Saturday, March 13, 2010

Kur ta "shpifin" puthjet në publik...

Pasi u ula në një bar kafe të pija diçka, dhe të shijoja ditët e fundit të pushimeve, po mendoja se ça duhet të bëja me Veten time kur të vija në Tiranë. Kur papritur, ulen aty, fare pranë meje, një djalë dhe një vajzë, që filluan të flisnin e stërflisnin për punë dashurie. Ja krisën puthjeve; ashtu kot si pa të keq.

Mirë bënë! I pashë një herë! Më pas seç më kapi edhe mua një acarim dëshire, që edhe unë desha të përqafoja dhe të puthja ndonjë vajzë në atë moment. Ata ndaluan dhe vazhduan disa herë. Nuk është se mua nuk më vinte keq kur i shikoja, po edhe me bezdisnin, jo për faktin se unë isha një i vetëm me Veten dhe nuk e kisha shtrëngimin apo puthjen time në atë moment, por për faktin se puthjet e tyre ishin aq idiote, aq shpifëse për veshin dhe të ndjerin. Aq herë sa puthëtinin në tingull puthjeje, po aq herë më dukeshin sikur i gjuanin me shpulla në faqe njëri tjetrit, nga tingujt e puthjeve. Përveç pjesës që më bezdisën, e që duhet të putheshin më mirë, u ngrita për të bërë një xhiro. E kam vënë re, së të rinjtë shpeshherë duan ta shfaqin dashurinë e tyre, dhe për këtë mirë bëjnë, por jo kur janë pranë shumë të tjerëve: por edhe të ruajnë edhe një farë mase. Ata mund të largohen dhe të bëjnë ç’të duan. Nuk është snobizëm të puthesh në publik kur ke pranë teje edhe shumë të tjerë që nuk po bëjnë të njëjtën gjë si ty, por që shohin momentin e tyre. Është ndryshe koha kur të gjithë puthen rrugëve, bareve, stolave, cepave, apo edhe në shumicë për Shën Valentin. Ajo është dita e lirshmërisë së puthjeve ndërkombëtare. I “bukur” është edhe rasti kur puthjet bëhen sa për të thënë e për të rënë në sy tek të tjerët se shikoni se si po puthemi ne…!

Puthja duhet bërë në vendin dhe në kohën e duhur. Tu thuash më falni, a ka mundësi të putheni pak me më edukatë, ose të largoheni pak më tutje, nuk shkon. Ça të bësh, të kruash zërin kur i ke pranë dhe të picërrosh sytë për tu thënë: Eh, pak më andej! Është rasti kur e bukura dhe ndjenja bëhen edhe të bezdisshme. Duhet ta kuptosh, sa herë që kamerieri vjen disa herë në tavolinë për të marrë diçka kur po stërputhesh, kjo do të thotë se, kujdes, puthja juaj po shqetëson të tjerët.. Nëse je në autobus, dhe të pëlqen e dashura jote, mirë bën që të pëlqejnë buzët e saj, ti mund ta puthësh, por jo aq marrëzisht sikur ke kohë që nuk e ke parë. Prit të zbresësh, ndoshta ka të tjerë që i fyen ose i erekton keq. Përmbaju! Më kujtohet një herë kur udhëtova me avion. Kur puthjet e një çifti shumë të kundshëm vunë në siklet një prift katolik, që e kishin aty pranë tyre. Pastaj jo më kot bëhen baret e errtë dhe me cepa pranë universiteteve ose më shumë pranë gjimnazeve. Unë nuk po them që ti mos të puthësh kur je në shkallët e ndonjë universiteti, apo në stol, por jo aq rëndshëm kur ke të tjerë pranë teje. Por ti mund të thuash, të vijë njëri këtu pranë meje e të më thotë të mos puthem? -Puthu, puthu, por jo kur pllaqpuritjet e tua shqetësojnë edhe të tjerët. Ka edhe nga ato më të fundit, “PUÇ-PUÇ”. Që janë ajrore, dhe më pak problematike; por jo se shprehin ndonjë dashuri të madhe nga të dyja gjinitë. Nuk e di, por mua më çudit mënyra se si mendojnë të rinjtë kur janë të dashuruar. Ata thonë: e dashura dhe i dashuri, dashnorja e dashnori, ma ka marrë ai, me ka dhënë ajo dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe; por më shumë kur thonë: sot do takoj burrin apo sot do takoj “grun”...Ta trajtosh partnerin tënd ose partneren tënde si grua dhe burrë, në një moshë kur mund të mendosh se do kesh edhe të dashur apo të dashura të tjera, të bën të thuash, se e gjitha kjo është shumë baritore.
Kur dy njerëz dashurohen, në sensin e romantizmit, e gjithë bota u duket se është e tyre, madje edhe bari ku ata vete gjenden, apo bota për rreth tyre nuk u intereson ose u duket sikur nuk ekziston. Problemi nuk është puthja por ajo mbas puthjes. Në Shqipëri, në Tiranë, sot puthja nuk është problem, por baret e Tiranës edhe e kanë problem mbas-puthjen, dhe nuk duan që puthja të degjenerohet. Kur puthja është më e gjatë në një ambient publik, ajo sigurisht do të tërheqë vëmendjen dhe është shumë e vështirë të mos ta kapi syri; e të rrish indiferent, sepse të gjithë dinë të puthin, edhe ata që nuk e kanë për momentin puthjen e tyre apo të dashurën e tyre. Puthja është konfirmim dashurie, dhe kur e konfirmon atë në publik bëhet disi e ligjshme. Për mbas-puthjen, ka motele apo vende të tjera, dhe nuk është etike që kur mungojnë këto, të zëvendësohen nga baret, kur shqetësojnë edhe të tjerët... Jetojmë një botë që gjërat po bëhen kështu sa për qejf, dhe jo me qëllim. Shkrimin tim, nëse do ta lexonte një francez apo një italian, do çuditej shumë me trajtesën time. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë e huaj është edukative për kulturën e vendit tonë. Por ende jam në bindjen time se puthjet duhen bërë në vendin dhe kohën e duhur. Shija, prekja, aroma, e intensifikojnë dhe e shndërrojnë në një përvojë të fortë ndjesie. Nga më i ëmbli te më i zjarrti, plot pasion, dëshira dhe pasioni në gojë provon, kafshon, lëpin, gëlltit, thith. I gjithë trupi humbet në kënaqësitë dhe përkëdheljet orale të gjuhës dhe buzëve, që shijohen nga njëri tek tjetri. Puthja mes partnerëve seksualë ose romantikë ndodh në 90 për qind të rasteve në kulturën njerëzore.

Edhe në kulturat ku puthja nuk është e pranishme ose është e ndaluar, partnerët e seksit mund të fryjnë në fytyrat e njëri-tjetrit, të lëpijnë, thithin, ose prekin fytyrat përpara penetrimit. Puthja është madhësia më jetësore e seksualizmit njerëzor, gjë që kurrë nuk rresht së mbaruari. Të gjithë gabohemi duke menduar se puthja është hyrja e një takimi seksual, por në të vërtetë është një akt seksual më vete. Ajo të rrit eksitimin, kur është e gjatë dhe e thellë. Por çfarë rëndësie ka, rëndësi ka që bëhet. Prandaj them që, seksi oral në publik nuk mund të bëhet kudo. Ose të duhet të thuash: - Më fal, oralizma para meje e gjete të bësh?! Prandaj, poeti lidhur me puthjen shkruan:

Sharjet, fyerjet, zënkat

gjithçka e keqe në këtë botë

bëhet hapur në rrugë të madhe

më e madhërishmja, më hyjnorja

puthja, ka mbetur ilegale
.

Mirë e ka poeti, çdo gjë që është ilegale shijohet më shumë. Përsëri në një ditë tjetër, në një bar serioz, u ula me mamanë time për të pritur një shoqe të sajën. Një çift, e gjetëm aty pranë nesh dhe dukeshin shumë të qetë në fillim. Ndërsa një çift tjetër, erdhën më pas, dhe u ulën. Këta të fundit filluan të putheshin sikur nuk ishin takuar kurrë më parë. Ndërsa ata që ishin aty para nesh, i shikonin dhe më pas filluan edhe ata. Unë dhe mamaja ime ishim gati në mes të këtyre dy tavolinave dhe i shikonim shumë mirë që të dyja anët. Ndërkohë e pashë se mamaja u vu pak si në siklet, dhe për të bërë pak shaka i thashë: - Ma, të të puth edhe unë ty tani?! Dashuria është e pandërgjegjshme, për më shumë puthjet.

Një proverb i vjetër kinez thotë: Të puthësh është sikur të pish ujë të kripur. Sa më shumë të pish, aq më i etur je.

Eljan Tanini

Këtu më poshtë eshtë edhe qëndrimi, që stafi i Stop Injorancës mban rreth puthjes në publik, duke e quajtur të tepërt madje edhe diskutimin rreth saj... ----> http://stopinjorances.blogspot.com/2009/10/puthjet-ne-publik.html

No comments: