Friday, June 25, 2010

Homoseksuali Klodi i dërgon letër të hapur Berishës dhe Ramës

Sot dy ditë pas fjalimit të Hillary Clinton për të drejtat e LGBT, Klodian Çela, personazhi i Big Brother i cili deklaroi hapur homoseksualitetin tij i dërgon një letër të hapur kryeministrit z. Sali Berisha dhe kryetarit të opozites, z. Edi Rama. Letra e plotë më poshtë:

LETER E HAPUR


Drejtuar: Z. Sali Berisha
Kryeministër i Shqipërisë dhe Kryetar i Partisë Demokratike

Z. Edi Rama
Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryetar i Bashkisë Tiranë

I nderuar zoti Kryeministër,


I nderuar zoti Kryetar i Opozitës!

Po ju drejtohem me këtë letër të hapur për të ndarë me ju shqetësime që nuk janë vetëm të miat personalisht, por besoj edhe të atyre njerëzve të cilët kanë një orientim seksual të ndryshëm nga të tjerët.

Por fillimisht dua t'ju falenderoj publikisht për disa nga kontributet tuaja në lidhje me të drejtat e njeriut në Shqipëri:

Z. Kryeministër!

Më lejoni t'ju falenderoj që si sot një vit më parë ju guxuat të flisnit publikisht për të drejtat e komunitetit LGBT (lezbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë). Kontributi juaj publik ka qenë një shtysë për t'i dhënë fund diskriminimit në Shqipëri, shoqëria jonë po përgatitet të hyjë në rrugën e pakthyeshme të emancipimit.

Si Kryetar i maxhorancës, më lejoni t'ju falenderoj që në Shkurt të këtij viti ju personalisht dhe maxhoranca që ju drejtoni morët përsipër të aprovoni për herë të parë në Shqipëri një ligj ambicioz kundër diskriminimit.

Z. Kryetar i opozitës!

Jam në dijeni të përpjekjeve tuaja të dikurshme, por edhe aktuale për të emancipuar shoqërinë shqiptare. E kam ndjekur me vëmendje aktivitetin tuaj të mëparshëm publicistik dhe shumë shpesh jam frymëzuar nga kurajoja që ju ka karakterizuar për të shkruar në shtyp për të drejtat e njeriut e për të kërkuar mbrojtjen e barabartë të tyre. Më lejoni t'ju falenderoj për këtë.

Zotërinj!

Sot ndihem i mbështetur në të drejtën time për të jetuar i barabartë mes të barabartëve dhe i respektuar nga mesazhi i datës 22 qershor kur Sekretarja e Departamentit të Shtetit znj. Hillary Clinton më inkurajoi personalisht për hapin që kisha ndërmarrë, ashtu sikurse komuniteti ndërkombëtar dhe një pjesë e mirë e shoqërisë civile në Shqipëri.

Megjithatë nuk mund të mos përcjell publikisht realitetin me të cilin unë dhe familja ime, njerëzit e mi më të dashur, që nga dita kur unë kam dalë nga Big Brother, po përballemi me një realitet të cilin dëshiroj ta ndaj me ju, pasi unë besoj se politikanët e vendit tim duhet të shërbejnë si model për të gjithë shoqërinë.

Prej 45 ditësh unë ndodhem jashtë shtëpisë së "Big Brother". Që prej 45 ditësh, unë, familjarët e mi dhe njerëzit e mi më të afërm, po përballemi me një realitet tepër të vështirë. Familjarët e mi sot po vuajnë për bukën e gojës. Të drejtat e tyre po shkelen ditë pas dite nga fryma e urrejtjes dhe diskriminimit, për shkak të orientimit tim seksual.

Nuk e doja veten ditën kur pashë Policinë e Durrësit të ushtronin dhunë psikologjike ndaj nënës sime duke i kërkuar me prepotencën që ta jep uniforma të largonte një tezgë të vogël shitjeje me të cilën siguron bukën e gojës. Unë nuk kërkoj të shkelet ligji, por dua që njerëzit të kuptojnë se ajo tezgë është e vetmja mënyrë të ardhurash për familjen time që punon për të mbijetuar, jo për të jetuar, e që tashmë nuk guxon as të ketë një jetë sociale nga frika se njerëzit do t'i tregojnë me gisht.

Që ditën e parë kur unë dola nga Big Brother nisa të kërkoj një vend pune, por ajo që po gjej, në vend të punës, është vetëm urrejtje, homofobi dhe bezdisje e pakuptimtë.

Në vitin 2010 unë ndihem i internuar në vendin tim.

Në këtë situatë në të cilën unë dhe familja ime ndodhemi sot mund të ndodhen edhe familjet e qindra mijëra të rinjve dhe të rejave në të gjithë Shqipërinë. Cdo shoqëri e hapur dhe demokratike ka për detyrë që ti ofrojë të gjithë anëtarëve të saj mundësi të barabarta për të jetuar të respektuar dhe me dinjitet. Unë besoj se është detyra juaj si politikanë që të promovoni këto vlera në shoqërinë shqiptare.

Cdo individ lind i lirë dhe i barabartë në të drejtat dhe dinjitetin e tij.

I nderuar z. Kryeministër, I nderuar Kryetar i opozitës

Unë vendosa të qëndroj në Shqipëri, ndryshe nga shumë vetë që kishin besuar se do t'ia mbathja nga sytë këmbët, vetëm sepse kisha guxuar të thyeja një tabu. Unë vendosa të qëndroj në këtë vend t'u përballur me dinjitet me të gjitha sfidat që ka shoqëria shqiptare. Unë pres që mesazhet e mbështetjes të mos më vinë mua apo kujtdo tjetër që është pjesë e komunitetit LGBT, vetëm nga ndërkombëtarët.

Unë pres që politikanë si ju të tregojnë publikisht se mirëqënia sociale, fizike, e shpirtërore e të gjithë anëtarëve të shoqërisë, pa dallim, është realisht e mundshme.

Tani është koha për fjalën tuaj dhe më shumë se kaq për veprimin tuaj.


Sinqerisht, Klodian Çela

Shekulli

No comments: