Sunday, August 29, 2010

Gjumi, ende një nga misteret më të mëdha

Ajo çka tashmë dihet, është fakti që gjumi luan një rol parësor dhe të domosdoshëm në jetën tonë. Për të ka shumë teori. Njëra syresh sugjeron se gjumi na shërben për të pasur marrëdhënie më të mira me botën e jashtme.          

Gjumi shpesh konsiderohet i keq për mbijetesën. Kafshët në gjumë, apo të përgjumura, janë pre lehtësisht të kapshme për grabitqarët, ndërkohë që ai është i domosdoshëm për vazhdimin e ekzistencës. Por ka edhe nga ato kafshë që mund t‘ia dalin mbanë pa fjetur për një kohë të gjatë. 

Për shembull delfinët e sapolindur dhe disa lloje balenash nëna mund të kalojnë periudha të gjata pa kryer funksionin e njohur si përgjumje, që te kafshët karakterizohet nga periudha të gjata qëndrimi në një vend.

Këto periudha ndonjëherë zgjasin për javë të tëra, sidomos në dimër dhe te zogjtë para emigrimit. N ë k ë t ë ra s t , zogjtë mund të kalojnë ditë të tëra duke fluturuar e duke mos u ndalur as për ndonjë pushim të shkurtër, ndërsa nxitojnë drejt destinacionit të tyre. 

Që këtej lind pyetja: Nëse gjumi është thelbësor për jetën e qenieve të gjalla, atëherë si është e mundur që ka kafshë apo shpendë që nuk flenë për ditë e ditë të tëra? Sipas një sondazhi të zhvilluar ndaj shumë kafshëve të ndryshme, del se kafshët mishngrënëse flenë më shumë se ato që janë edhe mishngrënëse edhe bimëngrënëse, dhe këto të fundit flenë më shumë se kafshët që ushqehen vetëm me barishte. Kësisoj, duket se roli i gjumit ka të bëjë shumë me ekosistemin e kafshës.

Një shembull është ai i lakuriqit të madh të natës, që fle 20 orë në 24 orë dhe që përbën edhe rekordin e gjumashit për gjitarët. Dikush mund të mendojë se kafshët flenë kaq gjatë për shkak të ndonjë funksioni të panjohur që ushtron gjumi mbi ta. 

Sipas disa shkencëtarëve, funksioni kryesor i gjumit është që të rrisë efikasitetin e kafshëve dhe të minimizojë rreziqet që i vijnë species nga mjedisi rrethues. Të gjitha speciet kanë orë të caktuara gjatë të cilave janë aktive për të kryer funksionet e ekzistencës së tyre dhe orë të tjera që i kalojnë në gjendjen e gjumit.

Kështu mund të shohim specie që optimizojnë periudhat e tyre të pasivitetit në marrëdhënien që kanë ndaj ambientit që i rrethon. Kësisoj, gjumi, në rastin e kafshëve, i ndihmon ato që të përshtaten me botën përreth. Ndërkaq, në lidhje me funksionin e gjumit ka shumë teori të tjera. 

Njëra përfshin rolin e krijimit të lidhjeve mes qelizave të trurit dhe atë të spastrimit të atyre që janë të panevojshme. Largimin e stresit që akumulohet gjatë periudhës kur jemi zgjuar. Zgjatjen e jetës. Megjithatë gjumi nuk mund të shpjegohet përmes madhësisë së trurit, jetëgjatësisë, përmasave trupore apo variablave të tjera që janë analizuar prej vitesh, duke dhënë gjithmonë rezultate konfliktuale, apo konfuze në lidhje me gjumin.

Kështu, nëse njohim masën trunore të një kafshe, nuk do të mundemi kurrsesi që të parashikojmë apo shpjegojmë kohën e tyre të gjumit, apo thellësinë e tij. Një majmun ka të njëjtën kohëzgjatje gjumi si edhe një derr. 

Një elefant jetëgjatë ka një nga periudhat më të shkurtra të gjumit te kafshët, ndërsa një lakuriq nate jetëshkurtër ka një nga periudhat më të gjata. Gjumi i njeriut ka shumë pika të përbashkëta me të ashtuquajturat "gjendje inaktive" të bimëve, mikrobeve, pra të specieve që nuk kanë një sistem nervor. Kjo është një sfidë ndaj idesë se gjumi është produkt i trurit.

Gjumi nga ana tjetër konsiderohet edhe si një periudhë karikimi i energjisë dhe ruajtjeje të saj. Megjithatë këto janë vetëm disa ide në lidhje me gjumin, natyrën dhe rëndësinë e tij te qeniet e gjalla dhe veçanërisht te njeriu. 

Ai vazhdon të mbetet një mister i madh, edhe pse shumë shkencëtarë i janë vënë sfidës për ta "çmontuar" këtë mister e për të zbuluar ndoshta mekanizma të rëndësishëm të përshtatshmërisë së specieve ndaj ambientit.

 Gazeta Shqip

No comments: