Wednesday, August 18, 2010

Shqiptarët, protesta në portin e Barit

Pakënaqësi dhe protesta të shqiptarëve në portin e Barit për shkak të problemeve në imbarkim. Mijëra persona e kanë kaluar fundjavën në portin detar të Barit në Itali në pritje të imbarkimit në tragetet e linjës që nisen drejt Durrësit. Lajmi bëhet i ditur nga “La Gazzetta del Mezzogiorno”.
Sipas saj janë afro 5 mijë veta, ata që presin të futen në tragetet e linjës detare për të mbërritur në anën tjetër të Adriatikut, në Durrës. 
Ndërsa muaji korrik ka qenë disi i qetë në lëvizje, muaji gusht dhe veçanërisht fundjavat kanë regjistruar një fluks të konsiderueshëm që është bërë i papërballueshëm nga agjencitë e lundrimit. Ata që më së shumti kanë ndier vështirësi në imbarkim kanë qenë kamionistët dhe mjetet e tyre. Një pjesë e mirë e tyre janë grumbulluar në pikën e informacionit në brendësi të portit të Barit dhe kanë kërkuar të imbarkohen në tragete duke protestuar kundër qëndrimit të agjencive që preferojnë njerëzit dhe automjetet e vogla pavarësisht kërkesave të tyre. Fluksi i kërkesave po sjell dëmtime në mjaft biznese që rrezikojnë prishjen e mallrave të importuara, si dhe mosdorëzimin në destinacion të tyre në kohën e duhur. Disa prej kamionistëve u kanë thënë gazetarëve italianë se kanë ditë që janë aty duke mbajtur radhën. Ndërkaq, edhe afro një mijë automjete të tjera, kryesisht të emigrantëve shqiptarë e kosovarë kanë qëndruar në pritje. Media italiane njofton se të gjithë duan të shkojnë përtej Adriatikut, ndërsa presin “të burgosur” në sheshin e madh “Marisabella” të mbuluar me asfalt. Ndërsa raportohet situata e njerëzve të pakënaqur nga pritjet e gjata, në portin e Barit deklarojnë se kontrollet policore në Shqipëri, në Durrës janë të rrepta dhe këto kanë krijuar vonesa. Tragetet që duhet të niseshin rreth orës 22.00 dhe 24.00 të së dielës nuk kanë mundur të nisen para orëve 3-4 të mëngjesit të së hënës. 
Situata vlerësohet si mjaft kritike për kamionistët që kanë mall në mjetet e tyre dhe duhet ta dorëzojnë atë në destinacion. 
Kamionistët akuzojnë agjencitë e lundrimit që preferojnë të imbarkojnë automjetet e vogla para kamionëve (Tir) për shkak të të ardhurave që fitojnë më shumë. Më të dëshpëruar duken ata që kanë mallra që u prishen dhe ngarkesat e tyre mund të dalin jashtë përdorimit në rast se do të vazhdojnë të qëndrojnë në portin barez. 
Tensioni i shfaqur në portin barez vazhdon edhe pasi autoritetet portuale ndërhynë pranë agjencive të lundrimit për të imparkuar të paktën 25 kamionë në tragetet e linjës
Shumë kamionë të tjerë dhe shoferët e tyre vazhdojnë të mbeten atje të irrituar. Sipas Gazetës së Mesditës, që u referohet autoriteteve italiane portuale, situata pritet të zgjidhet të martën, pasi është menduar të sigurohet një traget që do të mundësojë vetëm lëvizjen e kamionëve drejt Durrësit, duke mundësuar futjen në bordin e tij të afro 120 kamionëve.

Vali Qyrfyçi:Gazeta-Shqip

No comments: