Sunday, May 23, 2010

Fuqia e femrës në shekujt e errët

Feminizmi/“Ato gra ishin më të lira seksualisht”, - thotë autorja e raportit. Nëse ishin në gjendje të mirë, ato mund t’i hynin martesës vetëm me kushtet e tyre ekonomike, shpirtërore-kënaqësie.



Ka fakte tronditëse që vërtetojnë se feminizmi nuk ka lindur në 1968, por rreth 1300-ës, pra shumë e shumë vite më parë.

Opinioni i përbashkët mes historianëve mbetet ai që femrat në mesjetë kanë qenë krijesa të dobëta e të brishta që shtypeshin, por sipas fakteve, nuk ia kalonin dhe aq keq sa duket. Jetonin jetën më shumë se burrat, nganjëherë kishin detyra më të rëndësishme, dinin si t’i mbronin të drejtat e tyre, shkonin në pushime me grupe të gjitha së bashku duke krijuar kështu një frymë miqësore mes tyre. “Kishin më shumë autonomi, ishin më të lira seksualisht dhe kishin më shumë liri nga sa ne e kemi imagjinuar…”, - theksohet në një studim të ri, i realizuar në Britaninë e Madhe dhe që BBC e përmbledh shkurtimisht me pak ironi: “Fuqia e femrës në shekujt e errët…”, për të folur për gratë e pushtetshme të mesjetës, duke studiuar në bazë të pikturave, shkrimeve, letërsisë, këngëve origjinale. Sipas këtij studimi, del qartë se jeta e femrave evropiane të shekujve XII-XV ishte një jetë në epokën e artë. Me një jetë mesatarisht superiore në krahasim me atë të meshkujve, iniciativa për të mbrojtur të drejtat e tyre, vende të pushtetshme si igumenë të kuvendeve dhe manastireve. Madje, ato bënin edhe udhëtime në tokën e shenjtë. “Ato gra ishin më të lira seksualisht”, - thotë autorja e raportit.
“Nëse ishin në gjendje të mirë, ato mund t’i hynin martesës, vetëm me kushtet e tyre, ekonomike, shpirtërore-kënaqësie. Është e vërtetë se shumë prej informacioneve që kemi të nxjerra nga arti, letërsia apo nga arkivat historike të asaj kohe, u referohet në mënyrë të veçantë grave me shëndet të plotë”.

Kërkimi ynë tregon se zakonisht femrat e moshës së mesme të mesjetës, të çdo shtrese sociale, kishin më shumë pushtet dhe pavarësi nga ç’e kishim menduar. Megjithatë opinioni dominues ka qenë se femrat e mesjetës të moshës së mesme, nuk kishin varësi të mjaftueshme ekonomike apo pushtet social e se duhej të vareshin nga baballarët ose nga burrat në pjesën më të madhe të jetës. Por duhet të informohemi mirë mbi këto paragjykime, të cilat mund të jenë ndikuar nga koncepte të gabuara mbi femrat e shekujve të mëparshëm. Është e mundur se studime të reja mund të na rezervojnë surpriza të reja...

Gruaja romake

Ndryshe nga grekët, romakët kanë pasur një pozitë më të emancipuar për shkak të ndikimeve etruske. Por dhuna ndaj gruas ka qenë e pranishme. Ky është një fakt i pamohueshëm i vërtetuar nga pikturat nëpër enë apo murale, nga legjendat apo poemat e ndryshme. Në shoqërinë e lashtë romake, gruaja ishte e varur nga burri për pronën dhe ishte subjekt i kontrollit të tij. Sipas ligjeve të Romës së lashtë, burrit i lejohej ta godiste, të ndahej ose ta vriste gruan atë. Me gjithë kulturën tradicionale të ligjshmërisë, e cila ka hedhur rrënjë që në Romën e lashtë. Nëse gruaja gabonte, atij i cenohej dinjiteti dhe nderi. Këto quheshin probleme private dhe kurrë nuk bëheshin publike nëpër senate apo biseda. Burri duhej të qëndronte si gjykatës ndaj gruas. Ai mund ta godite me shkop nëse vendosej një masë e tillë dënimi. Sipas "ligjeve apo rregullave" të rrahurit quhej një mjet për rregullimin shpirtëror të saj.

Gruaja angleze

Ndërsa ligji në Anglinë e lashtë i jepte të drejtën mashkullit ta rrihte gruan e vet, sepse duhej të mbante disiplinë në familje. Fraza "rregulli i gishtit të madh" i referohet ligjit anglez, i cili e lejonte burrin ta rrihte gruan me një shkop që nuk ishte më i madh se gishti i tij i madh i dorës. Përfytyroni se çfarë dhune ushtrohej ndaj gruas.

Nga dokumentet e ndryshëm del në dritë se statusi i gruas në Iliri ishte krejt tjetër nga ai i gruas greke, e cila duhej t'i nënshtrohej gjatë gjithë jetës autoritetit të padiskutueshëm të burrit. Studiuesi Vatin na bën të ditur se "në pjesën më të madhe të botës helenike çdo grua i nënshtrohej gjatë gjithë jetës autoritetit të padiskutueshëm të burrit. Ajo nuk mund të shkonte as në gjyq, as të blinte apo të shiste, tek të afërmit e vet, po të mos ishte e shoqëruar nga tutori i saj ose "Kyriosi"”.

Ndërsa po të flasim për Theodorën - Perandoreshën Bizantine që jetoj në 500-548, ajo i rriti të drejtat e gruas. Theodora bashkëpunoi me Perandorin Justinian (burrin e saj të ligjshëm)për reformat ligjore dhe shpirtërore. Ajo hartoi ligje për parandalimin e prostitucionit të detyruar dhe gjithashtu i garantonte grave më shumë të drejta në rastin kur ishin të divorcuara. Gjithashtu, ndërtoi strehëza për prostitutat.

Gruaja egjiptiane

Është shumë interesant fakti se gruaja egjiptiane me ligj trashëgonte tokën e lënë nga të afërmit e saj dhe mund të shkonte edhe në gjyq për të mbrojtur të drejtat e saj. Mos të flasim për atë vend ku është i pari komb me Faraone dhe më vonë me disa Mbretëresha, pa harruar së përmenduri të madhërishmen grua të të gjitha kohërave, Kleopatrën.

Po gruaja ilire? Çfarë pozitash gëzonte në Iliri?

Një nga studiuesit që i ka kushtuar studime të veçanta botës ilire ishte studiuesi francez, Pierre Cabanez.

Nga dëshmitë epigrafike të Dodonës së Butrintit, që i përkasin shekujve VI-I para erës sonë në Iliri, gruaja kishte të drejta të barabarta me burrin, e në disa raste gëzonte më shumë të drejta se ai.

Kështu ato kishin status të lartë, shpesh bëheshin udhëheqëse të grupeve fisnore. Për sa u përket bindjeve fetare, kuptohet që ilirët ishin paganë dhe i besonin jetës së përtejme.

Nga zbulimet arkeologjike që janë bërë nëpër varreza të ndryshme, rezulton se ilirët varroseshin bashkë me armët dhe sendet personale më të përdorshme.

Me zbulimin e shkrimit ngjarjet hyjnë në një fazë të re nga rrëfimet në histori. Në shkrimet e ndryshme që janë gjetur në Butrint, ato japin informacion të drejtpërdrejtë për jetën shoqërore, institucionale, juridike, kulturore, ekonomike të asaj kohe. Studiuesi francez, Pierre Cabanez, shkruante në studimet e tij: "Është veçanërisht interesante të vihet re vendi që zë gruaja në renditjen e grupit familjar! Roli i saj i vërtetë kuptohet qartë nga vendimmarrja që ajo ushtronte, si p.sh. në lirimin e skllevërve, si dhe në drejtimin e tyre. Në shumë raste gruaja ishte në krye të grupit familjar".

Por studiuesi Cabanez vazhdoi me zbulimet e tij në murin perëndimor të teatrit të Butrintit. Mbishkrimet e zbuluara japin 18 raste dhënie lirie skllevërve nga një grua fisnike. Bëhej fjalë për lirimin e 40 skllevërve nga një zonjë. Nga rastet e zbuluara dhe nga fjalët e studiuesit jemi në gjendje të përcaktojmë pozitën e lartë të gruas ilire në Ilirinë e lashtë.

Arkeologu italian, Ugolini, jep 2 akte të plota të lirimeve të kryera nga një grua. "Në Dodonë një grua liroi dy skllevër. Kjo zonjë i mbajti ata në shërbim pranë familjes deri në fund të jetës".

Një rast tjetër, një grua liroi 4 skllevër, ku 3 ishin gra dhe 1 burrë. Nga mbishkrimet e zbuluara që i përkasin shekullit të II-I p.e.s. aktet e lirimit, shumica të kryera nga një grua fisnike. Të gjitha këto mbishkrime dhe të tjera dëshmojnë një unitet të gjerë kulturor dhe të drejtash. Madje ma forcojnë më shumë idenë se niveli i përparimit të një shoqërie varret nga niveli i përparimit të gruas.
Pra ato nuk ishin vetëm "vegla me shpirt", por qytetare të denja me autoritetin, të drejtat, me pushtetin e vendimmarrjes dhe shumë më përpara nga fqinjët kufitarë.

Pra më të përparuara dhe më të emancipuara për kohën që jetonin.
Me lirinë në barazi duke pasur parasysh nivelin kulturor, ekonomik, tregtar, politik të Ilirisë. Përcaktimi është fare i qartë dhe konkret, për sa i përket nivelit të lartë kulturor dhe social të ilirëve dhe ilireve, ajo kishte personalitetin e vet juridik, gëzonte liri të plotë në vendimmarrje, pa pasur nevojën e "tutorit", burrit të saj.
Ato kishin të drejtë të frekuentonin edhe shkollat e përsosura me famë të Ilirisë, në të cilat kanë kryer studimet edhe Jul Cezari, Perandori Augusti etj. Gjithashtu edhe të luanin nëpër vegla të ndryshme muzikore të asaj kohe si lirën, të këndonin, të vallëzonin dhe të luanin nëpër dramat teatrore.

Rajna Kovaci , G. Standart

1 comment:

Unknown said...

Ku mund te gjendet perkthimi ne anglisht i ketij artikulli qe te mund te publikohet me tej...