Sunday, June 20, 2010

Gëzim Uruci: Eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave

SHKODËR -Ka qenë vetëm 5 vjeç, kur në vitin 1950 së bashku me babanë e tij, zbuluan shpellën e Gajtanit pranë fshatit Gur i Zi në Shkodër.

Ky ishte vetëm fillimi i një pasioni të madh në fushën e speleologjisë për shkodranin Gëzim Uruçi, i cili konsiderohet si eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. 62-vjeçari është eksplorues i rreth 3200 shpellave në të gjithë botën dhe mban titullin Profesor Honoris në shkencat speleologjike.

Ndonëse 12 vjet më parë një sëmundje e la invalid, ai me një përpjekje mbinjerëzore e mposhti atë. Edhe pse me paterica, Uruçi është pjesë aktive e ekspeditave ndërkombëtare. Shkodra njihet si qyteti që ka nxjerrë emra të shquar në fushën e artit, kulturës dhe të shkencës. Një prej tyre është Gëzim Uruçi. Në vitin 1994, Unioni Internacional i Speleologjisë në Bruksel i dha titullin Profesor; Federata Bullgare e Speleologjisë dhe Unioni Internacional i Astronomisë, e kanë nderuar me medalje; më 1994, në Spanjë iu dha çmimi "Juri Gagarin". Ndërsa më 2001, Instituti Biografik i Kembrixhit e përfshiu ndër intelektualët më të shquar të botës. Uruçi është përfshirë në 8 enciklopedi ndërkombëtare, ku e fundit është ajo e vitit 2006 (enciklopedia e speleologjisë së Bullgarisë). Aktualisht, 62-vjeçari që nderoi e nderon qytetin e tij të lindjes dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, merr pjesë çdo vit në mjaft konferenca ndërkombëtare

PASIONI PËR SPELEOLOGJINË
Gëzim Uruçi, pasionin për zbulime e kërkime e ka trashëguar nga babai i tij, Myftar Uruçi. Ky i fundit, i diplomuar në Perëndim, në vitin 1936, krijoi në Shkodër me disa shokë të tij, shoqërinë e bjeshkatarëve e shpellarëve, si pjesë e shoqërisë "Vllaznimi". Po nga babai, Gëzimi trashëgoi dhe pasionin për alpinizmin. Në vitin 1970, ai krijoi grupin e parë të speleologëve shqiptarë. Por sipas urdhrit të dhënë nga qeveria e asaj kohe, ky grup speleologësh duhet të shkonin vetëm në disa shpella për eksplorim, si në atë të Jubanit dhe Zhylës në Shkodër; Pirogashit në Jug dhe e Piratëve në Dhërmi. Zhvillimi i speleologjisë do i çonte arkeologët në zbulime të rëndësishme; si mbishkrime të lashta; instrumente litikë; piktura neolitike, siç janë ato në shpellat e Dukagjinit e Këlmendit në Shkodër; në shpellën e Trenit në Korçë; në shpellat e Karaburunit; Dhërmiut e Himarës. Në vitin 1972, zbulimet e tij bëhen prezent në Akademinë e Shkencave, ku Gëzim Uruçi pranohet si bashkëpunëtor për speleologjinë, ndërsa punonte si teknik i mesëm në uzinën mekanike "Drini "në Shkodër.

RREZIQET
Eksplorimet në shpellën e Gjolajve në Bratosh të Bajzës, atë të Bijës së Husit në Bogë, shpellën e Majës së Harapit në Theth, shpellat e Konispolit e Karaburunit, janë ato që kanë lënë dhe mbresat më të pashlyeshme tek speleologu Uruçi. Duke rrëfyer për emocionet dhe rrezikshmërinë, ai tregon se mjetet që përdoreshin ishin mjete primitive empirike, pasi mungonin pajisjet e posaçme dhe teknika përkatëse. "Këto mjete prodhoheshin nga ne, si gozhdët për shkëmbinj, ganxhetat, shkalla prej litari etj. Përdornim dhe mjetet e alpinizmit. Për kaskë mbrojtëse merrnim kapele minatorësh, të cilat i gjenim privatisht me anë të lidhjeve shoqërore e miqësore me minatorë", - tregon 62-vjeçari. Ai thotë se ishte tepër e rrezikshme futja e lëvizja nëpër hapësirat e sifoneve, të cilat janë gropa në formë omega, si vezore të mbushura me ujë, në pozicione të ndryshme nën tokë, në thellësi 150-300 m. "Të gjitha pajisjet e zhytjes prodhoheshin nga ne. Maskat e fytyrës i bënim me lozen e gomave të vjetra të makinave, të cilat nuk përdoreshin më. Tek sytë vinim xham të zakonshëm si dhe faqet gominash të makinave Çentauer. Tubat lidhës i modifikonim me tuba gome të ndryshëm, dhe këto i bënim në fshehtësi. Kjo për faktin se nuk lejohej përdorimi tyre, pasi mund të përdoreshin për arratisje", - rrëfen Uruçi. Sipas tij, disa prej këtyre mjeteve ruhen dhe sot në muzeun e tij privat.
Gëzim Uruçi tregon se të dhënat që grumbullonin ia dorëzonin Akademisë së Shkencave. Në mjaft raste të studimeve, anëtarët e kësaj akademie u referoheshin të dhënave të tyre (speleologëve).

APARTAMENTI MUZE
Shtëpia ku jeton Gëzim Uruçi së bashku me familjen e tij ndodhet në katin e pestë të një pallati në qytetin e Shkodrës, por ajo mund të quhet mjaft mirë një muze i arkeologjisë e speleologjisë, një qendër studimore ku arkivi, fototeka e biblioteka kanë zënë çdo hapësirë. Në çdo mur të apartamentit të tij shikon të ekspozuara objekte të gjetura në shpella apo gërmime arkeologjike. Ai ruan në arkivin e punës së tij (fototekë) filma dhe foto të bëra me teknikë dixhitale, rreth 1.300.000 të tilla të skeduara me indeks shkencor sipas sistemit të fototekës 'Marubi'. Thuajse gjysma e tyre i përket studimeve speleologjike, me foto bardh e zi dhe kolor, ndërsa ka dhe mjaft diapozitiva. Edhe biblioteka e tij personale është ndër më të mëdha të biblioteka private, ku përfshihen mjaft literature për gjeografinë dhe speleologjinë. Lidhur me bibliotekën e tij personale, Uruçi sqaron se në vitin 1990 ka pasur oferta nga shteti i atëhershëm për t'ia dhuruar atij, kundrejt një këmbimi qesharak (do e dërgonin të punonte mësues në një fshat afër Shkodrës). Madje pas 1990-ës nuk i kanë munguar dhe interesimi për arkivin e tij nga universitete të huaja që kanë afruar çmime të pëlqyeshme, por që janë refuzuar, pasi dorëzimi i kësaj pasurie për Uruçin do të thotë të tradhtojë pasionin e jetës së tij si dhe traditën e familjes.

Vetëm letërkëmbimi i familjes dhe i tij përmban rreth 13.000 letra në 18 gjuhë të ndryshme të botës, ku nuk mungojnë ato me 70 universitete të huaja dhe 30 akademi. Literatura që ka biblioteka familjare e tij, i përket fushave të etnografisë, astronomisë, arkeologjisë, speleologjisë, muzikës empirike, mjekësisë antike etj. Për të sistemimin e ruajtjen e kësaj pasurie e ndihmon dhe vajza e tij.


G. Shqiptare



TATUAZHET - "LULEBOJE" TË GDHENDURA MBI SHPINË TË DORËS NË SHQIPËRINË VERIORE

Tatuazhet i kemi njohur relativisht vonë. Në fillim nga djemtë e lagjes që ktheheshin nga ushtria. Ata tregonin me krenari o krahun, o parakrahun e tyre, ku me siguri do të qe gdhendur ose ndonjë tank, ose ndonjë spirancë dhe më rrallë ndonjë femër me goxha të ndenjura. Pastaj erdhi shpërthimi i modës së tatuazheve që janë njësoj si ato simbolet aziatike që mbajnë të rinjtë anë e kënd globit. Me pak fjalë, na ishte krijuar bindja se tatuazhet mes nesh janë gjë relativisht e re. Porse ka qenë një bindje e gabuar. Mjafton të shfletojmë një dorëshkrim të vjetër dhe ndërrojmë sakaq mendim.

Janë malësorët e Veriut ata që na bëjnë të ndryshojmë mendje. Një simbol nazist për kohën tonë për ta nuk është veçse "dilli i Hotit", ose "drita e dillit t‘Zotit", apo një yll, që për ne është i Davidit hebre, për ta është "hylli i Pejgamerit". Për ta nuk ekziston fjala eklips. Për ta një rreth i ndarë në të bardhë e të zezë nuk është gjë tjetër veçse "hana qi xen dillin" dhe kur ndodhte kjo, atëherë diçka e mbarë do të vinte me siguri.
Një botë e mbushur me simbole, me besime dhe frikë, me dëshira dhe urime, kjo është bota e tatuazheve të malësorëve të Veriut. Nëse i kundron gjatë këto tatuazhe, që kanë ardhur nga thellësitë e shekujve, duket sikur kridhesh në atë atmosferën e brymtë të maleve të Veriut tonë, atje ku koha nuk ecën aq shpejt sa poshtë ndër fusha e qytete, atje ku janë të përziera bashkë predikimet e priftit a të hoxhës me legjenda të stërlashta. Malësorët tanë vetëm vonë e kanë mësuar fjalën tatuazh. Për ta simbolet që mbanin në trupin e tyre ishin thjesht "luleboje", pra zbukurime të bëra me bojë, të cilat sjellin fat e largojnë shpirtrat e këqij që i sillen rrotull çdo njeriu. Në disa raste ata tatuazhin e kanë quajtur thjesht "lule e bame me ferrë". Ferrë në këto anë i thonë gjembit të madh me të cilin bëheshin tatuazhet. Boja është në të shumtën e herëve e zeza dhe ishte po nga ai lloj që përdorej për të ngjyrosur mëndafshin.

Nuk mund t‘ua paraqesim këto tatuazhe pa folur për njeriun që i ka mbledhur ato për më shumë se tridhjetë vjet. Imagjinoni sikur sa herë të njiheni me një njeri, ta shikoni atë ngultas nga shpina e dorës. "Shumë i bukur. Kur e keni bërë dhe kush ua ka bërë? Ç‘do të thotë kjo shenjë"? Këtë pyetje personazhi ynë e ka përsëritur me qindra herë në më shumë se tridhjetë vjet ndër kasolle fshatarësh apo mbi karroceri kamionësh, në errësira kullash, apo mes barinjve në bjeshkë. Ai quhet Gëzim Uruçi, këtij duhet t‘ia dimë për nder këtë zbulim shumë të rëndësishëm etnologjik.

Së bashku me emrin e tij lind edhe vështirësia më e madhe e këtij shkrimi. Është vështirë të shkruash për Gëzim Uruçin, sepse ai në fakt ka shkuar dy jetë paralele. Që t‘i rrëfesh të dyja, do të duheshin disa gazeta të marra së bashku. Njëra ishte ajo që e lidhte me malin, me shpellat, me aparatin e tij fotografik të pandarë, me makinën e tij të shkrimit, me librat dhe me studimet e panumërta, me sportin dhe muzikën. Kjo ishte pjesa e mbarë e jetës së tij, ajo që e bënte të ndihej mirë dhe që do të dëshironte të zgjaste pa fund. Jeta e tij e dytë ishte e përditshmja, ajo që e dërgonte sa në fermë si punëtor i thjeshtë, pastaj si nxënës këpucar, më vonë si xhenerik e mekanik. Kjo ka qenë për shumë dekada jeta e përditshme e Gëzim Uruçit, një betejë pa fund për të mbajtur familjen e tij.

Gëzimi na pret në apartamentin e tij në rrugën "Ura Dervishbeg" në Shkodër, në një pallat që është ndërtuar pikërisht atje ku ka qenë "zemra diplomatike" e Shqipërisë, konsullatat e huaja në Shkodër. Edhe ky apartament në katin e fundit të një pallati në anë të rrugës e ka një histori më vete. "Ma kanë dhanë masi kam projektu shatërvanin në qendër të qytetit. Deri atherë isha vetë i katërt në nji dhomë të vetme. Po edhe kte deshën me ma xanë n‘fillim", kujton Gëzimi. Shtëpia e tij është e stërmbushur me libra, foto, albume e antikuarë gjithfarësh. E gjithë historia e Shkodrës në foto, historia e alpinizmit dhe e sporteve të tjera në Shqipëri, speleologjia shqiptare, personazhe të njohur e të panjohur, të gjithë flenë në raftet e Gëzimit që kanë nisur të harkohen ca nga pesha e rëndë e historisë. Kalojmë do kohë me Uruçin, me profesorin, sikurse e njohin të gjithë në Shkodër, duke kujtuar historitë e tij të vjetra. Gëzimi ka lindur në një shtëpi nga ato të vjetrat shkodrane, në lagjen "Ndocaj", në vitin 1949. Prindërit ishin të shkolluar, mbase ca më shumë se ç‘duhej për atë kohë. Fati e desh që babai i tij, Myftari, që kishte studiuar për sporte në Itali, të punonte ca kohë si ekonomat e kuzhinier në ambasadën jugosllave. Kjo ngjarje do të ndikojë fort në jetën e më pasme të familjes Uruçi, sepse lidhja me jugosllavët nga dashuri e pafund u shndërrua në armiqësi vrastare. Gjithsesi, falë dëshirës së të atit për të udhëtuar në male, Gëzimi fillon rrugën e alpinizmit. Ngjitjen e parë në Jezercë e ka bërë në 1954, kur ishte veçse pesë vjeç. Myftari kaloi dy periudha në burg, i dënuar për agjitacion e propagandë. Në akuzë i përmendën edhe se kishte thënë shprehje të tilla si:
"Tërhiqe e mos këput, e mos ha mâ¦", ose: "Në socializëm duhet me hangër si zogu, me fjetë si lepuri e me punu si kali". Gëzimi ndërkohë kishte mbaruar shkollën e mesme të muzikës për trombë, por tashmë njolla në biografi ishte vënë, ai duhej të punonte në fermë. Këtu nis historia e pjesës më të madhe të asaj që e quajtëm "jeta e dytë" e Gëzim Uruçit. Në kohën e lirë personazhi ynë vazhdoi të merrej me alpinizëm e speleologji. Duket se një kthesë të vërtetë ka shënuar në jetën e tij zbulimi i shpellës së Gajtanit, një vendbanim shumë i rëndësishëm parahistorik. Pas shumë peripecish, ndërsa punonte në Vaun e Dejës si mekanik, më në fund arrin që të sigurojë të drejtën e studimit për Histori-Gjeografi në Shkodër. Gëzimi kujton me mall profesor Aleks Budën. "E mbaj mend si tani, thotë, binte shi i madh në Tiranë. Profesor Aleksi më mori nga dora dhe kemi hyrë drejt e te zyra e Adil Çarçanit. Prej tij e kam nisë shkollën".

E shfletojmë edhe një herë biografinë e Gëzimit dhe vrasim mendjen se si do t‘ia bëjmë në redaksi që ta përfshijmë të tërën në pak hapësirë gazete. 1157 artikuj të shkruar në periodikë të ndryshëm, mjeshtër sporti, 3000 shpella të eksploruara brenda dhe jashtë vendit, 217 maja të pushtuara, kryetar fondacionesh dhe anëtar nderi në disa vende, fitues medaljesh dhe çmimesh kombëtare e ndërkombëtare¦ Është e kotë. Nuk kemi mundësi t‘i shënojmë të tëra, është një listë shumë e gjatë.

Gëzimi tani çalon. "Aventura" e tij më e fundit ishte mposhtja e një sëmundjeje të rëndë që e mbajti të paralizuar për disa vjet. Duke u çapitur na vë përpara një mal me dorëshkrime. "Janë afro 15 dorëshkrime. Këto të gjitha i kam gati për botim. Ma shumë janë të etnokulturës, speleologjisë dhe alpinizmit, por ka edhe ndonjë gjë letrare". Kështu u njohëm me tatuazhet e Veriut që feksnin menjëherë në grumbullin e madh të letrave. "Katalogu i tatuazheve te shqiptarët", është titulli i dorëshkrimit që i përmbledh. Një pjesë shumë të vogël të tyre po e botojmë me shpjegimet e thjeshtuara, duke ruajtur dialektin gegnisht të mbartësve. Në origjinal ato janë shumë herë më të detajuara. Sikurse do ta shihni, emrat e mbartësve të këtyre "lulebojëve" janë shënuar vetëm me iniciale. Gëzimi ka dashur t‘i ruajë malësorët nga ndonjë pasojë e mundshme. Asokohe të thoshe Krisht apo Pejgamber ishte njësoj sikur t‘ia vije vetë prangat vetes, pa le t‘i kishe të ngulitura fort nën lëkurën tënde këto simbole.

Kjo që do të shihni nuk është veçse një fije shumë e vogël nga puna kolosale që ka bërë ky njeri i habitshëm. Sekush prej nesh, që kemi vetëm një jetë në këtë tokë, lë gjëra pas. Disa mbeten, disa harrohen. Imagjinoni se çfarë ka lënë pas njeriu të cilin e cilësuam "me dy jetë".


Fatos Baxhaku, Shqip

No comments: