Monday, March 22, 2010

Sa kollaj u vidhka banka..

Është banka e dytë, e tretë, e katërt, e pestë, e me radhë, që po vidhet dhe asnjë lëvizje konkrete për sigurinë e bankave.

Asnjë bankë në Shqipëri nuk është e pavjedhshme, ndërsa duhej të ishin si Fort Nox, banka federale amerikane. Ideja se nuk mund të bëjmë asgjë, është një ide jo fort e ndershme, jo fort e drejtë. Diçka mund të bëjmë. Në vend që të merremi me pasojat, mund dhe duhet të merremi me shkaqet.

Po pse gjithçka që nisim e lëmë në mes?

-Përse rruga më e kushtueshme e kombit shqiptar mbeti në gjysmë, edhe pse prej saj u fituan -zgjedhjet?
-Përse u desh vdekja e 45, që dikush të vinte disa goma në kthesën e Lushnjës?
-A nuk mund të bëhej kjo që në vdekjen e 40, apo ca më mirë në të parën?
-Përse pas Gërdecit, pati një shpërthim tjetër në Poliçan, në fabrikën e demontimit?
-Përse ishte vetëm Avokati i Popullit që kërkoi me një shkresë të veçantë të gjitha burimet e rrezikut të shtuar?
-Çfarë ndodhi me atë letrën që u përpilua?
-Përse pasi u mbyt barka në Tiranë, u mbyt dhe një tjetër në Sarandë?
-Përse para pak javësh nisi kërkesa për siguri e bankave, dhe ajo mbeti në mes, edhe pse është kërkesë ligjore për licencimin?

Ka një shprehje popullore që thotë se i mençur pas davaje mund të bëhet kushdo. Po përse na ndodh që nuk bëhemi të mençur edhe pas davaje, dhe jeta e njerëzve na rrëshqet prej shalëve?

Cili është ai popull aq i pasur sa mund të lejojë luksin e të hedhurit nga dritarja të një pasurie prej 1 % të PBB (kjo është zyrtare, por mund të jetë shumë më tepër) vetëm për shkak se nuk jemi në gjendje të ndalojmë aksidentet rrugore?
Po ai popull që i lejon vetes luksin që vetëm në vitin 2009 të ketë mbi 9000 aborte?

-Përse mungesa totale e vullnetit, e dëshirës për të bërë mirë, e imponimit të vlerës na ka sjellë në këtë ditë të zezë, ku pjesa më e madhe e institucioneve parandaluese të shtetit është kthyer në institucione që punojnë në kushte emergjence?
-Si duhet të reagojmë ne, kur e dimë paraprakisht se mijëra shtëpi në Shqipëri janë ndërtuar në faqe kodrash që kanë filluar të rrëshqasin?
-Përse duhet të paguajmë çmim për marrëzinë tonë?
-Si duhet të veprojmë kur për një të keqe do të paguajmë tre herë: një herë që të mbjellat e tokës së përmbytur u dëmtuan; herën e dytë kur vitin tjetër nuk mund të mbillet se toka është dëmtuar në thellësi; herën e tretë kur duhet të paguajmë dëmshpërblime? Pra, me pak fjalë: marrëzi në fuqi të tretë. Po kjo lloj marrëzie që është një sëmundje ngjitëse, mund të dallohet në të gjitha fushat e jetës sonë. Dhe ajo që të bën përshtypje është se çdo përpjekje për të ndryshuar këtë shëmtim, quhet si e destinuar të dështojë për shkak se nuk njihen aksione të mëdha parandaluese.

Po fusha e zgjidhjeve është një fushë jo fort e vështirë dhe aspak e minuar. Përkundrazi, shumë zgjidhje ndonjëherë janë shpëtimtare dhe më të thjeshta se sa veza e Kolombit. Le të kujtojmë një rast nga më të spikaturit, kur askush nuk mori mundimin më të vogël të hidhte një karrocë me dhé, e cila vetëm kjo do të kishte shpëtuar të paktën 100 milion dollarë. Kur u ndërtua rruga e re dalëse nga Tirana për në Durrës, pra ai segmenti si kurriz peshku plot dallgëzime, që mori gjithë ato para dhe kohë nga koha e shqiptarëve, makinat i binin anash një ndërtese biznesi të famshme në Tiranë. Shpejtësia e qarkullimit ishte shumë e vogël dhe koha e rrotullimit rreth një ndërtese të vetme ishte shumë e madhe. Shkaku ishte kaq i thjeshtë dhe banal, sa as ja vlen ta përmendësh. Ishin dy gropa të thella në fund të rrethrrotullimit të detyruar përqark ndërtesës. Ato dy gropa e ulnin shumë shpejtësinë e lëvizjes së makinave dhe bënin që të duhej nga 30-60 minuta për t’i ardhur vërdallë botës në kërkim të Arkës së Humbur. Llogarisni muaj të tërë, mijërat e makinave, milionat e karburantit, makinat e rraskapitura nga futja dhe nxjerrja e marshave, nervat e acaruara, stresin e akumuluar, shputat e këmbëve të dërrmuara, kohën shoqërore të humbur, tymin e karburantit të thithur, e shumë të tjera.
Dhe pse?
Për një karro me dhé. E njëjta situatë u përsërit në ndërtimin e rrugës së Plepave, kur arriti kulmi që në një drejtim u krijuan gjashtë radhë me makina, ose thënë ndryshe pilaf me makina. Ja pra, se si hodhëm në det miliona euro.

Ku shkuan dhjetë milionë dollarë të caktuar nga qeveria për riparimin e dëmeve të tërmetit në Dibër?
Ajo çka dimë është se nuk shkuan në Teatrin Kombëtar që ka nisur të ndërtohet prej vitesh dhe nuk po e shohim. As për Teatrin e Operas me kolltukët e diktaturës. As për tabelat e rrugëve, mungesa e të cilave ka marrë shumë jetë njerëzish.
-Kush e pagoi borxhin prej qindra milionë eurosh që kishte Albtelekom?
-Kush po e paguan të njëjtin lloj borxhi që kishte OSSH?
-A kanë mbaruar efektet e duhanit radioaktiv që është djegur tek ne?
-Po e hekurit radioaktiv që erdhi nga Ukraina?
-Mos është gjë i ndotur ajri në Elbasan? Pse ka aty aq shumë vetëvrasje?


Pafuqia e një kombi për të shpëtuar jetë njerëzish, për të jetuar një jetë më estetike, dhe jo thjesht për të mbijetuar, për të mos e kanalizuar rrugën e saposhtruar me asfalt, për të mos ju kthyer punëve publike me garanci 50 vjeçare pas tre vjetësh, për të mos lejuar 400 mijë shtrime në vit në spitale, ndërkohë që buxheti për shëndetësinë shtohet, ndërsa mund të shtohej buxheti për sportin, tregon mangësi të mëdha në mënyrën e të menduarit. Po jo se nuk i kemi menduar mijëra herë gjërat që themi e shohim. Nuk ka skutë të ferrit tonë që nuk është përshkruar më mirë se sa përshkroi Dante Ferrin e vet.

Ajo që na mungon është vlerësimi për intelektin, vlerësimi për atë tjetrin që çoç di, mungesa e çdyllosjes së veshëve përgjegjës të dinshumëve qeverisës. E mbi të gjitha përdorimi i kësaj depoje të madhe baruti që janë njerëzit e dijes dhe të shkencës, në të gjitha fushat e jetës. Për t’i përdorur paraprakisht, jo për të komentuar ngjarjet që ndodhin tek ne. E nëse mungon energjia, le të kërkohet sinergjia.

Erion Kristo, T. Observer

1 comment:

Dielli's said...

Shkrim i përkryer, ashtu siç e ka zakon E .Kristo.