Wednesday, June 16, 2010

Enciklopedia e re, akademikët shqiptarë: Do ikim, nuk na përfillin

MAQEDONI- Dy anëtarët shqiptarë të Redaksisë së re të Enciklopedisë së Maqedonisë, akademiku Alajdin Abazi dhe profesori Ramiz Abdyli, mendojnë të japin dorëheqje, për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë (ASHAM).

Profesori Ramiz Abdyli ka deklaruar se nuk e sheh më veten në atë redaksi dhe Akademi, për shkak se nuk përfillet asnjë kërkesë e tij.

"Do të pres deri në shterjen e argumenteve, e pastaj do të marr vendim. Të gjitha kërkesat që kam dërguar deri më tani nuk janë respektuar", pohoi Abdyli.

Sipas tij, edhe pse Redaksia e re ka marrë vendime që të ndryshohet emri i enciklopedisë, ky vendim nuk është përfillur nga ASHAM-i.

"Po ashtu, morëm vendim që të ndalohet shitja e Enciklopedisë fyese, por ajo edhe më tej po shitet me të madhe në treg. Arsyetimi i tyre është së nuk mund ta ndalojnë për shkak se parapagimet janë bërë që më herët", tha Abdyli. Ai shprehet skeptik se në Maqedoni do të ketë një enciklopedi të re, për shkak të shantazheve që po i bën Kryesia e ASHAM dhe disa persona të caktuar të kësaj kryesie, të cilët publikisht shprehin albanofobinë e tyre.

"Kam kërkuar një vit për hulumtime, ndërsa për realizimin e tyre kam kërkuar vetëm 100,000 euro. Projekti hulumtues parasheh kërkime nëpër shumë qendra evropiane dhe botërore, e kjo shumë është sa një e katërta e shpenzimeve të bëra vetëm për botimin e Enciklopedisë së vjetër. Në ASHAM ka disa struktura që ndoshta kanë fobi ndaj çështjes shqiptare, janë me mentalitet të vjetër, dhe nuk mund të rinovohen. Andaj, nuk besoj se do të mund të bëhet Enciklopedia e Re", sqaroi Abdyli.

Sipas tij, rruga e vetme që të përfundohet pjesa e enciklopedisë që lidhet me shqiptarët është pavarësimi i plotë i akademikëve shqiptarë, të cilët për historinë e shqiptarëve duhet të vendosin së bashku me hulumtuesit nga Shqipëria.

"Nuk besoj se kjo çështje mund të zgjidhet, sepse çdo shkronjë që do ta shkruajmë ne, ata do të mundohen ta ndryshojnë", theksoi Abdyli.

E nëse deri në vjeshtë të këtij viti kryesia e ASHAM nuk ka mirëkuptim për kërkesat e anëtarëve shqiptarë, nga ASHAM duket se do të largohet edhe akademiku Alajdin Abazi.

"Të gjithë anëtarët e rinj duhet t'i dorëzojnë punimet dhe analizat shkencore deri në vjeshtë. Mirëpo, nëse nuk ka lëvizje nga enciklopedia e vjetër, çfarë do të kërkojmë më aty ne shqiptarët. Unë edhe z. Abdyli duhet të presim deri në vjeshtë, por në rast se kërkesat tona nuk përfillen atëherë nuk mbetet alternativë tjetër", tha Abazi.

Përveç obligimit që të hartojë enciklopedinë e parë të Maqedonisë, Redaksia e re ka edhe një detyrë tjetër shumë të rëndësishme, atë të kthimit të besimit të qytetarëve shqiptarë dhe të imazhit të këtij institucioni të lartë shkencor para faktorit ndërkombëtar. Ky imazh vlerësohet të jetë rrënuar pas publikimit të enciklopedisë kontraverse të Blaze Ristovskit, e cila ngërthente shumë të pavërteta rreth prejardhjes së shqiptarëve, ndonëse nuk munguan as fjalët ofenduese për NATO, SHBA dhe për ushtarët perëndimor, që emëroheshin si "agresorë".

G. Express

No comments: