “Rexho”, Rexhep Hasani thotë se ka shumë njerëz që ofrojnë ar për të shitur. “Kjo nuk është për mirë, pasi ari blihet për qejf dhe shitet për hall. E shesin se po ikin në kurbet. Në të dy dyqanet e mia vijnë plot njerëz për të shitur ar. Në 90 për qind të rasteve nuk ia marrim, se ato i shesin për zor, gjë që nuk është mirë”, deklaron për gazetën “Lajm” pronari i kësaj argjendarie.
Rexhep Hasani ka 23 vjet që merret me këtë punë dhe nuk mban mend asnjëherë një numër kaq të madh njerëzish të interesuar për të shitur arin. “Kështu s’ka bo vaki asnjëherë, as në luftën e Kosovës, as në luftën e Maqedonisë. Kjo nuk është shenjë e mirë për ne”, thotë ai, duke sqaruar se vetë personat që ofrojnë arin për të shitur ia tregojnë arsyet pse e bëjnë atë.

Ndërsa numri i nxënësve që largohen nga shkollat sa vjen e rritet. Vetëm në shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, 12 nxënës kanë marrë fletëshpërnguljet, ndërsa disa të tjerë presin që t’i marrin së shpejti.

“Për momentin kemi 12 nxënës të larguar, ndërsa ditëve të ardhshme pritet që të rritet numri i nxënësve që kërkojnë të marrin fletëshpërnguljet”, tha Ylber Limani, drejtor i kësaj shkolle.
Ai sqaron se ata nuk mund t’i vlerësojnë si të larguar nxënësit që nuk kanë marrë fletëshpërngulje. “Veç nxënësve që janë larguar ka dhe plot prindër që interesohen për procedurat”, thotë ai.
Edhe në 11 shkollat e tjera fillore të komunës së Kumanovës dhe Likovës, situata është e ngjashme me atë të shkollës “Bajram Shabani”, ku dhjetëra nxënës kanë marrë fletëshpërnguljet.
Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) në Kumanovë e Likovë është e brengosur për situatën. “Numri i nxënësve në këto dy komuna për çdo ditë e më shumë po zvogëlohet, sepse nxënësit me prindërit e tyre po shpërngulen masivisht për në Belgjikë, Francë, etj. për shkak të kushteve të rënda ekonomike, papunësisë, paperspektivës dhe jostabilitetit të vendit tonë, e atje po kërkojnë azil”.

Psikologu Lulëzim Murtezani thotë se kjo është një mënyrë moderne, bashkëkohore e asimilimit të njerëzve. “Tash nuk kemi asimilim me dhunë, asimilim institucional, por kemi një mënyrë tjetër, kemi pasaporta dhe kemi liri për të ikur. Edhe kjo mënyrë e asimilimit është shumë e rrezikshme. Nëse nuk kemi strategji për të bërë punësimin, sidomos të të rinjve, nuk do të mund t’i themi stop kësaj dukurie”, thotë ky psikolog.
Ai sqaron se viktima të këtij asimilimi janë kryesisht familjet që nuk kanë kushte të mira ekonomike. Sipas Murtezanit, problemi do të vazhdojë deri në momentin kur institucionet të marrin masa për ta penguar atë. Kushtet ekzistenciale, të cilat gjenden në majën e piramidës, janë faktori kryesor që i detyron këto familje për të marrë rrugën e shpërnguljes.
“Meqë këto nevoja ekzistenciale nuk plotësohen, ata gjejnë rrugë të ndryshme. Në rastin konkret, qytetarët duke mos pasur perspektivë, marrin rrugën e largët.

Shumë njerëz janë të rrezikuar, janë në gjendje jo të mirë ekonomike dhe vizioni i tyre është që me çdo kusht të shkëpusin rrënjët nga ky ambient dhe normalisht shpëtimin e gjejnë në një ambient tjetër”, thotë ai.


Javëve të fundit dhjetëra autobusë të mbushur kryesisht me shqiptarë nisen drejt Belgjikës, Francës, Austrisë, Gjermanisë e Zvicrës.

Gazeta Koha Ditore

No comments: