Wednesday, August 18, 2010

Kur emigrantët na thonë: Ju shqiptarët...

Bashkë me vapën vjen edhe nxehtësia e mallit njerëzor.

Me makina, avionë apo tragete, ata vijnë e zbrazin në vendlindje dashurinë e akumuluar. Këtu kanë kujtimet, prindërit, shokët, nostalgjinë. Njerëzore, e bukur dhe e domosdoshme. Rikthimi në vendin e lindjes është veprimi më i mençur që bëjnë emigrantët. U bën mirë edhe psikologjikisht. Bashkë me makinat e shtrenjta, eurot, vathët në vesh, disa prej tyre sjellin me vete edhe humorin. 

Nuk e kanë marrë atje ku jetojnë, sepse nuk e kanë pasur as kur ikën. Por, të bëjnë për të qeshur me psikologjinë e marrë borxh atje ku jetojnë. Edhe ai që ka qenë më karagjozi këtu, nga largësia është transformuar aq, sa i ka ikur edhe ai sharm që ia kemi njohur dikur. Disa prej tyre na bëjnë vërtet për të qeshur. Kur dëgjova nga emigrantët shprehjen, ju shqiptarët nuk dini të jetoni, e mora si një dukuri të veçantë. Por kur e dëgjova edhe nga të tjerë, vura buzën në gaz. Më erdhi keq që largësia dhe jetesa në një vend të huaj e shpërfytyron njeriun deri në atë pikë sa ta mishërosh. Jo vetëm se flasin kodra pas bregut. Disa prej tyre, me makina të shtrenjta, ecin si të shkalluar në udhët e ngushta të atdheut tonë zemërgjerë. Kështu ndodh gjithnjë. Trupi i varfër, për fat, zemrën e ka të madhe. Ata vijnë me makina të shtrenjta, ecin si të marrë, dhe përplasen shqip me vëllezërit e tyre shqiptarë. Makinat i kanë marrë me qira atje. Duke u kapardisur rrugëve, shpresojnë të mburren para bashkëkombësve, që ata i konsiderojnë shqiptarë! Për çfarë mburren dhe ku është leverdia, vetëm mendja e tyre emigrante e di. Krijesa paradoksale që sillen në mënyrë paradoksale në këtë tokë. Atje zbatojnë rregullat e qarkullimit deri në një, dhe rregullat e mirësjelljes deri në dy. Sapo shkelin këtu, ngrenë zërin në rrugë, lokale, shtëpi, si njerëz të jashtëm dhe qenie speciale. Bëhen harbutë dhe përkëdhelin veten në gjirin e kësaj Nëne, për të cilën shumë prej tyre as duan t’ia dinë. Me siguri kështu i ka parë dikur të huajt kjo kategori. Si qenie superiore që mund të bëjnë gjithçka ndaj atyre që janë më të varfër.
Por ata nuk silleshin si harbutë dhe nuk na drejtoheshin, ju shqiptarët…!
Megjithëse kishin të drejtë. Asnjëherë nuk i kemi parë të huajt prej vërteti të sillen me arrogancë në këtë tokë. Ndërsa vjen një prej gjakut tonë dhe na prish qetësinë e varfërisë që kemi këtu! Disa prej tyre duken vërtet si të liruar nga zinxhirët e qytetërimit. Perëndimi ka rregulla, prandaj ka arritur atë standard. Këta tipa, pa tip fare, duke pasur në gen rrumpallën made in Albania, vuajnë sepse u duhet të përshtaten. Atje ka gjoba. Por, sapo fluturojnë për këtu, dalin menjëherë në origjinë.

Pastaj na thonë: ju shqiptarët nuk dini të jetoni!

Një tjetër tip emigranti bën sikur ka harruar fjalët shqip dhe pyet: si i thoni ju shqiptarët atyre të gjatave?... Ah po, makavona. Jo... makarona..., ke të drejtë! Një tjetër, me vathë në të dy veshët, i thotë babait të tij me dy dekorata në gjoks, që e ka pritur me mall: Sa mbrapa ke mbetur ti father!

Dhe humori emigrant nuk ka të sosur.
Çfarë policësh të shëmtuar keni ju në Shqipëri!

Sa mbeturina keni në rrugë, thotë ai që sapo hedh vetë kutinë bosh të cigareve.

My god! Ju nuk keni drita, nuk keni ujë. Si jetoni? Ç’janë këto rrugë, këto pallate të pasuvatuara, njerëz që shesin në trotuare, plaka me rrudha, qen që bëjnë seks në sy të të tjerëve? My god! Jeni të çuditshëm ju shqiptarët!

Kur i thua, eja jeto këtu, se mendja xhevahire e një emigranti na duhet për t’u ndrequr, të përgjigjet me habi: Unë këtu? Nooo! Kurrë. Më mirë vdes, se të jetoj në këtë vend. Dhe ka të drejtë! Një shqiptar me emrin Baftjar, djali i Shemsijes dhe Xhemolit, nuk ka se si të jetojë në një tokë të huaj si Shqipëria, me njerëz të huaj që nuk i njeh fare, dhe kulturë që nuk është e origjinës së tij! Posi, posi! Ky emigrant është po aq i huaj në këtë tokë, sa ç’është danez një afrikan i zi dhe i uritur. Kur trupi emigron 1000 kilometra nga vendlindja, mendja ka emigruar dhjetëfishin e saj.
Misioni i këtyre emigrantëve problemorë, është të shkelin rregullat me makinë, të bërtasin me gjithë fuqinë e zërit, të hedhin plehra në rrugë, e pastaj të na japin këshilla si të jetojmë ne shqiptarët. Disa prej tyre, në vendin ku jetojnë nuk kanë punuar asnjë ditë. Jetojnë prej vitesh me asistencë nga taksapaguesit vendas. Në banesën e vet jetojnë aq pis dhe rrëmujë, sa një miku im në Amerikë, Ardiani, thotë: “Kur futesh në çdo shtëpi, duhet të pastrosh këpucët. Ndërsa në shtëpinë e këtyre, duhet t’i pastrosh kur del jashtë saj!” I sheh tërë ditën duke vjedhur në supermarkete, shtiren si të sëmurë, hyjnë e dalin nëpër burgje, dhe pastaj bëhen lektorët tanë të qytetërimit në këtë tokë. Të shkretët! Falë kësaj toke të çuditshme, atje nuk i konsiderojnë idiotë. Të liq, hajdutë, dembelë, drogmenë dhe vrasës, po.
Atëherë, pse tregohen injorantë kur vijnë këtu?
Edhe pa ata, kemi plot të marrë me dhe pa imunitet. Nuk na duhen të tjerë që sjellin probleme këtu dhe të na japin mend si të jetojmë. Atje, në shtëpinë e tyre të thonë, mbylle dushin se harxhoj shumë! Ndërsa këtu kanë dëshirë të ftohin shalqirin me ujë të rrjedhshëm dhe të lajnë makinën me ujë Selite. Një kuletë e fryrë në xhepin e pasmë, nuk do të thotë mençuri në anën e djathtë të kokës të kujtdo. Qoftë edhe emigrant.Injorancës tonë autoktone i shtohet një herë në vit, si baticat e detit, edhe ajo e disa emigrantëve. Me këtë rast kemi mundësi të ballafaqojmë cilësinë e injorancës tonë me të atyre. Nuk kanë shumë ndryshim. Vetëm se ajo, e emigruara, ka në xhepa më shumë euro, mban aromë të mirë dhe ka pasaportë të huaj.
Pse jemi kështu? Kudo të shkojmë, çfarëdo jete të bëjmë, sado pasuri të veme, në injorancë mbetemi shqiptarë. Ndryshojmë në fasadë, etikë, ndërsa brenda na vlon arroganca. Fakti që shqiptari i larguar i thotë vëllait të tij, ju shqiptarët, tregon më së miri nivelin tonë. Vini re disa prej atyre që janë kthyer për gjithnjë në atdhe.

A u ka mbetur ndonjë sjellje qytetare, perëndimore?
Asnjë! Janë katandisur më keq se ne, vendasit. Sapo u ikën aroma e rrobave e shpenzojnë eurot e fundit, kthehen në origjinë dhe ia nisin borxheve.
Gjithsesi, ardhja e kësaj kategorie emigrantësh është e mirëpritur. Unë për vete gëzohem shumë. Këta tipa na kthejnë buzëqeshjen ne, të humburve në këtë tokë të lashtë me mundime dhe gëzime të çuditshme. Njëherësh, këta na bëjnë më të vëmendshëm ndaj vlerave tona për të zbuluar si katandisemi kur eksportojmë veten tonë, dhe më pas, kur e importojmë atë. Ikën shoku injorancë dhe vjen zoti injorancë. Kur emigron trupi, mendja ka emigruar prej kohësh.

Sikur injoranca të ishte maja, do gatuanim kulaçë për gjithë globin! 
luan.laze@hotmail.com

T. Observer

No comments: