Monday, May 10, 2010

Kushtoi 450 mijë USD, magazina e patateve nuk vihet në punë

Janë instaluar të gjitha pajisjet, por prej tre vjetësh nuk është përcaktuar se kush do ta menaxhojë, ndërsa fermerëve u prishet prodhimi.


Kukës - Kanë kaluar rreth tre vite nga përfundimi i ndërtimit të magazinës e cila ishte planifikuar që të ruajë, pastrojë, seleksionojë dhe paketojë patatet të cilat prodhuesit e saj do i sillnin aty dhe ajo ende nuk është vënë në funksionin për të cilin është ndërtuar. Kjo magazinë është pjesë e një projekti të paraqitur në fillim të vitit 2006 nga GTZ, bashkia dhe ministria e bujqësisë ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit projekt që parashikonte ndërtimin e tregut të fruta-perimeve si dhe atë të magazinës së grumbullimit dhe përpunimit të pjesshëm të patates.

Shkak për këtë mos vënie në punë të magazinës nuk është infrastruktura por mungesa e menaxhimit sepse aty janë instaluar pjesa më e madhe e pajisjeve por nuk është caktuar mënyra dhe personi apo institucioni që do e menaxhojë. Sipas prodhuesve dhe tregtuesve të këtij produkti bujqësor, që në qarkun e Kukësit është karakteristik, mos funksionimi i magazinës sjell një dëm ekonomik pasi po të sistemoheshin aty prodhimet e tyre nuk do të kalbeshin, siç ndodh rëndom për çdo vit.

“Unë dhe familja ime merremi me prodhimin e patates pasi toka jonë vetëm këtë kulturë bujqësore rrit. Si çdo vit tjetër edhe këtë vit mua më janë kalbur të gjitha patatet pasi nuk kemi pasur një vend të duhur për ti ruajtur. Bëhet fjalë për 25 ton prodhim të cilin e kisha futur në gropa por dëbora e madhe që ka rënë ka bërë që ato të kalben. Na patën thënë tre vite më parë që do i qonim patatet në një magazinë por unë se kam parë asnjëherë dhe askush nga zona ime, e Shishtavecit, nuk ka dërguar produktin në fjalë atje” shprehet ky banorë nga komuna e Shishtavecit e cila është e njohur për prodhimin e patates. Ndërsa një tregëtar i cili merret me shitjen e patates thotë se të gjithë fermerëve i janë kalbur patatet dhe tani kur i kanë nxjerrë nga gropat kanë parë që i gjithë prodhimi u është kalbur. “Po të nisesh e të shkosh nga qyteti i Kukësit nëpër të gjitha zonat ku patatja prodhohet sheh se fermerët kanë pësuar një dëm ekonomik si pasojë e kalbjes së prodhimit. Ndaj them që vënia në punë e kësaj magazine është një domosdoshmëri për vetë prodhimin dhe ndihmën që mund tu jepet bujqve që e kultivojnë këtë produkt. Por ajo do na vlente edhe ne sepse kur të shisnim nuk do e mbanim pataten në thasë por në kushte shumë më të mira” vijon më pas ai.

Për ndërtimin e kësaj magazine janë dhënë 450 mijë dollarë, shumë që përbën një investim të madh për një qytet të vogël si Kukësi. Burime konfidenciale të Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Kukës tregojnë se magazina e patateve “hesht” jo për parametra teknikë por për menaxhim, pra nuk është caktuar ende se kush dhe si do ta menaxhojë. Kjo magazinë e ndërtuar në përputhje me kërkesat e tregut të Bashkimit Evropian, ka një kapacitet prej mëse 5 mijë tonësh dhe është llogaritur të furnizojë disa qytete të Shqipërisë dhe një pjesë të Kosovës.

Flutura TOTA, G. Korrieri

No comments: