Monday, July 26, 2010

1 person në 4 familje, me çrregullime mendore

Stresi, lodhja, jeta sedentare por edhe problemet e herëpashershme janë shkaktarët kryesorë të depresionit dhe çrregullimeve mendore.

Por jo vetëm kaq, ndërsa depresioni më i madh shoqërohet në muajt e tjerë të vitit, stina e verës është periudha kur të gjithë kemi luhatje me humorin. Kjo edhe për shkak të temperaturave të larta e problemet që sjellin tre muajt e beharit.

Mjekët e Spitalit të Psikiatrisë pohojnë se gjatë viteve të fundit ka pasur rritje të ndërgjegjësimit të njerëzve për të kuruar sëmundjet me origjinë psikiatrike. Shefja e urgjencës në Spitalin Psikiatrik, Fatime Elezi, pohon se numri i rasteve të pacientëve ndryshon në varësi të stinëve.

“Fluksin më të madh të pacientëve me depresion e kemi në stinën e vjeshtës, dimrit apo në pranverë, apo siç janë tentativat incidare të cilat kanë numrin më të madh gjatë muajve prill apo maj dhe një pik tjetër në nëntor apo dhjetor. Ndërkohë, sëmundjet e tjera, siç është skizofrenia, janë në të njëjtat shifra gjatë gjithë vitit” ka nënvizuar Elezi. Ndërsa në periudhën e verës, sipas mjekës, më shumë hasen rastet e çrregullimit të humorit. “Ajo që dua të them është se nuk ka një ndarje mes gjinive, të dyja sekset preken nga këto sëmundje. Ndërsa depresioni anon më shumë nga gratë”, theksoi shefja e Urgjencës së Psikiatrisë.

Studimi i OBSH-së

Për sa i përket shpeshtësisë së sëmundshmërive të çrregullimeve psikiatrike në mosha madhore apo minore, ka të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që një person në katër familje mund të ketë gjatë gjithë jetës së tij. Kjo është një e dhënë nga OBSH, për sa i përket vendit tonë nuk ka studime të mirëfillta epidemiologjike, por nuk ka pse të jetë vendi ynë me rezultate ndryshe nga e gjithë bota, pasi të njëjtët faktorë janë ata që ndikojnë në lindjen e sëmundshmërisë.
Shkaktarët kryesorë të këtyre sëmundjeve janë të brendshëm dhe të jashtëm, që do të thotë të trashëguar, por edhe të fituar si stresi, lodhja, jeta sedentare.

“Pagëzimi” i psikiatrisë

Spitali i Psikiatrisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” ka marrë emrin e profesorit të nderuar të kësaj fushe, prof. dr. Xhavit Gjata. Në ceremoni kanë marrë pjesë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, shefi i Shërbimit të Psikiatrisë Anastas Suli, si dhe mjekë, kolegë dhe të afërm të mjekut të nderuar.

Prof. dr. Xhavit Gjata ka qenë një nga themeluesit e shërbimit të psikiatrisë në vendin tonë, një mjek i shkolluar në Francë. Me ardhjen në Shqipëri, ai u përpoq të sillte copëza të kësaj kulture në shëndetësinë shqiptare, në spitale, në Fakultetin e Mjekësisë etj. “Spitali i Psikiatrisë, që sot kryen mbi 1150 shtrime në vit dhe 2500 konsulta, është zhvilluar falë punës së bërë nga mjeku prof. dr. Xhavit Gjata.

Kam qenë ndoshta i përkëdheluri i fatit, që isha ministri që firmosa pikërisht këto gjëra dhe do të mbetet një nga kënaqësitë e jashtëzakonshme të së gjithë punës sime si ministër, sepse mendoj që shumë gjëra vijnë e shkojnë, po këto përjetime që kemi këtu, do na shoqërojnë gjatë gjithë jetës sonë”, deklaroi në ceremoninë e vendosjes së emrit të shërbimit të psikiatrisë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

T. Channel

No comments: