Friday, March 5, 2010

"Përse historia jonë dëshmon se shteti na shndërrohet në armik"

Përse shteti shqiptar vjen një kohë dhe armiqësohet me nënshtetasit e vet?
Teoria e Konfucit, filozofit të madh kinez është që shteti duhet t'u shërbejë njerëzve dhe njerëzit duhet t'i binden atij. Por këtu tek ne ka ndodhur e kundërta.

Shteti i Ahmet Zogut që nga republikë u kthye në monarki ka pasur vetëm një meritë se krijuam për herë të parë një shtet shqiptar me kufij, ndonëse të përgjysmuar, por të njohur zyrtarisht. Por, ky shtet e kjo monarki u bë shpejt një regjim shtypës e shfrytëzues një regjim që filloi të përndiqte dhe vriste kundërshtarët e vet politik.

Edhe shteti shqiptar që doli nga lufta e dytë botërore, megjithëse krijoi një shtet që në fillim u vu në shërbim të popullit, ndërtoi rrugë e hekurudha, hidrocentrale, uzina e fabrika, shkolla e universitete, thau këneta e moçale, më në fund nisi të kthehej në armik të shqiptarëve.

Filloi të mbyste liritë e të drejtat më themelore, izoloi vendin, burgosi e internoi me mijëra njerëz për një kritikë etj. Pas viteve '90-të, shqiptarët ju gëzuan lirisë e demokracisë që po vendosej në Shqipëri dhe e përkrahën dhe inkurajuan ndryshimin.

Por, edhe nga ky shtet nisi represioni. Parullat e famshme të gjithë të barabartë para ligjit u kthyen në slogan: ministra, qeveritarë, deputetë, bosët e mëdhenj dhe mafia e sfiduan ligjin dhe ligji nuk i godet ata.
U propagandua që të gjithë të kishin shanse të barabarta për punë, arsimim, biznes dhe lëvizje të lirë, por dihet ç'bëhet me këtë.

Pra, dalëngadalë edhe ky shtet gjoja demokratik filloi të kthehej në një shtet ku pakica e majmur e ka kapur prej fyti shtetin dhe bën çfarë të dojë me këtë shtet, kurse shumica e konsideron si armik këtë shtet. Dihet si e shkatërruam shtetin në '97-të në mënyrën më barbare.

Është e qartë tashmë: Që të mos ta konsiderojmë më shtetin si armik, duhet që ky shtet të na shërbejë si një shtet social e human. Këtë gjë ende nuk e kemi arritur si shoqëri.

Bujar Cani, G. Shekulli

No comments: