Monday, July 26, 2010

Xhubleta Shqiptare - Veshja më e vjetër e botës, e mbetur ende gjallë



Xhubleta në UNESCO?





Vetëm një orë në Galerinë Kombëtare të Arteve për veshjen më të vjetër në botë e mbetur gjallë. Në prani të ambasadorit amerikan, ministrit të Kulturës i kërkohet vëmendje për ta anëtarësuar veshjen kombëtare në UNESCO
Shenjat në veshjen e malësores shqiptare, në një veshje tipike siç është xhubleta kanë përcaktuar dhe rrugulluar statusin e saj familjar dhe farefinsor. Si kulturë e tillë tek e cila janë trashëguar dija e shenjave, e mënyrës së të jetuarit dhe të menduarit që nga kohërat më të lashta e deri në vitet 70 të shekullit të XX, një grup njerëzish të ftuar nga poetja koleksioniste, Luljeta Dano, kanë qenë prezentë kur ajo ka kërkuar një shans për “anëtarësimin” në UNESCO të veshjes më të vjetër në botë e mbetur gjallë.
Kjo ndodhi dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve ku Dano për një orë ka ekspozuar një pjesë të koleksionit të saj të jashtëzakontë, 12 xhubleta, tallaganë dhe aksesorë të çmuar të veshjes së gruas së veriut, gati 150-vjeçare. Ajo ka botuar së fundi “Perëndesha Athina dhe simbole të tjera kozmogonike” , një studim mbi shenjat e qëndismave mbi veshjet mashkullore dhe sidomos femërore duke i përkufizuar ato si kultura e “shkrimeve të fshehta në ornamentikën mijëravjeçare të Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Mirditës e Pukës” si një territor mitesh antike i ruajtur në trashëgiminë etnokulturore.
Në “Expo-Xhubleta” e organizuar nga “Miqtë e Galerisë” ishte i pranishëm dhe ambasadori amerikan në Tiranë John Ëithers i cili ka duartrokitur lutjen e poetes: “Do të lusja ministrin e Kulturës, të kryejë veprimet e duhura që këto dy veshje (xhubleta dhe xhokeja), kudo ku janë shpëtuar nga koleksionistë t shqiptarë dhe të huaj, të merren në mbrojtje nga UNESCO si pasuri botërore.”

Çfarë tipologjish paraqesin 12 xhubletat e koleksionit?
Jam përpjekur të përfshihen gjithë tipologjitë, megjithëse nuk kisha mundësi të vendosja xhubletën që rri në këmbë. Në koleksionin tim prej 100 xhubletash, kam 3 të tilla. Gratë malësore, kur mbaronin ndërtimin e xhubletës, thurjen, bënin gara midis tyre dhe xhubleta që qëndronte në këmbë ishte padiskutim më e mira.
Kjo është një ekspozitë thjesht etnografike apo mitike ku vihen në dukje shenjat e qëndisura mbi veshjet për të cilat ke ndërtuar një alfabet leximi?
Para disa vitesh, kam dëgjuar në Vermosh një legjendë për Macolen e bukur, një nuse e re që ka qenë e fundit që më 1970 ka mbajtur xhubletë dhe nuk e hiqte. Macolja kishte ikur në Amerikë në këto vitet e fundit.
Mendohet që xhubleta, asëll-asëll, ka rreth 70 vjet që nuk prodhohet më, sepse janë përdorur ato që kanë qenë xhubletat e pajave. Gruaja malësore merrte 5-7 xhubleta në pajë. Nuk është prodhuar më, sepse ndërtimi i xhubletës është mjaft i sofistikuar. Gruaja malësore duhet të ketë një “tabelë logaritmesh” në kokën e saj që ta thurë kokërr për kokërr sythi dhe ta montojë në një mënyrë të tillë që të marrë formën e duhur të kambanës dhe të rrijë në këmbë.
Do të thuash që të gjitha figurat janë mirë të menduara?
Çfarë është më e rëndësishmja janë të trashëguara sepse xhubleta bëhej besnikërisht në vijë familjare dhe çdo vajzë mbart statusin familjar, farefisnor etj. Veshja është si veshja e ushtarakëve, përfaqëson gradat e jetës civile.
Në lidhje me këtë ide ti përmende brezin e njërës xhubletë që është realizuar nga dhjetë mijë thumba.
Po, me dhjetë mijë thumba plumbi. Është një brez që bëhej tek zanatçinjtë e pazarit të Shkodrës. Çiraku numëronte 10 mijë thumba plumbi. Ai ka yllin e Davidit, ka simbolin e lashtë të ilirëve, hënën me yll që do ta shohim në stoli të tjera.

Në krye të radhës është xhubleta e bardhë. Nga kush vishej ajo?
Është xhubleta e çikave, në veshje e jashtëzakonshme, mrekullisht e bukur, për cilësitë e punimit dhe të qëndisjes. Dallohet nga simbolet e fertilitetit. Është një nga kopjet më të rralla, sepse xhubletat e bardha janë vërtet të rralla. Vajza e vishte deri në momentin që martohej.
Dhe vijmë tek brezi i rrallë që e vishte jo çdo lloj nuse.
E vishnin nuse që vinin nga familje të para, që ishin familje të pasura dhe me një status të privilegjuar shoqëror. Ishte simbol i forcës, bukurisë dhe pasurisë, tre nocionet e përjetshme.
Gjithçka e universit të xhubletave tregon një alta modë,pra çdo element, që nga çorapja çizme, përparëset e mbivendosura, grykashkat, pa folur për trungun e veshjes që është mrekullia arkaike.

Xhubleta e manekinit me shpinë nga të tjerat, ka ndonjë histori?
Është xhubleta e “thakut të premë”, e gruas së divorcuar. Ajo është xhubletë e Dukagjinit dhe në bajrakët e Mirditës apo të Dukagjinit, ka qenë ligji që kur burri divorconte gruan, i priste thekët ose të xhubletës ose të xhokes së bardhë të Mirditës. Mendohet që është e fillimit të shekullit XX.
Interesant është që krejt fundi i xhubletës është qëndisur me simbolin e gjarpërit siç thua ti.
Cila është domethënia?
Kur gruaja e ka qëndisur atë simbol nuk e mendonte që do të bëhej një grua e divorcuar. Por zakonisht në rreshtin e fundit të këmbanës, të kordonit të bardhë, gjithmonë gjen një rresht të tillë që është o gjarpër, o është shumë i ngjashëm me zinxhirin e ADN-së ose me diçka si fetus, embrion fëmije. Por këto janë çudirat që i përkasin kësaj bote.
Cili është simboli më shumë i hasur në kostume?
Është shqiponja me dy kokë, me tipare dragoi dhe shumë herë e gjejmë me flakën që dragoi nxjerr nga goja.

A mund të varrosej një grua me xhubletë?
Gruaja varrosej me xhubletën që martohej. Xhubleta më e mirë i shërbente asaj në këto dy momente të rëndësishme të ndërrimit të statusit civil të saj, nga vajzë në grua e martuar dhe kalimin në jetën tjetër ku ajo duhej të shkonte me këtë xhubletë që bart për mua kode të vjetra, që dmth ato duhen lexuar, që nuk janë thjesht të bukura, por kanë një rregullsi, një alfabet leximi. Dihet nga studiues shqiptarë dhe të huaj që vijnë nga qytetërimi kreto-mikenas. Xhubleta identifikohet me veshje të gjetura në pallatin e Knosit në Kretë, para 4000 vjetësh. Por kjo s’do të thotë që nuk zbulohet një objekt tjetër i lashtë dhe xhubleta befas nga festa e 4000 mijë vjetorit të saj mund të festojë 10 mijë vjetorin e saj. Sido që të jetë, ngelet veshja më e vjetër të botë ende e gjallë dhe misioni i kësaj ekspozite, mendoj se është tërheqja e opinionit publik dhe institucioneve përkatëse që kjo veshje të merret në mbrojtje nga UNESCO si veshja më e vjetër në botë ende e gjallë.





Vetëm në Shqipëri e ke fjalën?
Xhubleta jeton në Shqipëri, në Malësinë e Madhe, në Rrafshin e Dukagjinit të Kosovës, në Malin e Zi, mendohet dhe në një fshat të Bullgarisë ku janë me origjinë shqiptarë dhe në Norvegji.

Atëherë UNESkO veshjen kombëtare të kujt do të mbrojë?
Do të mbrojë pikërisht këtë tip veshjeje dhe që në Shqipëri ne e kemi simbol të Nënës Shqipëri në artet figurative ose në psiqikën tonë, simbol të Rozafës legjendare.
Ngjyrat duken se janë ngjyra të zhdukura sot në veri, e kuqe gjaku, e gjelbër e thellë.
Mendohet që xhubleta ka qenë e bardhë dhe u bë e zezë. Madje ka pasur një këngë popullore për këtë.





Atje kemi një tingëllimë të kohërave, bluza e kuqe, mëngëza, brezi i qëndisur me rruaza nga të gjitha ngjyrat që udhëtari hungarez i shekullit të 18-të Daniel Kordinez, ka thënë: as palloi, as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e shqiptarëve, se kjo veshje ka të gjitha ngjyrat e gëzuara të mëmës natyrë.


Nga Elsa Demo, G. Shekulli

2 comments:

aleksander said...

pershendetje ju falenderoj per keto postimet shume reale dhe shpresoj qe te kete me shume publikime per sa i perket tradites sepse besoj se mund ti ngelet hatri nje krahine tjeter te shqiperise ... sa me shume postime aq me shume behen dhe krahasimet me pseudopopujt e tjere ne kete fushe....respekte

DIELLI said...

Ju faleminderit Aleksandër