Friday, June 4, 2010

Meksika, mes krimit dhe shenjtorëve

Udhëtim në vendin latino-amerikan, i mbijetuar nga varfëria dhe dhuna, në pritje të një jetë të re teksa përulen para figurave religjioze aspak ortodokse.

I dënuari i quajtur El Nino, (fëmija) hyn për t’u rehabilituar në qeli, në një burg në qendër të Meksikës Perëndimore, edhe pse është vetëm 19 vjeç. Në fytyrën e tij duket qartazi një buzëqeshje qesëndisëse, pas fytyrës së “kriminelit” ngelet sërish një fëmijë, edhe pse ka gjasa që mund të dalë nga kangjellat me flokë të thinjur.

I braktisur nga familja 7 vjet më parë, El Nino u rrit nga gjyshi dhe ende pa mbushur të 19-at, shkrehu një karikator fishekësh mbi një burrë. Miku i tij i ngushtë, Antoni, një tip i veshur mirë, qëndron në qelinë përbri, i akuzuar për të njëjtin krim. “Ne jemi miq për kokë”, - shpjegon ai, ndërsa tjetri konfirmon duke tundur kokën. Nuk dihet se kur El Nino do të dalë nga burgu, por ai beson se kjo do të ndodhë shpejt, është i bindur se e mbron dikush...!

“Nuk ke për ta besuar, armët ishin para syve të policisë, por ata as që i panë...”, - shpjegon El Nino.

E gjithë kjo për shkak të një fryme të mbinatyrshme që e ndihmoi duke zbritur në tokë kur armiqtë ishin afër, konfirmon Antonio, i bindur se miku i tij është mbrojtur pikërisht nga “dikushi”, që pak më vonë mësojmë se është Santa Muerte.

A duhet ta besojmë këtë histori adoleshentësh?


Santa Morte është një ndër disa figura gati tokësore, të cilat sipas meksikanëve, ndikojnë direkt në jetën e tyre. Ata janë të bindur se ndikimi që shenjtorët kanë tek jetët e tyre është i padiskutueshëm, nga krizat ekonomike, epidemitë, pse jo edhe krimet e rëndomta të rrugëve që ndodhin në pak minuta në të gjithë Meksikën.

Të mendosh që në Meksiko, numri i vetëvrasjeve është po aq sa edhe ai i krimeve të tjera, të bën të besosh se shenjtët nuk ekzistojnë. Por, gabohemi.

Të mendosh që edhe krerët e mafies besojnë në shenjtorët e tyre që “i përkëdhelin” fatin kur janë në rrezik, kjo mund të përkthehet padyshim si një pakt që ata kanë firmosur me djallin, edhe pse këmbëngulin, se ata janë shenjtorë të mirë. Çdokush do të vinte duart në kokë, teksa dëgjon një histori të tillë: shenjtorët që favorizojnë kriminelë, narkomanë dhe përdhunues.

“Presioni emotiv dhe tensioni që po përjetojnë në këtë epokë krize qytetarët, i shtyn ata që të kërkojnë në jetën e tyre figura simbolike që mund t’i ndihmojnë, qoftë edhe për një periudhë”, - thotë Jose Luis Gonzalez, docent i besimit popullor.
Mes figurave bien në sy shenjtorët e ardhur nga ndikimi afro-kuban, duke kthyer disa të jashtëligjshëm në figura mitike, kjo në sajë të mrekullive që ata kanë bërë.

Jesus Malverde është një bandit mitik në Meksikën Qendrore, i cili ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e qytetarëve, të cilët i luten pikërisht atij, sikur të kishte qenë një personazh i ardhur nga Dhiata e Re.

Në këtë univers të përshpirtjes espanike, kulti i Shën Vdekjes, një skelet i veshur me petk të bardhë, është ndoshta shenjti që duan më shumë meksikanët. "Nga një këndvështrim mund të konsiderohet si një vend, i cili gjatë dekadës së fundit ka pasur një familjaritet të dukshëm me vdekjen”, - shpjegon Gonzalez. "Është e dukshme që ky skelet është një simbol i qartë i situatës aktuale”.

Për të kujtuar atë që përfaqëson vdekja, kjo figurë shpesh e panjohur nga meksikanët deri para pak kohësh, është shumë ndryshe nga lodra skelet që shfaqet ditën e të vdekurve. Sot, në altarin e nderit për Shën Vdekjen janë të pranishëm në të gjithë Meksikën, nga cepat e lagjeve më të varfra deri tek zonat e pasura, në qendër të qytetit të Meksikës. Pikërisht këtu, në një lagje të zhurmshme dhe rebele, çdo fillim muaji, Enriqueta Romero udhëheq një seri lutjesh që i dedikohen këtij skeleti. Gruaja e bëshme është ndër apostujt më të bindur të këtij kulti, që duket se ka lindur në Gjirin e Meksikës, por tani është përhapur në të gjithë vendin. Madje, edhe në Kaliforni dhe vende të tjera të Amerikës Qendrore, mund të shohësh të rinj që pranojnë të nderojnë Shën Vdekjen, duke gdhendur edhe tatuazhe mbi lëkurën e tyre. Më pak se një vit më parë, Ministria e Brendshme e përfshiu këtë kult në listën e besimeve të njohura zyrtarisht në Meksikë, madje e gjithë kjo u shoqërua me video, ku qytetarët mësoheshin se si të luteshin, aq sa edhe intelektualët më “chic” nisën ta konsideronin Shën Vdekjen si një kult “muy autentic” (shumë autentik).

Askush nuk do të kishte dyshim që në kryeqytetin botëror të narkotrafiqeve, qytetarët e këtij vendi të kërkojnë mbrojtje nga një personazh si Jesus Malverde, banditi dhe narko-shenjtori, që ka lindur pikërisht nga trafiku i drogës. E gjithë kjo duket një histori e frikshme, kur e gjithë popullata e këtij vendi ka qenë e lidhur pas kishës katolike që nga origjina.

***

Daniel Bucio iu dedikua Shën Judës 15 vjet më parë përmes lutjes, pasi shenjtori kishte arritur të shëronte të ëmën nga një sëmundje e gjatë dhe e dhimbshme. Tani, ai shkon rregullisht në kishëzën e vogël vendosur buzë rrugës nacionale, për të bërë lutje dhe dhurata për shtatoren e tij. Ky shenjtor duket se ka lindur si për koencidencë nga trafikantët kolumbianë, Medelin, të njohur si tej mase të përkushtuar ndaj Judës. Dita zyrtare është 28 tetori, por besnikët që kërkojnë mbrojtje e bëjnë këtë ritual pothuajse çdo ditë.

At Jesus Garcia, një prift trupvogël dhe i qeshur i përfshirë në urdhrin Clarettiani, pranon se ofrohen shumë nderë për Shën Judën, madje është i bindur në faktin se shumë nga ata që përulen para statujës gjejnë zgjidhje.

Por a nuk mund t’i duket e gjithë kjo një prifti paksa kundër rrymës?
“Paksa. Një ditë më parë pashë një politikan të njohur që më kërkoi ndihmë që të lutem për të, me qëllim që të fitonte në zgjedhje”.

Duket paksa e paqëndrueshme kjo hipotezë, e gjithë kjo siç edhe thamë se Shën Juda, është një narko-shenjtor. “Flitet se statuja i vizatua për herë të parë mbi shkopin e një trafikanti droge, por them se është një ndër të pavërtetat që tregojnë”, - këmbëngul At Gracia.

Në fakt, trafikantët meksikanë janë të vetmit që e kanë ushqyer këtë besim dhe kanë arritur që ta përhapin atë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Historia lidhet me popullin e një fshati të vogël që shtrihej rreth 480 kilometra larg kufirit të SHBA-së, që njihej për trafikun e drogës dhe atë klandestin. Pas një aksioni të policisë, aty arritën të kapen vetëm disa “peshq” të vegjël, ndërsa kapot u lanë të lirë për të vazhduar biznesin e tyre. Sipas legjendës, Malverde ishte një bandit i cili vidhte për t’u dhënë më pas ato që kishte grabitur të varfërve. Por, pas vdekjes së tij, nisën të numëroheshin dhjetëra mrekulli nga ata që preknin, apo faleshin tek varri i banditit.

Sot statuja e shenjtë e Malverde është vendosur para pallatit të qeverisë, ndërsa paretet e saj janë të mbuluara brenda e jashtë nga letra të shkruara nga besimtarët. Në disa foto ku edhe shfaqet ikona e Malverde është e rrethuar nga gjethet e marijuanës si dhe një bri dhie, që simbolizon kallashnikovin. Askush nuk e vë në dyshim statusin e padronit të shenjtë të narko-trafikantit, që është kthyer në udhëheqësin shpirtëror të një kombi të tërë.

Në qytetin e Meksikos drejtori i përgjithshëm i burgjeve mohon që brenda mureve bëhet propagandë, edhe pse në muret e brendshme të qelive mund të shohësh ikona, qirinj që fiken dhe burra të fortë që luten pareshtur. Pikërisht këtu, Antonio miku i ngushtë i El Nino nis edhe rrëfehet ngadalë para një ikone të vogël, ndoshta për t’i shpëtuar dënimit për vrasjen që ka kryer. Edhe Antonio lutet para Shën Vdekjes teksa shtrëngon duart fort pas hekurave të ftohta të qelisë së tij, karshi së cilës duket hija e përkulur e mikut të rij, El Nino. Adoleshenti gdhend në mur mesazhin e shpresës “Vdekja të qëndron pranë”.

Gjyshja e djaloshit duket e lumtur. “Ai i ka premtuar Shën Vdekjes një lule të bardhë dhe nuk ia dhuroi, kjo e bën të ndihet keq”, - thotë ajo duke qarë. El Nino dhe Antonio nuk duan të flasin shumë për shenjtin e tyre, por duan të luten, kjo është mënyra më e mirë që ato të dëgjohen, e vetmja mënyrë për të shlyer premtimin, një lule të bardhë që e kishte premtuar, por që nuk mundi ta çonte, pasi ishte i shtrënguar fort me pranga dhe jeta e këtij adoleshenti kishte marrë një tjetër drejtim.

Mbi fytyrën e tij ka një dritëz shprese edhe pse është i bindur se pas asaj që ka bërë është i bindur se edhe sikur të dalë, ka shumë mundësi që ta heqin qafe. I shtrëngoj dorën dhe ajo nuk e heq nga fytyra atë buzëqeshje engjëllore, i bindur se edhe aty brenda kangjellave ka shpresë!

G. Standart

No comments: