Sunday, June 13, 2010

Topi: Çështja çame duhet të zgjidhet

Drejtuesit e PDU-së takojnë Presidentin Topi.

Idrizi: Zgjidhja e saj duhet të ketë vëmendjen e mbarë shtetit.

Presidenti Bamir Topi ofron mbështetje për zgjidhjen e çështjes çame dhe kërkoi nga të gjitha instancat shtetërore të angazhohen fuqishëm për këtë çështje. Kreu i shtetit ka takuar dje në Presidencë për rreth një orë kryetarin e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizin dhe deputetin Dashamir Tahirin.

PDU-ja vlerësoi qëndrim konsekuent të kreut të shtetit në përkrahje të çështjes kombëtare dhe më pas parashtroi disa nga problemet që shqetësojnë aktualisht komunitetin çam, kryesisht ato të pronave të popullsisë çame dhe të drejtave legjitime të këtij komuniteti. “Kjo është një çështje mjaft komplekse, e cila, megjithëse ende nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare, është në vëmendjen e të gjitha institucioneve të vendit”, tha Presidenti Topi.

Sipas tij, çështja çame duhet të trajtohet me kujdesin, seriozitetin dhe angazhimin e plotë të vendit tonë, për të drejtat legjitime të popullsisë çame, si për sa u përket pronave, nënshtetësisë, dëmshpërblimit moral dhe të drejtës së rikthimit të çamëve në trojet e tyre amtare. Nga ana tjetër, kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi, nënvizoi faktin se partia e tij synon bashkëpunimin me të gjithë deputetët e tjerë në Kuvend dhe po jep garancitë e kërkuara për miratimin e çdo ligji që synon integrimin e vendit, ndërkohë që ka theksuar se do të jetë i hapur me të gjithë faktorët që do mbështesin çështjen çame. Kryetari i PDU-së e falënderoi Presidentin Topi për pozicionet e drejta dhe kombëtare që ka mbajtur në vazhdimësi, qoftë në axhendën e tij diplomatike, qoftë brenda vendit, siç ka qenë ngritja e çështjes së pasurive të shqiptarëve dhe në veçanti të komunitetit çam, në vizitën e tij në Greqi, si edhe për mbështetjen për ngritjen e një varreze çame apo të ndonjë obelisku çam atje. Kreu i PDU-së, Idrizi, i kërkoi Presidentit që të vazhdojë të ngrejë çështjen çame në të gjitha rastet e mundshme, në përputhje me frymën e dokumenteve ndërkombëtare dhe traditën e diplomacisë sonë në vitet e para të vendosjes së pluralizmit, apo të paraardhësve të tij.

Delegacioni i PDU-së i kërkoi Presidentit gjithashtu të dekorojë disa figura të shquara çame, apo që kanë dhënë kontributin e tyre për këtë komunitet, si patriotin e shquar Hasan Tahsimi, Fatos Mero Rrapaj, Selim Islami, Bilal Xhaferri, Teme Sejko dhe Ilmi Seiti, propozim ndaj të cilit PDU-ja gjeti mirëkuptimin e plotë të Presidentit Topi. Në delegacionin e Partisë për Drejtësi dhe Unitet në Presidencë ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Amos Dojaka dhe anëtari i kryesisë, Abas Hado.


Shqip

No comments: