Friday, May 7, 2010

Fëmijët nëpër kopshte diskutojnë për telenovelat

Edukimi i fëmijëve të vegjël është një mision tepër i vështirë.

Në një kohë që e dinë se mësimi i të vegjëlve është shumë i vështirë, lejojnë që nëpër kopshte fëmijët të diskutojnë edhe për telenovela. Dikush i diskuton bashkë me ta, pasi e ndjek edhe vetë atë serial, ndërkohë që një pjesë i lë të lirë që ata të flasin për ato që shikojnë në televizor.


"Ne në kopsht diskutojmë përherë për Mariçuin. Edhe edukatoret flasin për telenovelën. Unë me mamin nuk humbasim asnjë pjesë", -tregon Ami, një vogëlushe 4-5 vjeçare.
Sipas edukatoreve, fakti se fëmijët diskutojnë për telenovela apo për emisione të tjera që realizohen në vend, nuk është faji i tyre, por i prindërve që i lënë të shikojnë emisione dhe telefilma të tilla.
"Prindërit duhet të bëjnë më kujdes, nuk duhet t'i mbajnë fëmijët përpara ekraneve kur shikojnë telenovela apo emisione që janë për të rritur. Sepse, shpesh herë nga fëmijët dëgjojmë edhe fjalë që kanë lidhje me politikën", - tregon një edukatore.
Por, ndërkohë në çerdhe, jo se situata është më ndryshe, pasi edhe fëmijët 3-vjeçarë shikojnë televizor së bashku me prindërit dhe mësojnë emrat e personazheve të telefilmave të ndryshëm.

Çerdhet e fëmijëve në kryeqytet janë shndërruar në mjedise jo vetëm komode për mirërritjen e tyre, por edhe shumë të rëndësishme, ku të vegjlit mund të zhvillojnë aftësitë e tyre të të kuptuarit dhe të shprehurit. Në Qendrën Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve na thonë se në çerdhet e kryeqytetit, prej kohësh aplikohen shërbime edukative dhe psiko-sociale. Stafi edukator që gjendet çdo ditë pranë fëmijëve, është i përkushtuar dhe i kualifikuar për të ofruar kujdes, mirëqenie fizike dhe emocionale për fëmijët. Çdo edukator ka përkatësisht 6-7 fëmijë në përkujdesjen e tij, ndërsa çdo edukator që punon pranë grupit latant ka nën përkujdesje 5 fëmijë. Ky raport siguron përkujdesje të mirë individuale dhe garanton mbështetje të mirë zhvillimore, veçanërisht te fëmijët latantë.

Stafi edukator, kryesisht me arsim për infermieri, ndjek në mënyrë të vazhdueshme kualifikimet dhe trajnimet e nevojshme lidhur me zhvillimin e fëmijës 0-3 vjeç, formimin e personalitetit, format pozitive të komunikimit dhe disiplinimit, vështirësitë zhvillimore psikologjike, me qëllim rritjen cilësore të bashkëveprimit edukator-fëmijë.

Ermenlinda Hoxhaj, G. Shqiptare

No comments: